Me imperativin kategorik kunder moralit humanist

Sead Zimeri

Ka diçka jo vetëm radikale por edhe revolucionare në filozofinë praktike të Imanuel Kantit. Për të, ligji moral, imperativi kategorik, nuk ka të bëjë asgjë me natyrën tonë të veçantë njerëzore, nuk është diçka që vjen si rezultat i evoluimit biologjik të njeriut, nuk është i kushtëzuar nga gjendja emocionale e njeriut, nuk i nënshtrohet as rrethanave ku zbatohet dhe as ideologjive që dëshirojnë të krijojnë parajsë në tokë. Për Kantin, morali është ligj i racionalitetit dhe racionaliteti nuk është pronësi e njeriut, por është perspektivë apo ligj kozmik. Ligji moral si ligj i racionalitetit, pra, nuk e reflekton njeriun aq sa e reflekton universin; morali është mënyra jo-njerëzore e rregullimit të marrëdhënieve njerëzore. Morali, pra, nuk është antropocentrik duke e marrë njeriun si masë të çdo gjëje që ekziston, por është ligj i përbashkët i të gjitha krijesave racionale. Përderisa mund të thuhet se një qenie është racionale ai është i detyruar të punojë sipas imperativit kategorik të moralit.

Në këtë kuptim, imperativi kategorik është anti-humanist por tërësisht egalitarë; imperativi kategorik nuk ka asgjë të bëjë me zakonet, traditat, besimet dhe kulturat që i ka ngritur njeriu gjatë rrugëtimit të tij historik. Ligji moral është, mbi të gjitha, këto që u thanë sipër dhe prioriteti i tij pa kusht mbi çdo gjë tjetër nuk është diçka që duhet diskutur, por diçka që duhet ndjekur. Në njëfarë kuptimi, ligji moral i Kantit, imperativi kategorik, është verzion sekular i religjioneve teiste ku e vërteta nuk i nënshtrohet pasioneve dhe tekave apo edhe opinioneve të njeriut, por qëndron përherë dhe çdoherë mbi dërdëllisjet, dialogjet, shkëmbimet e opinioneve, e kështu me radhë. Ajo vjen nga jashtë dhe i imponohet njeriut pa konsultimin e tij. E vërteta që morali është nuk përcaktohet nga kriteret njerëzore por ato hyjnore, ajo nuk i nënshtrohet ecurisë historike, nuk bëhet e pavërtetë nesër apo më pak e vërtetë pasnesër, nuk e humb vërtetësinë e saj vetëm pse ndryshon kohë dhe hapësirë. Ajo qëndron mbi të gjitha këto, sikur që ligjet e natyrës qëndrojnë mbi shijet dhe mendimet tona. Në këtë kuptim Kanti mbetet trashëgues jo vetëm i traditës Newtoniane në shkencë, por edhe i traditës emancipuese të religjioneve teiste që e konceptualizojnë të vërtetën ndaras nga këndvështrimi njerëzor: e vërteta është perspektiva e universit, është e huaj për njeriun, dhe njeriu nuk është i lirë ta kontestojë vërtetësine e saj edhe pse ai mund të kontestojë përvetësimin e saj: e vërteta është detyruese; ajo detyron përmes arsyes, racionalitetit pra, dhe ky detyrim është një ngjarje, format e subjektivitetit ndaj tij megjithatë ndryshojnë.

Për Kantin, ligji moral mban me një domosdoshmëri universale të ligjeve natyrore. Për dallim nga ligjet natyrore, ligji i moralit mund të mos ndiqet madje edhe aktivisht të shmanget: por as njëra dhe as tjetra nuk e bën më pak të domosdoshëm si ligj universal të natyrës. Për Kantin, edhe kur ky ligj bie ndesh me aspiratat tona, me dëshirat tona, me interesat tona, diçka që në mënyrë të pashmangshme ndodhë, imperativi kategorik, përmes të cilit ligji moral i drejtohet njeriut si qenie racionale, prioretizohet dhe qëndron mbi çdo ligj tjetër.

Një pikëpamje e tillë mbi moralin i ka trishtuar shumë njerëz dhe moralistë që kanë bërë përpjekje të shumta të e ngrisin moralin mbi koncepte antropocentrike, të e bëjnë moralin aferë njerëzore, çështje e shkëmbimit të interesave të përbashkëta, gjë që rezulton jo vetëm në relativizimin e moralit brenda horizontit të pastër njerëzor (që detyrimisht është kulturorë), por edhe brenda kushteve socio-historike dhe epokale të evoluimit të njeriut. Ky relativizim jo domosdoshmërisht ja humb moralit karakterin detyrues, por ky karakter bëhet detyrues në kuptimin që ligji është detyrues: ligji përherë ka karakter lokal, por ndjekja e tij është detyrim për ata që i nënshtrohen atij ligji. Nëse nuk je nën jurisdiksionin (pushtetin) e atij ligji, nuk je i detyruar ta zbatosh apo të i nënshtrohesh. Në vende tjera mbizotërojnë ligje tjera: edhe në keto vendet tjera ligjet janë të detyrueshme, por jo të njejtët ligje. Kritikët e Kantit, por edhe ata që nuk janë marrë me Kantin por që kanë bërë përpjekje ta krijojnë një moral që është human, dmth, që është kontekst-senzitiv por edhe i detyrueshëm, e kanë zhvilluar moralin sipas modelit të ligjit. Dilema shtrohet, megjithatë, pse kemi nevojë të bëjmë ligje morale në model të ligjeve (shtetërore) nëse ligjet vetëm e kryjnë të njejtën punë? Cili është qëllimi, pra, i duplimit të ligjit? Këtu edhe është konundrumi i gjithë këtyre përpjekjeve për ta humanizuar moralin, për ta bërë atë të ndjeshëm ndaj interesave, shijeve, kushteve klimatike dhe ekonomike, etj. Si të shpjegohet kjo dëshirë për ta dubluar, apo kopjuar apo thjeshtë përsëritur ligjin në moral, aq më tepër kur dihet se marëdhëniet njerëzore që bien jashtë sferës së ligjit dhe moralit mund të rregullohen përmes parimeve tjera jo-ligjore dhe jo-morale, ku edhe ligji por edhe morali janë të heshtur?

Kanti, pra, nuk përpiqet as ta hyjnizojë dhe as ta humanizoje moralin: ai është imperativ kategorik dhe arbitër i fundit për rregullimin e raporteve ndërnjerëzore si dhe zgjidhjen e konflikteve ndërmjet tyre. Ai qëndron mbi ligjin pikërisht ngase ligji ka karakter lokal, por kur ligji dhe morali bien në konflikt dihet se kujt duhet qëndruar besnik. Ligji moral është ligji i racionalitetit dhe vlen për të gjitha krijesat racionale, pa marrë parasysh konstituimin e tyre fizik. Edhe vetë Zoti përderisa është racional është i detyruar nga ky ligj, dhe është i detyruar të gjykoj në pajtim me të, përndryshe ai do të binte në kundërshtim me veten e tij, me natyrën e tij – prandaj edhe ligji moral nuk i paraqitet Zotit si imperativ, por thjeshtë si spontanitet.

Në këtë hyrje të gjatë desha të them vetëm një send: tentimet për ta humanizuar moralin jo vetëm që janë tentime konservative, e madje edhe reakcionare, që bien ndesh me të vërtetën e ligjit moral, por këto tentime ja marrin moralit të drejtën që ta ketë fjalën e fundit, të drejtën që të refuzojë aktvendime dhe ligje, tradita dhe ide, gjykime dhe politika, që bien ndesh me të; me një fjalë, përpjekjet për ta humanizuar moralin, sado sublime që duken, ja presin krahët moralit dhe e pengojnë në kryerjen e detyrës për të cilën edhe ekziston: zbatimin kozmik të drejtësisë, zbatimin e paanshëm dhe neutral të ligjit kozmik, universal, të drejtësisë. Kur kemi shumë sisteme morale nuk kemi mundësi për t’i zgjidhur konfliket që lindin mes këtyre sistemeve morale, sepse ato sipas vet perkufizimit, mbeten të sanksionuara nga rethanat ku veprojnë.

Intuitivisht, megjithatë, apo siç thotë Kanti, ligji moral është fakt i arsyes, ne e kuptojmë se atë që e urdhëron morali nuk mund ta shkarkojë tradita apo zakoni, sepse ligji moral rregullon pikërisht marrëdhëniet me tjerët nga një perspektivë e paanshmërisë dhe barazisë së plotë, e këta tjerët nuk janë vetëm ata që kanë nënshkruar dhe i janë nështruar ligjit moral të këtij apo atij grupi, por që vijnë edhe vetë me një moral të këtillë. Në këso raste, t’i apelosh moralit tënd për të zgjidhur një problem me një njeri që ka kodeks tjetër të moralit, nuk ofron kurrfarë zgjidhje morale, sepse mund të jenë pikërisht rregullat e moralit ato që kontestohen. Çka ndodhë në praktikë është se ata që janë të dobët detyrohen t’i përvetësojnë jo vetëm ligjet e një vendi tjetër por edhe kodekset morale të atij vendi. Jo vetëm ligji që ka karakter koerziv në raport jo vetëm me kriminelin por me çdo subjekt të ligjit, por tani edhe morali merr karakter koerziv duke u vënë në shërbim të ndonjë ideje lokale që tjerët duhet pranuar. Kështu jo vetëm që humbet hapësira nga ku mund të kritikohen praktikat shoqërore nga një perspektivë univerzale – sepse nga perspektiva lokale edhe brenda ligjit, por edhe brenda kodekseve morale gjendet hapësirë për kritikë, por, unë them, se kjo hapësirë është tejet e ngushtë, dhe nuk mund të dalë jashtë horizontit të vet lokal kur ballafaqohet me pohimet, deklarimet, arsyetimet e tjetrit. Perplasja është e pashmangshme, por gjykatesi është memec.

Humanizimi i moralit, pra, nuk është në gjendje të ofrojë alternativë më të gjërë se ajo lokale për të zgjidhur problemet që lindin mes njerëzve që nuk i takojnë të njëjtit kompas moral. Nuk mjafton gjithashtu ta trajtosh tjetrin në mënyrë humane, pasi që edhe morali kantian nuk kërkon që njerëzit të trajtohen dhunshem. Aty nuk është qëllimi. Qëllimi është se humanizimi i moralit, zakonisht përfundon jo në zgjidhje të konflikteve por në shumëfishimin e tyre, sepse perspektiva humane është detyrimisht e lidhur me interesat vetjake, dhe kështu mund të jetë tepër e dëmshme për tjetrin, kërkesat e të cilit kërkojnë të mirren si detyrime të moralit jo si lutje për t’u shkrirë në një sistem tjetër morali. Humanizimi i moralit pra vetëm sa arrinë ta hapë hendekun e përçarjes dhe konflikteve sepse është në natyrën e njeriut që para se të kujdeset për të tjerët të kujdeset për veten, por nëse kjo kujdesje për veten nuk mbikqyret me rregullat e moralit universal atëherë ajo shpejt shndërrohet në egotizëm, dhe në fund raporti ynë me të tjerët vlerësohet vetëm për aq sa tjetri i plotëson dëshirat tona egotiste. Ne këtë kuptim morali humanist është moral koerziv, dhe jo egalitarë, pasi që është e pamundur shkëputja e faktorëve jo moral nga vlerësimet morale të këtilla, dhe primare ndër to, gjithsesi, është fuqia dhe pushteti për ta detyruar tjetrin të përmbush kërkesat egotiste të më të fortit. Humanizmi detyrimisht përfundon këtu: nuk po dua t’i referohem historisë së kolonializmit ku humanistët europianë në emër të humanizmit të tyre u përpiqën t’i shfarosnin kulturat tjera më pak humane; ajo që është me rëndësi për mua është lidhja konceptuale e domosdoshme mes humanizmit dhe kërkesave për dominim të tjetrit plotësisht tjetër.

Mendoj që imperativi kategorik bën punë shumë më të mirë dhe efektive në raste të këtilla, por edhe sidomos tani që jemi duke u përballuar me krizën ma të madhe të refugjatëve qysh prej luftës së dytë botërore. Nga perspektiva e imperativit kategorik, kërkesat e refugjatëve janë detyrime mbi ne, që nuk mundemi moralisht t’i anashkalojmë, nuk mundemi pra të themi se ne kemi traditë, ligj, religjion dhe moral tjetër këtu që refugjatet nuk i kuptojnë dhe nuk i zbatojnë, dhe ardhja e tyre në mesin tonë vetëm sa e prish harmoninë, homogjenitetin, e popullit tonë, etj, prandaj është plotësisht e moralshme dhe madje humane që këtyre njerëzve t’u mbyllen dyert, apo të pranohen vetëm një numër krejt i pakët i tyre, që të mundemi sa më mirë t’i akomodojmë dhe integrojmë këtu. Kjo, nga perspektiva e imperativit kategorik, është fundosje e ligjit moral, është zhytje në sferat më të ulta të imoralitetit, pasi që atë që është kategorike dhe absolute e trajton si relative dhe hipotetike. Është njerëzore të gëzohesh dhe të falenderosh ata që të shtrijnë dorën e ndihmës, por nga perspektiva e imperativit kategorik kjo ndihmë duhet të jepet gjithsesi, me apo pa mirenjohjen e tyre: sikur që gjeneza e moralit nuk është e kushtëzuar nga faktori njeri edhe zbatimi i ligjit moral nuk kushtëzohet nga faktorët e mirënjohjes apo mosmirënjohjes. Ti duhet ta kryesh detyrën, obligimin moral, sepse ti mundesh, dhe përderisa mundesh nuk ke kurrfarë arsyetimi që t’i shmangesh ligjit moral.

About albphilosopher

Sead Zimeri has studied Philosophy, Islamic Philosophy and Religion, International Politics and Psychoanalysis. He is currently the project coordinator of "Islam and the Liberal Society" at the Liberalt Laboratorium (LibLab) thin tank in Oslo, Norway. http://www.liblab.no
This entry was posted in Uncategorized. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s