Detyra e Filozofisë: emancipimi i mendjes nga fiksimi në ide të qarta.

Sead Zimeri

Një nga detyrat e filozofisë është që t’i bëjë idetë e qarta, evidente dhe të rrokshme, ide të paqarta apo të pakapshme. Për këtë filozofia është sulmuar në mënyrë të vazhdimtë, duke u akuzuar si ligjërim elitist, abstrakt, i parëndësishëm për problemet aktuale të shoqërive ku vepron, etj.

Përgjgjja më e shkurtër që mund të jap, është se të gjitha këto akuza janë pa përjashtim anti-intelektuale. Filozofia nuk e ka marrë këtë qëndrim ngaqë dëshiron të jetë abstrakte apo elitiste apo diçka tjetër të ngjashme por sepse E VETMJA mënyrë për të bërë filozofi – domethënë, e vetmja mënyrë për të bërë kritikë të mirë, është pikërisht duke i problematizuar e bërë komplekse ato të vërteta apo ide që duken krejtësisht evidente në vetvete. Është fakt i ditur se pas këtyre të vërtetave evidente fshihen jo pak herë maskarenjtë. Për shembull, dhuna në shoqëri mund të normalizohet vetëm duke u fshehur pas të këtilla të vërtetash. Në natyrën e të vërtetës dëshmohet fshehtësia e saj, tërheqja nga ajo që duket evidente, e kthjellët apo lehtësisht e rrokshme. E vërteta NUK mund të kapet. Këtu Heidegger-i dhe jo Descartes-i, kishte të drejtë. Për Heidegger-in e vërteta është e fshehur dhe duhet gjurmuar. Megjithatë, sa më shumë që ajo gjurmohet, aq më shumë tërhiqet nga e dukshmja. Pikërisht kur idetë bëhen krejtësisht evidente, shndërrohen në ide të errëta e të parrokshme ngase ajo që paraqitet si e kthjellët dhe e qartë nuk është e vërteta si e tillë por diskurse që operojnë në nocionet e së vërtetës, aq sa prej fërkimit të madh me të ja dalin të shkrepin ndonjë shkëndijë apo madje të ndezin edhe zjarr të aftë për të zgjatur me mijëra vite. Por e vërteta është pikërisht ajo që i është larguar këtij zjarri për tu fshehur që të gjurmohet sërish.

Filozofia si ligjërim i bazuar në arsye, më shumë se çdo ligjërim tjetër, kërkon të vërtetën por njëkohësisht është tejet skeptike ndaj të vërtetës. Kjo disiplinë ka kuptuar atë që ligjërimet anti-intelektuale nuk arrijnë të kuptojnë: që e vërteta nuk është ide që mund të kapet por hije nën së cilën fshihen të gjithë maskarenjtë e botës. Prandaj filozofia në instancë të fundit është ligjërim autentik emancipues. Ajo kërkon të vendos pikëpyetje atje ku të tjerët përpiqen të shquajnë vetëm të vërteta evidente. Për ta kryer këtë detyrë me sukses, asaj i duhet detyrimisht të paqartësojë idetë e qarta, t’i bëjë ato të errëta që të duken të shndritshme, të hapë dhe ta mbajë gjallë hapësirën për dyshim që është kusht i domosdoshëm për çdo prirje jo vetëm intelektuale por gjithashtu për të jetuar në liri dhe dinjitet në shoqëri. Ky është dallimi mes filozofisë si stërvitje aktive dhe e përhershme e arsyes për të kërkuar të vërtetën dhe ligjërimeve anti-filozofike që të bëjnë të ndihesh mirë në përtesë.

Për ta kryer punën e saj zhvilluese me sukses, filozofia detyrimisht duhet të zhytet në zhargone komplekse, të sajojë eksperimente mendore që në dukje të parë janë miliona vite larg përvojës njerëzore, të thyejë mitin se e vërteta është e kapshme dhe njerëzore vetëm duke përdorur intuitën apo sepse idetë e qarta janë të qarta sepse janë të vërteta e jo sepse dikush i ka thjeshtëzuar deri në banalitet kompleksitetet që karakterizojnë marrëdhënien me të vërtetën; sa diksuh që fshihet pas ndonjë të vërtete ka interesa që kjo e vërtetë të shfaqet kaq evidente sa që dyshimi mbi të të interpretohet si shenjë çmendurie që s’duhet marrë seriozisht.

Prandaj ndoshta në asnjë kulturë, përfshirë edhe kulturat perëndimore, filozofia nuk është pritur krahëhapur me entuziazëm. Kjo lloj pritje që i është bërë filozofisë është paradoksale sepse nga njëra anë e sulmon dhe e akuzon filozofinë si ligjërim abstrakt bosh, i padobishëm – pra, si një ligjërim jo të rrezikshëm dhe në anën tjetër mundohet me çdo kusht ta shtypë atë, ta anatemojë e përqeshë duke e bërë të duket qesharake, që vjen nga ankthi i të kuptuarit të potencialit destruktiv dhe të rrezikshëm të saj për shoqëritë e të vërtetave pas së cilave fshihen maskarenjtë e pushtetit. Me plotë të drejtë e përfshinte Louis Althusser-i filozofinë si luftë klasore në teori. Besoj që ky shkrim e reflekton qartë se në cilën anë të luftës klasore filozofia është.

About albphilosopher

Sead Zimeri has studied Philosophy, Islamic Philosophy and Religion, International Politics and Psychoanalysis. He is currently the project coordinator of "Islam and the Liberal Society" at the Liberalt Laboratorium (LibLab) thin tank in Oslo, Norway. http://www.liblab.no
This entry was posted in Uncategorized. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s