Erdogani në të pavetëdijshmen politike kosovare

Sead Zimeri & Arber Fetiu

Kritika që po i bëhet Turqisë dhe Erdoganit si udhëheqës karizmatik i një partije me një program jo aq karizmatik, është kritikë adoloshente, e papjekur, madje krejt infantile. Asgjë nuk është e sinqertë apo parimore në këtë kritikë. Dhe po e themi në njëjës, ‘kritikë’, sepse të gjitha kritikat e tilla pa asfar problemi mund të reduktohen në një kritikë të vetme -një formë me manifestime të ndryshme diskurzive publike- që nuk është kritikë por një lloj rrebelimi adoloshent ndaj një figure paternalistike. Përmes kësaj kritike mësojmë diçka të befasueshme për të pavetëdijshmen politike të saj, dmth, për formën e vërtetë që Turqia ka por që, shkathtësisht, apo jo edhe aq shkathtësisht, fshihet në diskurset publike të kësaj kritike. Nuk është që Erdogani sillet në mënyrë paternalistike ndaj shqiptarëve: e vërteta është që e pavetëdijshmja e kësaj pjese të elitës intelektuale kosovare dhe shqiptare është e strukturuar në atë mënyrë që sheh në Erdoganin, para se ai ta shohë dhe njoh vetën si të tillë, një figurë paternalistike, një baba. Kjo e pavetëdjshme reflektohet edhe në raportin e përgjithshëm që ne duket se kemi edhe me miqtë tjerë neoliberal tanë e të Erdoganit, porse me këta e pavetëdijshmja është nën ngrehinen e një imagjinareje tjetër, që e kanalizon atë tërësisht ndryshe në diskursin publik. Sido që të sillet Erdogani ndaj neve ai do të perceptohet si paternalist. Apo, më saktësisht, ai sillet si një figurë paternaliste sepse ai vetëm është në të pavetëdijshmen tonë i strukturuar si paternalist. Për një popull të lashtë, si ky i joni, kjo shprehje e papjekurisë që po dëshmohet në trajtimin e Turqisë është ethe-ndjellëse. Një elitë e një populli të lashtë e të madh që sillet e mbështillet si një fëmijë i harlisur nuk e meriton vëndin që ka zënë. Por, ndonëse ne jemi kritik të pandreqshëm të nacionalizmit dhe kësaj kakofonie turkofobike, jemi poashtu plotësisht të vetëdijshëm se këta që kritikojnë Turqinë nuk janë pasqyrë që reflekton madhështinë dhe zemergjërësinë e popullit ndaj këtij fqiu me të cilin kemi marëdhënie të komplikuara dhe një histori po aq të komplikuar të përbashkët. Përballë kësaj shashtisjeje të pakuptimtë qëndron edhe fascinimi po aq i pakuptimtë karshi nuancave fetar-iste në retoriken e Erdoganit. Shashtisja dhe fascinimi gati anestezik reflektojnë vetëm simptomat e të pavetëdijshmes së njëjtë, ato shpërfaqin të njëjtin simplizëm dhe shndërrohen në simfoni turkofobe-turkofile.

Nuk është vështirë të gjenden arsyet e vërteta të urrejtjes gati irracionale të Turqisë. Do t’i rendisim disa nga arsyet shkurtimisht, duke filluar nga ato që ne, në këtë analizë, i konsiderojmë më të rëndësishme deri tek ato më pak të rëndësishme. Arsyeja e parë është dëshira për t’iu dukur perëndimorëve si perëndimorë; ndonëse kjo sjellje e këtillë patetike nuk është aspak sjellje që perëndimorët do ta pranonin si të veten. Perëndimi, kultura perëndimore, është shumë më i pjekur se sjelljet fëminore të kësaj elite të përçudnume kosovare. Nëse i hedhim një sy edhe krejt sipërfaqësorë shtypit perëndimorë se çka skruajnë për shqiptarët, nuk është vështirë të kuptohet se ata kanë një mendim pak më ndryshe për ne nga ai qe ne kemi për veten. Ajo që do të duhej të ishte vërtetë brengosëse për ndërgjegjjen e tyre është një e dhënë krejt banale se kur perëndimorët shkruajnë për shqiptarë e kosovarë si elemente toksike ata asnjëherë nuk e fajësojnë turkun e as që e lavdërojnë atë kur lavdërojnë shqiptarët. Dëshira jonë për t’u bërë një subjekt i dëshirueshëm për Evropën i bën kritikat e këtij grupi ndaj Erdoganit dhe Turqisë pa përmbajtje dhe jo konsistente. E vetmja konsistencë që kanë është konsistenca e të qenurit kundër Turqisë sepse në imagjinaren e tyre këta mendojnë që kështu i përafrohen Evropës më afër, kështu, pra, mendon kjo grupë, i don Perëndimi që këta të sillen ndaj Turqisë. Një Evropë e tillë e fetishizuar shëndron edhe diskursin e tyre në një fetish. Aspirimi i tyre drejtë BE-së përkthehet kështu në terma reduktiviste: përpjekja për të dëshmuar meritat e të qenurit të denjë për Evropën e fetishizuar artikulohen kryesisht përmes asaj që “ne s’jemi”, e jo përmes asaj që ”ne jemi”, përmes dëshirës për t’u identifikuar in negatio në raport me objektin ”Turqi”, për të kënaqur Eros-in e imagjinuar Evropë. Kësisoji, duke shprehur shpesh në mënyrat më patetike përplasjen me objektin ”Turqi” dhe me thuajse çdo gjë ”turke” shprehet ajo çfarë ne ”nuk jemi” dhe ajo që ne duam të bëhemi, apo që ne mendojmë se të tjerët duan të na shohin të jemi.

Arsyeja e dytë e rrebelimit adoloshent është përsëri Evropa, Perëndimi, por kjo kritikë merr një qasje më tjetër, më sinistre, është më e sukseshme në mbulimin e arsyes së vërtetë, është më diplomatike në raport me modalitetin e kritikës së parë. Kjo kritikë është kundër Turqisë dhe Erdoganit sepse edhe Evropa është duke mbajtur një qëndrim përjashtues ndaj tyre. Ky qëndrim i Evropës mund dhe vazhdimisht diskutohet dhe problematizohet, por në esencë mbetët qëndrim dhe politikë evropiane e pavarur prej subjektit të pasivizuar të elitës kosovare. Evropa ka arsyet e veta, dhe shqiptarët nuk janë faktorë i rëndësishëm në këtë teatër: askush nuk i pyet se çka mendojnë ata për Turqinë dhe Erdoganin. Këta janë imitues të verbër të Perëndimit; të vetmen vlerë që nuk e kopjojnë, atë vlerë që e bën Perëndimin Perëndim, është arsyeja kritike. Këta imitojnë Perëndimin por këta nuk mund ta mendojnë Perëndimin apo të marrin ndonjë qendrim kritik ndaj tij. Ata që më së shumti imitojnë Evropën janë më së paku evropian. Për ne qëndrimi i Evropës është diskriminues ndaj Turqisë, sidomos kur ky qëndrim vihet në raport me pranimin e saj të Bullgarisë në Bashkimin Evropian. Megjithatë, pa marrë parasysh arsyet tona që aspak nuk janë të rëndësishme në këtë kontekst, kjo grupë e shqiptarëve që kritikon Turqinë ofron një kritikë tërësisht të varur prej erërave që fryejnë nëpër Evropë. Edhe kjo, si kritika e parë, është pa substancë dhe nuk reflekton drejt një qëndrim të pavarur dhe të studjuar të politikës shqiptare.

Kritika e tretë, kritika nacionaliste, është thjeshtë një shprehje e ulët e urrejtjes që këta ushqejnë ndaj çdo gjëjë islamike. Këta janë kundër Turqisë sepse Turqia është myslimane. Fakti që edhe këta vetë janë mysliman e bën situatën e tyre krejt të padurueshme, tragjike. Në Erdoganin e Turqisë ata shohin veten e tyre, prandaj edhe urrejta e Turqisë është urretje e vetës, e asaj pjese të vetës që reflekton këtë komponent të trashëgimisë islame, e që na është sjellur përmes Perandorisë Osmane. Të ndrydhur nga një arkivë e historiografise pa arkiva, e të ngarkuar me diskurs orientalist që ngritet mbi tulla të një primordializmi absurd e mitik, urrejtja e tyre ndaj këtij aspekti të personalitetit të tyre në trashëgiminë kulturore të shqiptarëve eksternalizohet në turkun si objekt i urrejtjes. Tani që Turqia është duke u udhëhequr nga një parti me program politik ku islami luan një rol më të madh se sa ka luajtur në të kaluarën jo të largët të pushteteve që hyjnizonin Ataturkun dhe mbronin një sekularizëm jo-liberal me armë të ushtrisë, urrejtja e këtyre vetëm sa vie e intensifikohet. Suksesin ekonomik të Turqisë e lexojnë si rrezik potencial ndaj tyre. Kjo urrejtje e tyre nuk merr parasysh as faktet evidente se si me ardhjen e Erdoganit në pushtet Turqia ka marrë hapa të mëdhenj drejt zhvillimeve ekonomike. Ata po ashtu zhvillojnë një politike kulturore konservative, por kjo nuk është diçka që është sui generis për partinë e Erdoganit. Një numër i madh i partive konservative nëpër Evropë kanë politika të ngjajshme me këto të Erdoganit sidomos në planin familjar, por edhe atë ekonomik. Kritika nacionaliste, megjithatë, dallon një çikëz prej dy kritikave të mëparshme në atë që kjo së paku ka një përmbajtje që nuk është tërësisht e varur nga erërat që fryejnë në Perëndim. Por e pavetëdishmja e kësaj nuk dallon aspak prej të pavetëdijshmes të dy formave publike të kritikës ndaj Erdoganit dhe Turqisë.

Kur Erdogani, dhe qeverija e tij, kritikohet për politikat e tij ekonomike dhe financiare, investimet në Kosovë, kritikë kjo tepër me vend dhe, do të thonim, e vetmja kritikë që është kuptimplote në relacionin tonë me Turqinë, edhe kjo kritikë shpejt e shpejt degjenerohet në moralizëm dhe ku(l)turalizëm që ska fare të bëjë me politikat agresive neoliberale të shtetit Turk karshi Kosovës dhe Ballkanit. Shtrirja neoliberale e Turqisë me agresivitetin karakteristik të neoliberalizmit kuptohet vetem si perpjekje për të arritur një qëllim tjeter, atë të një lloj hegjemonie kulturore. Por kjo nuk është e vërtetë. Ata nuk janë të interesuar të përhapin islamin tek shqiptarët sepse shumica e shqiptarëve tani më vetëm janë mysliman, por janë të interesuar në atë që është i interesuar çdo kapitalist tjetër i mirëfilltë: janë të interesuar në biznes. E kjo është vetë objektivi e jo instrumenti për ndonjë objektiv tjetër i thurrur në diskursin publik në terma konspiracionistë. Si çdo formë tjetër e neoliberalizmit, në pakon e tij, si bonus, sjellë edhe McDonalld-izimin apo Doner-izimin në tregun e (pa)barabartë të të sjellurave. E vetmja kritikë që fillon drejt humb synimin dhe ja huq krejt kot, duke u shndëruar kështu në një ku(l)turalizëm që nuk bindë përveç partizanëve të cilëve ju drejtohet. Humbja e kahjes është evidente në vlerësime të tilla si: më mirë Merkeli i Gjermanisë të investojë në Kosovë se Erdogani i Turqisë, më mirë geschäftsmänn-et gjerman sesa ”tuxharet oriental”. Kuptohet që edhe kjo kritikë, që fillon mirë por që pastaj bëhet viktimë e paragjykimeve ndaj turqëvë, humb rëndësinë dhe peshën e saj si kritikë e mirëfilltë. Krejt në fund, brengosëse për këtë grupë nuk është përdhosja e pasurive të Kosovës, eksploatimi i punëtorëve të saj, privatizimi i pronës së përbashkët, por fakti që këtë po e bën turku e jo gjermani.

Kjo do të thotë se ne ende nuk kemi zhvilluar një kritikë të mirëfilltë ndaj Turqisë dhe politikave të saj neoliberale ndaj nesh. Një kritikë, pra, që nuk i është bërë Erdoganit është ndjekja agresive e tij e sistemit ekonomik neoliberal, e një diskursi atësor e agresiv qe karakterizon diskursin e përgjithshëm të atyre që kanë fuqinë e blerjes e që substancialisht duhet kritikuar duke vënë në shënjestër atë si fenomen thuajse i përgjithshëm i neoliberalëve që mësyjnë blerjen në Kosovë. Ai kritikohet sepse është konservativ, u përmbahet disa vlerave islamike në familje e që pastaj mundohet t’i përhapë përmes formave të ndryshme të indoktrinimit në tërë shoqërinë Turke, por harrohet se, në instancë të fundit, nuk është feja e Erdoganit që determinon politikën e tij të jashtme por suksesi i tij ekonomik përbrenda Turqisë.

Ne jemi për një kritikë të hapur, të sinqertë dhe parimore, një kritikë të tipit që do t’i bëhej, kur t’i bëhet ndonjëherë, ndonjë vendi Perëndimor. Përndryshe, të gjitha këto manifestime të kësaj kritike nuk tejkalojnë pragun e klithmave histerike të adoloshenteve rrebelues.

About albphilosopher

Sead Zimeri has studied Philosophy, Islamic Philosophy and Religion, International Politics and Psychoanalysis. He is currently the project coordinator of "Islam and the Liberal Society" at the Liberalt Laboratorium (LibLab) thin tank in Oslo, Norway. http://www.liblab.no
This entry was posted in Kosova, Turqia and tagged , , . Bookmark the permalink.

One Response to Erdogani në të pavetëdijshmen politike kosovare

  1. alfonci05 says:

    Pershendetje,

    Ju pergezoj per analizen e shtjelluar, edhe pse gjej pothuajse asgje ne perberje te saj me te cilen pajtohem.

    Ju arsyetoni se rrenjet e reagimeve qendrojne mbi tre shtylla; islami, evropa dhe nacionalizmi. Argumentueshem te gjitha jane te arsyeshme, por nuk pajtohem me shpjegimin tuaj.

    Nder te tjera ju thoni: “Ata nuk janë të interesuar të përhapin islamin tek shqiptarët sepse shumica e shqiptarëve tani më vetëm janë mysliman, por janë të interesuar në atë që është i interesuar çdo kapitalist tjetër i mirëfilltë: janë të interesuar në biznes.”

    Ju keni te drejte te vini interesat ekonomike si elemnti kyc. Por ju harroni te nenvizoni rolin e ekonomise ne rritjen e ndikimit, dhe padyshim shtrirjen e tij ndersa kjo peshe rritet. Sikur ju te keni parasysh tre gjera, rolin e ideologjise islame ne qeverine e Erdoganit, nostalgjine per Turqine Osmane dhe deshiren e tyre per te shtrire ndikimin e tyre nepermjet fese si ne Ballkan ashtu edhe ne Lindjen e Mesme mbase do te kishit arritur ne nje perfundim me te shendoshe por edhe me te pranueshem.

    Ne si komb s’kemi pse te mbajm urrejtje ndaj Turqeve. Ne fakt, urrejtja nuk eshte pjese e kultures tone kombetare. Por kemi c’do arsye per te kundershtuar sjelljet e tyre diplomatike, por edhe te shqiptareve qe thurin elozhe pushtimit Osman, cilesoj Turqine si mbrojtes te interesave tona kombetare apo edhe te shkojne aq larg sa te bejne lista te te mirave dhe dobesive te Turqeve dhe fqinjeve te tjere vetem per te arritur ne perfundimin se cili eshte me pak i keq. Kjo merr nje pamje edhe me tragji-komike kur mbrojtja e imazhit te Turqeve apo fqinjeve te tjere kthehet ne personale dhe individe te caktuar kerkojne te mbajne ndezur pishtarin e vlerave te tyre kombetare apo historike ndaj nesh.

    E jo rralle feja eshte nje nder motivet kryesore per kete. Ju duket se s’po ben shume dallim ne shume aspekte. Eshte fakt i njohur qe Turqia kerkon qe te shtrije ndikimin e saj ne Ballkan. Ministri i Jashtem i Turqise, Devatoglu e shpjegon kete me se miri ne librin e tij shoqeruar me fjalime te ndryshme, nder me te dalluarit ai i mbajtur ne Sarajeve ne vitin 2009. Nese prezenca e peshes ekonomike u jep atyre mundesine te jene te pranishem, Islami ju jep atyre nje mundesi per te ndikuar jo vetem ne ekonomi por edhe ne shoqeri. Jo me kot, ndikimi i Turqise eshte i padallueshem kur behet fjale per sektorin e ekonomise mes Serbise dhe Shqiperise. Por kur ndikimit kulturore i hidhet nje veshtrim kjo ndryshon ne menyre rrenjesore. Kjo shihet qarte ne interesin e Ankarase per ndertimin e xhamive, per ndertimin e shkollave Turke ne Shqiperi, per ndertimin e lidhjeve fetare etj. Per te mos u harruar eshte fakti qe ai viziton xhamine ne cilesine e kreut te shtetit sa here qe viziton Kosoven. Kjo ka vetem nje mundesi leximi, e ai eshte interestimi dhe ndikimi me ane te fese qe Turqia ka mbi shqiptaret. Kerkesat e Turqise zyre per te ndryshuar librat shkollore eshte nje ofendim i rende ku njeri nuk eshte e nevojshme te jete jo-musliman per te reaguar. Kushdo qe lexon rilindasit, apo pushtimin e vuajtur e di mire shijen e rende te kesaj kerkese.

    Nga ana tjeter nuk eshte Evropa. Jemi vete ne shqiptaret qe kerkojme distancimin nga Turqia. Orientimi yne historik, i vlerave tona shoqerore e morale na drejton vete nga Evropa. E benim kete edhe kur levizjet qe ju permendni nuk egzistonin, e kjo jo nga zhvillmi por nga nevoja. Perpjekjeve te grupeve te ndryshme per te mbajtur shqiperine nen Osmanet, perpjekjeve te disa te tjereve qe ne te perdornin alfabet arab, perpjekjeve per te Haxhi Qamilit per tu vene nen qeverisjen e “babes” apo edhe me te vona sic ishin kerkesat e perfshirjes se muxhahadineve ne mesin e UCK-se, ne ju jepi pergjigjur perpara se partite anti-turke egzistonin ne evrope.

    Nuk eshte as urretje, as keqkuptim e as nacionalizem qe te kerkohet qe Erdogan dhe Turqia te kene mardhenie te mira me Shqiptaret, por kjo brenda korrnizes se respektimit te ndersjellte. Nese Turqia don te bejne biznes, Erdogan nuk ka pune ne xhamite shqiptare, nese duan mardhenie te mira, le te ndertohen keto mes partneresh dhe jo mes perpjekjeve per te ndryshuar njeri-tjetrin, historine e tyre apo per te ndertuar ura te panevojshme me cilesime si “vellezer” e “baballare.” Ne jemi komb me i vjeter se Turqit gje qe e ben te pamundur qe ato te jene baballaret tone. Ne jemi te ndryshem me to, gje qe e ben vellazerimin tone te pamundur. Ne kemi histori komplekse, sic edhe e cilesoni ju, prandaj eshte e paudhezueshme qe te merren me historine politikane te tille. Ne jemi te ndare ne bindjet tona fetare, prandaj eshte e panevojshme qe ai te ndikoje ne fete tona. E mbi te gjitha, ne jemi shtet laik, e kryetari i shtetit apo qeverise nuk mund te mbaj ane asnje feje.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s