Moralizimet nuk janë kritikë

Sead Zimeri

 Të gjithë flasin për nevojën e kritikës mbi islamin por askush nuk bën kritikë të mirëfilltë. Kjo ndodh ngaqë nuk dihet saktësisht për çfarë qëndron islami sot: praktikat aktuale të myslimanëve ngatërrohen me standardet e qëllimet e islamit dhe ideali i islamit njehtësohet me formulimin fillestar të tij siç e merr formën në Kuran dhe në përmbledhjen e thënieve profetike, hadith. Islami reduktohet kësisoji jo vetëm në praktikat e sotme të myslimanëve por edhe në praktikën fillestare të tij. Ai përballet me një reduktim të dyfishtë dhe për rrjedhojë nuk mund të ndahet shapi nga sheqeri: idealja nga praktika dhe e veçanta nga universalja.

Si të kritikohet islami nëse ai perceptohet si traditë? Ҫështja e parë që duhet marrë parasysh është ideali i islamit dhe për ta bërë këtë nuk është i mjaftueshëm të lexuarit e Kuranit dhe hadithi-t por të studiuarit në mënyrë historike të situatës që e mundësoi daljen e tij në skenë. Vetëm atëherë do të fillojmë të kuptojmë se ç’mision kishte islami fillimisht, si arriti të formohet ortodoksia islame, sa besnik i qëndroi ajo idealeve të islamit, etj. Pa një njohje të tillë të islamit, një kritikë e mirëfilltë është e pamundur.

Kritika megjithatë bëhen çdo ditë por kritikat që i bëhen sot islamit janë të llojit moralizues. Le të përmendim dy kritika të tilla:

1)         Kritika tradicionaliste myslimane e cila barazon idealin e islamit me praktikën fillestare profetike që më pas t’i shohë praktikat e tjera si devijime nga praktika profetike. Njëkohësisht kjo kritikë në mënyrë të paturp identifikohet me praktikën profetike dhe anatemon praktikat tjera islame si të devijuara. Problemet me këtë qasje janë të shumta: identifikimi i saj me praktikën profetike është identifikim jo me praktikën profetike siç ka qenë por siç e ka parë dhe lexuar kjo traditë atë. Është pra, identifikim i rremë; por edhe sikur të ishte identifikim i plotë me praktikën profetike në vetvete, kjo përsëri nuk i jep privilegj epistemik mbi praktikat e tjera dhe, për më keq, kjo qasje na ofron një islam të shekullit të parë që ishte zhvilluar në raport me kushtet dhe sfidat e asaj kohe.

Kritika tradicionaliste vuan nga sëmundje të tilla si ahistoricizmi (pamundësia për ta konceptualizuar distancën kohore në kushte historike), verbëria epistemike dhe universalizmi fals. Me një fjalë, islami i tyre është një islam që anashkalon e injoron distancën kohore dhe hapësinore mes traditës profetike dhe situatave, kushteve, sfidave dhe problemeve me të cilat myslimanët sot ballafaqohen. Është kritikë impotente që ofron një islam jashtëkohor, që mund të ekzistojë sot vetëm në sajë të një verbërie totale epistemike dhe historike por edhe në sajë të përdorimit masiv të dhunës.

Kuptohet kjo dhunë nuk është dhunë që buron nga islami por dhunë që lind si detyrim material dhe ekzistencial i mbajtjes së një vizioni e botëkuptimi tërësisht jashtëkohor të këtij islami. Dhuna është e pandashme nga ky islam sepse si do të mund ta fusje një praktikë të hershme të islamit në modernitet përpos se me dhunë?

Përderisa dhuna është inherente në këtë islam, dallimet mes tij dhe lëvizjeve ultra-konservatore si Vehabizmi, janë dallime sasiore, pragmatike e oportuniste, jo dallime cilësore. Sa më i madh identifikimi i këtyre grupeve me traditën profetike, aq më i madh potenciali i dhunës në të. Për të shmangur keqkuptimet: dhuna është karakteristikë e këtyre traditave të cilat identifikohen me traditën profetike, jo e vetë traditës profetike. Këtë nuk e them sepse dëshiroj ta shfajësoj islamin profetik nga komponenti i dhunës (dhuna është komponent i çdo tradite), por ngaqë ekzistojnë shkaqe strukturore që nuk lejojnë t’ia përshkruajmë dhunën e traditave aktuale, traditës profetike.

Dhuna në këto tradita vjen nga sforcimi i një praktike tjetër, të huaj mbi praktikat që janë zhvilluar në rrethana të tjera. Dhuna është karakteristikë inherente e traditave që identifikohen me traditën profetike dhe kjo karakteristikë ndoshta është edhe pika ndarëse më e madhe mes këtyre traditave tradicionale dhe traditës profetike. Përderisa tradita profetike lind dhe zhvillohet sipas një vizioni dhe qëllimi revolucionar në rrethana të caktuara historike, me të cilat ballafaqohet duke kërkuar t’i ndryshojë dhe në proces ndryshohet edhe vetë, një ndryshim që e kompromenton edhe idealin origjinal por që megjithatë e mundëson lindjen e traditës profetike, traditat që identifikohen me atë islam janë tradita që e kanë shuar dinamizmin e islamit profetik dhe në vend të tij është ngritur një traditë inerte që vetëm duhet zbatuar. Kjo kritikë pra, është kritikë jo dinamike, jo historike dhe vdekjeprurëse. Me një fjalë: nuk është kritikë! Ndonëse në krahasim me kritikën tjetër që do të shtjellohet më poshtë, kjo kritikë është më e avancuar sepse kjo sëpaku bën shkëputjen e islamit nga traditat aktuale të myslimanëve, por jo edhe nga tradita profetike.

2)         Kritika moderniste që bën një reduksion të dyfishtë të islamit: ajo e identifikon islamin edhe me atë profetik edhe me traditat aktuale myslimane të cilat shihen si zgjatje e po të njëjtës traditë, me ndryshime krejtësisht të parëndësishme për të kuptuarit e islamit sot. Duke qenë se reduktimi është i dyfishtë, kjo kritikë njëlloj si kritika e parë nuk sheh shumë vlerë në qasjen historike, kështuqë bëhet esencializimi (racializimi, kulturalizimi) i islamit si diçka e pandryshueshme. Si dallimet diakronike po ashtu edhe ato sinkronike fshihen dhe islami e myslimanët paraqiten si një monolit i pandryshueshëm. Myslimani i sotëm dhe ai i kohës profetike janë të njëjtë. Pasi kjo kritikë vazhdimisht e parashtron islamin si një negativitet që do të ishte më mirë sikur të mos ekzistonte, ajo përfundon aty ku asnjë kritikë nuk duhet të përfundojë: në rastet më të mira në klishe e përgjithësime absurde dhe në rastet më të këqija, në islamofobi. Nëse myslimanët janë të pandryshueshëm, është e kotë ta kërkosh ndryshimin e tyre pa i ndarë ata nga islami i tyre. Në fund kjo kritikë bëhet një alibi për diskriminimin e myslimanëve dhe trajtimin e tyre si jashtëkohorë. Islami dhe myslimanët janë qenie sui generis që nuk i nështrohen ligjeve të njëjta shoqërore dhe historike.

Fetë e tjera kanë ndryshuar dhe janë bërë pjesë e botës moderne, por jo islami! Kjo gjë i shtyn menjëherë këta kritikë ta kërkojnë arsyen e këtij mosndryshimi jo në kushtet historike, politike dhe shoqërore por në islam.Ky mendon kështu: ç’kanë të përbashkët vendet muslimane ku, për shembull, gruaja nuk trajtohet si e barabartë me burrin? Dhe kuptohet islami është një element i përbashkët i këtyre shoqërive, ergo, islami është përgjegjës për trajtimin jo të barabartë të gruas. Por siç thonë anglezët: it is too good to be true. Me një fjalë, as kjo nuk është kritikë, por fantazi.

Çdo kritikë e mirëfilltë mbi islamin duhet plotësisht të ndahet nga këto dy qasje dhe t’i afrohet islamit në mënyrë jo-reduktuese, të pozicionohet tek islami, tek të kuptuarit e islamit në rrafshe historike e politike, lokale dhe globale. Përndryshe, zhytemi në moralizma shterpë që as nuk avancojnë të kuptuarit tonë dhe as nuk përbëjnë kurrfarë nxitje për zhvillim dhe ndryshim. Një kritikë që e ndan islamin nga ecuritë historike NUK është kritikë, pa marrë parasysh që mund [edhe] të thotë gjëra të vërteta.

About albphilosopher

Sead Zimeri has studied Philosophy, Islamic Philosophy and Religion, International Politics and Psychoanalysis. He is currently the project coordinator of "Islam and the Liberal Society" at the Liberalt Laboratorium (LibLab) thin tank in Oslo, Norway. http://www.liblab.no
This entry was posted in Critique of Islam, Uncategorized and tagged . Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s