Çshenjtërimi i nacionalizmit

Sead Zimeri & Armanda Hysa

Nacionalizmi si ideologji e formimit te kombit është fenomen i studiuar mirë sidomos në Perëndim dhe ekziston një literaturë e gjerë shkencore për të. Kontributi i studiuesve shqiptarë dhe literatura shqiptare për nacionalizmin, megjithatë, mbeten të varfra. Por edhe më e varfër është literatura që trajton nacionalizmin nga një prizëm i përvojës subjektive. Nacionalizmi si ideologji zakonisht studiohet në mënyrë objektive, qasjet akademike dhe doktrinat e tij po ashtu analizohen dhe kritikohen nga pikëpamje kritike jo subjektive. Por e gjithë kjo mbetet abstrakte dhe e pakapshme për njeriun e rëndomtë. Marrëdhënia e njerëzve të rëndomtë me nacionalizmin nuk është në këtë nivel akademik abstrakt. Në përgjithësi marrëdhëniet e tyre me nacionalizmin janë emocionale, por njëjtë si marrëdhëniet e tyre me çdo ideologji tjetër, ato janë indiferente. Me përjashtim të grupevë të vogla militante njerëzit nuk shprehin ndonjë ngazëllim të tepruar për të dhe simbolet e tij, ndonëse rregullisht mund të marrin pjesë në çdo ngjarje ku festohet dhe kremtohet nacionalizmi, apo në ritualet e tij. Megjithatë në momente kyçe nacionalizmi si asnjë ideologji tjetër është në gjendje të mobilizojë indiferentizmin e popullit dhe t’i shndërrojë pothuajse të gjithë në militantë nacionalistë ku zëri i arsyes mbytet në turmën e histerizuar.

Për dallim nga ideologjitë universaliste (komunizmi, kosmopolitizmi dhe religjionet monoteiste), nacionalizmi zakonisht fton popullin të mbrojë atë që ka të përafërt, atë që njeh ngase e bën për çdo ditë, pa marrë parasysh se kjo që mbrohet është e drejtë apo e padrejtë. Ky ‘pa marrë parasysh’ është elementi kyç që e bën nacionalizmin atraktiv për shumë njerëz. Mbrojtja e simboleve të nacionalizmit qëndron mbi çdo gjë tjetër. Ideologjitë universaliste pikërisht këtë ‘pa marrë parasysh’ nuk mund ta pohojnë kurrë pa rënë në kundërthënie. Nuk mund ta pohojnë që njeriu duhet ta mbrojë atë që e ka të përafërt pa marrë parasysh nëse ajo që mbrohet ështe e drejtë apo e padrejtë. Për universalistin çdoherë ekziston një ligj (është ligji moral) mbi ligjet e kombit që arsyeton, urdhëron apo ndalon disa veprime të njerëzve në situata konkrete shoqërore dhe politike. Edhe kur ai nuk vepron sipas këtij ligji, edhe atëherë kur ai e thyen këtë ligj, edhe atëherë – e sidomos atëherë – normativiteti i këtij ligji mbetet në efekt. Nacionalizmi është ligj më vete. Edhe kur sulmon dikë tjetër, nacionalizmi e paraqet dhe e justifikon atë si mbrojtje të asaj që njëriut i qëndron pranë zemrës së tij.

Kjo dashuri ndaj të afërmes është diçka e natyrshme, që i vjen njeriut në mënyrë spontane. Dhe çfarë ka më të rëndësishme se të mbrohet ky spontanitet, kjo përditshmëri? Pikërisht këtu subjekti kapet në kthetrat e ideologjisë së nacionalizmit. Problemi nuk është te dashuria për të afërmen, por te mënyra se si shprehet kjo dashuri. Nacionalizmi përpiqet ta uzorpojë këtë ndjenjë të dashurisë që ne kemi për vendlindjen dhe kulturën dhe ta kushtëzojë atë me të qenit nacionalist. Papritmas, dashuria jonë spontane për vendin dhe kulturën tonë filtrohet përmes kategorive të nacionalizmit dhe jo vetëm që humbet spontanitetin, por edhe nëse përpiqesh ta ruash atë dhe pavarësinë e kësaj lidhjeje, kategorizohesh si kosmopolit, snobist, ose edhe tradhtar që nuk e do as kombin dhe as atdheun. Nacionalizmi nuk mund ta pranojë se ekzistojnë forma dhe mënyra tjera të atdhedashurisë dhe të qasjes ndaj historisë.

Raporti i qytetarit të rëndomtë me nacionalizmin nuk është në këtë nivel. Ai është, siç e thashë më lart, indiferent në shumicën e rasteve. Ai ngazëllehet vetëm në momente kur diçka i paraqitet si rrezik për simbolet e nacionalizmit. Në përgjithësi ai nuk kujdeset as për nacionalizmin dhe as për kombin që nacionalizmi e fton ta mbrojë. Por kur kombi vendoset në rrezik, atëherë nacionalizmi e paraqet këtë si rrezik për çdo lidhje tjetër. Në përditshmërinë e tij njeriu i rëndomtë jeton jetën pa menduar për nacionalizmin. Por kjo nuk do të thotë se ai nuk është nacionalist apo se nacionalizmi nuk ka një efekt total në kulturë. Përkundrazi, meqë nacionalizmi si ideologji i natyralizon marrëdhëniet shoqërore dhe politike, ai krijon një atmosferë ku çdo gjë filtrohet përmes kategorive qëndrore të tij, ndërsa subjekti nacionalist ka bërë paqe me të dhe i ka pajtuar dallimet. Hegjemonia nacionaliste për të është totale. Dhe aty është rreziku. Kjo është evidente në mënyrën se si identifikohemi, apo në stratifikimin hierarkik të identiteteve: pikë së pari identifikohemi me nacionalen, pastaj vazhdojmë me identifikimet të tjera.

Kjo është kështu ngase elementeve përbërës të nacionalizmit u është dhënë një prioritet mbi çdo element tjetër të identifikimit, mbi çdo identitet tjetër. Je shqiptar, po pastaj je musliman apo i krishterë, po pastaj je prind apo dashnor, dhe krejt në fund, ndoshta, je edhe njeri. Të qenit njeri as që figuron në vetëdijen e individit nacionalist, ngase ai është larguar me milje nga qenësia e tij. Të qenit njeri është universalja, shtrati që mundëson çdo nacionalizëm tjetër, është kushti i domosdoshëm për çdo aktivitet tjetër. Në këtë listë të stratifikimit të identiteteve, njeriu si njeri e ka vendin krejt në fund dhe ka vlerë zero. Por ai nuk humbet tërësisht, nuk tretet nga ekzistenca e tij. Bëhet përzgjedhja e tij sipas kategorive nacionaliste: si njeri ke pak peshë: vetëm si nacionalist ke peshë sa duhet. Personi bëhet njeri i plotë vetëm kur bëhet nacionalist. Ekziston një paragjykim që nacionalistët e bëjnë kundër universalistëve: ata mendojnë se universalistët e kuptojnë nacionalizmin si të ndarë nga universalja. Por ky do të ishte një koncept inkoherent që nuk do të mund t’i pëshkruhej asnjë universalisti të vërtetë. Edhe nacionalizmi mban raporte me universalen, mirëpo problemi është në modalitetin dhe ndarjen jo të barabartë të këtyre raporteve. Edhe pse roli i universales në skemën nacionaliste është minimal, ajo është njëkohësisht kushti pa të cilin as nacionalizmi dhe asnjë ideologji tjetër nuk mund të funksionojnë. Është shtrati mbi të cilin ngrihet godina e nacionalizmit. Kjo ndodh detyrimisht me të gjitha ideologjitë. Ajo që vret ndërgjegjen dhe arsyen e disidentit dhe kritikut të nacionalizmit, është pozita dhe roli i ulët i universales në hierarkinë e vlerave të nacionalizmit. Disident nacionalist është secili që nuk e pranon këtë formë piramidale të stratifikimit të universales. Disident nacionalist është secili që kërkon ta bëjë sekularizimin apo çshenjtërimin dhe çmitologjizimin e nacionalizmit, dhe sidomos ndarjen e nacionalizmit nga politikat dhe institucionet e shtetit.

Ç’do të thotë kjo? Nëse diçka është e natyrshme për njeriun, atëherë ajo është gjëja më afër universales. Sa më afër universales, aq më e madhe pesha dhe vlera e saj. Humaniteti si vlerë absolute e njeriut paraqitet në marrëdhënie të ngushta mes njerëzve: mes prindërve dhe fëmijëve të tyre, mes dashnorëve, mes shokëve, dmth ai shfaqet më i plotë në marrëdhënie të ngushta personale. Sa më e madhe distanca nga humaniteti i njeriut – sa më poshtë vlerësimi i humanitetit në shkallën e vlerësimit hierarkik – aq më i madh është abstraksioni ideologjik dhe aq më e zbehtë lidhja mes universales dhe ideologjisë partikulariste. Ideologjitë zakonisht abstragojnë prej këtyre marrëdhënieve të ngushta personale për të krijuar marrëdhënie më të gjera. Dhe ky abstrahim është i domosdoshëm, ngase përndryshe as ligji e as drejtësia nuk do të funksiononin. Por çka është e rëndësishme të theksohet, është se universaliteti i drejtësisë dhe i abstraksioneve morale kurrë nuk janë larg humanitetit të njeriut. Ato janë të sajuara në atë mënyrë që të ruajnë humanitetin e njeriut. Por sa mund të thuhet kjo për nacionalizmin?

Nacionalizmi është ideologji që minimizon rolin e universales së humanitetit në abstraksionet e veta. Ai ngre kombin dhe simbolet e tij në identitet primar, por relacioni i kombit me humanitetin e njeriut mbetet i zbehtë. Ai ekziston, ngase në asnjë ideologji, as edhe në fashizëm, universalja nuk mund të shkëputet plotësisht, por nëse lidhja është e zbehtë dhe ndikimi i saj në këtë ideologji do të jetë i zbehtë. Insistimi i tij i përhershëm në vlerat kombëtare bën vlerë qëndrore kombin dhe jo vlerat universale të humanitetit. Ai insiston në kombin si një entitet abstrakt, që simbolizohet në gjuhë, flamur, apo në simbole tjera.

Nacionalizmi është ideologji totalizuese: ai monopolizon simbolet historike të një populli, pastaj monopolizon edhe marrëdhëniet e popullit me ambientin e vet, dashurinë për vendin, për kulturat, për natyrën, për figurat historike. Ai i merr të gjitha këto dhe i përvetëson si të vetat. Por dashuria ndaj atdheut nuk është pronë e nacionalizmit, sikur që gjuha nuk është pronë e tij. Ka patur gjuhë dhe dashuri për atdheun edhe atëherë kur nuk ka patur nacionalizëm dhe komb në kuptimin që ai merr pas Revolucionit Francez. Gjuha ekzsiton para kombit, po ashtu edhe historia me të cilën një popull identifikohet. Njësoj, nacionalizmi monopolizon luftërat çlirimtare. Luftën për t’u çliruar nga okupatori që e obligon morali dhe dinjiteti njerëzor si detyrë e lirisë, ai e paraqet si luftë për nacionalizëm. Por vetëm militantët luftojnë për nacionalizëm. Çdokush tjetër lufton për liri, për të drejtën për të jetuar i lirë dhe për të praktikuar lirshëm zakonet që një popull i ka krijuar gjatë rrugëtimit të tij historik, për të nderuar sakrificat që dikur kishte dhënë në mbrojtje të bashkësive prej shkapërderdhjes, herë në emër të zakonit, herë në emër të Kanunit, herë në emër te fesë, e herë në emër te kombit. Asnjë kolektiv nuk ka të drejtë të jetojë sipas parimeve që diskriminojnë të tjerët, që ndajnë të njëjtin vend bashkarisht, që jetojnë në të njëjtin nënqiell. Mbrojta e gjuhës është e drejtë, sepse nëse të merret gjuha, të merret edhe liria për t’u shprehur dhe për të komunikuar, të merret edhe dinjiteti njerëzor. Pse t’i lejohet dikujt tjetër të diktojë mënyrën se si unë do ta jetoj jetën time dhe cilën gjuhë do ta flas? Por mbrojtja e gjuhës nuk është nacionalizëm, sikur që dashuria për atdheun, për vendlindjen, për kulturën që të ka formuar, nuk është nacionalizëm, sikur që dashuria për fenë dhe zakonet fetare nuk është fondamentalizëm. Është thjeshtë mbrojtje e asaj që te jep një pjesë të identitetit tënd si njeri, që të bën atë që je.

Monopolizimi nacionalist i historisë së përbashkët është i rrezikshëm, sepse e vështron si relacion të dyshimtë, apo me dyshim, çdo formë tjetër të relacionit mes njeriut dhe vlerave historike të tij, përfshirë edhe ato kombëtare (sepse edhe ato janë pjësë e historisë së tij). Nacionalizmi e paraqet çdo formë tjetër të lidhjes mes individit dhe historisë së tij si lidhje të dyshimtë që duhet nënshtruar përballë logjikës nacionaliste, në qoftë se duhet, edhe perms forcës. Ata që e duan vendin dhe historinë e tyre, me të gjitha laramanitë kulturore, etnike dhe religjioze, nuk mund ta ndajnë këtë laramani pa e shkatërruar atë dhe pa e shkatërruar në proces edhe veten. Kjo realisht ndodh në çdo vend ku luftërat çlirimtare marrin karakter nacionalist. Nga një aspekt i pastër metodologjik, nacionalizmi lexon gjithë historinë e popullit në mënyrë retrospektive, duke i përfshirë ato figura që i përshtaten narrativës së tij dhe duke i anashkaluar figurat e tjera po aq të rëndësishme për historinë parakombëtare të popullit. Nacionalizmi bën lexim selektiv të traditës.

Në këtë kuptim nacionalizmi krijon një atmosferë ngulfatëse, ngase ai e cenzuron lirinë e njeriut që të formojë cilën lidhje të dojë me historinë dhe vendin e tij; imponon një uniformitet mbi marrëdhëniet njerëzore dhe monopolizon mënyrën se si mësohet historia dhe si duhet të dashurohet e kaluara. Por ekzistojnë ‘disidentë’ të nacionalizmit, ata që mendojnë se ekzistojnë mënyra të tjera të të shprehurit të marrëdhënieve njerëzore, që janë më humane dhe më tolerante, por edhe më gjithpërfshirëse.

Për këta njerëz, përvoja subjektive e barrës së nacionalizmit mund të jetë e rëndë apo e lehtë; këtë nuk mund ta dimë a priori pasi askush nuk është kujdesur për përvojat e tyre, e nëse këto eksperienca nuk mbildhen dhe nuk njihen, kultura dominante nacionaliste do të mendojë se këto zëra të disidencës nuk ekzistojnë, dhe se përvojat e narrativat e tyre nuk kanë peshë. Këto përvoja, që mund të jenë të rënda apo të lehta, mbeten të paartikuluara, por ato ekzistojnë dhe duhet të artikulohen.

Në këtë libër propozoj t’i artikulojmë disa nga këto përvoja jonacionaliste në kontekst të nacionalizmit. Si e përjetojnë këta jonacionalistë nacionalizmin? Si i rezistojnë shtypjes së nacionalizmit? Çka do të thotë të jesh kosmopolitan në një vend nacionalist? Si i bashkojnë këto drejtime përjashtuese të njëri-tjetrit? Çka do të thotë të jesh feministe në një vend nacionalist? A është e mundur në fakt të jesh feministe në një atmosferë nacionaliste? Ç’kuptim ka për një qytetar jonacionalist dashuria ndaj historisë, kombit dhe vendit të tij? Si i përjeton jonacionalisti akuzat për tradhti kombëtare, pasi nuk janë duke e dashur kombin sipas direktivave të nacionalizmit? E çfarë mendojnë madje këta kundërshtues të nacionalizmit për nacionalizmin? Ky libër pra, do të sjellë përvojat subjektive të atyre që janë atdhetarë, por që nuk e duan nacionalizmin, ngase u imponon një skemë të dhunshme të mendimit mbi kombin, atdheun dhe historinë.

Vërejtje I: për t’u bërë pjesmarrës në këtë projekt duhet t’i plotësosh vetëm dy kushte: 1) të kesh ndonjë histori që është relevante për këtë projekt; dhe 2) aktualisht të mos jesh nacionalist. Gjithashtu në mënyrë të barabartë do të prezantohen te gjitha orientimet religjioze dhe seksuale. I inkurajoj të gjithë shqiptarët jonacionalistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, dhe Mali i Zi si dhe nga diaspora shqiptare të më kontaktojnë.

Vërejtje II: do të kisha dashur të përfshija edhe jonacionalistët e kombësive tjera në Ballkan, por pasi ai do të ishte një projekt më i madh dhe do të na duheshin resurse më të mëdha, si ekonomike ashtu edhe njerëzore (përkthyes, redaktorë, etj.), kësaj radhe do të mjaftohemi me përvojat tona.

Abstrakti: 300-500 fjalë

Gjatësia e artikullit: 2000-3000 fjalë.

Afati i dorëzimit të abstrakteve është në fund të nëntorit

Afati i dorëzimit të artikujve është në fund të aprillit

Përzgjedhja e artikujve bëhet në dhjetor

Të interesuarit mund të më kontaktojnë në facebook ose në email: seadzimeri@gmail.com

About albphilosopher

Sead Zimeri has studied Philosophy, Islamic Philosophy and Religion, International Politics and Psychoanalysis. He is currently the project coordinator of "Islam and the Liberal Society" at the Liberalt Laboratorium (LibLab) thin tank in Oslo, Norway. http://www.liblab.no
This entry was posted in Uncategorized. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s