Argumenti kozmologjik: një vështrim spekulativ mbi një argument spekulativ

Sead Zimeri

Po e percjellja një debat rreth dëshmive dhe argumenteve për ekzistencën e Zotit, dhe më bëri përshtypje të madhe se për sa të fuqishëm besimtarët musliman e marrin krijimin e universit për argument përfundimtarë të ekzistimit të Zotit. Ky është një argument i vjetër i njohur me emrin argumenti kozmologjik, që mbështetet në konceptin e kauzalitetit dhe parashtrohet në këtë formë: çdo pasojë ka shkak, kështu që univerzi si i tillë, si tërësi, rrjedhimisht, ka shkakun e ekzistencës së vet. Ajo që është problematike me këtë argument është se, pikë së pari, ngritet mbi një premisë të dyshimtë: premisën se universi është pasojë. Por si mundet të dëshmohet kjo, kur dihet se lidhja mes shkakut dhe pasojës është lidhje mes objekteve materiale që vijnë në kontakt më njëri tjetrin në mënyrë direkte. Të presupozosh se universi ka një shkak është sikur të presupozosh se pasi që njeriu ka një nënë edhe njerëzimi si tërësi ka një nënë. Por përderisa argumenti i parë qëndron, i dyti nuk qëndron sepse modaliteti i ekzistencës së të parit dallon rrënjësisht prej të dytit. Rrjedhimisht, t’i përshkruash shkak paraprak të dytit është të mos e kuptosh çka është njerëzimi: njerëzimi nuk është fakt material por abstrakcion mendor, prandaj edhe nuk mund të konceptualizohet përmes logjikës së shkakut dhe pasojës: kjo logjikë nuk aplikohet aty. Është e njëjtë me universin: ai nuk ekziston njëjtë sikur që ekzistojnë objektet ku aplikohet ligji i kauzalitetit. Universi nuk ka shkak, ai ka fillim, përderisa është abstrakcion mendor, por si çdo abstrakcion tjetër, korrelacioni i tij me ne si krijues të tij nuk është kauzal por semantik.

Në fakt, është pak e çuditshme se si besimtarët musliman bien pre e kësaj logjike. Kjo që e thash më lartë, është përgënjeshtrim dhe refuzim relativisht i ri i këtij argumenti, por historia e filozofisë dhe teologjisë (kelamit) islame gjithashtu ka refuzuar ta marrë seriozisht këtë argument, pikërisht sepse ky mbeshtetet në kauzalitet. (Filozofia dhe teologjia islame mbështeten në një argument tjetër, që konsiderohet të jetë variacion i argumentit kozmologjik, në argumentin e kontingjencës apo, në raport varësie të qenies finite në atë infinite. Zoti parashtrohet jo si shkak por si kusht i mundësisë së ekzistencës së qenies finite, kontingjente dhe temporale. Është lidhje varësie më shumë sesa lidhje kauzale. Për dallim nga Zoti, qeniet temporale nuk e përmbajnë brenda vetes kushtin e ekzistencës së vet. Besoj që ky është një argument më i mirë se argumenti kozmologjik, por këtë do ta shtjellojmë një herë tjetër). Gazali në librin e tij Inkoherenca e Filozofëve, për shembull, nuk e pranon se lidhja mes shkakut dhe pasojës është lidhje domosdoshmërie, nuk është lidhje logjikisht e domosdoshme, por është e bazuar në observim të korrelacioneve të ngjarjeve që kanë status kontingjent, madje është rezultat i një disponimi psikologjik.

Ideja është relativisht e thjeshtë: argumenti kozmologjik kërkon lidhje kauzale mes shkakut dhe pasojës. Problemi është se ky zingjir kauzal nëse nuk ndalet diku do të vazhdojë deri në infinit që do të thotë se universi është eternal (i përhershëm), njëjtë si Zoti, që dmth, se Zoti nuk është krijues i univerzit, ose, kjo teza tjetër, se vetë universi është Zot (panteizmi). Pasi që logjika teiste nuk i pranon asnjërën nga këto dy teza, ajo parashtron tezën e krijimit të univerzit prej Zotit. Megjithatë kjo tezë nuk është pa problemet e veta, dhe problemi kryesor nuk është vetëm se lidhja kauzale mes Zotit dhe universit është e pamundur të dëshmohet, dhe se hendeku që e ndan universin nga Zoti është i patejkalueshëm dhe presupozimi i shkakut të parë është arbitrarë. Problemi është statusin e asgjësisë. Teizmi presupozon se universi nuk ka ekzistuar përherë, tezë kjo që mund të dëshmohet nga shumë kënde: është më se e qartë se të gjithë ne jemi krijesa finite. Rrjedhimisht, duhet të kemi një fillim. Kam për qëllim, momentin e parë të krijimit, në big bang. Si erdhi që diçka të ekzistojë kur nuk ekzistonte asgjë? Teologjia përgjigjet: sepse Zoti e krijoi qelizën e parë. Por kjo është logjikë e rrumbullakët: ky argument përdoret edhe për të dëshmuar se Zoti ekziston edhe se Zoti e ka krijuar universin. Është logjikë që presupozon atë që duhet ta dëshmojë, prandaj edhe nuk mund të mirret si argument serioz për dëshmimin e ekzistencës së Zotit. Por, megjithatë, argumenti kozmologjik ngre një sërë pyetjesh tjera; por pyetja qëndrore është: çfarë është modaliteti i inekzistencës së asgjësisë? Edhe teologjia në mënyrë indirekte dhe implicite e pranon se njeriu është krijuar prej asgjësisë, por ajo kurrë nuk ka qenë në gjendje ta shpjegojë çka është asgjësia. Teologjia i shton një element të jashtëm, shtesë, asgjësisë si kusht i mundësisë së transformimit të saj në diçka. Sipas teologjisë asgjësia nuk e përmban brenda vetës principin e transformimit, të kalimit prej një faze në fazë tjetër. Dmth, prej asgjësie nuk mund të krijohet asgjë, me përjashtim nëse asgjësia penetrohet nga një faktorë i jashtëm.

Por kjo është problematike, ose së paku kjo logjikë e intervenimit të jashtëm në asgjësi nuk thotë asgjë për asgjësinë si të tillë. Tani në këtë pikë lindin diskutimet interesante. Pa u shqyrtuar karakteri, «qenësia» e asgjësisë nuk mund të thuhet asgjë me siguri. Mund të bëjmë spekulime sikur që bën teologjia por ato nuk ndryshojnë faktin se ato mbeten spekulime. Megjithatë, disa spekulime janë më të qëndrueshme se të tjerat, dhe unë dëshiroj ta pranoj një spekulim që presupozohet, që nënkuptohet në tezën e intervenimit të Zotit në asgjësi. Këtë nuk e bëj sepse po dëshiroj të bëjë aleance me teologjinë por sepse përderisa universi nuk është i përhershëm, duhet të krijojmë një lloj perceptimi rreth statusit të asgjësisë. Atë që teologjia e presupozon por nuk e artikulon është se asgjësia përmban parimin e transformimit në vete, në esencen e vet. Asgjësia nuk mund të transformohet në diçka nëse ajo nuk është paraprakisht, a priori, në gjendje të transformohet në diçka konkrete. Si bëhet kjo lidhje mbetet enigmatike; çfarë ndërmjetësuesish kërkohen (apo nëse kërkohet ndonjë ndërmjetësues) nuk mund të përcaktohet me saktësi as spekulative (teza se është Zoti që ndërhynë është vetëm hipotezë), por inferenca gjithsesi qëndron: në mungesë të kapacitetit të asgjësisë për t’u ndryshuar në diçka tjetër ajo nuk do të ndryshoheshte. Tani në këtë nivel logjika e rëndomtë se prej një serie të zerove nuk rezulton numri një, sado të shumëzohet zeroja ajo vetëm në zero mund të rezultojë, nuk përputhet me një logjikë që nga këndvështrimi logjik i arsyes tonë mund të paraqitet vetëm si logjikë inkonsistente. Por njëkohësisht prej këndvështrimit të logjikës tonë parimi se asgjë nuk vie prej asgjëje përgënjeshtrohet nga vetë fakti i ekzistencës tonë dhe të gjitha hipotezave shkencore të fillimit të univerzit. As vetë teologjia nuk e pranon ketë parim, pa marrë parasysh se ajo hapur e pranon si parim të vetin. Po të ishte e vërtetë kjo, teologjia do të futeshte në një kontradiktë absolute me vete presupozimin e vet që ja bën të mundur parimin e intervenimit në asgjësi.

Përderisa univerzi dëshmohet të ketë një fillim absolut, statusi i asaj që i paraprinë këtij fillimi mbetet në errësirë, por megjithatë në bazë të leximeve negative të postulatit të natyrës finite të universit (si totalitet inkonsistent) mund të konkludohet se asgjësia përmban parimin e krijimit në vete: pa këtë parim spekulativ nuk mund të kuptohen spekulimet filozofike dhe teologjike mbi origjinën e univerzit. Në këtë hapësirë të spekulimit kjo është një pikë qëndrore pa të cilën hipoteza e ngritur teologjike se Zoti ndërhyn dhe krijon nuk mund të kuptohet. Zotin mund ta ndryshojë vetëm atë që posedon, në natyrën e vet, mundësinë e ndryshimit. Pa këtë mundësi, ajo nuk do të ndryshohej, nuk do të krijohej. Por, kur e pranojmë këtë, problemi i intervenimit të Zotit në krijimin e universit relativizohet, bëhet çështje kontingjence. Është ky ndryshim i statusit të lidhshmërisë mes kontingjencës dhe domosdoshmërisë, mes të kuptuarit të asgjësisë si diçka që përmban kushtin e ndryshueshmërisë brenda vetes, jo jashtë vetes.

Asgjësia posedon në vetvete mundësinë e transformimit në diçka tjetër. Kjo e përgënjeshtron parimin se prej asgjëje nuk vie asgjë (ex nihilo nihil fit). Nëse asgjëja përmban parimin e transformimit në vetvete, atëherë prej asgjëje vie diçka. Mënyra se si ndodhë kjo është enigmatike, por në parim, logjikisht, është plotësisht e mundur që të ndodh krejt vetvetiu. Kjo do të ishte e pamundur vetëm në dy raste që kushtëzojnë njëri tjetrin: nëse raporti i fillimit-krijimit kuptohet si raport kauzal, dhe nëse asgjësia nuk përmban në vetvete kushtin e transformimit. Perderisa ne ekzsistojmë, premisa duhet të pranohet se asgjësia përmban kushtin e transformimit në vetvete, se prej asgjësie vie diçka. Postulimet e jashtme mbeten ne raport jodomosdoshmërie me asgjësinë.

Sikur që ky argument nuk dëshmon ekzistimin e Zotit, refuzimi i tij po ashtu nuk dëshmon se Zoti nuk ekziston.

About albphilosopher

Sead Zimeri has studied Philosophy, Islamic Philosophy and Religion, International Politics and Psychoanalysis. He is currently the project coordinator of "Islam and the Liberal Society" at the Liberalt Laboratorium (LibLab) thin tank in Oslo, Norway. http://www.liblab.no
This entry was posted in Uncategorized. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s