Shpresa politike tani ka emër: ajo quhet Partia e Fortë

Sead Zimeri

Shpesh më rastis në biseda që ndodhin nëpër dhoma e kafene si dhe tani edhe në mediumet elektronike të dëgjoj dhe lexoj një lloj ankimi dhe pakënaqësie të popullit – në këtë shkrim fjala “popull” është përdorur në kuptimin gjenerik që ka sot në kornizën e shtet-kombit, jo në atë politik që është proces i vazhdueshëm i krijimit dhe rikrijimit – për situatën pa rrugëdalje politike dhe ekonomike të vendit të tyre (Kosovë dhe Maqedoni). Këtë ankim unë nuk e lexoj si një zgjuarje disidente, por larje apo ngritje kolektive e duarve prej politikës; si një demoralizim i plotë që ka kapluar popullatën, si dhe humbja e aftësisë për të besuar në mundësinë e ndonjë ndryshimi sado të vogël në apo përmes politikës. Gjërat do të vazhdojnë të zhvillohen në të njëjtën tempo të shkatërrimit të paktit social mes qytetarëve dhe pushtetit. Populli është pothuajse tërësisht i demoralizuar nga gjendja aktuale. Të gjitha simptomat e demoralizimit janë prezente: ai ka humbur besimin dhe vullnetin për të marrë ndonjë hap konkret që do të ndryshonte gjendjen e tij shoqërore dhe ekonomike. Me demoralizim nuk kuptoj dëshpërim. Dëshpërimi zakonisht mbartë këto dy kuptime në vete, e që mungojnë në demoralizim: humbjen e aftësisë për të ndjerë kënaqësi si dhe humbjen e motivimit. Me demoralizim kuptoj një ndjenjë të mungesës së shpresës dhe pafuqisë (apo fuqisë për të përballuar), një ndjenjë e pafuqisë subjektive, e të hequrit dorë (giving up or having given up) dhe zvogëlimit të besimit në vete. Ky demoralizim riprodhohet në të gjitha segmentet e jetës, jo vetëm në atë politik. Humbja e shpresës është, megjithate, një aset i madh për partitë dhe udhëheqësit e tyre që kërkojnë të sundojnë mbi popullin si t’ua ka qejfi. Një popull i demoralizuar është një popull që nuk shtron pyetje dhe nuk merr përgjegjësi as për veten e tanishme e as për të ardhmen e saj. Kur demoralizimi është pothuajse total, vullneti për të bërë diçka për ndryshimin e situatës është zero. Humbja e vullnetit bën që populli të heq dorë nga çdo gjë që është me rëndësi jetike për të. Si rrjedhojë, ai nuk shtron pyetje dhe nuk merr në përgjegjësi politikanët e vet. Pse bën kështu? Jo se nuk din çka të pyes, por se ka humbur besimin dhe shpresen se politikanët do të ndryshojnë situatën, kur haptazi shihet se ata janë aty për të siguruar që asgjë nuk ndryshon. Politika është muhabet kafenesh por pikërisht në atë formë ajo shërben si ersatz i politikës së vërtetë. Shtrirja e bisedave politike nëpër kafene pra nuk është shenjë e ndonjë pjekurie politike por shenjë e një impotence dhe demoralizimi politik.

Populli ankohet, shqetësohet dhe zemërohet, por pastaj e pin një çaj apo një kafe dhe rikthehet në demoralizim, si një nevojë e mbijetesës. Dëgjohet të murmurisë se nuk ka zgjidhje tjetër: kë tjetër të votojmë?, pyet qytetari. Dhe nuk pret që t’i tregosh për ndonjë alternativë: ai është mirë i informuar se alternativa tjera nuk ekzistojnë. Ata ende votojnë por jo se kanë ndonjë besim se kjo apo ajo parti do ta ndryshojë situatën. Ata votojnë më shumë prej një ndjenje të patriotizmit civil sesa prej një besimi se gjërat do të ndryshojnë për më mirë. Ose, vota e tyre është votë negative – votojnë për X partinë sepse janë kundër partisë Y. Dhe mungesa e alternativave shprehet në sindromin e indiferencës: të gjithë politikanët janë njësoj. Premtojnë para zgjedhjeve, por pastaj bëjnë të kundërtën. Kështu, në vetëdijen dhe imagjinaren kolektive, politika asociohet më gënjeshtër dhe pabesi. Para kësaj të vërtete të madhe, çdo dallim tjetër që kanë partitë dhe politikanët zbehet. Natyrisht që nuk është e mundur t’i besosh dikujt nëse je i vetëdijshëm se është duke të gënjyer. Në vetëdijen politike të popullit politikani dhe gënjeshtari janë një: prandaj edhe ata nuk mund të besohen. Në fakt këtu populli tregon një zgjuarsi intuitive dhe të lindur për faktin që refuzon të bëhet naiv dhe t’u besojë politikanëve të vet që kurrë nuk e mbajnë një premtim që e japin. Populli nuk është naiv. Por ai është i demoralizuar dhe kjo është një gjendje më e keqe se ajo e të qenurit naiv. Naiviteti është cilësi kognitive, apo mungesë e saj; demoralizimi është përkundrazi cilësi afektive. Ai që është naiv mund të bëhet të kuptojë naivitetin e tij dhe të bëjë një përpjekje të dalë prej kësaj gjendje, sidomos pasi që naiviteti më së shumti kuptohet si dështim personal. Por nuk është e tillë për atë që është i demoralizuar. I demoralizuari e din fort mirë që është i demoralizuar, por prap nuk gjenë shpresën për të ndryshuar situatën në të cilën është ngulfatur. Demoralizimi është gjendje e tillë afektive që e fut individin në një situatë që përkufizohet nga koncepti i të pamundshmes. Ndryshimi është thjeshtë i pamundshëm; ndryshimi i sendeve më të vogla duket një punë dhe detyrë enorme dhe rrjedhimisht hiqet dorë. Demoralizimi i një populli duket sikur qëndron në raport proporcional me korruptimin e politikanëve. Sa më i demoralizuar është një popull aq më të korruptuar i ka politikanët, dhe e kundërta. Prandaj kjo duhet të jetë gjendje ideale për çdo politikan që ka synim pasurimin e vetes dhe familjes e të miqëve të tij.

Ky demoralizim nuk është diçka që është natyrorë për popujt. Njeriu nuk lindet i demoralizuar, ai bëhet i tillë sepse disa kushtet janë të tilla që bëjnë demoralizimin conditio sine qua non të politikës. Në nivel global kapitalizmi mban një përgjegjësi të madhe për këtë demoralizim. Ai ka krijuar kushte të tilla që mundëson prosperimin e një klase të veçantë të shoqërisë, klasës që posedon mjetet e prodhimit dhe atyre që krijojnë kushtet për riprodhimin e kushteve të dominimit të kësaj klase. Por çfarëdo faji dhe përgjegjësie që mbart kapitalizmi, atij nuk mund t’i përshkruhet i tërë faji dhe e tërë përgjegjësia. Po të ishte e tillë, politika do të ishte e pamundur. Politikat vendore janë ato që mbartin përgjegjësinë më të madhe për krijimin e kushteve të demoralizimit.

Është vështirë ta kritikosh popullin për diçka që ai nuk është fajtorë. Është krejt e qartë se nuk është lehtë të fajësosh popullin për inercion politik që vie si rezultat i demoralizimit, por sado gjithpërfshirës të jetë demoralizimi ai mund të përmbyset me ushtrim dhe disiplinim të vullnetit për të ndryshuar situatën që e bën demoralizimin dhe manipulimet e politikanëve me premtimet e tyre të tolerueshme. Përderisa me çdo kusht i largohemi naivitetit ne bëhemi impotent në sferë të ndryshimit. Ndoshta, përkundrazi, një dozë e naivitetit është e domosdoshme për të rifituar besimin dhe konfidencën në vete dhe në mundësinë e ndryshimit të situatës. Është ky naivitet që ka potencial subverziv kurse cinizmi tani më vetëm është përvetësuar nga ideologjia në pushtet. Neve na duhet një besim që do të shdërronte statusin e asaj që është e pamundur në të mundshme, dhe pa këtë komponent të naivitetit, të suspendimit kognitiv të cinizmit, rikthimi i besimit është i pamundur. Politika mirret me gjërat që janë kontingjente, të ndryshueshme, gjëra që nuk përmbajnë domosdoshmërinë e ekzistencës në vete por janë rezultat i përplasjeve të forcavë të ndryshme, përfshirë këtu edhe forcën negative të popullit të demoralizuar, që ka humbur shpresë. Konfiguracionet e forcave aktuale nuk janë as të domosdoshme as të pashmangshme. Prandaj pragmatizmi dhe kalkulimet politike afatshkurta jo vetëm qe kanë limitet e veta por madje, në shumë raste, ato bëhen pengesë për besimin në mundësinë e ndryshimit të situatës që vuan për ndryshim. Kjo që sot është dominante nuk ekzistonte dje, dhe gjasat janë që ajo nuk do të ekzistojë nesër. Çka nevojitet pra është dalja nga kjo gjendje e varësisë në horizontin politik të lirisë. Fatmirësisht diçka e tillë ka filluar të ndodhë.

Kam fjalën për PARTINË e Fortë. Po e kapitalizoj fjalën Parti pasi që një numër i madh i njerëzve kanë krijuar një përshtypje krejt të gabuar se roli i Partisë së Fortë është vetëm të argëtojë. Rrjedhimisht, ata kanë shprehur simpati bile edhe përkrahje për të por pastaj kanë votuar për partitë tjera që qëndrojnë për politika diametralisht të kundërta me të Partisë së Fortë. Kjo ka mund të ketë ndodhur për shumë arsye dhe nuk e shoh të frytshme të spekuloj për këto arsyje, por vetëm dëshiroj të theksoj faktin që Partia e Fortë nuk është një grup zbavitës teatror, por është PARTI politike që ka synime dhe ambicie si çdo parti tjetër politike. Dëshiroj të ndalem një moment tek kjo Parti që ta kundrojmë prej perspektivës së humbjes së shpresës në politikë. Humbja e shpresës rezulton ose në indiferentizëm dhe cinizëm të plotë ose në një lloj lojaliteti irracional ndaj ndonjë Partie. Prandaj edhe mungesa e shpresës është faktor relevant në përcaktimin e kahjeve dhe shtigjeve të politikës aktuale. Partia e Fortë është ndoshta ngjarja më e madhe politike që ka ndodhur kohëve të fundit në skenën politike në Kosovë, por madje edhe në Ballkan. Për herë të parë kemi një subjekt të vërtetë politik që ka bërë një çarje simbolike në situatën në të cilën jemi ngulfatur. Për herë të parë, Partia e Fortë është dukë punuar, përmes strategjive tani më të njohura për popullin e Kosovës – sarkazmës, satirës, parodisë, estradës, ironisë, përtej-identifikimit me politikën aktuale – të zhbëjë jo vetëm efektet e demoralizimit, por edhe kushtet që bëjnë këtë demoralizim të mundshëm. Partitë tjera as që kanë menduar për këtë fenomen madje ato janë bashkëfajtorë në mbajtjen e kushteve të varësisë në ideologjinë dominante. Nuk është çudi prandaj që ajo u bë partia më e popullarizuar në Kosovë. Ajo u perceptua si një shpresë që së fundmi kishte gjetur rrugët e Prishtinës. Ekzistimi i Partisë së Fortë ështe një dëshmi me status aksiomatik se kurrgjë nuk ka të pashmangshme në politikë, se situata është plotësisht e hapur për ndryshime, se agjentët politik që mund ta bëjnë dhe ekzekutojnë këtë ndryshim janë në mesin tonë dhe, më kryesorja, se tani ekziston një alternativë reale –dhe jo vetëm zgjedhja e të keqës më të vogël mes dy të këqijave- që mund t’i japë formë shpresës për një botë më të mirë. Është e kuptueshme që populli që është thellë i plagosur me këto forma persistente të demoralizimit nuk e ka lehtë të ndryshojë veten dhe menjëherë të vendosë besimin e tij në këtë subjekt të ri politik. Ndryshimi merr kohë. Por procesi ka filluar dhe, herët a vonë, Partia e Fortë do të bëhet kushti që populli të rikthejë besimin në vete dhe të krijojë kushtet për politizimin e problemeve shoqërore dhe prish zakonin e deritanishëm të moralizimit të problemeve politike-shoqërore të partive që tregtojnë me demoralizimin e popullit.

About albphilosopher

Sead Zimeri has studied Philosophy, Islamic Philosophy and Religion, International Politics and Psychoanalysis. He is currently the project coordinator of "Islam and the Liberal Society" at the Liberalt Laboratorium (LibLab) thin tank in Oslo, Norway. http://www.liblab.no
This entry was posted in Kosova, Partia e Forte and tagged , , . Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s