A duhet të shkatërrohet kisha në oborrin e Universitetit të Prishtinës?

Kishat dhe xhamitë apo çdo lloj faltore tjetër, janë të shenjta për besimtarët që i frekuentojnë këto vende ndaj dhe kur shndërrohen në temë të një diskutimi pasionant kombëtar, është vështirë të flitet në mënyrë objektive dhe të prerë.

Kisha ortodokse në oborrin e Universitetit të Prishtinës e ndërtuar nga pushteti serb në vitin 1999, është bërë së fundmi temë debati në sferën publike dhe ky debat si çdo debat tjetër me interes për sferën publike, e ka polarizuar opinionin: disa janë të mendimit që kisha duhet të rrënohet ngaqë është ndërtuar në një hapësirë universitare laike dhe për më tepër, është ndërtuar nga një pushtet okupues dhe më shumë sesa i shërben nevojave të besimtarëve të komunitetit ortodoks, kjo kishë shihet si simbol i një pushteti që synonte shfarosjen e shqiptarëve. Simbolika e kësaj kishe nuk gëzon të njëjtën vlerë fetare si kishat e tjera duke qenë se ajo mbart peshën e politikës agresive të pushtuesit serb.

Si simbol i një të kaluare të frikshme për shqiptarët, kjo kishë duhet të rrënohet. Rrënimi i saj nuk duhet të shihet si cënim i të drejtës së ortodoksve për të ndërtuar dhe ruajtur faltoret e tyre por si një përpjekje për ta ndarë fenë nga çoroditjet fashiste që u bënë në emër të saj, një pëpjekje e pastër laike.

Diçka e ngjashme mund të thuhet edhe për objektet fetare që ISIS do të mund të ndërtonte në vendet që ka pushtuar. Përjashto ndonjë xhami kryevepër botërore të artit (çka nuk ka ndodhur e as që pritet të ndodhë) çdo xhami që ISIS do të ndërtonte në vendet që ka pushtuar, do të ishte plotësisht normale që të rrënohej. Me këtë akt nuk do të nënçmohej apo cënohej as feja dhe as e drejta e myslimanëve për të ndërtuar dhe ruajtur faltoret e tyre por kur një faltore shërben si qendër e islamizimit të dhunshëm apo e shtypjes së një popullate tjetër, atëherë do të ishte plotësisht e natyrshme që banorët e atij vendi të kërkonin rrënimin e atij objekti. E njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me djegjen e flamurit të pushtuesit: pavarësisht që pushtuesi mund të ndajë të njëjtin flamur të besimit me ne, në çastin kur ai na pushton dhe ndër të tjera këtë pushtim e bën pas flamurit të përbashkët fetar apo kombëtar, pikërisht atëherë ai flamur nuk konsiderohet më i përbashkët por flamur i armikut.

Në anën tjetër kemi shqetësimet legjitime për rrënimin e kishës. Kosova është republike e re, e varfër dhe e jo e pranuar nga të gjitha shtetet. Për më tepër Kosova është vend me nje popullatë me shumicë myslimane. Pak rëndësi ka nëse kosovarët e identifikojnë veten si myslimanë apo si diçka tjetër. Në arenën ndërkombëtare Kosova njihet si një shtet me shumicë myslimane. Ky fakt vetvetiu është i mjaftueshëm për t’ia nxirë imazhin e brishtë Kosovës.

Ç’do të shohë bota kur kosovarët të rrënojnë një kishë? Do të shohin myslimanë që shkatërrojnë një faltore të krishterë. Do të shohin një popull mysliman në Evropë që përndjek fetë e tjera. Do të shohin një popull që përndjek të krishterët. Do të shohin një popull që nuk e toleron dot tjetrin. Do të shohin, pra, një popull mysliman që pavarësisht se sa liberal e konsideron veten, prapa maskës së liberalizmit fsheh një tendencë radikale dhe fanatike, fundamentaliste, të gatshme për t’iu bashkangjitur bashkëfetarëve sunitë në Lindjen e Mesme. Sa do të gëzohej Serbia dhe aleatët e saj të cilët mezi e presin një incident të tillë!

Nuk ka aspak rëndësi e vërteta këtu. Nuk ka rëndësi fakti që kjo kishë është simbol i poshtërimit të shqiptarëve nga serbët; që është ndërtuar në një hapësirë universitare laike ku objektet fetare s’do të duhej të ekzistonin që në krye të herës. Kosova nuk e ka as fuqinë, as mundësinë dhe as përvojën për t’i bindur ndërkombëtarët mbi të vërtetat rreth kësaj kishe. Kosova nuk është Izraeli apo ndonjë shtet i vogël e i fuqishëm evropian. Kosova ka nevojë jetike që të ruajë imazhin e një shteti laik ku fetë tolerohen, jetojnë në liri të plotë dhe nuk përcatojnë politikat e saj. Shkatërrimi i kishës do të shkatërronte imazhin e Kosovës si shtet laik e multifetar dhe do ta damkoste si një shtet fundamentalist mysliman që përndjek të krishterët. Të huajt do të shohin një shtet mysliman duke shkatërruar një kishë. Atyre nuk u intereson e madje, ata as që duan t’ia dinë për arsyet se pse kjo kishë po shkatërrohet. Ata do ta shohin rrënimin e kishës si kishë dhe ky rrënim do ta përbalte sa s’bëhet imazhin e kosovarit. Në një kohë të këtillë kur islami ka vetëm imazh plotësisht negativ, rrënimi i kishave nuk është në interes as të kosovarëve, as të shqiptarëve dhe as të islamit.

Unë pajtohem me argumentat e grupit të parë dhe mendoj që kjo kishë duhet të hiqet nga aty por përpara se të bëhet një gjë e tillë, duhet të zhvillohet një luftë e madhe propagandistike për përfitimin e opinionit mediatik dhe politik ndërkombëtar, për marrjen e miratimit të të gjitha vendeve relevante për këtë çështje, përfshirë këtu edhe pëlqimin e Vatikanit (duke qenë se është e vështirë të besohet se kisha ortodokse do ta miratonte një veprim të tillë). Pa këtë pëlqim akti i shkatërrimit të kishës do të ishte një akt irracional duke qenë se Kosova duhet të dijë të bëjë balancimin e interesit të vet dhe përmbajtjes së parimeve. Të mos prishurit e kishës ndërkohë, nuk përbën thyerje të ndonjë parimi me vlerë por thjesht pezmatim të tyre. Përderisa asnjë parim nuk thyhet duke e mbajtur kishën ku është, unë e shoh në interes të shtetit kosovar që ajo të mos rrënohet. Arsyet estetike, urbanistike dhe emocionale nuk mund t’i anashkalojnë arsyet strategjike të ruajtjes së imazhit (edhe ashtu jo të mirë) të Kosovës.

Sead Zimeri

About albphilosopher

Sead Zimeri has studied Philosophy, Islamic Philosophy and Religion, International Politics and Psychoanalysis. He is currently the project coordinator of "Islam and the Liberal Society" at the Liberalt Laboratorium (LibLab) thin tank in Oslo, Norway. http://www.liblab.no
This entry was posted in Uncategorized. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s