Shkatërrim familjes diskriminuese

Dy apo tre vjet më parë një grup intelektualësh shqiptarë patën nënshkruar një peticion kundër njohjes së të drejtave të homoseksualëve. Arsyet qendrore për bashkimin e këtyre intelektualëve në kërkesën që shqiptarët e tri shteteve të mos njohin të drejtat e komunitetit LGBT, ishin, me sa mund të gjykohet nga kumtimi i peticionit, dy: një arsye ishte se vlerat që përfaqëson LGTB janë vlera të importuara, të huaja. Me një fjalë, vlerat e barazisë nuk janë burimore dhe autentike të kulturave shqiptare. Barazia mes njerëzve qoftë edhe si ideal, duhet të luftohet në emër të një vlere tjetër (superiore sipas tyre), atë të ruajtjes së familjes shqiptare. Kjo është edhe arsyeja e dytë, ajo më kryesorja, që postulon se njohja e të drejtave të barabarta të homoseksualëve do të shkatërrojë familjen shqiptare (epiteti shqiptar është i tepërt këtu, por këtë gjë mund ta lëmë anash kësaj rradhe).

Unë nuk do të ndalem në rëndësinë që njohja e të drejtave të homoseksualëve ka për shtetet që aspirojnë t’i bashkohen Evropës, domethënë, nuk do të ndalem në hipokrizitë që dalin në pah nga këto qëndrime kontradiktore, sepse këto janë çështje të politikës ditore. Janë të rëndësishme, por nuk janë të nivelit që mund të arsyetojnë mohimin e njohjes së të drejtave të ndonjë grupi që dallon nga shumica e një vendi. Përqëndrimi [këtu] vjen nga një këndveshtrim filozofik në analizimin dhe zbërthimin e arsyeve që nënshkruesit e këtij peticioni kanë paraqitur për të mbrojtur qëndrimet e tyre homofobike.

Si arsye të parë kanë paraqitur huazimin apo importimin e vlerave të huaja në trojet shqiptare. Homoseksualizmi pra, na paraqitet si një fenomen që nuk është yni, nuk i takon as kulturës e as gjeografisë së këtyre vendeve. Është i importuar nga perëndimi. Si i tillë, ai nuk i takon as me Kanun e as me fe kulturës shqiptare; një diçka që duhet të çrrënjoset pasi është një lloj kanceri që po nuk u trajtua në kohë dhe vendosmërisht do të shpjerë në pasoja katastrofale për familjen shqiptare, andaj dhe gjykimi i këtyre intelektualëve duket i pranueshëm, sidomos në qarqe nacionaliste ku kombi dhe ruajtja e pastërtisë së kombit nga sëmundje të këtilla është dhe mbetet një nga detyrat e shenjta të tyre. Për t’u treguar i drejtë ndaj këtyre intelektualëve, duhet të theksoj se ata nuk kanë thënë asnjë fjalë negative, asnjë cilësim negativ për LGTB-në. Ata, në fakt, do të mund të përgjigjeshin, po ta ndjenin për detyrim moral, se nuk kanë asgjë kundër homoseksualëve, vetëm se janë kundër njohjes së të drejtave të barabarta pse pasojat janë shumë të mëdha për familjen shqiptare. Por çfarë vlerash të familjes po mbrojnë këta intelektualë? Dhe cila është ideologjia e tyre? Prej ku i morën ata këto vlera të cilave po u dalin në mbrojtje? Sigurisht, jo prej stërgjyshërve të cilët gjithsesi gëzonin të mirat por edhe të këqijat e tyre që sot asnjë shtet që e njeh veten për shtet nuk mund t’i pranojë. Vetë institucioni i shtetit është i importuar në trojet shqiptare, ideologjia e nacionalizmit si ideologji e shtet-formimit, është prodhim jo vendor. Për çfarë vlerash autoktone flasin këta intelektualë kur vetë themeli i shoqërisë moderne është i huazuar? Vetë nocioni familje është formuar si rezultat i kushteve që janë ngushtë të lidhura me formimin e shtetit si të tillë. Një purizëm i këtillë nuk ekziston askund përpos se në imagjinatën fondamentaliste të nacionalistëve dhe intelektualëve të saj.

A është rrezik për familjen shqiptare njohja e të drejtave të personave LGBT? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje duhet një qasje më e gjërë krahasimore me vendet që kanë njohur të drejtat e homoseksualëve që të jemi në gjendje të dimë saktësisht përqindjen e shkatërrimit të familjes në to, si pasojë e kësaj njohjeje. Një përcaktim i saktë i ndikimit të lëvizjeve LGTB negativisht në shkatërrimin e familjes është vështirë të përcaktohet, por ajo gjithsesi mund të parashtrohet si propozim. Meqë nuk ekzistojnë studime të tilla shkencore, çfarëdo që të thuhet mbi këtë çështje mbetet spekulim i cili për mbështetje ka ideologjitë diskriminuese, por jo fakte të pakontestueshme shkencore. Common sens-i i shëndoshë megjithatë, njeh se një numër kaq i vogël i njerëzve me orientim seksual tjetër NUK është dhe NUK mund të jetë faktor i rëndësishëm në shkatërrimin e familjes qoftë shqiptare ose jo shqiptare. Ka shumë studime që kanë dëshmuar se dukuri të tjera shumë më të mëdha se homoseksualizmi e kanë rrënuar familjen dhe vazhdojnë ta rrënojnë atë, dukuri të cilat tanimë kanë marrë shtrirje globale, si ajo e eksploatimit të punëtorëve; ideologji të tilla si nacionalizmi dhe fashizmi që në emër të ruajtjes së vlerave autoktone kanë viktimizuar, vrarë, detyruar të shperngulen me dhunë, miliona njerez. Efektet e tyre janë vendimtare në shkatërrimin e familjes, jo njohja e të drejtave të një grupi me orientim seksual tjetër.

Megjithatë, mund të argumentohet se përkundër mungesës së dëshmive shkencore, mungesa e argumentit nuk është argument për mos-ekzistencën e dukurisë, për shembull, shkatërrimin e familjes. Edhe pse kjo është një formë legjitime e argumentimit, është megjithatë një formë shterpe argumentimi duke qenë se mund të postulojë entitete me hamendje, kuturu. Edhe pse nuk ka argument për ekzistencën e njëbrirëshave, mund të argumentohet se mungesa e argumentit nuk është dëshmi përfundimtare e mosekzistencës së tyre. Me këtë mënyrë të të argumentuarit dhe debatuarit as nuk mund të dëshmojmë e as të mohojmë ekzistencën e dukurive të postuluara, prandaj është argument shterp. Kësisoji diskutojnë vetëm ata që nuk besojnë në argumenta dhe në vlerën e tyre.

Ekziston edhe një mundësi tjetër e argumentimit që nënshkruesit e peticionit do të mund të  përdornin, pa u zhytur në proporcione apokaliptike se si njohja e të drejtave shpie në shkatërrimin e vetë qenies njerëzore, siç shpesh supozohet. Kush do të riprodhojë nëse njohim të drejtat e tyre? Kuptohet më të mençurit ndër ta do të turpërohen nga supozime të tilla, pasi kësi gabimesh elementare (edhe pse kjo ide e gabuar e ngatërrimit të „disa” me „të gjithë” është e shtrirë gjithandej) janë vërtetë turpëruese për atë që i bën. Por a nuk janë duke bërë, në nivel formal, të njëjtin gabim logjik nënshkruesit e peticionit? Nuk po shkatërrohet qenia njerëzore por familja si qeliza e parë e saj. Ky është një dështim intelektual i proporcioneve epike. Nuk do të ishte me rëndësi dështimi intelektual përballë atij moral, ku ky grup intelektualësh po ashtu dështon, por përderisa këta e kanë nënshkruar këtë peticion si intelektualë që janë, domethënë, si njerëz të intelektit publik të cilët arsyetojnë qëndrimet e veta në bazë të argumentave të arsyes, dështimi intelektual është me peshë të veçantë dhe duhet t’i diskualifikojë si njerëz të intelektit sepse në një nënshkrim të tillë mund të mbrohet vetëm liria e shprehjes –  përsa i përket intelektit, ky qëndrim është një shprehje e plotë e mungesës së tij.

Së fundmi, duhet shtuar se shkatërrimi i familjes diskriminuese ndaj anëtarëve të saj në baza të paragjykimeve gjinore dhe seksuale (apo çfarëdo paragjykimi tjetër) është i  mirëseardhur dhe duhet mbështetur, pa kushte, për çdo njeri që beson se dinjiteti i njeriut është vlerë e pakontestueshme universale. Për çfarë duhet ajo familje e cila ngrihet mbi mosnjohjen e barazive, diskriminim gjinor dhe paragjykimet që nuk duhet të ekzistojnë në asnjë familje? Kontributet e lëvizjeve LGTB  janë kontribute emancipuese, të ngritjes së vetëdijes morale të barazisë jo vetëm për vetë komunitetin dhe të drejtat e tyre por për të gjithë kulturën. Nëse ata vërtetë po shkatërrojnë diçka, atëherë ata janë duke shkatërruar atë që nuk duhej të ekzistonte në radhë të parë: familjen diskriminuese.

About albphilosopher

Sead Zimeri has studied Philosophy, Islamic Philosophy and Religion, International Politics and Psychoanalysis. He is currently the project coordinator of "Islam and the Liberal Society" at the Liberalt Laboratorium (LibLab) thin tank in Oslo, Norway. http://www.liblab.no
This entry was posted in Uncategorized. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s