Teologjia dhe mendimi

Sead Zimeri

Ditët që kaluan pata rastin të lexoj librin me tre vëllime të Roland Boer-it të titulluar “On Marxism and Theology: Criticism of Heaven; Criticism of Religion; Criticism of Theology””. Nuk dua të flas për virtytet e shumta të këtij libri, dua thjesht të ndalem në stacionin e një teme tjetër, ajo që ngjallë më tepër kërshërinë time, mbase që vë në spikamë edhe kërshërinë e tjetrit buzë greminës. E kam fjalën për marrëdhëniet e teologjisë islame me filozofinë apo çdo disiplinë tjetër intelektuale në nivel të kohës sonë. Duke lexuar librin më kujtoheshte mungesa pothuaj e tërësishme e diskutimit të problemeve që i përkasin teologjisë dhe filozofisë në logosferen islame: problemet që çdo teologji që e meriton emrin e vet duhet guximshëm t’i shtrojë dhe debatojë përherë dhe vazhdimisht, probleme që nuk mund të mbyllen ngase vetë natyra e problemeve të tilla është e tillë që bën mbylljen e tyre jo vetem artificiale por edhe të dëmshme për teologjinë. 

Teologjia në islam ka marrë tatëpjeten qyshkur është ndarë prej filozofisë, pothuaj se menjëherë pas El Gazaliut. Ibn Tejmiu ka bërë një përpjekje të madhe për të ringjallur debatin teologjik, por edhe ai këtë e bënte prej këndvështrimint të largimit të filozofisë prej teologjisë, me premisa vetëpërmbytëse. Kur teologjia u shpallë e vetëmjaftueshme, kur thënie të tilla si “kush filozofon bëhet qafir” u bënë normativë në teologji, edhe teologjia filloi ngadalë por sigurte të jep shpirt. Sot teologjia islame është trup pa shpirtë, ajo përserit mekanikisht dhe verbërisht atë që është kumtuar para 1000 vjetëve, pa mos qenë në gjendje t’i shtojë as edhe një mendim origjinal traditës me të cilën mburret. Jo që nuk është në gjendje t’i shtojë një mendim origjinal, por censura teologjike bën që edhe problemet që dikur diskutoheshin hapur, madje edhe nëpër xhamia, sot t’i trajtësojë si përsiatje që ngulfaten prej të pamundurës, madje me kënaqësi shikohen si përsiatje që duhet të mbesin tabu. Si rezultat i kësaj, ne kemi një mendim teologjik mesjetar dhe për islamin, edhe atë pikërisht kur ata të mesjetës kishin mendime shumë më qytetëruese sesa sot ne që kemi. Kemi një teologji që funksionon me nocione që janë të pazhvilluara, të mbrojtura nga kritika e mendimit kritik, të varfëra deri në uritje që të heqin jo vetëm dëshirën por edhe mundësinë për mendim krijues, vendor dhe origjinal. 

Problemet e teologjisë janë të shumta, por më kryesorët janë: çështja, natyra dhe koncepti i Zotit; shpallja /vahji; e Verteta; ekzistenca e botës së amshuemshme; marëdheniet e teologjisë me disiplinat tjera intelektuale, sidomos me filozofinë me të cilën ndanë jo vetëm nje histori të përbashkët por edhe një prejardhje të përbashkët si dhe një numër të madh të problemeve; determinizmi dhe indetereminizmi; statusi (historik, ontologjik dhe epistemik) i Fjales së Zotit; të drejtat e njeriut; marrëdheniet e arsyes me shpalljen, etj, etj. Të gjitha keto probleme kanë nevojë të shtjellohen dhe rishtjellohen pandërprerë, duke qenë përherë në dialog me zhvillimet që ndodhin përreth teologjisë. Nuk mund te ketë një teologji të gjallë dhe të shëndoshë që nuk merr parasysh kritikat që i janë drejtuar koncepteve te saja nga disiplinat tjera. Ajo mund t’i injorojë ato kritika, por vetëm në dëmin e saj. 

Teologjia islame sot është gati tërësisht e ndarë nga rrjedha e zhvillimit qytetërimorë, përkunder asaj klasike prej të cilës edhe i trashegon konceptet themeltare të saja. Por këto koncepte jane rrahur aq shumë nga kritika e mendimit saqë janë të paaftë të qëndrojnë apo të mbartin barrën e rigjenerimit të ndonjë mendimi origjinal. Konceptet e teologjisë klasike islame janë formuar në beteja me forca tjera nga ato me të cilat ballafaqohet sot. Ato forca më nuk ekzistojnë dhe mënyra se si futet në këto beteja po ashtu ka ndryshuar. Edhe beteja, edhe fusha e betejës, edhe konceptet me të cilat zhvillohet beteja edhe ata që e zhvillojnë betejën kanë ndryshuar. Teologjia islame prandaj sado të mburret me të kaluarën e saj ajo sot nuk është në gjendje të futet në ndonjë betejë me kritiket e saj. Edhe konceptet kanë jetën e tyre: dëshmi e gjallërisë së tyre është përplasja e tyre kundër koncepteve tjera kritike: sa më e madhe përplasja aq më të mëdha janë mundësitë për zhdukje të tërësishme ose mbijetesë dhe ripërtrirje. Ai koncept që nuk meriton të jetojë ai edhe duhet të vdes, pasi që ai nuk mund të kryejë rolin për të cilin është ngarkuar nga arsyeja. Kjo është e domosdoshme për shëndetin intelektual të çdo disipline të ngritur mbi koncepte. 

Pasi që kemi një teologji të tejvarfër, nuk është habi që edhe problemet që i parashtron dhe mënyrën (krejt te ceket) se si i parashtron ato probleme janë probleme që as për së largi nuk e prekin substancën e koncepteve mbi të cilat ngritet. Ka ardhur koha, pra, që mendimi kritik të futet në teologji.

About albphilosopher

Sead Zimeri has studied Philosophy, Islamic Philosophy and Religion, International Politics and Psychoanalysis. He is currently the project coordinator of "Islam and the Liberal Society" at the Liberalt Laboratorium (LibLab) thin tank in Oslo, Norway. http://www.liblab.no
This entry was posted in Uncategorized and tagged , . Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s