Paradoksi i lirisë

Si rregull, tradita nuk imponohet por internalizohet. Ajo imponohet vetëm atëherë kur subjekti fillon ta përjetojë atë si shtypëse. Pa këtë vetëdije mbi natyrën shtypëse të traditave, ato nuk mund të ndryshohen dhe për më tepër, nuk mund të trajtohen si shtypëse. Vetëdijësimi për shtypjen i paraprin faktit të natyrës shtypëse të një tradite; prandaj edhe ndryshimet në traditë duhet të shfaqen si nevojë e brendshme e jo të imponohen nga jashtë. Askush nuk mund ta bëjë të lirë tjetrin.

Paradoksi i lirisë është se kjo e fundit nuk mund të imponohet por vetëm mund të lind si rezultat i ndonjë vetëdijësimi për nevojën e lirisë më të madhe sesa e lejon tradita.

Në këtë kuptim ka një hendek të patejkalueshëm mes individit dhe shoqërisë. Individi mund të vetëdijësohet për limitet tejet kufizuese të shoqërisë në një sferë të traditës, ndërsa vetëdijësimi i shoqërisë mund të kërkojë dekada apo madje edhe shekuj të tërë para se të vendoset kolektivisht për t’i lehtësuar këto limite. Prandaj jetesa është e vështirë për individë të këtillë në shoqëri tradicionale.

Disa aspekte të shoqërisë gruaja i përjeton si shumë shtypëse ndërsa burri ndoshta, nuk i përjeton ato aspak si të tilla. Për gratë e emancipuara të jetuarit në një shoqëri kufizuese bëhet tepër problematike sepse ato kanë vetëdijen por nuk mund të jetojnë e nuk mund t’i edukojnë fëmijët sipas saj sepse shoqëria ka mbetur mbrapa dhe ende nuk ka arritur ta kuptojë përfshirjen në shtypjen e gruas; të gruas së emancipuar sepse gruaja tradicionale që nuk e ka atë vetëdije nuk ka nevojë për liri më të madhe pse ajo nuk e përjeton predikamentin e vet si shtypës. Në nivel subjektiv ato janë të emancipuara por në nivel objektiv emancipimi është ende larg, ende një projekt i së ardhmes. Emancipimi subjektiv i këtillë zakonisht vjen si rezultat i ndonjë ngjarjeje që shfaq limitet e konstruksioneve tradicionale.

Gjithashtu kjo do të thotë se nuk mund të dalësh jashtë limiteve historike të zhvillimit të vetëdijes për lirinë. As revolucioni dhe as dhuna revolucionare nuk mund ta ndryshojnë këtë fakt. Në rastet më të mira rezultatet e tyre janë të vogla dhe çmimet në viktima tejet të mëdha. Kjo nuk do të thotë që dhuna është çdoherë dhe kudo e paarsyeshme por dhuna si domosdoshmëri është përherë sporadike, e aty për atyshme, e pa planifikuar, redemptive. Në çastin kur ajo fillon të bëhet pjesë e realizimit të ndonjë programi politik a pikëpamjeje filozofike mbi botën, atëherë rezultatet e saj mund të jenë të tmerrshme por pa ndryshime thelbësore. Komunizmi provoi për disa dekada me radhë ta ndryshonte njeriun përmes dhunës. Nuk ia doli dot. Madje dështoi dhe u zhduk në proces. Vetëdija për lirinë nuk mund të imponohet sepse atëherë forma do t’ia mohonte përmbajtjen.

Përderisa dhuna është siptomë e ngërçit në traditë, ajo mund të jetë vetëm sporadike, siptomatike e që pastaj kërkon qasje tjetër të zgjidhjes si problem siptomë e të cilit është. Nuk ekziston arsyetim as për këtë dhunë por përderisa në të mishërohet e përmes saj shprehet vetëdija për kufizimet e lirisë në konfiguracionet aktuale të traditës, atëherë kjo dhunë është plotësisht e kuptueshme por aty dhe përfundon roli i saj. Dhuna mund vetëm t’i indikojë problemet. Ajo nuk mund as t’i emërojë dhe as t’i zgjidhë ato. Zgjidhja përherë është në përdorimin e ftohtë të arsyes, larg turbullirave emocionale dhe pasioneve të zjarrta që përfundojnë në dhunë. Si çdo problem tjetër, fizik, biologjik, matematikor, shoqëror, etj., edhe problemi i lirisë kërkon qasje racionale.

Sead Zimeri
30.08.2016

About albphilosopher

Sead Zimeri has studied Philosophy, Islamic Philosophy and Religion, International Politics and Psychoanalysis. He is currently the project coordinator of "Islam and the Liberal Society" at the Liberalt Laboratorium (LibLab) thin tank in Oslo, Norway. http://www.liblab.no
This entry was posted in Uncategorized. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s