Pengu i Bashkimit Kombëtar

Pas fitores së kombëtares mbrëmë, shumë njerëz të emocionuar dhe krenarë, në mënyrë krejt spontane dëshirojnë edhe një fitore tjetër, atë të Bashkimit Kombëtar. Emocionet që ndeshja nxiti tek të gjithë shqiptarët, interpretohen si argument për pashmangshmërinë dhe domosdoshmërinë e bashkimit kombëtar. Populli e dëshiron këtë, përndyshe nuk do të ngazëllehej kaq shumë për fitoren. Por a janë gjërat kaq të thjeshta? Çfarë ndodh kur emocionet bien dhe përditshmëria me monotoninë e saj rikthehet?

Për nacionalistët bashkimi kombëtar është qëllim në vetvete. Për mua bashkimi kombëtar duhet te jetë një mjet për realizimin e vlerave humane universale në kontekst të një populli si shqiptarët. Nëse ngatërrohet qëllimi dhe mjeti i realizimit të tij, atëherë bashkimi kombëtar nuk vlen asgjë. Nësë nuk synohet përmirësimi i jetës, emancipimi nga mbikqyrjet e traditave shtypëse e kështu me radhë, atëherë bashkimi për hir të bashkimit është ide pa rezultat. Në vetvete bashkimi nuk përbën kurrfarë hapi drejt përparimit shoqëror dhe emancipimit kolektiv. Nëse nuk bashkohemi për ndonjë ideal më të lartë mbi-nacional, bashkimi vetvetiu jo vetëm që nuk shenjon progres por madje, mund të shenjojë rrëshqitje në ide reaksionare dhe fashiste. Idealet mbarënjerëzore janë më të larta, më të shenjta se bashkimi kombëtar. Askush nga propaganduesit e idesë kombëtare nuk e shtron çështjen e bashkimit si çështje e realizimit të idealeve mbarënjerëzore, por si diçka natyrore (jemi të gjithë shqiptarë pra) dhe si përmirësim i grabitjes se tokave shqiptare.

Bashkimi Kombëtar deri sot është vetëm ndjenjë sublime, një emocion nostalgjik për një të kaluar imagjinare. Por nuk ekziston një projekt racional që do ta bënte këtë emocion plan të realizueshëm në praktikë. Dhe mendoj që arsyet se pse nuk ekzistojnë plane të këtilla kanë të bëjnë me dy shkaqe kryesore:

1. Njëri është ai që e përmenda më sipër: ngatërrimi i qëllimit me mjetin e tij të realizimit. Njerëzit intuitivisht e kuptojnë që nëse një entitet i ri nuk u përmirëson jetën – njeriu fundja e fundit është krijesë egoiste dhe nëse idealet nuk i kthehen në leverdi materiale (jo vetëm ekonomike), pavarësisht sa zhurmë e brohoritje që mund të bëjë në momentet kyçe, do të hezitojë ta implementojë idealin. Ëndrrat e realizuara shpesh kthehen në ankth.

2. Shkaku i dytë ka të bëjë me dallimet reale dhe disa herë të thella që ekzistojnë mes shqiptarëve të cilat mund të harrohen vetëm në momente ekstaze emocionale. Kemi një gjuhë të përbashkët por çdo gjë tjetër na ndan. Unë ndihem mirë si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri por në Kosovë ndihem pjesë e kulturës së saj kurse në Shqipëri pa të njohurit, do të ndihesha pothuajse tërësisht i huaj. Edhe gjuhën madje nuk e kemi të përbashkët aq sa mendojmë. Si do të realizohet ky bashkim me këto diferenca kaq të thella mes shqiptarëve?

Prandaj ideja e bashkimit kombëtar është ide sublime por e parealizueshme në praktikë. Për më tepër, realizimi i saj mund të bëhet vetëm duke ushtruar dhunë që do të rezultonte nga formimi i klasave te reja të përbuzura nga elitat intelektuale dhe politike me baza solide ekonomike në Tiranë. E imagjinoj se si shqiptarët e Maqedonisë do të jenë klasa më e ulët e këtij bashkimi. Shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë as dije, as kulturë universale, madje edhe gjuhën nuk e flasim si duhet.

Këto janë dy arsye/kushte të brendshme që pengojnë realizimin e bashkimit kombëtar. Por kemi edhe kushtet e jashtme, raportet me fqinjët që nuk do të qëndronin duarkryq duke vëzhguar pa ndërhyrje realizimin e bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Potenciali i dhunës është aq i madh sa për ta bërë secilin nga ne të trembet nga perspektiva të tilla. Gjithsesi edhe pse shkaqet e jashtme janë të rëndësishme, ato nuk janë strukturore sikurse janë shkaqet e brendshme. Kështu që është në interesin e të gjithëve që kjo ide të mbetet thjesht ide; një ide sublime dhe nostalgjike që ndjell emocione të forta por jo më shumë. Më mirë se kaq prishet: le ta duam njëri tjetrin por nga larg.

Sead Zimeri

Publikuar tek Peizazhe të Fjalës, 21.06.2016.

About albphilosopher

Sead Zimeri has studied Philosophy, Islamic Philosophy and Religion, International Politics and Psychoanalysis. He is currently the project coordinator of "Islam and the Liberal Society" at the Liberalt Laboratorium (LibLab) thin tank in Oslo, Norway. http://www.liblab.no
This entry was posted in Uncategorized. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s