Letër nacionalistit: ruaju nga dëshira yte

Sead Zimeri

Malcolm X njëherë pat thënë, “Unë jam për të vërtetën, pavarësisht se kush e thotë atë. Unë jam për drejtësi, pa marrë parasysh se kush është për ose kundër.” Po e filloj këtë letër me një citim nga një luftëtar i madh për të drejtat civile në Amerikë, ngase ky që i takonte racës së zezë, i përjetoi në lëkurën e tij padrejtësitë historike të racizmit. Ai më mirë se çdo kush tjetër e dinte çdo të thotë të urrehesh, të persekutohesh, të trajtohesh si një hiç. Dhe ja që pikërisht ky, i ardhur nga një traditë e madhe e emancipimit, prej të cilës pat dalur edhe Martin Luther King, Jr., do të ngritet kundër identiteteve partikulare, apo identiteteve të definuara ngushtë saqë do të përjashtonin çdokënd që nuk ishte i racës së zezë. Por as e vërteta dhe as e drejta nuk mund të futen në korniza të këtilla të ngushta. Kjo është një e vërtetë e madhe nga një popull që kishte vuajtuar skllavërinë si asnjë popull tjetër në historinë e njerëzimit. Shqiptarët krenohen me Nënë Terezën por ajo ishte e krishterë, që u përkujdes për shpirtin e njeriut si njeri, jo si shqiptar. Prandaj edhe lartësoi emrin e shqiptarëve ngase ajo i tregoi botës se ne nuk jemi vetëm shqiptarë, por jemi edhe njerëz që dimë dhe mundemi të kapërcejmë identifikimet tona të ngushta. Jemi të tillë ngase nuk jemi qenie sui generis. Popujt tjerë na respektojnë vetëm përderisa ne i kontribojmë njerëzimit, idealeve universale të tij.

Mosrespektimi i të vërtetës dhe drejtësisë nuk dëmton vetëm të tjerët, por dëmton para së gjithash dinjitetin dhe personalitetin tënd moral. Ta dish të vërtetën por mos ta thuash atë, është të refuzosh ta marrësh vetën tënde si qenie e lirë me kapacitet moral, qenie që mund të të përshkruhen veprat që dalin nga dora yte. Është e kuptueshme pse njerëzit në momente të vështira tërhiqen pas nacionalizmit, ngase aty askush nuk është më përgjegjës, por ekziston vetëm mentaliteti tufë, që kërkon pikërisht të kundërtën e asaj që të bën njeri në radhë të parë. Por nëse vazhdon kështu mos u anko kur politikanët ta plotësojnë dëshirën, t’i marrin të gjitha dhe të lënë nacionalizmin, ngase për një politikan që mendon se popullit duhet t’i jipet ajo që ai e dëshiron, ai pikërisht do ta japë atë. A je, pra, i sigurtë në dëshirën tënde? Mendohu edhe njëherë çka dëshiron ngase nacionalizmi, ndjenjat e papërpunuara dhe të pafiltruara të patriotizmit, të jipet si kompenzim për të gjitha dështimet në aspektet tjera të jetës tënde. Është e arsyeshme t’i bësh pyetje vetes: ku lindin histeri të këtilla? Dhe do të zbulosh që ato lindin në shtetet që kanë dështuar, në shtete popujt e të cilëve pushteti i ka ç’veshur nga çdo ideal tjetër, pos atij nacionalist, nëse mund të quhet ky ideal. Është e kuptueshme për popullin, është e kuptueshme për politikanët, por nuk është e kuptueshme për ty si individ që ke për detyrë ta flasësh të vërtetën dhe ta nxjerrësh në dritë padrejtësinë. Mendohu për këtë dhe ke për të zbuluar se idealet tua, përherë dhe çdo herë, tejkalojnë kufijtë e identitetit tënd kombëtarë.

Nocioni kosmopolitizëm është bërë term fyes për ty, por kjo nuk është radha e parë qy ky term përdoret si term fyes. Para teje ka pasë një traditë e përmbledhur në emrin nacizëm dhe antisemitizëm që arsyetonte përndjekjet dhe linçimet e hebrenjëve, që akuzonte hebrenjtë se ishin kosmopolitë, ishin të parrënjë, nuk i përkisnin asnjë populli, dhe rrjedhimisht nuk mund të besoheshin, pa marrë parasysh se kultura që i përbuzi më së shumti u kishte borxh atyre më së shumti. Kur ti e bën këtë term abuzimi dhe sharje, ti nuk je i vetëm. Ti bëhesh pjesë e kësaj historie të zymtë të ç’njerëzores, të masakrimit dhe të barbarizmit që i shkaktoi vuajtje të panevojshme njeriut. Paramendoje kulturën perëndimore pa kontributin e hebrenjëve? Por ja që ata u bënë viktimë e po kësaj kulture që në skutat e të pavetëdijshmes së saj, aty ku drita e iluminizmit hebrej nuk kishte depërtuar kurrë, prej aty do të dalin barbarizmat e Evropës. Ajo i pa hebrenjtë si armiq të tyre, ngase u kishte dhënë dije dhe vetëdije për universalen, për të bukurën dhe për të vërtetën. Kontributin më të madh që i’a ka dhanë Evropës ishte krishterimi. Krishterimin që, e devijuan dhe e bënë çka nuk ishte, falë po këtyre hebrenjëve kurrë nuk do të tradhëtojë idealet e barazisë, drejtësisë dhe të vërtetës. Hebrenjtë do të bëhen viktima më e madhe që ka parë historia ndonjëherë e kësaj tendence morbide për ta ndaluar dhe përfundimisht për ta mbytur iluminizmin që e predikuan në shumicë hebrenjtë. Dhe çka është lufta e dytë botërore, përndjekja aq mizore e hebrenjëve nëse jo një moment, moment mjaft i gjatë sa për të shkaktuar të pamenduarën, ku partikularja në formë të fashizmit dhe nacionalizmit u ngrit kundër kosmopolitizmit hebrej dhe deshi ta shfarosë mirë njëherë e përgjithmonë. Nuk je i vetëm, por je pasardhës i një trashëgimie dhe tradite të madhe të fashizmit evropian. Mendohu edhe njëherë nëse vërtetë kjo është dëshira yte.

Sot ky lloj partikularizmi është gjallë në Ballkan, te të gjithë popujt që jetojnë aty. Ai është gjallë ngase ti e përkrah këtë shtazëri, ke vënë vetën tënde në shërbim të tij, ke instrumentalizuar vetën për ta mbytur atë që të bën njeri. Nuk të bën njeri kombi, sepse ai është fenomen historik i menaxhmentit politik, e as kufijtë gjeografik me të cilat identifikohet kombi, por të bëjnë njeri, pikërisht idealet që je duke i përbuzur tani. Por, në fund jo vetëm të tjerët do të demtohen nga ngazëllimi yt, nga histeria që të ka kapluar për momentin. Ti vetë do të jesh viktimë e ngazëllimit tënd. Hebrenjtë vërtetë paguan një çmim të lartë, më të lartin që mund të paramendohet; si një popull i vogël ata i dhanë një numër të madh viktimash mbrojtjes së idealit gjithë njerëzor, mbrojtjes së humanitetit të njeriut, por edhe më tepër viktima dhanë ata që i luftuan hebrenjtë. Ti ke një zgjedhje të bësh: lirinë ose robërinë. Nuk mund të jesh i lirë nëse ti a priori i’a delegon lirinë tënde, dinjitetin tënd një filozofie, një ideologjie që anulon premisën e lirisë tënde.

Kosmopolitizmi nuk është realitet politik askund, dhe ti ke të drejtë kur thua se është më afër iluzionit sesa realitetit. Por nëse nuk është realitet politik, ai gjithsesi mbetet një ideal politik i paqës mes kombeve. Pa këtë ideal, pa këtë aspekt të besimit në atë që na ngritë mbi partikularen tonë, bashkëjetesa dhe paqja nuk mund të arrihen. Obsesioni yt me nacionalen, me kombëtaren, është i dëmshëm pikërisht ngaqë bën të pamundur çfarëdo normalizmi të jetës politike në Ballkan. Askush nuk mund të ta garantojë paqën me fqinjët tu nëse vetë nuk merr masa për ta bërë atë realitet. Dhe të jesh i bindur, histeria yte nuk i kontribon paqës, dhe është më e dëmshme, sesa kosmopolitizmi që ti e urren.

Por nëse kosmopolitizmi si realitet politik nuk ekziston askund, as në OKB, ekzistojnë dimensione tjera të tij, si dimensioni moral, artistik dhe intelektual. Është e qartë se ne të gjithë e kemi mundësinë ta përjetojmë dhe shijojmë një vepër artistike të një artisti afrikan apo mexican edhe pse nuk kemi njohuri as për kulturën dhe as për autorin e kësaj vepre. Përpara një vepre të këtillë, e kuptojmë menjëherë se kemi të bëjmë me një vepër që nuk mund të kufizohet brenda kufijve gjeografik që jo rrallë herë koincidojnë me kufijtë kombëtarë. Të gjitha të arriturat njerëzore, janë, per definitionem, të arritura njerëzore që tejkalojnë çdo kufij gjeorafik arbitrarë. Po të mos ishin të këtilla, kosmopolitane pra, ato nuk do të kishin vlerën dhe peshën që kanë, që ti vetë, kur nuk je viktimë histerisë nacionaliste, u jep. Vetëm këto të arritura që vërtetë i kontribojnë njerëzimit si tërësi, na bëjnë të mundur çlirimin nga dhe ngritjen mbi partikularizmat krahinorë të cilat edhe pse të duken se të japin një identitet solid, në fakt bëjnë pikërisht të kundërtën. Mendohu për një çast, ç’të bën krenar ty? Dhe sigurisht ke për të gjetur se shumica e veprave që të bëjnë krenar nuk kanë asnjë lidhje me atë që ti e merr për identitet primar tëndin. Je krenar ngase je njeri i sjellshëm, je burrë apo grua që bën mirë, sillesh mirë me bashkëshortin apo bashkëshorten tënde, ke edukuar fëmijtë që të bëhen të sjellshëm dhe të respektojnë të tjerët dhe moralin publik, se i ke kontribuar ngritjes së njohurive në fushën tënde të studjimit, se ke punuar tokën dhe ke ushqyer fëmijët e tu, fqinjët e tu dhe të tjerët që nuk i njeh por që varen për mbijetesën e tyre në punën që bën ti. Ajo që të bën krenar është fakti që i ke kontribuar mirëqenies së njeriut, të atij që e don por edhe të atij që nuk e don. Emri i kësaj vepre është drejtësi në praktikë: drejtësia si ligj moral aplikohet njëlloj mbi të gjithë, pa marrë parasysh se çfarë identiteti kanë. Je i drejtë në vepër, por pastaj bën gjithçka për t’u bërë i padrejtë në ide. Me një fjalë, krenaria yte nuk ështe në asnjë mënyrë e kushtëzuar nga kombi të cilit i përket, por nga ajo që është universale, ajo që të identifikon edhe me armikun tënd politik. Pse pra po e lejon vetën të biesh në këtë pus të pafund të shkeljes së dinjitetit tënd, të kontradiktës mes asaj që ti çdo ditë me krenari e bën dhe asaj që në mbrëmje të bën ta harrosh atë që gjatë ditës e ke bërë me ndjenjën e obligimit të ligjit moral?

About albphilosopher

Sead Zimeri has studied Philosophy, Islamic Philosophy and Religion, International Politics and Psychoanalysis. He is currently the project coordinator of "Islam and the Liberal Society" at the Liberalt Laboratorium (LibLab) thin tank in Oslo, Norway. http://www.liblab.no
This entry was posted in Uncategorized. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s