A është islami fajtor/përgjegjës për sulmet terroriste që po ndodhin kudo?

Ka dy përgjigje për këtë: po dhe jo.

Përderisa terroristët i arsyetojnë aktet e tyre duke iu referuar burimeve islame ata veprojnë në përputhshmëri me islamin që rezulton nga kuptimi i tyre. Ky islam mund të mos na pëlqejë, metodologjia e tyre mund të na duket shumë e gabuar e rezultatet katastrofale, megjithatë nuk e di se si mund t’i mohohet karakteri islamik këtij leximi? Ky lexim e merr karakterin nga qasja hermeneutike, nga prizmi i përdorimit të teksteve dhe referencave të konsoliduara islamike si referenca normative. Pa këtë aspekt të normativitetit ata nuk do të vepronin siç po veprojnë.
Por, edhe pse aktet e tyre kanë karakter islamik, islami NUK mund të jetë faktori kryesor, pavarësisht pohimeve dhe besimeve të tyre. Këta terroristë janë njerëz të kushteve moderne të këtij shekulli dhe referencat absolute të tyre, metodologjitë e leximit, qasjet infantile, ideologjitë dhe edukimi i tyre, padrejtësitë që u kanë shkaktuar fyerje dhe dëshirën për t’u hakmarrë, për t’u bërë pjesë e kësaj bote që i ka lënë pas në çdo aspekt, të gjithë këto faktorë ndërmjetësojnë leximin e tyre të islamit.

T’i lësh anash të gjithë këto faktorë materialë dhe të kapesh pas një islami imagjinar tregon se qasja yte është tërësisht ideologjike, e privuar nga multi-dimensionaliteti i qenies moderne, nga faktorët e panumërt që ndikojnë, ku më shumë e ku më pak, ekzistencën tonë në këtë botë që rregullohet nga një sistem i cili çdo ditë e më shumë krijon pabarazi të tilla që krijojnë kushtet optimale për lindjen e demagogëve të cilët kërkojnë të hakmerren ndaj atyre që ata i perceptojnë si përgjegjësit kryesorë të fatit të tyre. Të përjashtuar nga një botë me plotë dhunti dhe të mira materiale, këta njerëz motivohen më tepër nga dëshira për t’u bërë pjesë e saj sesa nga dëshira për ndonjë parajsë me hyri dhe lluks tjetërlloji. Nuk është shumë e vështirë të kuptohet që dëshira e tyre vjen për këtë botë që i përjashtoi, dëshirë që lexohet pikërisht në deklaratat e tyre për të shkuar sa më shpejt në parajsë dhe për të shfrytëzuar të gjtha ato begati nga të cilat janë përjashtuar në këtë botë.

Kjo dëshirë përderisa funksionon si sinjifikues për mungesën e realizimit në këtë botë, kërkon nga të gjithë ne që të krijojmë një botë më të barabartë dhe më të drejtë.

Prandaj islami nuk është fajtor për sulmet terroriste të myslimanëve. Myslimanët gjithsesi janë përgjegjës për krijimin e kushteve të mundësisë së leximit të islamit në këtë formë dhe duhet të ushtrohet trysni mbi të gjitha shoqëritë myslimane që t’i përmirësojnë kushtet materiale të qytetarëve të tyre sepse nuk mund të jetohet me dinjitet në një shoqëri ku nuk plotësohen as kushtet minimale për jetë dinjitoze. Myslimanët nuk janë të varfër sa janë të shtypur, të përbuzur e të privuar nga të drejtat e tyre elementare. Në asnjë vend mysliman nuk mund të shprehesh lirshëm, të zgjedhësh stilin e jetesës që të pëlqen, të tallesh me fetishet e vendit, etj. Në këto vende ekziston një censurë mbytëse gjithandej andaj dhe krijohen kushtet për lindjen e përbindshave të këtillë.

Në Perëndim gjithashtu, nëse shenjohesh si mysliman, menjëherë trajtohesh ndryshe, diskriminohesh, shihesh me dyshim e përjashtohesh nga shoqëria. Kësisoji këta persona do të krijojnë shoqëritë e tyre alternative, sektariane, të mbyllura, fanatike dhe plot urrejtje ndaj shoqërisë ku jetojnë. Këta nuk janë prodhim i islamit por i Perëndimit. Islami gjithsesi u ka dhënë mundësinë për ta artikuluar atë zemërim, atë urrejtje, dashakeqësi e mllef ndaj shoqërive të tyre por nuk është islami që i nxiti këto elemente ngative. Islami është këtu shprehje e pafuqisë, e mungesës së alternativave të tjera për të shprehur mllefin dhe zemërimin që rrjedhin nga akte të perceptuara si padrejtësi.

Pse është e rëndësishme që kjo të kuptohet drejtë? Sepse në mungesë të një kuptimi të drejtë të faktorëve që bëjnë të mundur terrorizmin, nuk do të arrijmë ta mposhtim atë. Duhet të mposhtim kushtet reale, jo ato imagjinare, të terrorizmit.

Sead Zimeri, korrik 2016. 

About albphilosopher

Sead Zimeri has studied Philosophy, Islamic Philosophy and Religion, International Politics and Psychoanalysis. He is currently the project coordinator of "Islam and the Liberal Society" at the Liberalt Laboratorium (LibLab) thin tank in Oslo, Norway. http://www.liblab.no
This entry was posted in Uncategorized. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s