Potenciali subverziv i Partisë së Fortë

Sead Zimeri

Një nga arritjet e mëdha të politikës kosovare pas pavarësisë së vendit është themelimi i Partisë së Fortë. Kjo parti, me kryetarin e saj, Visar Arifaj, dhe shumë nënkryetarët e saj, është përpjekja më serioze për të ndërmarrë një larje hesapesh (settling of accounts) me politikat aktuale. Pas pavarësisë, karakteristikë qenësore e skenës politike kosovare ka qenë dështimi i çdo projekti emancipues politik, dhe dalja në skenë e partive që kërkonin të normalizohen dhe të bëhen pjesë e rendit ekzistues politik. Kosova ka patur një lëvizje deri diku me orientim të majtë politik, Vetëvendosjen, por ky orientim nuk zgjati shumë. Dy faktorë që e ndryshuan natyrën dhe kahjen e saj ishin: etja për pushtet, për t’u bërë pjesë e ’commonwealth’-it të korruptuar parlamentaresk dhe, dy, kjo më e rrezikshmja, nacionalizmi. Këto dy prirje lehtë të kombinueshme ndërruan kahjen dhe natyrën e Lëvizjes së një politike emancipuese. Situata edhe ashtu e zymtë dhe e pashpresë, thellësisht tragjike, e futur në një tunel të pafund dhe pa vizion mbeti, njëjtë sikur te fqinjtë e saj, pa asnjë lëvizje përparimtare që do të përfaqësonte interesat e vërteta të kosovarëve.  

Në këtë perspektivë e vështroj daljen në skenë të Partisë së Fortë. Kjo është një ngjarje e vërtetë politike, dhe jo vetëm në Kosovë por edhe në Ballkan. Gabimi më i zakonshëm i politikave të djathta është se ato këmbejnë politikat afatgjata me ato afatshkurta. Nacionalizmi është një shembull i shkëlqyeshëm që më së miri ilustron politikat afatshkurta. Një mendësi me prirje empirike do të duheshte ta pranonte se në Ballkan nacionalizmi përherë ka qenë fuqi destruktive, shtypëse dhe jo emancipuese. Edhe kur një nacionalizmi nuk i është dhënur mundësia të okupojë territore të tjera dhe të shtypë banorët e saj, shprehjet folkorike përbuzëse (merr parasysh se si ne shqiptarët i kemi trajtuar dhe ende i trajtojme romët, madje edhe kur duam ta ofendojmë dikë e cilësojmë si maxhup) si dhe politikat denigruese dhe diskriminuese ndaj komuniteteve tjera janë dëshmi se një politikë e tillë është e ngritur mbi bazamente që qëndrojnë në ajër dhe që mund të shemben dhe të shkaktojnë shpërthime me pasoja katastrofale. Kjo ndodhë për shkak të shkurtpamësisë së çdo lloj politike partikulariste dhe nacionaliste.

Partia e Fortë është parti politike e vërtetë, nëse jo në metodat dhe mënyrat e zakonshme të partive politike tjera, ajo gjithsesi ndan qëllimet dhe synimet e politikës emancipuese. Partia e Fortë është parti emancipuese, që synon emancipimin e popullatës nga ideologjitë e partive dominuese që sot veprojnë në skenën politike kosovare.

Në konjukturën e sotme politike roli i saj është i dyfishtë: në njërën anë, Partia e Fortë përmes mënyrës së përtej-identifikimit me diskursin hegjemonik politik, krijon një çarje në ideologjinë dominuese. Në anën tjetër, përmes kësaj çarjeje në rendin ekzistues ajo krijon kushtet për përhapjen e ideve emancipuese. Për ta shprehur ndryshe të njëjtin mendim: roli i saj është edhe negativ edhe pozitiv. Në aspektin negativ, Partia e Fortë përmes përtej-identifikimit me ideologjinë dominante detyrimisht angazhohet në kritikë imanente të rendit ekzistues. Kjo kritikë është negative sepse roli i saj është primar në krahasim me kontributet pozitive të saja. Pa këtë rol Partia e Fortë do të ishte një parti si çdo parti tjetër që nuk i intereson aspak autonomia morale dhe politike si e vendit ashtu edhe e qytetarëve te saj, por pozicionohen në konjukturën e etabluar të rendit ekzistues dhe nuk çajnë kokën me krijimin e alternativave reale politike, me thellimin e diferencave që bëjnë dallime në rezultate e aq më pak janë të interesuara që të krijojnë hapësirë për thyerjen e tabuve ideologjike. Ana negative është hapi i domosdoshëm për krijimin e kushteve të daljes nga tuneli në të cilin na kanë futur partitë tjera, dhe që vazhdimisht punojnë që qytetarët të mos mund ta shohin dhe njohin realitetin për atë që është por ta paraqesin në imagjinarën e tyre si rrugë njëkahëshe.

Në këtë konjukturë politike ana negative e kontributeve të Partisë së Fortë është shumë më e rëndësishme se kontributet pozitive, sado të mëdha që të jenë ato. Dhe arsyeja ështe e thjeshtë: pa krijuar kushtet për krijimin dhe mirëmbajtjen e ideve dhe politikave emancipuese ështe e pamundur të bisedohet për implementimin e tyre. Edhe politikat emancipuese kërkojnë tokë të pjellshme dhe kushte për të ndihmuar zhvillimin e tyre. Kusht i domosdoshëm, ndonëse jo i mjaftueshëm, është të vënurit në dukje të kundërthënieve, paradokseve, dhe mospërputhjeve (inkonsistencave) të ideologjisë dominante. Ndonëse, për ta thënë hegeliançe, kontributi negativ tani më vetëm është kontribut pozitiv. 

 Tabutë politike dhe ideologjike të sistemit dominues është vështirë për t’i thyer përmes formave dhe metodave të zakonshme të kritikës – sepse ato vetëm sa e përforcojnë karakterin e jashtëm të kritikave të tilla, qofshin këto kritika ideologjike ose empirike, mjafton që të karakterizohen si idealistike në një botë me plotë kunderthënie që kritikat e tilla të delegjitimizohen në sytë e atyre që vetëm janë bërë subjekte të ideologjisë hegjemonike. Kurse pa bërë një çarje në vetë sistemin e ideologjisë dominante është iluzion të shpresosh se gjërat dhe situata e zymtë disi mrekullueshëm do të ndryshojnë për më mirë. Aty ku kritika normative akademike dështon, jo sepse ështe e gabuar, por sepse i atribohen qëllime idealistike të paarritshme, aty ndërhyn Partia e Fortë dhe në mënyrë krejt imanente, te brendshme, përmes përtej-identifikimit me rendin ekzistues, krijon çarjen të domosdoshme për depërtimin e ideve të politikave emancipuese, dhe njëkohësisht krijon kushtet që kritika akademike të ketë një lloj efekti mbi shoqërinë.

Forma e përtej-identifikimit me rendin ekzistues, nën këto kushte të veprimit, është mënyra e vetme për të bërë ndonjë ndryshim në rendin ekzistues. Përmes ironisë dhe sarkazmës Partia e Fortë nxjerr në shesh absurditetin e politikave dhe partive që udhëheqin me ato politika. Kjo është përgjigja ime ndaj skeptikëve të shumtë që mendojnë se Partia e Fortë nuk është parti serioze, sepse ajo përmes ironisë gati postmoderne mund të argëtojë, por nuk mund të sjellë ndryshime. Sot, parti argëtuese janë ato që mirren për serioze, sepse efektivisht ato jo vetëm qe nuk janë të interesuara të sjellin ndonjë ndryshim qenësor, por madje ato janë aty pikërisht për arsye që ndryshime të tilla të mos ndodhin. Partia e Fortë është parti serioze, jo pse ironitë dhe sarkazmat e saja nuk janë argëtuese, por sepse përmes argëtimit ironik dhe sarkazmës, si dhe marrjes serioze të ideologjisë dominante ajo thotë disa të vërteta që sistemi dominant dhe partitë politike që punojnë brenda atij sistemi do t’i linin jashtë qarkullimit dhe vëzhgimit publik.

 Përmes përtej-identifikimit me aktualen, e mbështetur në ironi dhe sarkazëm, Partia e Fortë bën të mundur, për herë të parë, në nivel të intervenimit politik partiak, vështrimin e situatës nga një perspektivë ku ndryshimi bëhet i mundshëm dhe i arritshëm. E pamundura bëhet e mundur. Dallimi mes Partisë së Fortë dhe të gjitha partive tjera në skenën kosovare është krejt formal, por edhe radikal. Çka e ndanë Partinë e Fortë nga të tjerat është pikërisht forma e qasjes së saj politike: përderisa partitë tjera me seriozitetin më të madh të bindin se çdo gjë mund të diskutohet dhe ndryshohet por jo edhe forma e politikës që bën ndryshimet e tyre të mundshme, Partia e Fortë na bën të ndjeshëm ndaj faktit se sa JOserioze janë partitë e etabluara në politikat e tyre. Serioziteti i tyre është maskë që ata e veshin për të  fshehur të qeshurat dhe talljet e tyre me ne. Kurse ironitë dhe të qeshurat sarkastike të Partisë së Fortë na mundësojnë të shohim përtej maskave të partive serioze. Ne jemi të vetëdijshëm për të qeshurat dhe talljet e tyre, por përderisa ato mbeten në errësirë, efekti i tyrë mbetet i panjohur. Partia e Fortë përmes përdorimit të ironisë dhe sarkazmës u jep formë publike të qeshurave dhe talljeve të tyre. Nuk është e mundur të lexosh, dëgjosh apo shohësh një intervistë të Kryetarit të Partis së Fortë dhe të mos shohësh në të talljet më sarkastike të partive serioze dhe njëkohësisht mënyrën se si mund të distancohemi dhe t’i bëjmë tërësisht joefektive të qeshurat e tyre. 

About albphilosopher

Sead Zimeri has studied Philosophy, Islamic Philosophy and Religion, International Politics and Psychoanalysis. He is currently the project coordinator of "Islam and the Liberal Society" at the Liberalt Laboratorium (LibLab) thin tank in Oslo, Norway. http://www.liblab.no
This entry was posted in Uncategorized and tagged , , , . Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s