Nënë Tereza: shenjtore e kapitalizmit dhe opium për shqiptarët

Një nga arsyet pse Nënë Tereza u bë kaq e famshme është pikërisht sepse ajo legjitimoi aventurat kapitaliste që e ndanë botën në dy taborre: në të varfër dhe të pasur. Nënë Tereza shfrytëzoi fenë për ta arsyetuar dhe justifikuar këtë ndarje. Ajo kërkoi nga të varfërit jo vetëm që ta pranonin varfërinë por edhe ta donin atë sepse Zoti, sipas saj, i do më shumë të varfërit. Kështu ajo legjitimoi dhunën, shtypjen dhe barbarizmin e kapitalizmit që i detyroi këta njerëz të jetojnë në varfëri të skajshme. Natyrisht që të pasurit do ta duan, do ta shpërblejnë me çmime dhe para e do ta bëjnë shenjtore. Nënë Tereza ama duhet të shpallet shenjtore e kapitalizmit, jo e krishterimit sepse Krishti nuk qëndroi duarkryq, nuk e pranoi dhunën e perandorisë romake në heshtje, nuk u dekorua me çmimet më të larta të perandorisë por u kryqëzua, u trajtua si kriminel, si rebel dhe si armik i sistemit perandorak. Se çfarë e bashkon Nënë Terezën me Krishtin mbetet mister për mua. Krishti luftoi për të varfërit, Nënë Tereza për të pasurit; Krishti luftoi për drejtësi dhe barazi, Nënë Tereza për pabarazi dhe për mbulimin e padrejtësive. Jo! Nënë Tereza nuk është shenjtore e Krishtit por e shkeljes mbi të, mbi trashëgiminë e tij të luftës për barazi dhe liri. T’i kërkosh njeriut ta dojë varfërinë është njëlloj sikur t’i kërkosh të dojë pushtimin, dhunën dhe shtypjen sepse varfëria është të gjitha këto. Nënë Tereza i kontriboi mizerjes, injorancës dhe shtypjes së njeriut. Qëlloi të ishte me kombësi shqiptare por kjo është krejt aksidentale. Ajo i shërbeu një ideologjie që nuk mund të respektohet nga njerëzit që e duan veten.

Përfytyroni për një çast sikur Nënë Tereza në vend që ta bekonte varfërinë, të kërkonte ta ndryshonte atë duke i këshilluar të varfërit jo t’i buzëqeshin asaj por ta luftojnë. Eh, do të kishim një Nënë revolucionare por gjithsesi pa çmimin Nobel e pa shenjtëri. Ajo prapë do të sakrifikonte jetën e saj për ndihmën të të varfërve në të njëjtën mënyrë por me një filozofi iluministe, jo-patronizuese, përparimtare dhe emancipuese. Ajo zgjodhi t’i shërbente varfërisë duke e shtuar atë, duke e zëvendësuar drejtësinë me humanizëm por të varfërit nuk kanë nevojë për humanizëm aq sa ç’kanë nevojë për një jetë me dinjitet.

Shqiptarët nuk mendojnë të gjithë njëlloj për Nënë Terezën dhe unë nuk e shoh këtë si problem por si pjekje politike të tyre. Nënë Tereza për disa është e shenjtë e për disa të tjerë jo e shenjtë por gjithsesi një figurë e madhe që shkakton fraksione në shoqëri. Përderisa ajo ka marrë një status kaq të lartë për kombin është e domosdoshme që simbolika e saj të shtrohet për debat të gjerë. Fundja ne nuk duam një shoqëri ku figura të tilla vetëm të respektohen pa guximin për të thënë as edhe një fjalë kritike kundër tyre. Një shoqëri e tillë është një shoqëri e sëmurë.

Mbi Nënë Terezën dhe mbi gjithë të tjerët qëndron liria për të kritikuar, kundërshtuar, blasfemuar sikurse për të lavdëruar e adhuruar. Liria u merret vetëm atyre që kërcënojnë apo sulmojnë për shkak të dallimeve ideologjike. Nënë Tereza ishte bamirëse, humaniste dhe filantrope por një numër i madh i ndjekësve të saj duket të jenë fanatikë, vulgarë, anti-humanistë dhe dembelë. Kuptohet, ky nuk është faji i saj por i atyre që e bënë atë të paprekshme, të pa-kritikueshme dhe mbinjerëzore. E kuptoj plotësisht kur katolikët e bëjnë një gjë të tillë: në një kohë të rënies së fesë ikona e Nënë Terezës e bën katolicizmin më tërheqës dhe i jep shtytje/arsye për ekzistencë. Ndonëse edhe kjo nuk do të zgjasë; as Nënë Tereza dhe askush tjetër nuk mund ta shpëtojë fenë me teologji mesjetare. Shenjtërimi i saj nga njerëz që e quajnë veten laikë është diçka krejt tjetër, një gjest regresiv i paparë. Një popull që ngre fetishizma dhe i adhuron ato, e ka kuptuar gabim filozofinë e lirisë: idhujt dhe fetishizmat thyhen që njeriu të jetojë i lirë. Kjo nuk do të thotë që shqiptarët nuk duhet të kenë disa figura kombëtare me të cilat identifikohen por ato mund të shërbejnë si shenja për t’u ngritur mbi identitetin e ngushtë kombëtar në një hapësirë universale. Nëse Nënë Tereza nuk ta mundëson këtë ngritje atëherë e kemi keqkuptuar edhe misionin edhe arsyen e përvetësimit të saj. Nuk përvetësohet një figurë e tillë që të mbyllemi edhe më tepër në identitetet nacionale por që të çlirohemi nga ato.

Sead Zimeri
Shtator 2016

About albphilosopher

Sead Zimeri has studied Philosophy, Islamic Philosophy and Religion, International Politics and Psychoanalysis. He is currently the project coordinator of "Islam and the Liberal Society" at the Liberalt Laboratorium (LibLab) thin tank in Oslo, Norway. http://www.liblab.no
This entry was posted in Uncategorized. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s