Një përpjekje për të sqaruar ankthin që kërcënimi i lirisë së shprehjes provokon në Evropë

Sead Zimeri

Pas sulmit në Francë së fundi një ndër pyetjet më të diskutuar është bërë: a është liria e shprehjes e pakufizuar? Kësaj pyetje mund t’i përgjigjemi në dy nivele: në nivel strukturor dhe atë politik. Në nivel strukturor, përgjigjeja është: jo. Nuk mund të jetë e pakufizuar për arsye se vetë njeriu është qenie e kufizuar, dhe nuk mund të thotë çdo gjë, madje edhe kur dëshiron të thotë çdo gjë. Gjuha është instrumenti kryesorë përmes të cilës mundësohet komunikimi i mendimit dhe ndjenjës, por në të njëjtën kohë, është edhe limiti i saj. Por ky aspekt nuk është aq i rëndësishëm në përditshmërinë tonë, megjithëse duhet të mbahet parasysh se po ashtu nuk mund të ndahet nga niveli politik tërësisht. Nëse është e pamundur të komunikohet gjithçka përmes gjuhës që e bën të mundur shprehjen si të tillë është gjithsesi e arsyeshme të supozohet se ky limit nuk është vetëm gjuhësor por e përfshin tërë qenien e njeriut. Njeriu si njeri nuk e ka të mundur të shprehet si të dojë, edhe atëherë kur nuk i mungojnë fjalët, jo sepse gjuha nuk është i vetmi limit, por sepse është limiti kryesorë.

Por liria e shprehjes kufizohet edhe në nivelin politik, dhe këtu jam duke përdorur fjalën politikë për të përfshirë të gjithë veprimtarinë shoqërore të njeriut. Edhe këtu liria e shprehjes mund të kufizohet nga një pikëpamje strukturore, është limiti matanë të cilit nuk mund të shihet. Ky limit mund të tkurret dhe të zgjerohet, varësisht nivelit të njohurive epokale dhe individuale. Deri në këtë pikë askush nuk e parashtron lirinë e shprehjes si problem politik. Arsyeja pse nuk parashtrohet si problem është ngase njeriu nuk mund ta mendojë atë për të cilën nuk është i vetëdijshëm.

Liria e shprehjes bëhet problem kur ky limit fillon të zgjerohet apo ngushtohet dhe lëvizjet e tij regjistrohen në vetëdijen kolektive politike. Nëse pas një kohe të gjatë, aq të gjatë sa një çështje perceptohet si e natyralizuar, një të drejtë që e gëzoje dje sot të cënohet dhe cenzurohet sa herë që ti e përdorë atë, atëherë është e natyrshme që liria e shprehjes bëhet dhe shtrohet si problem – sikur që shtrohet sot në Evropë. Atë që dje mund ta thuaje lirshëm kurse sot jo, doemos do të përjetohet si kufizim i lirisë së shprehjes. Pyetja është nëse ky kufizim është i drejtë ose i padrejtë, nëse është arbitrar ose i domosdoshëm.

Ky kufizim pra mund të përjetohet ose si kufizim arbitrar ose si kufizim i domosdoshëm, për të krijuar hapësirë për ndonjë risi (të drejte) tjetër. Nëse përjetohet si kufizim arbitrar dhe i paarsyeshëm atëherë kemi të bëjmë ose me mungesë vetëdije për realitetin e ri të subjektit që përjeton këtë kufizim si arbitrar, ose elitat politike dhe religjioze por edhe financiare mundohen të e kufizojnë lirinë e shprehjes në mënyrë që të ndalojnë kritikat ndaj tyre. Reagimet varen nga mënyra se si perceptohet ky kufizim i lirisë së shprehjes. Pika qëndrore, megjithatë, qëndron: liria e shprehjes nuk është absolute pavarësisht faktit se është vlera fundamentale e çdo forme tjetër të lirisë. Limitet e saja, megjithatë, nuk janë të pavarura nga rrjedhat dhe dinamikat politike, si lokale ashtu edhe globale.

Meqë liria e shprehjes nuk është e pavarur nga dinamikat politike, ajo nuk mund  diskutohet pavarësisht këtyre dinamikave: si ato gjeo-politike, kulturore, ekonomike, format e ndryshme të imigrimit që krijojnë probleme për shoqërite ku vendosen, etj. Në fakt, popullata imigrante në Evropë është shkaku kryesor për ngritjen e çështjes së lirisë së shprehjes, gjë që e bën të pamundur evitimin e tërësishëm të konflikteve kulturore mes kulturave që sot ndajnë të njëjtën hapësire gjeo-politike. Evropa ka bërë një luftë të gjatë kundër kishës dhe krishterimit për t’u liruar nga hegjemonia e saj. E drejta për të kritikuar krishterimin (krishterimi ishte feja e Evropës) nuk iu ka zbritur në prehër si dhurate nga kisha, por e kanë marrë duke e luftuar atë në mënyra të ndryshme. Dhe është kjo vetëdije historike për këtë fitore që e bën plotësisht të kuptueshme se përse evropianët alarmohen kur kjo e drejtë vëndohet në pyetje.

Qenia e njeriut është pandashmërisht e lidhur me besimin dhe praktikat institucionale dhe shoqërore ku ndërvepron. Ajo nuk ekziston e ndarë nga ato praktika, prandaj edhe sa herë që këto praktika rrezikohen vetë qenia e njeriut rrezikohet, sidomos kur këto praktika rrezikohen nga jashtë. Sulmi ndaj lirisë së shprehjes është sulm ndaj qenies së njeriut që lirinë e shprehjes e ka të shenjtë. Nëse nevoja për ndryshimin e limiteve të lirisë përjetohet si domosdoshmëri imanente atëherë ndryshimi i tyre parashtrohet si pjesë integrale e zhvillimit të jetës politike: nëse, në anën e kundërt, nevoja për të nuk perceptohet si domosdoshmëri e brendshme, por imponohet nga jashtë, apo nga pushteti aktual, atëherë ajo perceptohet si kërcënim. Dhe pikërisht kjo ndodh sot në Evropë. Prezenca e kulturave tjera, që kanë patur trajektore të ndryshme të zhvillimit historik, dhe që, rrjedhimisht, nuk ndajnë të njëjtat probleme me kulturen perëndimore, bën që të lindin konflikte që përdryshe nuk do të ekzistonin.

Liria për të kritikuar dhe tallur kishën dhe religjionin është një nga liritë e shenjta në Evropë, dhe çdo përpjekje për të cënuar atë do të shkaktojë reagime të ashpra. Por gatitshmëria për të mbrojtur atë në çdo formë dhe në çdo mënyrë nuk mund të reduktohet në racizëm, apo urrejtjen pereniale të islamit në Perëndim, siç po parashtrohet nga grupe të ndryshme të majta dhe muslimane. Liria e shprehjes, sidomos liria për të blasfemuar, është një liri që perëndimorët janë treguar të gatshëm të e mbrojnë, pavarësisht se sa ofendohen fetë tjera. Kuptohet këta që kërkojnë kufizimin e saj përherë do të gjejnë miq të mirë tek ata që kanë qenë humbësit historik të pushtetit dhe privilegjeve të tyre – madje edhe një Papë relativisht progresiv si Papa Fracis do ta ‘kuptojë’ nevojën për kufizimin e lirisë së shprehjes. Por ndoshta Papa do të duhej të ‘kuptojë’ më tepër abuzimet seksuale të kishës katolike ndaj të miturve sesa shpërdorimin e lirisë së fjalës. Ai kërkon kufizimin e lirisë së shprehjes ngase ai si udhëheqës suprem i saj nuk dëshiron që ajo të jetë në shënjestër të kritikave që nxjerrin në dritë ato që kisha dëshiron të i mbajë në errësirë.

Evropa ka bërë një luftë të gjatë kundër kishës dhe klerit, dhe të drejtën e lirisë së shprehjes që fitoi e ka sakralizuar, por ajo gjithashtu din, jo përherë, por në raste me përmasa kataklizmike edhe të përmbahet nga shprehja e çdo gjëje që mund të shprehet. Ky është rasti me ligjet që kriminalizojnë antisemitizmin. Dhe ky kufizim i lirisë ishte dhe mbetet i arsyeshëm pas asaj tragjedie që ju ndodhi hebrenjëve gjatë luftës së dytë botërore. Megjithatë, ky është një rast i jashtëzakonshëm, dhe nuk e arsyeton kufizimin e lirisë në mënyrë arbitrare.

Unë jam kundër kufizimit të lirisë së shprehjes, sidomos lirisë së shprehjes për të kritikuar pushtetet dhe autoritetet politike dhe religjioze, por jam edhe për mbrojtjen e grupeve të dobëta dhe të shtypura nga sulmet sistematike ndaj tyre që përdorin lirinë e shprehjes për të ofenduar dhe diskriminuar edhe më tepër kundër tyre. Por besoj se ky është problem jo i lirisë së shprehjes por i premisave tjera kulturore, dhe nuk zgjidhet duke e ndaluar lirinë e shprehjes por duke e ngritur vetëdijen kolektive për të drejtat e barabarta të të gjithë qytetarëve pa dallim feje dhe etniciteti. Në këtë mënyrë, do të mbrohet e drejta e lirisë së shprehjes, për të gjithë, kurse ata që do të shpërdorin atë për të fyer njerëz apo grupe të veçanta do të trajtohen si të padëshirueshëm. Racizmi nuk është problem i lirisë së shprehjes, por problem i frustrimit të saj, por ndoshta mbi të gjitha është problem i një Evrope që është shndërruar në një hapësirë për eksperimentime nga më të ndryshmet të kapitalizmit si dhe problem i imagjinares homogjene që ka karakterizuar Evropën për shekuj me radhe, por që me ardhjen e imigrantëve, sidomos atyre nga bota muslimane, është detyruar ta ndryshojë.

Kjo Evropë që ekziston sot nuk do të jetë përherë e këtillë; ajo do të ndryshojë pavarësisht se këto ndryshime ngjallin ankthe dhe urrejtje në shumë njerëz. Ajo është në udhëkryq, dhe tani për tani është vështirë të parathuhet se si do të zhvillohet më tutje. A do të qëndrojë për vlerat e veta historike te emancipimit individual dhe kolektiv apo do të bëjë kompromise; do të shkojë djathtas apo majtas, apo do të mbetet edhe më tutje në udhëkryq, e pasigurtë në të ardhmen e saj, dhe e paguximshme për të lëvizur në ndonjë drejtim. Është kjo pasiguri që e ka bërë atë të shtanget në vend, e ç’orientuar. Por edhe kjo jolëvizje është lëvizje, por lëvizje drejt fundosjes, sepse sot ekziston një frustrim i madh në Evropë, jo vetëm me kërkesat për kufizimin e lirisë së shprehjes, por edhe me aspektet tjera, sidomos ato ekonomike. Këto frustrime mund të marrin kahje nga më të ndryshmet, por nëse nuk luftohet për një projekt të përbashkët për Evropën, ajo do të shdërrohet në kontinent të pasigurisë. Dhe në momente të këtilla, të dobëtit janë viktimat e para.

Liria e shprehjes kufizohet nga tradita, nga zakone, nga edukata, nga morali, nga respekti që kemi për të tjerët, me një fjalë, ajo kufizohet nga kultura e përbashkët e një populli. Edhe më saktë, ajo kufizohet nga internalizimi i normave kulturore të një populli. Secila kulturë ka zhvilluar mënyra të veçanta për të rregulluar marëdhëniet mes vete, dhe disa forma edhe pse janë të lejuara me ligj, etika i ndalon. Edhe pse këto limite nuk janë të kodifikuara në ligje, ekzistojne kodekse etike dhe shoqërore që e bëjnë shprehjen e lirë në disa mënyra të padëshirueshme. Krijimi i një kulture të këtillë të përbashkët ndoshta do të ishte një mburojë më e mirë kundër shpërdorimit të lirisë së shprehjes dhe kundër thyerjeve selektive të tyre.

About albphilosopher

Sead Zimeri has studied Philosophy, Islamic Philosophy and Religion, International Politics and Psychoanalysis. He is currently the project coordinator of "Islam and the Liberal Society" at the Liberalt Laboratorium (LibLab) thin tank in Oslo, Norway. http://www.liblab.no
This entry was posted in Uncategorized. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s