ISIS dhe pasojat e mendimit sektarian

Sead Zimeri

Për ta kuptuar një fenomen shoqëror është e domosdoshme të dihet diçka rreth gjenealogjisë dhe historisë së tij: si erdhi, cilat ishin shkaqet dhe kushtet që e mundësuan paraqitjen e tij, dhe në çfarë konteksti shoqëror dhe politik vepron. Pa këto njohuri të kontekstit, kontekstualizimi dhe parashtrimi i drejtë i tij bëhet i pamundur dhe mbetet parashtrim abstrakt dhe kur ky fenomen individualizohet dhe fillon të funksionojë si ndryshues i kontekstit në të cilin është paraqitur gjykimet abstrakte lehtë shndërrohen në denoncime apo miratime moralizuese.

Edhe ISIS duhet të vështrohet nga kjo perspektivë. Shkaqet që mundësuan paraqitjen e ISIS-it janë të shumta, dhe mund t’i përmbledhim në dy grupe: të jashtme dhe të brendshme. Shkaqet e jashtme janë po ashtu të shumtë dhe nuk mund të përmbledhen të gjitha këtu, dhe për një shënim të shkurtër as që është e nevojshme, por do të mjaftohem me më të përafërtin dhë më kryesorin: luftën që SHBA-të i shpallën Irakut. Historia tragjike e ndërhyrjes së SHBA-ve në Irak është e njohur, por unë dëshiroj ta ndërlidhë këtë ndërhyrje drejtëpërsëdrejti me kushtet që SHBA-të krijuan për paraqitjen e ISIS-it. Pa ndërhyrjen brutale të SHBA-ve dhe shkatërrimin e shtetit të Irakut, kushtet dhe mjedisi për paraqitjen e ISIS-it nuk do të ekzistonin. Para ndërhyrjes së SHBA-ve Iraku kishte një lloj stabiliteti, dhe pushteti absolut i Sadamit kurrë nuk do të lejonte që grupe të këtilla patologjike fashiste të formoheshin dhe vepronin në Irak. Kryetari Bush, për arsye që edhe sot e kësaj dite nuk dihen saktësisht, pas konsulltimit me Zotin e tij, kishte vendosur që ta pushtojë Irakun. Madje ishte bërë edhe përpjekje që të krijohen lidhje bashkëpunimi mes diktatorit sekularist/ba’thist dhe organizatës terroriste të Al-Kaida-s. Për çdo njohës të pushtetit të Sadamit ishte e qartë qysh atëherë se një lidhje e këtillë mund të ishte vetëm fiktive, por pasi që SHBA-të kishin vendosur ta pushtojnë Irakun nuk kishte rëndësi që kjo lidhje ishte fiktive përderisa arsyetonte pushtimin. ‘Demokratizimi’ i Irakut do të hapë mundësi të pafundme për daljen në skenë të grupeve të këtilla fashiste.

Shkaqet e jashtme janë të rëndësishme, por ato nuk janë të vetmet dhe gjithësesi nuk janë shkaqet përfundimtare. Shkaqet e brendshme janë ato që përfundimisht i japin formën ISIS-it. Këto shkaqe mund t’i ndajmë në dy nëngrupe: 1) pranvera arabe dhe 2) teologjia sektariane.  

Pranvera arabe, zgjimi arab nga gjumi në të cilin kishin rënë, do të dridhë rëndë botën arabe gjithandej. Në disa raste kjo pranverë ishte relativisht e suksesshme dhe kaloi në verë (sistemi njëpartiak diktatorial rrëzohet dhe fillon një proces i vërtetë i demokratizimit të shtetit dhe marëdhënieve politike në përgjithësi); në disa raste tjera ajo kërkoi ndihmën dhe ndërhyrjen e të huajve që të pengojnë fundosjen e saj në dimër të acartë; në raste tjera suksesi ishte i madhë por jetëshkurtër dhe dimri (sistemi i vjetër njëpartiak) kthehet i pasfidueshëm; dhe krejt në fund ekziston një rast ku fuqitë e mëdha ndërhyjnë jo për ta ndihmuar revolucionin, por shtypësit e tij, siç janë rastet në Bahrein dhe kjo më tragjikja nga të gjithë, në Siri. Po të mos ishte mbështetja e Rusisë, Iranit dhe Kinës, Asadi, kryetari i Sirisë, do të rrëzohej relativisht shpejtë dhe gjithë kjo gjakderdhje për kaq kohë të gjatë do të evitohej, dhe rrjedhimisht ISIS nuk do të gjente mbështetje tek sirianët. Asadi mbetet në pushtet, kurse revolucioni i popullit sirian është degjeneruar në luftë sektariane. Nuk kishte filluar kështu, por pas gjithë kësaj gjakderdhjeje pothuajse ishte e pamundur të mos përfundonte aty ku përfundoi.

Asadi i Sirisë dhe mbështetësit e fuqishëm të tij janë ndër faktorët më kryesorë që krijuan kushtet për ‘talibanizimin’ e revolucionit. Dihet që se qysh në fillim të kryengritjes siriane Asadi do lirojë nga burgjet militantët islamik që më pas kontribuan në formimin e ISIS-it dhe kështu e ndanë revolucionin sirian nga idealet emancipuese të revolucionit. Ky vendim strategjik i Asadit do të mundësojë që ai të mbetet në pushtet por edhe do t’i fryjë zjarrit, përherë i gatshëm për të djegur të arriturat qytetëruese, të sektarianizmit dhe islamizmit. Qëndrimi i Asadit në pushtet u pagua me një çmim shumë të lartë: destabilizimi i plotë i rajonit. Asadi do të vazhdojë atë që Bushi e kishte nisur por nuk kishte arritur ta përfundojë. Lufta që SHBA-të i shpallën terrorizmit islamik nuk ka përfunduar, por rezultatet për fitore nuk janë premtuese. Përkundrazi, në vend që ta mposhtin terrorizmin ata krijuan kushtet për lulëzimin e tij. Kush do ta mendonte që pas një dekade e gjysmë të luftës kundër terrorizmit islamik në skenë do të dalë një lëvizje më barbare dhe më e madhe se të gjitha lëvizjet tjera terroriste që madje do të krijojë shtet ekspansionist që rrezikon integritetin territorial të fqinjëve për rreth? Nëse gjykojmë në bazë të pasojave, lufta e SHBA-ve për të eliminuar terrorizmin ka pasur pikërisht efektin e kundërt.

Kushtet për lindjen e grupeve terroriste dhe fashiste plotësohen në këtë pjesë të botës të traumatizuar nga luftëra dhe konflikte, por megjithatë ajo që ndërkohë është shumë problematike është që këto grupe arsyetojnë fashizmin dhe terrorizmin e tyre në emër të islamit. Ky lexim i fashizmit në burimet e islamit është tepër shqetësues sepse krijon hapësirë jo vetëm për simpati me kauzat fashiste, por edhe sepse fashizmi përfundimisht kërkon të bëhet pjesë e vetë korpusit të islamit. Kjo është përmbysje totale e lëvizjes që Profeti do ta fillojë në Mekke kundër shumë formave të shtypjes dhe pabarazive. Por a mund të arsyetohet fashizmi dhe terrorizmi në Islam? Për këto grupe islami vetëm është fashist në vetë thelbin e vet. Fashizmi është diçka që i vie natyrshëm islamit, sepse filozofia mbi të cilën këto grupe e ngrisin islamin është e stratifikuar në atë formë ku parimet e barazisë dhe drejtësisë janë dytësorë në raport me hierarkizimin e dallimeve në bazë të religjionit, sektit dhe gjinisë. Islami përherë ka rezistuar fashizmin, por tani janë mbledhur një numër i madh i faktorëve që kanë bërë fashizmin mjaftë tërheqës për muslimanët e këtyre viseve. Andaj edhe rezistenca islamike ështe shumë më e dobët sesa ka qenë më herët. Leximi i fashizmit në burimet islame është përpjekje për ta normalizuar atë në Islam.

Një pyetje që nuk është shtruar por që duhet me këmbëngulje të shtrohet është: pse në këto kushte të rënda nuk u paraqit një lëvizje që, në vend të vrasjes dhe persekutimit të atyre që janë dhe jetojnë në të njëjtat kushte si edhe vetë këta, do të krijonte aleanca dhe partneritete me të tjerët për të krijuar një rezistencë të përbashkët ndaj armikut të përbashkët të tyre? Të gjithë kanë vuajtur bashkërisht edhe nga pushteti i Sadamit por edhe nga pushtimi Amerikan. Prej nga e gjithë kjo urrejtje ndaj minoriteteve aty? Pse duhej që kjo luftë të bëhet sektariane? Dhe përgjigjja është për shkak të dominimit të teologjive sektariane në islam: arsyeja, politika, historia dhe feja kuptohen përmes konceptit të sektit. Të gjithë mund të jenë musliman por është sekti ai që determinon botëkuptimet e tyre. Dhe ekziston një traditë e gjatë e të kuptuarit të islamit në linja sektariane. Që në gjenezë të islamit fillon dhe zhvillohet një botëkuptim sektarian mbi fenë që më pas vetëm sa vie dhe rritet, kështu duke bërë një ndarje teologjike dhe politike (jo përherë lehtë për t’i ndarë) jo në baza të argumenteve por të lojalitetit ndaj sektit.

Kështu është edhe historia e zhvillimit të dy sekteve më të mëdha të islamit: sunnitët dhe shiat. Çka filloi si përçarje në argument, si antagonizëm dhe polarizim politik se kush do ta zëvendësojë Profetin si udhëheqës politik shpejt e shpejt shndërrohet në problem akaidologjik: cili interpretim është i vërtetë dhe cili është i devijuar fillon të kuptohet dhe lidhet drejtëpërsëdrejti me hermeneutikë sektariane. Pyetja e të vërtetës së interpretimit të Islamit i nënshtrohet logjikës së lojalitetit ndaj sektit. Logjikë sektariane quhet çdo përpjekje për t’ia nënshtruar të vërtetën, apo kërkimin e të vërtetës, besnikërisë së verbër ndaj sektit. Këtu, duhet të jemi të qartë, pra, nuk është islami si i tillë që është problemi i muslimanëve, por mentaliteti i vjetër para-islamik klanor që pastaj merr karakter sektarian. Ata që përkrahin dhe mbështetin Aliun, nipin e profetit, e bëjnë këtë jo sepse Aliu kishte argumentet më të mira, program politik më të avancuar, etj, por sepse ai ishte në familje me Profetin, ishte rritur në shtëpinë e tij, ishte bërë musliman si fëmijë, etj. Arsye të pranueshme për logjikën sektariane, por të papranueshme për arsyen politike. Të gjitha arsyet që jipen në literaturën përkatëse për gjenezen e dy kryesekteve janë arsye sektariane. Është e arsyeshme të supozohet se antagonizmat e shoqërisë profetike dhe gjeneratës së parë post-profetike ishin antagonizma politikë, jo sektarian. Profeti si udhëheqës politik dhe jo vetëm fetarë që ishte ndjekte një politike konsensuale të shura-s, një lloj forumi këshillues, ku para se të mirreshin vendimet përfundimtare përvijoheshin dhe diskutoheshin nga grupi i përzgjedhur i këshilltarëve të Profetit. Nga ajo që dimë nga të dhënat e pakta historike, Profetit nuk i interesonte lojaliteti e këshilltarëve të tij ndaj klaneve të tyre por argumentet që ata parashtronin për vendimet që do të mirreshin.

Sektarianizmi që i bëhet politikës është grushtshteti që i bën mentaliteti para-islamik islamit. Ai nuk del hapur kundër islamit: ai e zhveshë prej brenda logjikën politike dhe tejet tolerante të islamit dhe në vend të tij ngritë dhe parashtron logjikën klanore. Por pasi që klani nuk gjente më mbështetjen që e kishte më herët, islami do të bëjë një identifikim të atillë haptas të pamundur, ai do infiltrohet në islam përmes parashtrimit të problemeve politike gjatë dhe pas vdekjes së profetit si probleme sektariane. Argumentet që do të ishin ‘sekulare’ dhe politike shndërrohen në argumente sektariane: shiat bëjnë përpjekje për të gjetur ‘argumente’ në traditën profetike, madje edhe në Kuran që, sipas tyre, dëshmonin se Aliu e meritonte para të tjerëve të ishte kalif, e jo Ebu Bekri. Kështu sferës publike të politikës i jipen ngjyrime sektariane. Mbështetja e Aliut nuk bëhet sepse Aliu, si të tjerët, ishte konkurrent për pushtet, por sepse kjo gjoja është kërkuar nga vetë Profeti. Por është e qartë se kjo kërkesë tani më i është nënshtruar, dhe merr kuptim vëtm a posteriori, pasi që feja fillon të shikohet prej prizmit të sektit. Vetë ngjarja, mënyra se si është zgjedhur udheheqësi i parë pas profetit është një ngjarje e rëndomtë politike, kurse sektarianizmi është diçka që i shtohet më pas. Kur bëhet transformimi i plotë i logjikës politike në atë sektariane nuk mund të thuhet me saktësi, por është e qartë se ky proces i transformimit ka filluar pothuajse menjëherë pas vdekjes së Profetit. Trajtimi sektarian ndryshoi karakterin dhe natyrën si dhe formën e argumentimeve politike. Kështu për herë të parë islami plagoset rëndë por do të mbijetojë, dhe tani e tutje forma sektariane kurrë nuk do të ndahet nga ai.

Islami do t’i nështrohet, pa dëshirën e tij, një logjike të cilën ishte munduar ta zhvendosë nga pozita që kishte pasur dhe përfundimisht ta shkaterrojë. Këtë nuk do të arrijë ta bëjë, dhe dëshmi për këtë është dominimi sektarian i të kuptuarit të islamit. Edhe sot e kësaj dite islami kuptohet më shumë si sekt sesa si religjion dhe politikë dhe shumica e përndjekjeve në vendet muslimane janë përndjekje sektariane. Në këtë kuptim së paku, ISIS ka rrënjë të thella në historinë e leximit dhe përmbysjes së islamit. Kjo logjikë sektariane tani ka rënë në duar të gabuara, në duar kriminelësh psikopatë që nuk kursejnë as fëmijë dhe pleq për t’ia arritur qëllimit të pastrimit të të ashtuquajturit shtet islam nga sektet tjera. Por a nuk është operative e njëjta logjikë sektariane ne Arabinë Saudite? Në Pakistan? Në Iran? Dhe praktikisht në çdo shtet që e deklaron veten shtet islamik? Ata që nuk e njohin islamin do ta nxjerrin përfundimin se është islami ai që nxit luftërat sektariane. Dhe në njëfarë kuptimi edhe kanë të drejtë: islami post-profetik shndërrohet në sekt dhe e humb karakterin emancipues që kishte gjatë periudhës profetike kur ai shpall luftë kundër padrejtësive të shoqërisë klanore të atëhershme në emër të parimeve univerzale të drejtësisë dhe barazisë. Islami, fillimisht pra, është diçka që i ndodh çdokujt që angazhohet për ndryshimin dhe krijimin e kushteve për një botë të drejtë dhe të barabartë. Është një proces i hapur dhe i papërfunduar. Islamin e karakterizon ky dinamizëm politik i udhëhequr nga idealet univerzale, që është proces që nuk përfundon kurrë; kurse sektarianizmin e karakterizon ngurtësia dhe fanatizmi në mendim dhe intoleranca në vepër. Aty ska dinamizëm, por bëhet fjalë për aplikim të sheriatit, dhe aplikimi si tërësi i sheriatit mbështetet mbi premisën se islami nuk është dinamik; ai përfytyrohet si i përkryer, nuk ka as çka i shtohet e as çka i hiqet, prandaj krejt çka kërkohet prej muslimanëve është ta mësojnë dhe ta aplikojnë.

Ka ardhur koha që kërkesat për aplikim dhe zbatim të sheriatit të suspendohen dhe zëvendësohen me kërkesa për mendim të islamit. Kush e di, ndoshta, në këtë mënyrë islami çlirohet nga teologjitë sektariane që ja kanë zënë frymën dhe fillon të prosperojë si ide revolucionare që nuk mund të mbyllet në kallëpet e sektarianizmit apo logjikave tjera të ngjajshme. Derisa të kuptuarit e islamit mbetet i kushtëzuar nga këto teologji sektariane, aty do të gjenjë inspirim të gjitha lëvizjet me tendenca fashiste. Domethënë, çdo lëvizje me përjashtim të lëvizjeve emancipuese. Prandaj edhe nuk është çudi që sot në hemisferën e islamit nuk ka asnjë lëvizje përparimtare dhe emancipuese politike që gjenë inspirim në islam. Teologjitë sektariane e kanë bërë të pamundur lindjen e lëvizjeve të këtilla. Si duket të gjitha forcat errësirës janë bashkuar dhe komplotojnë ta bëjnë të pamundur çarjen e këtij islami për ta liruar nga prangat teologjike sektariane ku është zënur. Prandaj, edhe ka një dështim marramendës të të gjitha lëvizjeve progresive në hemisferat muslimane: ato duken të importuara, të huaja, jo autentike. Janë të tilla sepse aspekti revolucionar i islamit është shuar. Pa u çliruar teologjitë sektariane nga logjikat e tyre, apo muslimanët nga këto teologji, bota muslimane do të zvarritet në mjerim pas mjerimi. Duhet të jetë brengosës për muslimanët fakti që grupe fashiste si ISIS gjejnë inspirim në islam. Duhet po ashtu të jetë brengosës fakti që asnjë lëvizje përparimtare politike nuk po gjenë inspirim në islam. Këto çështje duhet të shtrohen dhe të debatohen hapur dhe pa paragjykime sektariane. Ky është parakusht i mendimit te islamit. Nuk duhet të lejohet që horizonti politik dhe teologjik i ardhmërisë së islamit të definohet nga elemente sektariane me përbërje dhe prirje fashiste. ISIS-it mund t’i mirret legjitimiteti vetëm nëse muslimanët janë të gatshëm të bëjnë një çarje epistemike, hermeneutike, politike dhe teologjike prej traditave sektariane.

About albphilosopher

Sead Zimeri has studied Philosophy, Islamic Philosophy and Religion, International Politics and Psychoanalysis. He is currently the project coordinator of "Islam and the Liberal Society" at the Liberalt Laboratorium (LibLab) thin tank in Oslo, Norway. http://www.liblab.no
This entry was posted in Uncategorized. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s