Përgjegjësia e shqiptarëve për orientimin fashist të Maqedonisë

Sead Zimeri

Ky është një tekst i indinjatës, hidhërimit, zhgënjimit dhe protestës time personale kundër qeverisë aktuale të Maqedonisë. Dëshiroj të flas haptas, pa aluzione, pa i stolisur gjërat, dhe jo nga zemra por nga arsyeja, sepse sado që zemra vuan, vuajtja e saj duhet të përkthehet në gjuhë të arsyes së përbashkët që e kuptojnë të gjithë.

Kur flas për Maqedoninë nuk kam për qëllim vetëm ata që janë me përkatësi etnike maqedone por edhe shqiptarët si shtetas të saj. Edhe ata janë pjesë shtetpërberese e Maqedonisë dhe si të tillë ata janë moralisht përgjegjës për veprimet jo ligjore dhe jo morale të qeverisë së tyre.

Herën e parë që Maqedonia sulmoi refugjatët në kufirin me Greqinë kuptova që një veprim si ky nuk mund të ishte aksident por që ishte pasojë e politikave afatgjate që bën ky pushtet. Kur ndodhi herën e parë, e dija që ishte bërë me qëllim, por dëshirova ta mendoja që ishte diçka aksidentale, diçka që nuk do të përsëritet më. Ishte një gabim, një keqkuptim politik, një vendim i dhënur pa i menduar mirë pasojat. U zhgënjeva që herën e parë por nuk desha ta besoj që pushteti do të dalë aq i paskrupullt saqë do ta përsërisë aksionin sulmues kundër refugjatëve sirianë. Ende kisha shpresë se fashizmi si vizion nuk kishte ardhmëri në Maqedoni.

Besimi im, apo më mirë shprehur, shpresa ime optimistike doli e pabazë dhe naive. Unë do të duhej ta kisha ditur se kjo qeveri nuk ka besë, dhe nuk mund t’i zihet besë. Këta bënë atë që për hirë të njerëzimit, të përgjegjësisë kolektive morale që kemi ndaj njerëzve të zhvendosur, nuk duhej ta bënin. Ky akt qyqar është fyerje jo vetëm për refugjatët por edhe për ne si qytetarë të këtij shteti, dhe ka njollosur imazhin tonë edhe ashtu të përbaltur nga korrupsioni dhe prishja morale e qeveritarëve tanë.

Refugjatët vijnë këndej ngase Siria më nuk është. Shteti i tyre, vendlindja e tyre, më nuk është. Kur një popull i tërë mbetet pa strehë mbi kokë, është detyrë morale por edhe ligjore sipas të drejtës ndërkombëtare që atyre që kërkojnë sterehe t’u mundësohet strehimi, por nëse strehimi nuk mund të ofrohet atëherë së paku mos të bëhen pengesë që ata të kërkojnë strehim diku tjetër.

Është e ditur gjithashtu se për refugjatët e Sirisë Maqedonia është vend tranzit; ata kanë destinacione tjera, largë Maqedonisë. Maqedonia pra, jo vetëm që nuk i jep ndihmën që duhet dhënur refugjatëve por edhe i pengon që të kërkojnë strehim diku tjetër, i keqtrajton dhe i terrorizon pa nevojë dhe pa arsye. Si e këtillë Maqedonia shkel mbi dinjitetin njerëzor pa frikë për pasojat; ndoshta ngaqë e dinë nga përvoja në pushtet se nuk do të ketë pasoja.

Hera e parë ka mund të ishte një gabim, një aksident, një gjykim i pa menduar mirë, por hera e dytë nuk lë vend për dyshim se Maqedonia ka një qeveri me prirje dhe vizion fashist. Hera e dytë e shfaqjes së brutalitetit çnjerëzorë të këtillë bëhet ngaqë qeveria nuk ka frikë nga askush: as nga gjykimi moral që duhet të bëhet nga intelektualët e vendit, as prej kritikave të partive opozitare, as nga opinioni publik, dhe as prej shoqërive civile në vend. Ajo është bërë aq e fortë saqë mund t’i injorojë të gjitha pa ju trembur syri.

Që kjo qeveri është ultranacionaliste me vizion fashist është dëshmuar para ardhjes së refugjatëve, me projektin Shkupi 2014, një projekt që është bërë me qëllim të tjetërsimit kulturor të qytetarëve me përkatësi etnike tjera. Shpesh reflektoj për problemin e mundësisë së inaugurimit të një projekti të tillë në një shtet multietnik dhe multireligjioz: si ishte e mundur që i tërë ky projekt tjërsues i përkatësive tjera etnike, sidomos shqiptarëve, të realizohet me prezencen e shqiptarëve në pushtet? Nuk ka arsyetim racional adekuat për këtë, pa e marrë parasysh karakterin ultra-nacionalist të qeverisë. Atë që të dy partitë në koalicion kanë të përbashkët është vizioni fashist për Maqedoninë: mënyra më e mirë për të “koekzistuar” është duke u tërhequr secili grup në hapësirat e tyre që i okupojnë me shumicë. Sa më shumë ndarje aq më e mirë bashkëjetesa, pikërisht sepse nuk zhvillohet kurrfarë shkëmbimi kulturor, nuk krijohet një kulturë e përbaskët nga, dhe për, të gjitha grupet që e përbëjnë këtë shtet, por krijohet hapësira kryesore në qendër te kryeqytetit që frekuentohet nga maqedonët, dhe shqiptarët e privilegjuar që janë me kulturë maqedone, por të tjerët duhet të kënaqen me distriktet e tyre nëpër periferi të menaxhuara keq dhe të privuara nga investimet shtetërore (ku edhe del haptaz karakteri hierarkik i ndarjes së hapësirës së përbashkët).

Nuk është e mundur të hysh në qendër të Shkupit si anëtar i një përkatësie etnike tjetër pa u ndjerë i tjetërsuar dhe përjashtuar nga kjo hapësire e stërmbushur me buste kitsch të historisë së maqedonëve. Ky nacionalizëm agresiv i përjashtimit të tjetrit, shqiptarit në këtë rast, kish me qenë disi më i kuptueshëm, por assesi i pranueshëm, sikur të bëhej pa prezencën e shqiptarëve në pushtet; sikur t’u imponohej me dhunë, dhe sikur shqiptaret që aq shumë kujdesen për kombin e tyre të dilnin për çdo ditë në kryeqytet për të okupuar qendrën duke kërkuar përfaqësim të barabarte në shesh. Jo në çarshi, jo në Gazi Babë, por mu aty në qendër, aty ku pulson zemra e qeverisë. Prej aty u përjashtuam me heshtjen bashkëfajtore dhe tradhtuese të partisë shqiptare në koalicion.  

Permes Shkupit 2014 Maqedonia na ka përjashtuar jo vetëm prej qendrës së kryeqytetit, na ka bërë të ndjehemi turistë në vendin tonë, por na ka përjashtuar edhe nga sfera publike. Shqiptarët nuk janë pjesë e sferës publike ne Maqedoni, nuk i intereson pushtetit çka mendojnë shqiptarët përderisa ne jemi të përjashtuar nga sfera publike opinion formuese. Ky përjashtim do të ishte arsye e mjaftueshme për të ngritur lartë dhe më lartë zërin e protestës, për të luftuar konstituimin e një tradite të fashizmit në Maqedoni. As protestë dhe as kryengritje nuk u bë për një projekt që inauguron fashizmin në Maqedoni: e pranuam në heshtje. Përmes partisë shqiptare në pushtet, qeveria u morri shqiptarëve të drejtën për t’u ankuar: gjithçka që është bërë aty, do të të thonë, është bërë me pëlqimin tuaj. Tjetërsimi dhe dëbimi i juaj prandaj është vetëtjetërsim dhe vetëdëbim. Tjetërsimi yne do të trajtohet thjeshtë si çeshtje perceptimi. Dhe kanë plotësisht të drejtë: vetëm përmes një vizioni të përbashkët me partinë shqiptare në pushtet mund të kuptohet dëbimi jonë nga sfera publike.

Në imagjinaren e fashizmit popujt klasifikohen në mënyra hierarkike: në krye të piramidës qëndron populli i zgjedhur, ai që e ka të drejtën e përjashtimit të tjetrit pa pëlqimin e tij, ai që e ka fuqine e definimit të statusit të tjetrit si qytetarë të rangut të dytë apo të tretë.

Këtë tragjedi shqiptarët ja kanë sjellur vetit, dhe tani kjo qeveri është bërë aq e fuqishme saqë nuk e ka për problem të veprojë ashtu siç dëshiron. Kjo që po ndodhë me refugjatët është vetëm shijim paraprak i asaj që është duke u përgatitur në kuzhinat ultranacionaliste të kësaj qeverie.

‘Ja kemi bërë vetit’, këtë duhet ta bëjmë moto dhe pikënisje për një reflektim politik për drejtimin që Maqedonia ka marrë. Çfarë shoqërie dëshirojmë të krijojmë? Cila shoqëri i reflekton vlerat dhe idealet tona për një jëtë të dinjitetshme dhe të barabartë për të gjithë? A është kjo shoqëri që është krijuar në Maqedoni reflektim i vlerave dhe botëkuptimeve tona për një jetë të mirë? Shko në qendër të kryeqitetit tënd, ulu në ndonjë skaj dhe reflekto se sa e gjen vetën, kulturën tënde, besimin tënd, botëkuptimin tënd të reflektuar aty? Nëse e gjenë aty, mirë, kthehu; por nësë nuk e gjen veten aty, pyete veten pse nuk je ti aty? Dëshira e kujt është kjo që ti je fshirë nga ajo hapësirë?

Maqedonia është bërë shtet ultra-nacionalist me vizion fashit për të ardhmen e saj, dhe nuk është bërë fashiste për një natë: ky është një proces i gjatë që ka mund të ndalet. Por, vizioni fashist i këtyre partive me politika ultra-nacionaliste dhe me një popull shqiptar analfabet në politikë, që mashtrohet lehte për të siguruar ndonjë levërdi të menjëhershme -si një bust të Skenderbeut në hyrje të çarshisë, kanë bërë pothuajse të pamundur deshifrimin nga një perspektivë më e largët e pasojave që lindin nga ndjekja e politikave ultra-nacionaliste.

Çdo gjë është në rrezik nga kjo qeveri dhe mënyra e qeverisjes së saj. Nëse nuk ndërmirren masa radikale diskredituese kundër tyre, ky fashizëm shtetëror që nuk vret aspak mendjen për të drejtat tona, do të na fundosë të gjithëve. Është më mirë që të organizohemi e ta fundosim atë dhe të shpëtojmë veten nga kjo tragjedi që na ka rënë mbi kokë. Zgjedhja është e jona: por shenjat janë të gjitha aty. Kjo që Maqedonia bën me refugjatët është duke e bërë për cdo ditë me qytetarët e vet në mënyrë simbolike por me efekte materiale po aq të rënda.

About albphilosopher

Sead Zimeri has studied Philosophy, Islamic Philosophy and Religion, International Politics and Psychoanalysis. He is currently the project coordinator of "Islam and the Liberal Society" at the Liberalt Laboratorium (LibLab) thin tank in Oslo, Norway. http://www.liblab.no
This entry was posted in Uncategorized. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s