Patriarkalizmi: koncept totalizues dhe pseudo-analitik

Sead Zimeri

  

“As a result, the term patriarchy often evokes an overly monolithic conception of male dominance, which is treated at a level of abstraction that obfuscates rather than reveals the intimate inner workings of culturally and historically distinct arrangements between the genders.” – Deniz Kandiyoti, Bargaining with Patriarchy

Përpjekjet për t’i shpjeguar proceset shoqërore të dominimit përmes kategorive psikike, koncepteve abstrakte intelektuale, apo përmes disa kategorive që nuk janë as intelektuale e as psikikie, por janë pseudo-koncepte, si ‘mendësi’ (mentalitet), janë përpjekje që nuk i kontribujnë ndriçimit, por errësimit të këtyre proceseve shoqërore. Pikë së pari, proceset shoqërore kurrë nuk janë konsistente, gjithëpërfshirëse, apo të reduktueshme në vetëm një shkak për sa pretendohet nga këto pseudo-analiza. Patriarkalizmi, për shembull, mëton ta gjejë shkakun e padrejtësive, diskriminimit dhe dhunës ndaj gruas në struktura që privilegjojnë burrin në raport me gruan. Është një koncept i tillë që përshkruan saktë një sërë procesesh shoqërore të dominimit gjinor, por që gjithashtu në nivel analize shtron mbrapsht marrëdhëniet e dominimit duke keq-identifikuar shkakun e këtij dominimi, dhe redukton një proces të gjërë kohor dhe historik në një emër me një emërues të përbashkët jashtëhistorik dhe jashtëkohor, në një element (substancë, strukturë) që mbetet i njëjtë në çdo trajtë historike që ai merr. Ky element ngrihet mbi çdo përbërës tjetër dhe funksionon si point de caption (pikë ankorimi) e shënjuesve të tjerë. Është më tepër shënjues ideologjik (por nuk është ideologji), që në mungesë të analizave dhe shtjellimeve të tjera më adekuate, i përmbledh të gjitha proceset e dominimit të burrit mbi gruan që duken njësoj, që i përngjajnë njëri-tjetrit, nën një master signifier që krijon një lloj rregulli, një lloj pike ankorimi në një oqean të pafund të padrejtësive gjinore.

Analizat ideologjike ndoshta janë të domosdoshme në politikë, për politikanët, pasi nuk mund të pritet e as të kërkohet prej tyre të bëjnë studime për çdo proces shoqëror veç e veç, kur mund ta gjejnë një pseudo-koncept që i përmbledh të gjitha ato nën një emër që kështu prej kaosit krijon rregull. Nuk është me rëndësi nëse koncepti i propozuar përshkruan drejtë proceset e transformimeve shoqërore, mjaft që ai ta ngrejë në nivel të konceptit një shënjues të rëndomtë. Hebrenjtë kishin këtë rol në ideologjinë e nazizmit. Edhe pse në realitet koncepti ‘çifut/jew’ ishte pseudo-koncept, ai nuk shpjegonte asgjë konkrete, madje edhe atëherë kur mund të dëshmohej përshtatja e përmbajtjes ideologjike dhe përherë kontradiktore e tij (që e bën goxha të veshtirë gjetjen e rasteve dhe instancave konkrete) me atë të hebreut konkret, si individ, ajo nuk mund të ishte as shkak e as shpjegim për problemet për të cilat ai akuzohej. Në rastin më të mirë, ajo mund të ishte vetëm një simptomë e proceseve të tjera shoqërore.

Patriarkalizmi ofron një tregim të madh dikotomik të dominimit shoqëror të një gjinie mbi tjetrën dhe luftën e tyre për ta përmbysur atë. Sa më i madh armiku, aq më epike beteja kundër tij dhe aq më pak të rëndësishme humbjet ndaj tij. Por ky tregim, si tregimet e tjera të ngjajshme me të, është tregim mitologjik, jo historik; tregim kozmik i mbyllur në horizontin e luftës mes të mirës dhe të keqës; mes heroit dhe anti-heroit, mes Davidit dhe Goliathit. Është një tregim i sekularizuar, por me të njëjtën përmbajtje kozmike, religjioze. Ai nuk ofron asgjë konrete që do të ndriçonte proceset shoqërore të cilave u referohet. Patriarkalizmi të jep të kuptosh se shkaku i dhunës mbi gruan në shoqëri është një sistem abstrakt, që kryesisht ka për objektiv të vetin sigurimin e interesave dhe dominimit të burrit (si koncept gjenerik). Dhe duke konsideruar se gruaja ka qenë e shtypur nga po këta njerëz – patriarkët – pothuajse përherë në histori, nuk është gjithaq e vështirë për të arritur në një përfundim se shkak i shtypjes së grave është pikërisht burri, si një lloj përfaqësuesi i patriarkalizmit për ta siguruar dhe mirëmbajtur atë. (Po e lë për momentin shkarkimin e përgjegjësisë nga gruaja si agjent aktiv në këtë konstelacion të marrëdhënieve patriarkale dhe shoqëruesin e saj të përhershëm, trajtimin e saj si qenie pasive, pa autonomi të vetën, që, meqë ra fjala, as në nivel deskriptiv të patriarkalizmit nuk është dhe nuk mund të jetë i vërtetë). Koncepti me të cilin funksionon kritika ndaj patriarkalizmit është një koncept primitiv ideologjik: se patriarkalizmi synon sigurimin e dominimit të burrit (cilit burrë?) mbi gruan (cilës grua?). {Krahaso këtë me narrativa të tjera të ngjajshme si ajo e nacionalizmit apo fundamentalizmit, që po ashtu janë gjithpërfshirëse dhe totalizuese}. Kjo narrativë është mit që shumë pak ka të bëjë me realitetet historike dhe format që marrin marrëdhëniet në dominim.

Si kategori trans’historike, patriarkalizmi i përdorur në këtë mënyrë është i paqëndrueshëm, sepse privilegji relativisht më i madh të cilin ia atribuon burrit, një privilegj që është detyrimisht i padrejtë dhe i pamerituar, nuk mund të përshkruhet si i qëllimshëm (në terma teleologjike), dmth se burri në cilësinë e tij si burrë, si anëtar i këtij grupi, është udhëhequr nga ideali, apo është motivuar nga detyra për ta diferencuar veten nga gruaja. Këto shpjegime janë konspirative, prandaj edhe kanë pak vlerë shpjeguese. Burrat dikur kishin dominuar hapësirën publike dhe me krijimin e qytetërimeve kishin krijuar ligje, që pastaj ishin kanonizuar në religjione dhe mite, por megjithë këtë kanonizim, ata do të tregohen shumë të dobët në mbrojtjen e interesave të veta si burra, si antarë të përhershëm në këtë klub të patriarkalizmit. Por nuk ishte burri si mashkull ai që dominonte, por burri (jo i vetëm), si antar i kësaj apo asaj kaste, apo klase të privilegjuar shoqërore, që si dje ashtu edhe sot nuk brengoset fare për të siguruar kushtet e dominimit abstrak të burrit, patriarkut, në cilësinë e tij si burrë. Janë të tjera raporte që determinojnë sundimine tij. Dhe është në interest të lëvizjeve emancipuese që ato të njihen me format ekzakte të dominimit të burrit, sesa të merren me fantazma të tilla abstrakte si patriarkalizmi. Dhuna ndaj gruas është fakt, por ky fakt kërkon tjetër mënyrë të qasjes, dhe pa dyshim edhe tjetër mënyrë të kritikës së formave konkrete të dhunës. Nuk dua të kuptohem se po e mohoj privilegjin që burrat, së paku disa grupe të burrave, kanë gëzuar përgjatë historisë mbi gratë, së paku mbi disa gra, por ky privilegj nuk është aq absolut sa pretendohet të jetë. Patriarkalizmi si një sistem hermetik, që me çdo kusht dhe në çdo rrethanë kërkon ta mposhtë gruan si grua, është fantazmë. Disa rezultate absurde rrjedhin nga ky konceptim total i patriarkalizmit: heqja e plotë e agjencisë së gruas dhe se kulturat e qytetërimi njerëzor nuk reflektojnë asgjë më tepër se arritje patriarkale. Për dikë, marrja pjesë në këtë privilegj të zotërinjve mund të ishte një çështje qenësore, por për shumicën tjetër, ata që nuk kishin as grada e as pozita të larta sociale, kjo çështje ishte krejt minimale, dhe rrjedhimisht e parëndësishme: si ekzistoi, si nuk ekzistoi patriarkalizmi për ta nuk ndryshon asgjë.

Jo vetëm që ky shpjegim është i cekët dhe ideologjik e nuk sqaron asgjë me rëndësi për procesin të cilin identifikon, përveç faktit që identifikon njërën gjini si shtypëse të tjetrës, por të jep madje edhe një pikturë krejt jo të vërtetë të asaj që realisht ndodh në shoqëritë ku gratë shtypen. Një shpjegim shkencor nuk do të kërkonte të dinte vetëm shkaqet e shtypjes dhe dhunës ndaj gruas në një kontekst të veçantë gjeografik dhe historik, por edhe se si duhet ta parashtrojë problemin dhe zgjidhjen, apo një sërë zgjidhjesh, të identifikuara në bazë të shkaqeve të eksploruara në proces. Pa bërë një identifikim të këtillë, është shumë vështirë, e pamundur në fakt, të ofrohet një zgjidhje reale, efikase dhe e suksesshme për problemin që identifikohet. Kjo nuk do të thotë se zgjidhjet janë përherë të suksesshme. Aspak jo, por përderisa identifikohet diçka si problem, çelësi i zgjidhjes menjëherë jepet jo vetem si mundësi abstrakte, por si mundësi e arritshme në kohë. Ka shumë sëmundje mjekësore që deri tani mjekësia nuk ka arritur t’u gjejë shërim, por përderisa mjekët identifikojnë një shkak si arsye të një x sëmundje, ata njëkohësisht hapin horizontin e identifikimit të ilaçeve që do ta shërojnë atë sëmundje.

Ka një mënyrë jo përherë të lehtë, por mjaft efektive për ta identifikuar nëse një shpjegim i një çështjeje është i shëndoshë (sound) ose ideologjik. Në një shpjegim të shëndoshë kërkohen shkaqet e një fenomeni, p.sh, në një shoqëri haset problemi i përhapjes së shtypjes së gruas. Shkaqet duhet të kërkohen, jo të jipen a priori, sikurse është bërë zakon në të gjitha analizat idealiste, por edhe ato materialiste, metodologjitë e të cilave janë reifikuar në metodologji idealiste. Mund të kemi shkaqe të ndryshme për një fenomen të njëjtë, ose, në një fenomen ndërlidhja e shkaqeve, përparësia e tyre në krahasim me shkaqet e një fenomeni të ngjajshëm në një vend tjetër, nuk mund të përcaktohet a priori. Këto variable duhet të vendosen pavarësisht nga ngjashmëritë e këtij fenomeni me të tjerët. Kryesore është se identifikimi i saktë shkakut të problemit është i domosdoshëm për hapjen e perspektivës dhe horizontit të zgjidhjes së drejtë të tij. Nëse nuk identifikohet problemi si duhet, atëherë zgjidhjet që do të sugjerohen, që jepen si rezultat i identifikimit të këtij problemi, do të jenë zgjidhje të gabuara, pseudo-zgjidhje. Dhe ndoshta, vetëm ndoshta, një nga arsyet pse problemi i patriarkalizmit nuk është zgjidhur ende sot, është pikërisht sepse problemi është identifikuar në mënyrë të gabuar. Për ta shprehur më saktë: patriarkalizmi bën një ngatërrim mes shkakut, agjentit dhe pasojës. Ai nuk bën dallim mes subjektit që ushtron dhunën (agjentit të veprës) dhe shkakut apo shkaqeve të dhunës. Problemi me patriarkalizmin nuk është në nivel deskriptiv, e as me faktin e identifikimit të disa proceseve shoqërore si procese të dominimit dhe dhunës. Problemi është pikërisht në identifikimin e shkakut të dhunës me subjektin që ushtron dhunë mbi viktimën. Kur parashtrohet kështu, ky problem nuk ka zgjidhje reale. Por pasi që parashtrohet si problem, ky do të ishte pikërisht një rezultat i rremë, jo vetëm sepse do të çonte në një lloj kundërthënieje semantike (është e pamundur ta shtrosh një çështje si problem dhe njëkohësisht ta pamundësosh lindjen e horizontit të zgjidhjes së tij), por edhe sepse është e qartë se patriarkalizmi është një përpjekje analitike (jo vetëm deskriptive) për ta identifikuar një problem, më saktësisht një sërë problemesh të reduktuara në një problem qëndror, shoqëror. Por përderisa shtypja e gruas dhe dhuna ndaj saj identifikohet si patriarkalizëm, zgjidhja mbetet e pamundur, sepse patriarkalizmi nuk identifikon problem real por një problem imagjinar, dhe si i tillë atij mund t’i jipet vetëm një zgjidhje imgjinare. Pikërisht pasi nuk janë probleme që pranojnë zgjidhje, ato vetëm sa i kontribuojnë edhe më tepër ‘betonimit’ të procesit të identifikuar të dominimit, sepse kur aplikon ilaç të gabuar nuk pritet prej tij shërimi i pacientit.

Si koncept deskriptiv patriarkalizmi përshkruan një realitet ekzistues që shumë herë jo vetëm që toleron dhunën ndaj gruas, por madje edhe përmbahet nga denoncimi i tij; por si përpjekje analitike për ta sqaruar problemin ai është tërësisht ideologjik, dhe rrjedhimisht përgjigjet që mund t’i japë janë të tipit të koncepteve që më shumë ngatërrojnë dhe turbullojnë vetë përshkrimet e tyre të proceseve të dominimit gjinor, sesa shpjegojnë; gjeneron dhe operon me koncepte ahistorike, që ngrihen mbi çdo rrjedhë dhe ecuri historike dhe shoqërore, si abstraksione universalistike (jo universale) dhe pastaj krijojnë marëdhënie vertikale me proceset që mundohet t’i përfshijë si instanca partikulare të kësaj logjike universalistike. Është një strukturë e ideve ahistorike që pastaj futet në marrëdhënie kauzale me partikularizmat që mund t’i përfshijë në vete. Siç e thash disa herë, kjo mënyrë tingëllon bukur, por në fund të iluminon vetëm për aq sa ta mjegullon edhe më tepër çështjen, ta identifikon një x si faktor parësor dhe pastaj t’i propozon disa zgjidhje që nuk qëndrojnë as në raport me horizontin e shtrimit të problemit e as në raport kauzal me mënyrat që i ofron si zgjidhje. Krejt çështja mbetet në një rrjetë të pseudo-problemeve, e mbingarkuar me pseudo-koncepte që japin pseudo-analiza dhe çojnë, detyrimisht, në pseudo-zgjidhje. Në fund, dhuna ndaj gruas mbetet e pazgjidhur, sepse nuk është shtruar drejtë. Si pseudo-problem, ajo përherë ngre pseudo-pyetje në forma deklarative: burrat i urrejnë apo nuk i duan gratë. Burrat dëshirojnë t’i dominojnë gratë. Burrat nuk mund ta tolerojnë një grua të lirë dhe të emancipuar sepse ajo, përmes kërcënimit të tredhjes simbolike, rrezikon autoritetin e tyre; raportet paraqiten si raporte të dominimit. Ata që janë konsistent në këtë logjikë, nuk e kanë problem të shkojnë deri në fund: në raporte dominimi të këtilla nuk mund të ekzistojë dashuri mes dominuesit dhe të dominuarës. Kurse përpjekjet për ta mobilizuar patriarkun në anën e emancipimit të gruas janë jo vetëm kontradiktore, por edhe dukshëm qesharake. Ka raporte nënshtrimi, raporte dhune, jo detyrimisht fizike por gjithsesi dhune, që e bëjnë dashurinë të pamundur. Në shoqëri patriarkale ajo mund të marrë vetëm formën e varësisë, detyrimit për të qëndruar me sunduesin e saj sepse ai sundon dhe kontrollon vetë sistemin publik, përmes traditës, fesë, ligjit, shtetit dhe ekonomisë. Hegjemonia patriarkale është hegjemoni që shtrihet gjandej, hegjemoni gati-absolute që kërkon nënshtrimin dhe vartësinë pakushte të gruas. Absolutizimi i patriarkalizmit është pjesë qenësore e çdo shpjegimi që ai ofron. Është rrjedhojë logjike që nëse parashtrohet premisa në këtë formë e nëse dëshirojmë të jemi konsistent dhe racionalë, duhet që të pranojmë edhe përfundimin: në sisteme të këtilla patriarkale dashuria nuk është e mundur.

E megjithatë, ky do të ishte një përfundim absurd, sepse është më se e qartë se dashuria ekziston në shoqëri patriarkale, se disi gruja e kupton se edhe burri i saj, apo prindi i saj, nuk është personifikim i kësaj rrjete apo strukture apo mendësie apo quaje çka të duash të patriarkalizmit, por se edhe ai është njëjtë në raport varësie apo pavarësie, me shkaqet e tjera. Dua të them se ajo intuitivisht e kupton se burri si burrë nuk qëndron për një mendësi apo mentalitet që mund të quhet patriarkalizëm. Ekzistojnë struktura shoqërore dhe ekonomike dhe të tjera që krijojnë strukturat shoqërore dhe rregullat për adminstrimin e shoqërive, dhe këto diku janë më stabile dhe rrjedhimisht më permanente se në vende tjera ku ekzistojnë struktura të tjera. Por nuk ekziston një strukturë e vetme që disi nga lart determinon mendësine e një kulture, apo epoke. Të vështrohet një problem në këtë mënyrë është mënyrë tjetër e shmangjes së shkaqeve reale që pranojnë zgjidhje konkrete. Dhe përderisa problemet nuk vështrohen nën këtë dioptri, dhuna ndaj gruas nuk do të pushojë. Prandaj është me rëndësi të kuptohet, dhe të kuptohet mirë, se nëse e parashtron një problem shoqëror si problem ideologjik, vetëm përgjigje ideologjike të ngatërruara mund të presësh prej tij.

Kjo mënyrë e të menduarit dhe e vështrimit të proceseve shoqërore që pastaj identifikohen si probleme (problemet nuk ekzistojnë në natyrë, ato bëhen probleme vetëm pasi të kapen në ndonjë rrjet të ndonjë filozofie apo ideologjie apo sistemi tjetër njerëzor) është e shtrirë gjithandej. Është e kuptueshme se pse të gjithë ne, pa përjashtim, biem pre e këtyre konfuzioneve, por si qenie racionale që jemi (e di, nuk jemi vetëm të tilla) është në interesin tonë që të reflektojmë për ato që na parashtrohen si probleme. Kujtoj këtu, gjithashtu, se si është duke u trajtuar problemi gruas në shoqëritë muslimane. Ata që gjykojne vetëm në bazë të statistikave dhe dinë të numërojnë deri në 3 përherë vijnë në përfundime të tilla: në x vende gruaja është e shtypur dhe keto x vende jane vende muslimane, prandaj islami e shtyp gruan. Tani si arrihet prej A në B, dhe cili është modaliteti i kësaj lidhjejeje nuk sqarohet, por vetëm presupozohet, kështu që ky lloj shpjegimi të bën të dukesh sikur ke kuptuar diçka, kurse në realitet vetëm sa e ke mbuluar injorancën tënde me një injorancë tjetër. Por mbulimi i injorances nuk është i njëjtë sikur iluminimi i tij me fakte dhe analiza të shëndosha. Janë këto ide krejtësisht të ideologjizuara që ngrihen si pengesa dhe barriera mes shkaqeve të vërteta dhe atyrë të rreme. Kjo që e thash këtu do të keqkuptohej po të kuptohej se burrat si burra, nuk shtypin dhe dhunojnë gratë. Por kjo duhet të dëshmohet, jo të presupozohet a priori. Njëjtë edhe me religjionet: nuk mjafton të citohen verse nga librat e tyre të shenjtë për të vërtetuar se ato legjitimojnë dhunën ndaj gruas, dhe rrjedhimisht janë dokumente patriarkale. Kjo nuk do të thotë se tani religjioni duhet të tërhiqet plotësisht prej ekuacionit të analizës së problemit të dhunës ndaj grave, apo çfarëdo problemi tjetër. Por ky faktor merr zjarr vetëm në marrëdhënie me faktorë të tjerë, dhe si i tillë duhet të dëshmohet ndikimi i tij, jo të presupozohet a priori, siç është bërë zakon në diskurse gazetareske. Një mënyrë për ta identifikuar si faktor relevant do të ishte përmes studimit të besimtarëve që në mënyrë aktive kërkojnë të zbatojnë, aplikojnë dhe arsyetojnë ekzistencen e tyre përmes doktrinave fetare, që duken se legjitimojnë dhunën ndaj gruas. Edhe në këtë rast, faktori fe mund të ketë rol vetëm dytësor në lidhje me autonominë morale të individit dhe qëllimeve që ai dëshiron t’i realizojë përmes religjionit, si dhe në lidhje me faktorët e tjerë.

About albphilosopher

Sead Zimeri has studied Philosophy, Islamic Philosophy and Religion, International Politics and Psychoanalysis. He is currently the project coordinator of "Islam and the Liberal Society" at the Liberalt Laboratorium (LibLab) thin tank in Oslo, Norway. http://www.liblab.no
This entry was posted in Uncategorized and tagged . Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s