Ç’është misioni profetik?

Sead Zimeri

Historia e profetëve para profetit Muhammed është e stërmbushur me mrekulli dhe çudira nga më të ndryshmet dhe më fantazmatiket. Mrekullitë, megjithatë, mund të kuptohen dhe interpretohen vetëm si përpjekje anakronike apo projektim i nevojave të tashmes në të kaluarën, përpjekje anakronike për të legjitimuar një ide tjetër, atë të perfeksionimit moral të udhëheqësve aktual: apo thënë më saktë, mrekullitë janë mënyra jo adekuate për të legjitimuar udhëheqësinë morale dhe politike, jo të profetëve, por të udhëheqësve aktual. Shembëlltyra profetike është aq e lartë saqë ajo mund të konsiderohet e mrekullueshme në mënyrën se si profetët vepronin si udhëheqës politik dhe moral. Profetët janë figura eksemplarike, që do të thotë, shembulli i tyre i përsosjes morale duhet të ndjeket nga udhëheqësit tjerë.

Edhe pse gjeneza shoqërore e profetëve nuk përcaktohet nga faktore klasorë – profetët vijnë nga të gjitha shtresat shoqërore- ata përherë dhe çdo herë përfaqësojnë të shtypurit, atyre që u është bërë padrejtësi, të përndjekurit. Profetizmi është shprehje politike dhe morale e padrejtësive dhe pabarazive shoqërore. Por, profetizmi nuk është vetëm shprehje e padrejtësive shoqërore, por edhe materializim i normave universale të drejtësisë dhe aspiratave për barazi dhe liri. Profetët janë figura të shembëlltyrës dhe përsosjes morale. Është përsosja morale, dimensioni moral/universal i lëvizjes politike si lëvizje emancipuese që e shquan profetizmin nga shumë lëvizje tjera politike. Të dyja aspektet janë thelbësore për lëvizjet emancipuese: profetizmi e ndalon dhe e denoncon çdo luftë për drejtësi që vetë nuk është shembëlltyrë e drejtësisë. Një luftë e tillë krijon padrejtësi tjera, viktima tjera dhe kjo bie ndesh me parimet e profetizmit si lëvizje politike dhe morale për drejtësi, barazi dhe liri.

Simbolikisht, profetët janë materializimi historik i normave universale në shoqëri, i kërkesës për drejtësi dhe liri, kurse mrekullitë janë një mënyrë e ekzagjeruar alegorike e sqarimit dhe shtjellimit të parimit të konvertimit të normës trans’historike në histori.

Në këtë linjë përfshihet edhe profeti i islamit, por me një dallim të madh. Ai nuk kishte nevojë të shfaqte apo bënte mrekulli për të dëshmuar profetësinë e tij (shembëlltyrën morale dhe politike të figurës profetike). Për herë të parë në historinë profetike konstituohet parimi demokratik i zgjedhjes së liderëve por edhe i lidershipit demokratik, në parimin e shuras. Profeti Muhammed nuk kishte nevojë të bënte mrekullira për të dëshmuar statusin e tij si bosullë morale historike e vlerave transhistorike dhe si udhëheqës politik ishte i gabueshëm, një parim që e legjitimonte mënyrën konsultative të qeverisjes në islam. Ai nuk kishte nevojë të fliste me krijesat tjera, të e çante detin për të shpëtuar pasuesit e tij, të çante hënën apo të e ndalonte diellin nga rotacioni i tij. Të gjitha këto i kishte lënur mbrapa, si momente të papjekurisë morale dhe intelektuale të njerëzimit. Tani e tutje secili kishte një obligim për të gjykuar me arsyen e vet: nuk kishte nevojë për mrekulli, për gjëra jashtë/mbi ligjore për të dëshmuar validitetin e ligjit. Ligji vetë ishte deshmia e ligjit, sikur që arsyeja vetë është prova dhe dëshmia e arsyes. Mrekullitë mbi të cilat më herët mbështetej gjykimi njerëzor, me ardhjen e profetit Muhammed do të bëhen të panevojshme, dhe prej tani e tutje njeriu do të kërkojë udhëzimin jo në mrekulli mbinatyrore, por në arsyen e tij, në leximin dhe deshifrimin e urdhërit të Zotit.

Në këtë mënyrë islami është një përjashtim, një kthesë radikale në historiografinë profetike. Njeriu, përfundimisht, do të jetë në gjendje t’i kthehet vetes, dhe të ngrihet edhe sikur profetët para tij, në rangun e qenieve që perfeksionojnë vlerat universale. Është ky demokratizim i parimit të ngritjes së secilit njeri në rangun profetik që e shquan dhe e dallon islamin nga lëvizjet tjera profetike, dhe deri në këtë masë mund të thuhet se islami e anulon nevojën për heronj dhe për profetë. Islami është një lëvizje profetike që e kupton se profetizmit i ka ardhur fundi, se nuk ekziston arsye e shëndoshë për vazhdimin e kësaj tradite edhe më tutje. Është e qartë se traditat islame post-profetike jo përherë i janë përmbajtur dhe i kanë qëndruar besnik parimit të egalitarianizmit që konsitituon çarjen islamike në traditat e mëparshme profetike; në fakt ekziston një regresion i dukshëm, një përpjekje për ta mbuluar çarjen islamike dhe kështu aktivizon elemente të traditës profetike që çarja islamike i ka lënë mbrapa: mbeten në kontinuitet me traditat e mëparshme profetike kur ato tërthorazi apo haptazi instituojnë pariminin se jo çdokush mund të perfeksionohet, se shumica absolute e njerëzve duhet të mbeten pasues (parimi i taklidit), dhe kanë nevojë për udhëheqës ekstraordinarë – kjo traditë është inkorporuar me të madhe edhe në traditat legale dhe intelektuale islame në formë të tërheqjes së vijës ndarëse mes atyre që janë të përzgjedhur (elitat kulturore dhe intelektuale) dhe të tjerëve. Por për dallim nga traditat tjera profetike, islami bën një çarje egalitare në traditën profetike. Të gjithë pa përjashtim janë të barabartë dhe të gjithë pa përjashtim mund të bëhen figura ekzemplarike të perfeksionit moral. Në këtë kuptim islami është edhe vazhdimësi e traditës profetike por edhe ndarje nga ajo, në kuptimin që islami krijon një çarje në këtë korpus duke e detyruar atë të largohet nga idetë jo-egalitare dhe jo-emancipuese që kjo traditë i kishte ruajtur me xhelozi. Dhe çarja më e madhe është pikërisht dhënia fund profetizmit si element jo emancipues në një traditë emancipuese, dmth, islami bën emancipimin e traditës profetike nga barra e profetizmit. Islami është lëvizje politike dhe morale që i dha fund profetizmit si institucion.

About albphilosopher

Sead Zimeri has studied Philosophy, Islamic Philosophy and Religion, International Politics and Psychoanalysis. He is currently the project coordinator of "Islam and the Liberal Society" at the Liberalt Laboratorium (LibLab) thin tank in Oslo, Norway. http://www.liblab.no
This entry was posted in Uncategorized. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s