Përsiatje filozofike

Roli i diturisë

Dituria përmban parimin e përdorimit të njohurisë në vetvete si mundësi e pandashme e saj. Megjithatë ka dy lloje të përdorimit të njohurive: 1) përdorim i jashtëm i diturisë, duke e detyruar atë të pohojë sende që nuk mund t’i pohojë; manipulim eksternal që bie ndesh me pohimet dhe të vërtetat që ajo proklamon; ky është përdorim ideologjik dhe 2) manipulim i brendshëm; dituria mund të përdoret për të ndërhyrë në ndryshimin e ndonjë realiteti. Lloji i parë i përdorimit është përdorim vulgar ideologjik, si për shembull, kur nga njohuri që kemi për popuj të caktuar, nxjerrim përfundime jashtë spektrit të diturisë, përfundime morale apo politike të ndërhyrjes në mënyrën se si ata e organizojnë jetën e tyre. Pushtimi i tjetrit për ta qytetëruar atë është ndoshta shembulli më i përshtatshëm i një përdorimi moralizues të njohurive. Në anën tjetër, kemi përdorimin epistemik që bie brenda horizontit njohës të diturisë.

Këtu njohuritë mund të përdoren edhe në dobi edhe në dëm të njeriut. Në dobi, kur ato përdoren për të rregulluar ndonjë defekt fizik dhe në dëm kur ato përdoren për të ndryshuar ADN-në e ndonjë grupi sipas tekave, trilleve dhe ideologjive të atyre që i zotërojnë këto njohuri. Këta mund ta tjetërsojnë qenien e njeriut përtej asaj që ne e njohim sot: mund të krijojnë një qenie të ndarë në dy grupe: në skllavë dhe zotërinj, në të kontrolluar dhe kontrollues, në shërbyes dhe të shërbyer, etj. Ky është rreziku inherent në njohuritë shkencore por edhe premtimi i shpëtimit nga kthetrat armiqësore të tjetrit. Si shpëtimi po ashtu edhe dështimi, në instancë të fundit, varen nga sfondi i njohurive që zotërojmë. Ata që merrem me të, do të jenë krijues të fatit të tyre kurse ata të tjerët që nuk investojnë në shkenca të këtilla, do të jenë nën mëshirën e të fortëve, për shembull, të atyre që i kanë këto njohuri në pronësinë e tyre. Andaj dhe pronësia intelektuale është një çështje vitale për klasat me karakter proletarian. Arma më e fuqishme e tyre është të përgatiturit për zotërimin e këtyre njohurive.

Vullneti i lirë

Vullneti i lirë është pseudo-koncept duke qenë se ai nuk ka karakter sqarues apo shpjegues por mistifikues dhe si i tillë ai është i ndarë nga dituria. Dituria nuk kërkon subjekt njohës me vullnet të lirë por vetëm subjekt regjistrues dhe në raste të tjera, ndërhyrës.

Pre-destinimi nuk është fatalizëm pasi me ndihmën e diturive dhe njohurive mund të ndërhyjmë dhe ndryshojmë rrjedhën e tij. Fatalizmi presupozon që asgjë nuk mund të ndryshohet. Kjo bie ndesh me njohuritë që kemi për natyrën e pre-destinimit. Ne nuk kemi vullnet të lirë por kemi njohuri dhe këto njohuri nuk kanë nevojë për liri metafizike apo vullnet të lirë. Prandaj njouritë janë fuqi sepse ato mund të përdoren për të na tjetërsuar, për të na kontrolluar, etj.

Njouria gjithashtu nuk ka nevojë për moral. Në fakt morali është i domosdoshëm sepse njohuritë tona janë të kufizuara, të mangëta, përndryshe në një univers me njohuri të plota, morali do të ishte tërësisht i tepërt. Kur një gjë bie tërësisht brenda sferës epistemike, ajo nuk ka më nevojë për ligje të tjera. Ligjet epistemike të veçanta, për atë praktikë të njohurive, e përcaktojnë plotësisht ecurinë dhe procesin e zhvillimit të asaj praktike dhe përderisa mund të përcaktohet sjellja e organizmit në këtë sferë, në bazë të njohurive, morali do të ishte krejtësisht i panevojshëm për ndryshimin e sjelljes. Njohja e ligjeve dhe faktorëve shkakorë ndërkohë, mund të përdoret në mënyrë shumë më efektive për ta ndryshuar atë.

Mendoj që kjo është arsyeja pse morali luan një rol shumë të vogël në marksizëm. Çështja nuk është që marksistët nuk janë njerëz të moralshëm por që morali është i mbi-çmuar, dhe se me njohjen e ligjeve historike (dhe të tjera) që përcaktojnë sjelljen e njeriut, morali e humb rolin që sot ka në shoqërite borgjeze. Shoqëritë borgjeze kanë nevojë për moral sepse përmes tij ato i kontrollojnë më mirë njerëzit. Kjo njëkohësisht e anullon nevojën për mbështetjen e moralit në vullnet të lirë. Ne detyrohemi që në fëmijëri t’i pranojmë, t’i internalizojmë norma shoqërore specifike të një sistemi, për ta riprodhuar jo vetëm shoqërinë por edhe kushtet që e bejnë një riprodhim të tillë të mundshëm. Vullneti i lirë e bën të gjithë këtë detyrim, shprehje të vullnetit të lirë.

Vullneti i lirë është i domosdoshëm sidomos në penalizimin dhe kriminalizimin e sjelljeve që nuk sanksionohen nga normat morale të shoqërisë. Përmes vullnetit të lirë shoqëria e arsyeton ndjekjen penale të këtyre njerëzve sepse nëse ne vullnetarisht i kemi pranuar këto norma për riprodhimin e kësaj shoqërie, atëherë shkelja e tyre prej nesh bie ndesh me vullnetin tonë dhe dënimin e meritojmë sepse respektimi i ligjeve morale të shoqërisë, na është paraqitur si diçka që ne vetë e kemi zgjedhur.

Imponimi është vetë-imponim. Kaq efektive është ideologjia e moralit borgjez. Po të paraqitej thjesht si mbrojtje e interesave të kësaj shoqërie, atëherë individi mund të pyeste se pse duhen respektuar këto rregulla kur ai është detyruar t’i pranojë pa dëshirën e tij dhe kjo pyetje do të ekspozonte karakterin koerciv jo vetëm të ligjeve shtetërore por edhe të atyre morale. I vetmi dallim i rregullave morale nga ato ligjore është se të parat na prezantohen si rregulla që i kemi pranuar si shprehje të lirisë sonë. Por është e qartë se kjo liri është “hoax” sepse si qenie racionale që jemi, qenie pra që është në gjendje të prodhojë dhe zbulojë njohuri, ne kemi nevojë për ligje që mundësojnë bashkëjetesën tonë por këto ligje nuk janë morale por egoiste, ligje që na mbrojnë nga ndonjë rrezik i huaj sikurse mbrojnë të huajin nga ndonjë rrezik që mund t’i vijë prej nesh.

Kant-i do ta kuptojë këtë shumë mirë kur do të tërhiqet pothuajse tërësisht nga përpjekja e tij e parë në “groundwork” për ta etabluar moralin në vullnetin e lirë (përkujto fjalinë e tij të parë të këtij libri: e vetmja gjë që është e mirë absolute, pa kualifikime, është vullneti i mirë) që të tejkalojë në trajtimin e moralit thjesht si “fakt i arsyes” në Kritikën e Dytë. Ç’do të thotë kjo? Do të thotë që mos u mundo të gjesh bazën e moralit në vullnet të lirë apo në ndonjë burim tjetër. Burimi i ligjit moral, imperativit kategorik, është natyra racionale e njeriut, natyra që e detyron njeriun të përkujdeset për interesin e tij para se të përkujdeset për tjetrin. Si fakt i arsyes, morali e humb cilësinë e lirisë dhe merr atë të domosdoshmërisë natyrale. Për Kant-in ka vetëm një ligj moral dhe ky ligj është bosh, nuk të tregon se si të veprosh në situata të caktuara por se si duhet ta gjesh vetë mënyrën si duhet vepruar në ato situata.

Imperativi kategorik është një imperativ që nuk fundamentohet në ndonjë liri të vullnetit (do të ishte një gabim fatal po ta kishte bërë këtë Kant-i) por ai hap hapësirën për shfaqjen e lirisë në domenin e marrëdhënieve njerëzore. Si i tillë Imperativi Kategorik është ligj radikal jo konformues sepse ai kurrë nuk merr për bazë ligjet dhe normat e etabluara shoqërore por nevojat e individit, përderisa ato mund të përputhen me/dhe konsiderohen ligj(in) universal. Ligji moral ka karakter edhe subjektiv edhe objektiv: subjekti vetë duhet ta përcaktojë objektivitetin e ligjit moral. Objektivizmi kantian është objektivizëm subjektiv por kjo nuk e bën filozofinë e Kant-it subjektive sepse subjekti nuk ekziston përpos se si presupozim transcendental i domosdoshëm për koherencë logjike dhe përshkrimin e përvojave të ndryshme të këtij subjekti që nuk është subjekt por thjesht një “unë” i pastër, logjik transcendentale.

Vullneti i lirë është iluzion dhe kjo njohuri duhet të na bëjë të mendojmë gjatë për pasojat që dalin prej saj. Sistemet ligjore sidomos, duhet të rimendohen por edhe këtu, duke qenë se njohuritë tona janë të mangëta, reformat në drejtësi do të duhet të presin rritjen e njohurive tona.

Sead Zimeri, korrik 2016.

About albphilosopher

Sead Zimeri has studied Philosophy, Islamic Philosophy and Religion, International Politics and Psychoanalysis. He is currently the project coordinator of "Islam and the Liberal Society" at the Liberalt Laboratorium (LibLab) thin tank in Oslo, Norway. http://www.liblab.no
This entry was posted in Uncategorized. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s