Kosovar apo Shqiptar?

Debatet e fundit që lindën si pasojë e nje statusi në Facebook të kryetarit të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, prekën një çështje të brishtë për shqiptarët kudo, sidomos për ata kosovarë duke qenë se u shtrua ҫështja e identitetit të ri të Kosovës. Kjo  është një çështje e vjetër në fakt por situatat dhe rrethanat janë të reja. Tashmë Kosova nuk është krahinë e Serbisë por shtet i pavarur dhe ky fakt vetvetiu i mëshon disa pikave që nuk kanë qenë aktuale në të kaluarën e largët dhe të afërt të saj.

Mund të argumentohet që situata e re nuk e ndryshoi një fakt të vjetër, faktin që shqiptarët e Kosovës përherë kanë qenë shqiptarë dhe se aspiratat e tyre kanë qenë të bashkohen me Shqipërinë nga e cila dikur ishin ndarë. Kosovarët e kanë ruajtuar të freskët idenë, traumën apo plagën e ndarjes së tyre nga Shqipëria dhe kjo ka krijuar një ndjesi, në fakt krijon dy ndjesi të thella tek shqiptarët kosovarë, ndjesi që nuk hasen tek shqiptarët e Shqipërisë. Në njërën anë, të pakënaqur me sundimin serbo-jugosllav ata kanë zhvilluar një nacionalizëm dhe dashuri për shqiptarinë të cilën e kanë identifikuar me Shqipërinë. Paraprakisht mund të thuhet që vetë ky kompleks i identifikimit të shqiptarisë me Shqipërinë është bërë nga pozita imagjinare e një fëmije të rrëmbyer i cili këmbëngulte, herë haptas e herë në përshpëritje, t’i bashkangjitej nënës së tij. Ndjesia tjetër është ajo e urrejtjes ndaj Serbisë që po ashtu ka shërbyer si shtytëse për ta identifikuar shqiptarinë me Shqipërinë.

Dëshira për t’iu bashkangjitur nënës fillimisht ka qenë dëshirë autentike, e stisur nga rrethanat e asaj kohe sepse shqiptarët do të duhej të ishin në një shtet, pjesë natyrore e Shqipërisë. Zgjidhjet të tjera nuk mbartin shumë kuptim në ideologjinë nacionaliste dhe pavarësia e Shqipërisë në kufijtë aktual ka krijuar një padrejtësi historike për shqiptarët e lënë jashtë saj. Nga një perspektivë nacionaliste kjo nuk mund të pranohet kurrë. Megjithatë, më vonë, pas natyralizimit të shqiptarëve në Jugosllavi dhe pasi kosovarët kanë fituar një lloj vetëqeverisjeje dhe pavarësi krahinore, autenticiteti i dëshirës për bashkimin me Shqipërinë nis dalëngadalë por me patjetër, të zbehet. Dëshira ama do të ekzistojë sikurse është e qartë në shkrimtarët nacionalistë të kohës dhe madje ajo do të vazhdojë deri në ditët e sotme në diskursin politik të një partie si Vetëvendosja por kjo dëshirë do të pësojë ndryshim kualitativ. Tashmë s’bëhet më fjalë për një dëshirë autentike nacionaliste por për një dëshirë nostalgjike, një dëshirë për t’i mëshuar ikjes prej sundimit serb. Një ndryshim i këtillë në nivel të diskursit politik ka peshë dhe rëndësi të veҫantë edhe pse ajo nuk shtrohet si e tillë.

Kosova tani është e pjekur politikisht për të qëndruar mbi këmbët e veta. Ajo ende kërkon ta mbajë gjallë ëndrrën e bashkimit kombëtar por kjo nuk është më prioritet tani por dëshirë që nuk i preokupon kosovarët në formën siҫ do ta kërkonte diskursi nacionalist. Kosovarët kërkuan pavarësi në formë të republikës nga Serbia dhe madje kur kushtet qenë të përshtatshme ata rrokën deri armët dhe e fituan këtë pavarësi. Kjo pavarësi e fituar por e brishtë dhe me shumë pak mbështetje ndërkombëtare, do të kontestohet kudo, madje edhe nga politika të brendshme të cilat si relik i të kaluarës që mbajnë gjallë kujtesën e shkëputjes dhe rrëmbimit të tokave shqiptare, do ta trajtojnë Republikën e Kosovës si një republikë tranzite, si mjet për të arritur një qëllim tjetër. Gjithsesi një shumicë e cila edhe pse ndihet shqiptare dhe mendon që idealisht Kosova do të duhej të bëhej bashkë me Shqipërinë, nuk e ka bashkimin fokus kryesor. Ndërtimi i shtetit kosovar do të marrë të gjithë fokusin dhe energjitë e pjesës më madhore të kosovarëve.

Ky realitet i ri do të shkaktojë ҫarje tektonike në dëshirën për bashkimin me Shqipërinë: Shqipëria u nda; shqiptarët u shkapërderdhën gjithandej por ata që mbetën në Kosovë (e Maqedoni), arritën ta ruanin identitetin e tyre etnik përkundër vështirësive që hasën në ish-Jugosllavinë e Titos. Ata mbetën shqiptarë edhe pse Shqipëria (mëmëdheu) harroi që ata ekzistonin.

Kosova Republikë është një realitet që e copëton mitin nacionalist në Ballkan se popujt etnik duhet të jetojnë bashkë në një shtet. Nëse pavarësia e Kosovës tregon diҫka për nacionalizmin në Ballkan, sidomos atë shqiptar, është se ai nuk është më as i fuqishëm, as i bindshëm mjaftueshëm dhe as tërheqës (erotik) për të përftuar vëmendjen e kosovarëve, për t’i bërë ata të dëshirojnë një realitet tjetër. Formimi i shtetit të Kosovës e shndërroi dëshirën, tani ëndërr, të bashkimit kombëtar në një fakt përfundimisht të parealizueshëm. Kosovarët mund të udhëheqin vetëm dhe pavarësia nuk vjen vetëm nga sundimi serb por edhe nga diskurset nacionaliste që e njehtësojnë shqiptarinë me Shqipërinë dhe krijojnë një ndjenjë të pamjaftueshmërisë së të qenurit shqiptar jashtë Shqipërisë. Shqiptarët e Shqipërisë përherë kanë qenë më tepër shqiptarë sesa shqiptarët që kishin mbetur jashtë saj. Dëshira e këtyre shqiptarëve ‘të jashtëm’ ishte që të bëheshin si mëma Shqipëri dhe madje pjesë e saj. Përderisa kjo dëshirë ishte e kuptueshme në të kaluarën tani ajo mbetet dëshirë e atyre që ende nuk janë çliruar nga komplekset e inferioritetit ndaj hegjemonisë serbe. Shqipëria po ashtu, nuk është më ajo që ishte; edhe diskursi nacionalist nuk shitet më si dikur, kurse hegjemonia serbe ka pushuar së ekzistuari në Kosovë.

Tanimë kosovarët e shijojnë pavarësinë, sado e brishtë që ajo mund të jetë dhe pavarësia është përherë më e mirë se sa tretja në një vend tjetër. Marëdhëniet incestuale që i kërkon nacionalizmi janë të pranueshme vetëm nëse një popull është nën sundim të drejtpërdrejtë të një populli tjetër. Pas pavarësisë incesti është i padëshirueshëm.

Kosova nuk gëzon më të njëjtin fokus dhe ky ndryshim vjen si rrjedhojë e ndryshmit të situatës së saj. Sot kërkohet qe kjo situatë të mbrohet dhe të zhvillohet më tutje. Do të ishte një gjest vetëvrasës për Kosovën të ushqyerit e dëshirave për një realitet tjetër; për një realitet tjetër brenda saj duhet gjithsesi të punohet por për një realitet ku historia e zhvillimit të Kosovës së pavarur nga Shqipëria fshihet apo shtypet; për një realitet tjetër është një dëshirë kontradiktore sepse Shqipëria dhe Kosova pavarësisht lidhjeve etnike që kanë janë dy entitete me zhvillime historike të veçanta që e bën bashkimin e tyre pa dominimin e njërit mbi tjetrin ide jo-reale.

Kosova është sot shtet i pavarur dhe ky realitet detyrimisht do ta ndryshojë edhe qasjen e saj ndaj fqinjëve përreth, përfshirë Shqipërinë. Shqipëria është shtet fqinj dhe sado më e afërt se Maqdonia apo Mali i Zi qoftë, që është fakti objektiv, mbetet që për Kosovarët identiteti fillestar i tyre është ai i të qenurit kosovarë kur në pyetje është shteti i tyre, prandaj edhe kombëtarja e tyre është ajo që luan për Kosovën dhe jo për Shqipërinë. Kjo as nuk e zbeh dhe as nuk e çorodit identitetin etnik të kosovarëve. Ata mbetën shqiptarë edhe kur ishin nën sundimin serb dhe nuk ekziston asnjë arsye pse të mos qëndrojnë shqiptarë edhe tani që janë duke jetuar në pavarësi. Nëse ky realitet dëshmon diçka, është që diskursi i vjetër nacionalist i bashkimit të trojeve etnike nuk e ka më peshën dhe rëndësinë që kishte dikur. Por shqiptaria e Kosovarit as nuk dëmtohet dhe as nuk cënohet nga fakti që kosovarët mbrojnë shtetin e tyre dhe përkahin ekipin e tyre në futboll. Identiteti i ri kosovar nuk qëndron në asnjë formë të kundërthënies apo kontradiktës me atë etnik shqiptar. Megjithatë identiteti kosovar është më gjithëpërfshirës sesa ai etnik sepse ai i përfshin në vete edhe etnitë e tjera.

Pyetja nëse Kosova është komb apo diçka tjetër është çështje që nuk ka nevojë të shtrohet në kushte të këtilla. As identiteti kosovar dhe as ai shqiptar nuk janë statike; ato marrin kuptime në raport me situatat dhe kontekstet ku ndërveprojnë prandaj shqiptarët, në kuptimin shtetëror të fjalës dhe kosovarët, do ta përcaktojnë bashkarisht apo vetë kuptimin e identitetit shqiptar (në kutimin etnik të fjalës).

Sead Zimeri

 

About albphilosopher

Sead Zimeri has studied Philosophy, Islamic Philosophy and Religion, International Politics and Psychoanalysis. He is currently the project coordinator of "Islam and the Liberal Society" at the Liberalt Laboratorium (LibLab) thin tank in Oslo, Norway. http://www.liblab.no
This entry was posted in Uncategorized. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s