Sapere aude: Merr guximin ta përdorësh arsyen tënde

Sead Zimeri

Kam përshtypjen se moderniteti nuk kuptohet drejtë nga kritikët e saj, gjithsesi më të zhurmshëm, postmodernë. Moderniteti shenjon një periudhë historike ku bëhen disa kthesa radikale në organizimin e jetës private dhe shoqërore: ndër më të rëndësishmet është lindja dhe zhvillimi i kapitalizmit, raportet e reja shoqërore që lindën si rezultat i kapitalizmit dhe që përgjithësisht priren drejt një homogjenizimi kulturor në nivel global. Globalizimi kapitalist nuk është ndonjë lajthitje nga kapitalizmi për ta quajtur kushtimisht, normal dhe të mirë. Prirja për t’u zgjeruar është qenësore në kapitalizëm, jo aksidentale, prandaj më duket i pasinqertë dhe kontradiktor qendrimi i atyre që e luftojnë globalizmin apo efektet negative të globalizmit dhe njëkohësisht dëshirojnë ta mbajnë kapitalizmin, ta bëjnë atë të vetin. Kjo është diçka që ka karakterizuar qëndrimet e shumicës së vendeve koloniale dhe postkoloniale ndaj kapitalizmit. Ata dëshirojnë që njëkohësisht, siç thuhet në anglisht, “to have and eat the cake”. Në këtë kuptim, Fredric Jameson ka të drejtë kur thotë se të përfolurit për shumë modernitete është inkoherent, ngaqë faktori kryesor i modernitetit është akoma në mesin tonë dhe çdoherë e më shume aktiv dhe agresiv.

Pyetja që imponohet, megjithatë, është se sa e përcakton modernitetin si tërësi kjo prirje kapitaliste për t’u zgjeruar pafundimisht, për të shkatërruar diversitetet kulturore dhe për të na shndërruar dhe reduktuar të gjithëve në vetëm konsumatorë? A është kjo shtrirje detyrimisht duke ndodhur kundër vullnetit të popujve të tjerë apo me pëlqimin e tyre? Kapitalizmi si shtytës i modernitetit, si lokomotivë e tij, ka sjellë me vete dukuri që nga një kënd tjetër, po ashtu modern, ka patur efekte negative mbi shoqëritë tradicionale (ndonëse është vështirë të argumentohet kundër karakterit emancipues të kapitalizmit), dhe s’do mend që shfrytëzimi i punëtorit është veçoria qenësore e kapitalizmit si në Perëndim ashtu edhe në Lindje. Për kapitalizmin si sistem nuk ka rëndësi nëse eksploatimi bëhet në Lindje apo në Perëndim, në Veri apo në Jug. Kapitalizmi është plotësisht indiferent ndaj poleve gjeografike si dhe ndaj traditave dhe zakoneve të vendeve ku aplikohet. Madje deri në një nivel, kapitalizmi jo vetëm që i toleron diversitetet kulturore por edhe i inkurajon ato. Diversitetet që i inkurajon megjithatë, janë diversitete të cilat të gjitha pa përjashtim i nështrohen pushtetit të tij të plotë homogjen: me një fjalë, diversitetet tolerohen vetëm për aq sa të gjthë e shesim fuqinë tonë punëtore në treg dhe bëhemi konsumatorë. Përderisa këto kushte plotësohen, jemi të lirë ta organizojmë jetën ashtu si e shohim të arsyeshme. Problemi, megjithatë, është që ky lloj diversiteti nuk mund ta sfidojë logjikën qenësore të kapitalizmit: globalizmin. Njeriu që formohet nga ky unifikim nuk është i lirë të zgjedhë të jetojë jashtë kornizave të kapitalizmit.

Tani, për të mos u keqkuptuar, unë bëj dallim mes kapitalizmit dhe shtetit që mund të jetë në shërbim të interesave të kapitalit por mund edhe të dalë kundër tyre. Historikisht kapitali që nga zanafilla e tij është lidhur me shtetet dhe perandoritë perëndimore e pastaj i ka përdorur po këto perandori për të nënshtruar popuj të tjerë (për të krijuar tregje të tjera), në emër të përhapjes së zhvillimit ekonomik e demokracisë (do të ishte tragjike që G.W. Bush-in ta konsiderojmë përfaqësues të modernitetit), e kështu me radhë. E gjitha kjo është mirë e dokumentuar. Por, ndër të tjera, në nivel të analizës konceptuale, lidhja që mbahet mes kapitalizmit dhe shtetit nuk është e domosdoshme por fakt historik kontingjent që e ka arritur suksesin jo vetëm në bazë të fuqisë dhe pushtetit vetjak por edhe në bazë të faktit të dobësisë së anës tjetër, domethënë të mos-organizimit të atyre që sot konsiderohen 99 përqindëshi, apo ajo që sipas gjuhës së Marks-it do të mund ta quanim proletariat. Përderisa kjo lidhje nuk është esenciale, ajo edhe mund të zhbëhet dhe shteti të përdoret për të kufizuar ambiciet e kapitalit. Kjo mund të ndodhë amá se përse nuk ka ndodhur, për këtë nuk mund t’i lihet përgjegjësia kapitalizmit. Por ky nuk është niveli kryesor i analizës së raporteve të kapitalizmit me punëtorët.

A do të thotë kjo që nëse arrijmë ta ndajmë kapitalizmin nga shteti, atëherë edhe problemet e kapitalizmit…problemet që shkakton kapitalizmi, do të avullohen? Asesi! Shteti mund të bëhet barrierë e përhapjes së kapitalizmit dhe mund t’i mbaj nën kontroll përmes ligjeve tatimore teprimet e kapitalizmit, por ai nuk mund ta zhbëjë kapitalizmin, ta ndajë atë nga prirja e tij qenësore për t’u shtrirë gjithandej. Edhe pa shtetin dhe perandorinë, ai do të ishte zgjeruar, me vonesë dhe ndoshta me shumë më pak dëme materiale sesa ka shkaktuar përmes martesës me perandoritë, por shtrirja e tij është e paevitueshme. Prandaj këtu shtrohet pyetja kryesore e temës sonë: a është kjo tendence e kapitalizmit që përshkohet mbi kulturat tjera dhunë (e dhunshme)? Nëse eshte e tillë, atëherë është vështirë për ta mbrojtur modernitetin kundër akuzave postmoderne që ai vërtetë është i dhunshëm në vetvete. Por përpara se të japim një gjykim të prerë, është në interes të të vërtetës që të gjurmohen anët e tjera të modernitetit. Pa një analizë të tillë, gjykimet tona mbeten jo vetëm të mangëta por edhe shtrembërojnë dhe pamundësojnë gjykimin objektiv të kësaj dukurie.

Kjo pyetje është kaq më e vështirë për tu analizuar nëse marrim parasysh suksesin marramendës të kapitalizmit që me shkëlqimin e tij ka verbëruar edhe postmodernët më të mëdhenj. Në fakt, postmodernët nuk merren me kapitalizmin; ata merren me modernitetin, një koncept që është vështirë të përcaktohet saktë. Unë e përmenda kapitalizmin si një nga veçoritë kryesore të modernitetit por moderniteti ka edhe një rrymë tjetër, një komponent po aq të rëndësishëm sa edhe kapitalizmi. Ky komponent është Iluminizmi, (Enlightenment, Aufklärung). Dua ta them qartë se përkundër kritikës postmoderne, modernistët janë kritikët më të mëdhenj të kapitalizmit. Kritika postmoderne zakonisht përqëndrohet në këtë anë të modernitetit: në anën kulturore, përfshirë këtu edhe iluminizmin dhe marksizmin. Kjo qasje e bën postmodernitetin t’i marrë gjërat mbrapsht, t’ia mveshë dhe përshkruaj efektet e kapitalizmit, si shkatërrimin e strukturave tradicionale të shoqërive paramoderne me një shpejtësi shumë më të madhe sesa do të ndodhte përmes procesit të përhapjes së ngadalshme të ideve të iluminizmit apo cilësdo ideje dhe tradite tjetër emancipuese (marksizmit, feminizmit, etj). Edhe idetë emancipuese janë shkatërrimtare, pa dyshim. Por efektiviteti i tyre shkatërrues mbështetet jo në nështrimin e tjetrit me dhunë, detyrimin e tij për t’u transformohet brenda natës, sikurse i detyroi kapitalizmi shoqëritë kapitaliste të bëhen, me pasoja të mëdha për mënyrat tradicionale të organizimit të jetës, por në pranimin e tyre të arsyes për të ndryshuar mënyrat tradicionale të organizimit të jetës publike dhe private. Disa nga këto ide nuk do të kishin linduar aspak po të mos parapriheshin nga zgjerimi kapitalist. Është e vështirë të imagjinohet individualizmi i tipit perendimor në shoqëritë fisnore dhe klanore, ku kapitalizmi nuk i ka bërë transformimet e duhura shoqërore, sikurse është vështirë të imagjinohet marksizmi dhe komunizmi pa ekploatimin kapitalist. Dhe kjo sugjeron, gjithsesi, varësinë e ideve të modernitetit në kapitalizëm, në ndryshimin që vjen si rezultat i aplikimit të kapitalizmit. Kjo është një temë shumë e madhe për t’u shtjelluar këtu, por gjithsesi pranoj që lidhja qe mbahet mes kapitalizmit dhe ideve kryesore të iluminizmit duhet të analizohet më së afërti për të vendosur me saktësi modalitetin e kësaj varësie. Pa një analizë të tillë diskutimet për marrëdheniet mes tyre mbeten enigmatike.

Moderniteti ka dy rryma, dy karakteristika kryesore: kapitalizmin dhe narrativat e mëdha që nga ana e tyre kanë, apo pretendojne të kenë, dy veçori qenësore:

1) universalitetin

2) emancipimin.

Si narrativa të madha (grand narratives) këto synojnë tërë njerëzimin, dhe synojnë emancipimin e tyre nga forma të ndryshme të dhunës dhe tiranisë, sidomos ato që janë normalizuar në institucione dhe madje janë fetishizuar si të shenjta dhe të paprekshme në tradita. Në këtë pikë moderniteti është në kontinuitet të plotë me tradita të tjera emancipuese paramoderne, me një dallim të vetëm por qenësor: përderisa traditat e tjera kërkonin emancipimin e njeriut në emër të ndonjë parimi hyjnor apo të ndonjë dekreti arbitrar mbreteror, moderniteti kërkon që të çlirohemi pikërisht nga ky parim dhe të ngrihet arsyeja në gjyqtaren absolute të çështjeve të emancipimit të njeriut.

Që të evitohet një keqkuptim që shpesh i mvishet kësaj doktrine të modernitetit: ajo nuk e bën njeriun bazë të çdo gjëje që ekziston, sikurse e bënte humanizmi, por arsyen që e ka të përbashkët me Zotin dhe çdo qenie tjetër inteligjente dhe racionale. Përderisa arsyeja është e përbashkët, të gjithë mund të emancipohen nga devijimet e arsyes, nga keqpërdorimi i saj, nga nënshtrimi i saj ndaj autoriteteve të jashtme që nuk i ka sanksionuar vetë. Kështu moderniteti bën një kthesë radikale në mënyrën e arsyetimit të autoritetit. Tendenca për ta ngritur arsyen mbi tradita ka patur edhe më herët por ato kanë qenë margjinale dhe jo mjaftueshëm radikale. Për herë të parë në histori, me modernitetin, arsyeja ngrihet në piedestal të gjyqtarit suprem. Dhe, kjo është me rëndësi, arsyeja është gjyqtare, jo Zot. Ky karakter «juridik» i arsyes më së miri demonstrohet në veprën monumentale të Kant-it, Kritika e Arsyes së Pastër, por edhe në të gjitha tekstet tjera kanonike të modernitetit. Kant-i do të bëjë përpjekjen më të madhe në historinë e njerëzimit për të matur fuqinë e arsyes dhe për t’i vënë asaj kufijtë jashtë të cilëve vlera dhe pesha gjykuese e saj është e barabartë me zero. Kant-i bën dy gjëra pra:

1) për objekt studimi merr arsyen dhe përcakton limitet e saj

2) përkufizon arsyen në atë mënyrë që është vetë-përkufizuese. Arsyeja është bërë tërësisht vetë-reflektive dhe ia imponon kufijtë vetes. Kur ajo shkel mbi ato kufij ajo humb legjitimitetin e vet dhe nuk mund të merret më për gjyqtaren që është.

Çfarë mësimesh mund të nxjerrim nga kjo përmbledhje e shkurtër mbi modernitetin?

1) Moderniteti karakterizohet nga së paku, dy rryma të fuqishme, që e tërheqin njera tjetrën në drejtime, disa herë, diametralisht të kundërta. Varësia e tyre e përbashkët mbetet çështje thellë e kontestuar dhe kjo vetëm sa dëshmon më tepër për varësinë e ndërsjelltë sesa të njëanshme të ideve dhe praktikave emancipuese në kapitalizëm. Moderniteti pra nuk është një tërësi homogjene, por një ‘njësi’ kontradiktore që përmban në vete tendenca nga më të ndryshmet. Nuk mund të cilësohet si qenësisht agresive dhe as si qenësisht progresive. Është të dyja dhe se cila anë mbizotëron varet më shumë nga interesat e tjera politiko-ekonomike sesa nga fuqia e tyre determinuese. S’do mend që edhe iluminizmi është përdorur njëlloj si edhe kapitalizmi, për të arsyetuar praktika të dhunës, por kjo nuk është veçori qenësore e kësaj rryme të modernitetit. Edhe vetë Kant-i dhe Marks-i do të bien në grackë të paragjykimeve të kohërave të tyre që, domosdo, ishin në kundërshtim me filozofitë e tyre progresive.

Duhet pranuar se deri me ardhjen e Marks-it (por që ka vazhduar gjer sot edhe pas tij), si një nga modernistët më të medhenj, moderniteti ka qenë i verbër për dhunën që vetë ka ushtruar mbi të tjerët përmes kapitalizmit dhe formave të tjera të kolonializmit e tani edhe neokolonializmit. Në këtë kuptim edhe pse e shoh postmodernitetitn si një rebelim adoloshent kundrejt modernitetit, postmoderneja e ka detyruar modernen të reflektojë më tepër për pohimet dhe narrativat e saj të mëdha dhe e ka detyruar të marrë përgjegjësi epistemike për veprat negative që janë kryer në emër të saj, edhe pse nuk janë bërë duke i qëndruar besnike idealeve te saj, – si shembull tipik mund të permend filozofinë e Kant-it ku ai në mënyrën më rigoroze të mundshme argumenton për barazinë mes njerëzve, përfshirë edhe atë gjinore, por njëkohesisht në jetën e tij private ka mbajtur disa qëndrime që nuk mund të quhen më pak se raciste dhe seksiste. Këtu kemi Kant-in si personalitet psikologjik, si qenie historike që nuk arrin të ngrihet në nivel të filozofisë së tij moderne. Qëndrimi i tij nuk e dëmton aspak filozofinë e tij, dhe përkufizimin e Iluminizmit, si sapere aude: të marrësh guximin të emancipohesh nga mbikëqyrjet hyjnore dhe tradicionale që të trajtojnë si një adoloshent të perhershëm, përkundër faktit që adoloshenca është joshëse dhe tërheqëse sikurse e dëshmon këtë postmoderniteti.

About albphilosopher

Sead Zimeri has studied Philosophy, Islamic Philosophy and Religion, International Politics and Psychoanalysis. He is currently the project coordinator of "Islam and the Liberal Society" at the Liberalt Laboratorium (LibLab) thin tank in Oslo, Norway. http://www.liblab.no
This entry was posted in Uncategorized. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s