Barra e rëndë e një populli të vogël

Sead Zimeri

Ismail Kadare, gjithnjë e më tepër, përpiqet të gjejë ngjarje, figura apo dukuri që tregojnë madhështinë historike dhe aktuale të popullit shqiptar. Kështu siç është, populli shqiptar duket i vogël, pa kontribute të veçanta për njerëzimin prandaj të gjeturit e ndonjë kontributi të këtillë mbart një rëndësi të lartë për Kadarenë më tepër se sa për vetë popullin. Përpjekjet e panumërta tijat për ta problematizuar identitetin (apo identitetet) e popullit shqiptar, për ta paraqitur këtë të fundit si një popull europian e që ndan një histori të lashtë me grekët e vjetër; për ta paraqitur tolerancën ndërfetare tek shqiptarët si shembull nga i cili mund të mësojnë (edhe) kombet më të zhvilluara, për ta shfaqur këtë popull pra, si popull të emancipuar (nga çfarë është emancipuar dhe cilat vlera emancipuese mbart ky popull sot, mbetet amá çështje misterioze); nuk janë, sikurse pandehet shpeshherë, përpjekje islamofobe të Kadaresë, urrejtje e kulturave të Lindjes, orientalizëm i pashërueshëm dhe dashuri për krishtërimin. Këto mund edhe të kenë ndonjë rol përderisa paraqiten aty pari, megjithatë roli i tyre është thjesht dytësor në raport me kleçkën që e mundon pafund Kadarenë.

Nën vështrimin e figurës së subjektit inferior ndaj tjetrit, Ismail Kadare paraqitet si një personazh i cili vuan nga kompleksi i inferioritetit ndaj kulturave perëndimore (në veçanti, asaj greke).  Ai përpiqet ta paraqesë kulturën shqiptare si të barabartë me atë greke (të paktën në lashtësi – ilirët nuk prodhuan asnjë figurë në nivel të klasikëve grekë në filozofi dhe letërsi, fakt që e bën Kadarenë të ndihet ligsht dhe inferior ndaj tyre çka reflektohet në insistimin e tij se shqiptarët janë një prej popujve më të emancipuar në botë apo se shqiptarët janë tolerantë ndaj feve, një virtyt që kinse po u mungon kulturave të tjera) çka dukshëm tregon se Kadare nuk është i lumtur me faktin që qëlloi të jetë shqiptar.

Fama e tij, kuptueshëm, ngrihet mbi identitetin e tij si shqiptar: një shkrimtar i madh nga një popull i vogël me peshën që vogëlsia e këtij populli mbart. Megjithatë, vështirë të thuhet se sa nder ky përshkrim i bën Kadaresë! Shkrimtari më i madh i shqiptarëve gjithsesi…por shqiptarët janë të vegjël, pa ndonjë traditë të lashtë e madhështore që të ketë lënë gjurmë në analet e historisë botërore.

Kadare është i madh në raport me një popull të vogël, i pasur në një popull të varfër dhe gjeni në një popull gjysmë analfabet. Nuk është çudi që së fundmi, Kadare dora vetë u pështjellua nga festimet dhe lëvdatat që iu bënë me rastin e 80 vjetorit të lindjes. Të ngriturit në qiell të personit të tij sikur iu duk e tepërt, bajate dhe e paarsyeshme. Edhe festimet iu dukën të mërzitshme, të zymta e poshtëruese në përpjekjen për ta lartësuar atë. Fundja, sa lart mund të të ngrerë një popull i vogël e i varfër? Ky lartësim që populli i tij i bën, është njëkohësisht përpjekje për ta mbajtur atë poshtë, për t’i prerë krahët që letërsia i ka dhënë.

Identiteti shqiptar i Kadaresë është njëkohësisht bekim dhe mallkim për të. Bekim, ngase prej një populli pa përfaqësues global del një fenomen letrar që mund ta përfaqësojë atë në sferën e kombeve të qytetëruara dhe mallkim sepse madhështia e tij matet vetëm në raport me madhështinë e popullit që ai përfaqëson, gjë që i kujton Kadaresë gjithë sa ai dëshiron të harrojë. Mërgimi i tij në Francë nuk ishte arratisje nga ndonjë gjendje e padurueshme e përndjekjes apo censurës por përpjekje për t’u njehtësuar si shkrimtar pa mbajtur mbi supe barrën e popullit së cilit iu zbyth. Vetëm çmimi Nobel për Letërsinë do t’ia shuante këtë siklet shpirtëror Kadaresë, duke i lehtësuar barrën që i është hedhur pa pëlqimin e tij. Marrja e çmimit Nobel do ta njehtësonte atë para së gjithash si shkrimtar e pasandaj si shqiptar.

Kadare krijon zhurmë për identitetin europian të shqiptarëve ngase kjo i ofron një lloj mënyre për t’u përballur me ndjenjën e inferioritetit që ka krijuar si shkrimtar dhe njohjes së faktit që përgjithësisht shqiptarët kanë një sens të tejekzagjeruar të vetes, një histori të lashtë gjithsesi por me shumë pak pika historikisht të ndriçuara në krahasim me popullin fqinj, grekët.  Ҫ’barrë e rëndë kjo për një shkrimtar që ka ambicie më të larta se thjesht të qenurit përfaqësues i një populli gjysmë-analfabet! Përkundër adhuruesve servilë të tij, të cilët ndofta as që e kanë lexuar ndonjëherë Kadarenë për ta kuptuar dilemën ekzistenciale që e shoqëron atë, shkrimtari frustrohet duke mos dashur të identifikohet me popullin e tij po aq sa populli i tij dëshiron të identifikohet me të. Kadare kërkon veçse të arratiset e ta lërë popullin në iluzionet e madhështisë historike. Ai di atë që populli i tij ende nuk e ka mësuar: shqiptarët janë me të vërtetë një popull i vogël. As Kadare nuk i bën dot të mëdhenj, këtë të paktën e ka kuptuar mirë shkrimtari dhe pasi e ka kuptuar mirë, është munduar t’ia rrisë namin popullit të tij por kryesisht, ai ka tentuar të distancohet, të arratiset dhe të ç’identifikohet me popullin që i babëzitur provon ta bëj atë Zot.

About albphilosopher

Sead Zimeri has studied Philosophy, Islamic Philosophy and Religion, International Politics and Psychoanalysis. He is currently the project coordinator of "Islam and the Liberal Society" at the Liberalt Laboratorium (LibLab) thin tank in Oslo, Norway. http://www.liblab.no
This entry was posted in Uncategorized. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s