Emancipimi si vetëdije për lirinë

Sead Zimeri

Kam përshtypjen se fjala emancipim është një ndër fjalët më të shpërdorura të fjalorit politik të sotëm. Si rezultat i mosnjohjes së kuptimit që kjo fjalë përmban, ajo përdoret gjithandej, madje edhe në raste ku i përshkruhet kuptim diametralisht i kundërt nga ai që ajo shënjon. Ky manipulim i fjalës emancipim shihet më së qarti kur bëhet fjalë për emancipimin gjinor, sidomos atë të gruas, në shoqëritë patriarkale.

Me fjalën emancipim kuptohet lirimi apo pavarësia nga kontrolli dhe mbykqyrja e tjetrit -ky tjetri mund të jetë kushdo: mund të jetë një njeri në cilësinë e tij si prind, burrë, apo grua, por edhe një institucion, një abstrakcion, një ide, një traditë, një rregull, një zakon, etj. Emancipimi është koncept gjithëpërfshirës, që kap nën ombrellën e tij aspekte nga më të ndryshmet.

Emancipimi pra përherë ka kuptimin e pavarësimit nga diçka, theyrjen e prangave që pa ndonjë arsye të mirë kufizojnë lirnë e personit. Nëse përkufizimi mbetët vetëm në këtë kuptim atëherë ai mbetet përkufizim negativ, si ikje apo arratisje nga diçka. Por edhe pse duket se ky është kuptimi primar i fjalës, në fakt, ky është kuptimi derivativ i tij. Kuptimi primar qëndron në vetëdijësimin për ndikimet negative të traditës nga e cila dëshirojmë të largohemi. Emancipimi ka të bëjë, pra, me vetëdijësimin se një traditë apo praktikë, personale apo shoqërore, është duke patur ndikim negativ në vetëdijën tonë për lirinë; se tradita apo praktika në fjalë është shtypëse, se ajo nuk e akomodon vetëdijen tonë për lirinë. Liria është vlera fundamentale e njeriut mbi të cilën presupozohen të gjitha vlerat dhe normat tjera morale dhe kulturore. Prandaj edhe heqja e lirisë është në vetvete dehumanizim i njeriut.

Të emancipohesh nuk do të thotë të largohesh nga çdo rregull që imponon shoqëria: së paku një rregull fundamental moral nuk mund të shkilet kurrë pa e shpërfillur njëkohësisht edhe emancipimin: nuk mund të shkelësh lirinë e tjetrit në emër të emancipimit tënd. Emancipim, pra, nuk do të thotë lirim nga çdo përgjegjësi që njeriu ka ndaj tjetrit; emancipim do të thotë lirim nga ato tradita, ato zakone, që bien ndesh me vetëdijen e njeriut si qenie e lirë dhe morale.

Emancipimi është përherë i kushtëzuar nga rrethana specifike historike, që ndryshojnë nga vendi në vend dhe nga një periudhe historike në tjetrën. Vetëdija për lirinë nuk ndryshon, por përmbajtja e kësaj vetëdije gjithsesi është e kushtëzuar nga variabla të ndryshëm shoqërore dhe personale. Ideja e emancipimit është ngushtë e lidhur me idenë e vetëdijësimit dhe realizimit të lirisë së njeriut, me faktin se një praktikë është bërë shtypëse dhe krijon situata ku as liria dhe as barazia nuk realizohen.

Emancipimi është e drejtë njerëzore, ngase ai gjen mbështetje të menjëhershme në konceptin e lirisë. Çdo imponim i një tradite mbi individë që kërkojnë emancipim prej asaj tradite është dhunë, pasi që bëhet pa pëlqimin e palës që i imponohet.

Janë dy kritika që zakonisht ngrihen kundër idesë së emancipimit, sidomos kundër emancipimit të gruas: njëra është kritikë konservatore, kritikë që niset nga premisa se traditat dhe praktikat aktuale nuk kanë nevojë të ndryshohen por vetëdija e “degjeneruar” e grave që kërkojnë emancipimin duhet ndryshuar. Këta, si rregull, e parashtrojnë çështjen e emancipimit si çështje devijimi moral, si anarkizëm moral, që parashikon shthurrjen e shoqërisë. Dhe duhet pranuar se emancipimi është devijim, por jo devijimi moral. Nuk mund të jetë devijim moral përderisa ai ngrihet mbi vetëdijen për lirinë dhe qëndron brenda kufijve që vendosë liria: reciprociteti dhe barazia. Liria nuk mund të ekzistojë pa këto dy elemente. Nëse e kërkon lirinë nga unë atëherë duhet njëkohësisht të ma njohësh edhe mua të njëjtën liri që po e kërkon për vete. Në rast të kundërt, kërkesa jote nuk është për emancipim por për dominim. Dua ta theksoj fuqishëm këtë aspekt të lirisë: në nivel normativ liria (pavarësia) yte nënkupton lirinë time të menjëhershme: pavarësia yte ekonomike nënkupton edhe lirimin tim nga obligimi për të të siguruar ekzistencën. Çdo kufizim i lirisë së tjetrit shtrohet si obligim dhe përgjegjësi për atë që kufizon lirinë e tjetrit. Fëmijët në raport me prindërit e tyre kanë liri të kufizuar, por ky kufizim kompensohet përmes obligimit që prindërit kanë për mirëmbajtjen e tyre. Pa këtë raport të kufizimit të lirisë obligimi ndaj tjetrit as që mund të shtrohet. Shteti obligohet, ka për detyrë të kujdeset për qytetarët e vet, sepse ai kufizon lirinë e tyre përmes ligjeve dhe organeve të ekzekutimit të ligjit. Sa më shumë që kufizohet liria aq më e madhe përgjegjësia e atij që e kufizon lirinë.

Shpesh edhe ithtarët më të mëdhenj të emancipimit ngatërrojnë këto dy aspekte dhe kalojnë prej njerit në tjetrin pa ndjerë kurrfarë kontradikte dhe inkoherence. Kritika konservatore pra është kritikë e motivuar nga arsye që nuk kanë të bëjnë me emancipim shoqëror por me ruajtjen e privilegjeve të fituara, privilegjeve që ua garanton sistemi aktual. Në sistemet patriarkale në përgjithësi nënave u jepet një status i veçantë, dhe ky status u jep privilegje që nuk do t’i gëzonin përndryshe. Në raste të këtilla nënat dalin në mbrojtje të sistemit më tepër se vetë meshkujt, të cilët të detyruar t’i përbushin disa role që ua përshkrun tradita patriarkale nuk janë përherë edhe aq entuziastë sa na jepet të kuptohet nga kritikët e patriarkalizmit. Pa marrë parasysh, fakti mbetet se në këto kushte, agjentet e privilegjuar, bëjnë kritikë tendencioze ndaj aspiratave emancipuese të grupeve që dëshirojnë të emancipohen. Shthurrja e shoqërisë nuk vie nga mirënjohja e lirisë më të madhe të gruas, por nga shtypja e saj, dhe ky do të ishte postulat i arsyes praktike (morale).

Përderisa konservatizmi i parashtron gjërat mbrapsht, ekziston një traditë tjetër që thekson se emancipimi është ose total ose nuk është aspak: gruaja nuk mund të emancipohet pa u emancipuar shoqëria (vëre se si burri identifikohet me shoqërinë)– edhe pse e kundërta e kësaj kurrë nuk postulohet. Zakonisht kjo traditë i përshkruhet marskizmit dhe socializmit. Nuk dëshiroj të hy në çështjen nëse ky prezentim i mësimeve të Marksit është i drejtë, por do të ndalem në vetë prezentimin. Për mendimin tim kjo lloj kritike ka një të metë të madhe, dhe ajo është pikërisht hipoteza se emancipimi nëse nuk është total nuk është emancipim. Por në këtë kuptim askush nuk është i emancipuar, sepse totalitete të tilla nuk ekzistojnë. Ato ekzistojnë ndoshta vetëm në botën e fantazive. Por më kryesore është që kjo kërkesë për emancipim total merr kuptim vetëm nga një logjikë konservatore. Kujto se si ajo e prezenton kërkesën për emancipim si shthurrje totale të shoqërisë, të normave të shoqërisë: emancipimi i gruas = shkatërrimi i shoqërisë. Por është e qartë se kjo kërkesë e prezentuar në këtë mënyrë është keqinterpretim, ngase së paku tradita emancipuese marksiste nuk kërkon emancipim total, por emancipim nga forma e dominimit dhe prodhimit kapitalist që “determinon” kushtet dhe ligjësite e paraqitjes së marëdhënieve tjera shoqërore. Ideja është se nuk mund të ndryshohet asgjë me rëndësi, përderisa mbetemi të varur në sistemin e dominimit dhe eksploatimit kapitalist. Prandaj, kërkesa nuk është për ndryshim total, por është për ndryshim të motorit që e mban një sistem të padrejtë në jetë. Me ndryshimin e sistemit gjërat tjera ndryshojnë vetvetiu, apo së paku pengesat të cilat dikur kishin bërë emancipimin të pamundur hiqen dhe emancipimi vazhdon marshimin e vet. Është thënur se kjo hipoteze nuk doli e vërtetë në sistemet komuniste që provuam gjatë shekullit të kaluar, prandaj lidhja mes njërës dhe tjetrës duhet të jetë lidhje kontingjence, jo e domosdoshme, dhe rrjedhimisht edhe më e komplikuar sesa kuptimet njëdimensionale, gati gati kauzale, të japin të kuptosh. Por edhe pse kjo lidhje është më e komplikuar, fakti mbetet se sistemi ekonomik në një masë të madhe determinon superstrukturen. Megjithatë, ajo ka autonominë e vet, dhe mund të ndërhyjë në sistemin ekonomik dhe ta ndryshojë atë. Po të mos ishte kjo e vërtetë, politika (as revolucionare dhe as liberale) nuk do të ishte e mundur, kurse kërkesat për ta ndryshuar sistemin do të ishin tërësisht irracionale. Në saje të kësaj, gjykoj që është plotësisht e arsyeshme të kërkosh të emancipohesh nga disa tradita që për vetëdijen për lirinë paraqiten më shtypëse se traditat tjera. Të presësh për ta ndryshuar sistemin para se ta ndryshosh një traditë apo praktikë të veçantë diskriminuese dhe shtypëse, pra, është kërkesë irracionale ngase bie ndesh me parimin e autonomisë ralative që superstruktura ka në raport me strukturën.

Por nuk janë vetëm këto dy kritika që janë problematike për idenë e emancipimit. Disa herë vetë ithtarët e idesë së emancipimit të pjesërishëm, që është total në sferën e vet, ngatërrojnë atë që është esenciale me atë që është aksidentale: le të marrim shembull, edhe njëherë, emancipimin e gruas. Unë e përkufizova emancipimin si vetëdijësim për lirinë: por nuk ekzistojnë forma të veçanta që mund të thuhet se mishërojnë në tërësi këtë emancipim në praktikë. Nuk ekziston vetëm një formë e vetme e emancipimit: çveshja apo mbulimi i plotë i femrës. Këtu bëhen disa ngatërrime që është në interes të qartësisë analitike të mbahen ndaras: në asnjë instancë vetëdija për lirinë nuk mund të barazohet me praktikat shoqërore të saja. Një barazim i këtillë do ta shkatërronte vetëdijen për lirinë si vetëdije për lirinë. Por vetëdija për lirinë mund të materializohet në forma të ndryshme: për disa gra materializimi më i saktë i kësaj vetëdije është/bëhet përmes mbulimit të tyre; për të tjerat është/bëhet përmes zbulimit të tyre. Edhe veshja edhe ç’veshja në raport me vetëdijen për lirinë mund të veprojnë si ilustrime të vetëdijes për lirinë. Po them mund ngase është plotësisht e mundur që të mos veprojnë ashtu: një grua që detyrohet të mbulohet apo zbulohet nuk është e lirë në kuptimin që emancipimi kërkon. Si e mbuluara ashtu edhe e zbuluara mund të shndërrohen në objekte, në sende, të bëhet objektifikimi i tyre, edhe pse ky objektifikim ndodhë në mënyra të ndryshme.

Të presupozohet, sikur që zakonisht bëjnë ithtaret e këtyre dy traditave, se liria dhe dinjiteti qëndron në mbulimin apo zbulimin e femrës, është t’i jipet karakter agjencie jo personit por mjetit, mënyrës së realizimit të vetëdijës për lirinë. Kjo është një fatkeqësi që e ka kapluar shumicën e debateve rreth emancipimit të gruas në trojet tona. As veshja dhe as ç’veshja, në vetvete, nuk janë indikatorë të emancipimit të gruas. Ato bëhen të tilla vetëm atëherë kur materializojnë vetëdijen për lirinë apo mungesën e saj. Prandaj në një kontekst ku mbulimi i femrës imponohet emancipimi mund të marrë një karakter të zbulimit të femrës, kurse në një kontekst ku zbulimi imponohet emancipimi mund të marrë një karakter të veshjes. Në raport me vetëdijen për emancipim mbulimi dhe zbulimi janë tërësisht karakteristika aksidentale kulturore. Prandaj është me rëndësi, së paku për grupet që dëshirojnë emancipimin e tyre, të mos ngatërrojnë idenë me formën kulturore që kjo ide merr, sepse atëherë ata do të trajtojnë forma tjera që janë po ashtu forma të vetëdijes për liri si forma të jo lirisë. Kur kjo ndodh, në realitet ndodh diçka më e madhe: një formë e emancipimit fillon të veprojë si formë e dominimit mbi emancipimet tjera. Dhe sa më shpejtë të çlirohemi nga këto forma të emancipimit aq më lehtë do të bëhet emancipimi i grupeve të shtypura në shoqëri. Emancipimi nuk mund të imponohet në një formë apo trajtë të vetme: në fakt, emancipimi nuk mund të imponohet aspak, ai duhet të vijë si rezultat i vetëdijes për lirinë që mungon, dhe vetë subjekti mund ta zgjedhë formën që i përshtatet më së miri atij/asaj. Dhe kjo është e domosdoshme për ta parandaluar jo vetëm shndërrimin e filozofive emancipuese në sisteme të dhunës, por edhe për ta ndaluar instrumentalizimin, objektifikimin, seksualizimin e subjektit të emancipuar. Disa lloje të emancipimeve kanë nevojë të emancipohen prej paragjykimeve të tyre kulturore ndaj tjetrit.

About albphilosopher

Sead Zimeri has studied Philosophy, Islamic Philosophy and Religion, International Politics and Psychoanalysis. He is currently the project coordinator of "Islam and the Liberal Society" at the Liberalt Laboratorium (LibLab) thin tank in Oslo, Norway. http://www.liblab.no
This entry was posted in Uncategorized and tagged . Bookmark the permalink.

One Response to Emancipimi si vetëdije për lirinë

  1. zhvoshkje says:

    Reblogged this on ZHVOSHKJE ✍.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s