Siria: mes përballjes së armiqve të brendshëm dhe atyre të jashtëm.

Sead Zimeri

Bindjet e mia politike janë bindje që në gjuhën politike të demokracisë liberale konsiderohen të jenë të majta. Ndonëse Alain Badiou e ka problematizuar këtë ndarje të politikës si ndarje që ka kuptim vetëm brenda një sistemi të veçantë të të bërit politikë – sistemit parlamentar (si të tillë edhe jo efektiv), unë do ta përdor pikërisht në kuptimin që ky term apo kjo ndarje ka në këtë grumbull të politikës bashkëkohore. Të jesh i majtë do të thotë shumë gjëra por kryesore mbetet marrja dhe mbajtja e anës së të përjashtuarve prej rendit ekzistues shoqëror, të shtypurve, të varfërve, të kolonizuarve, të atyre që u është bërë padrejtësi, të homo sacer-ëve; ata, pra, që mund të vriten por nuk mund të sakrifikohen, atyre që janë përjashtuar nga sfera publike dhe janë margjinalizuar për të vetmen arsye se konsiderohen të ndryshëm apo të tjerë.

Të jesh i majtë, pra, është të jesh në anën e të vërtetës, të barazisë, të drejtësisë dhe universalitetit, koncepte të ndërlidhura ngushtë me njëri-tjetrin. Të luftosh të kundërtat e këtyre vlerave sepse ato krijojnë kushtet dhe ambientet ku aspiratat e njeriut për të jetuar i lirë dhe në liri shtypen me dhunë. Dhuna fizike dhe ajo jo fizike janë karakteristika që shoqërojnë pandashëm çdo sistem që ngrihet mbi parime që mohojnë vlerat e ngritura mbi parimet e lartëpërmendura. Çdo parim apo vlerë që nuk mund të inkuadrohet këtyre vlerave fundamentale do të luftohet. E vërteta dhe universalja janë, pra, boshti i çdo politike emancipuese dhe çdokush që i mbron këto dy parime ndjek dhe bën politikë emancipuese.

Kjo do të duhej të ishte ajo që e karakterizon të majtën. Fatkeqësisht, unë nuk jam më i sigurtë nëse të majtët sot mishërojnë parimet e politikës emancipuese. Në fakt nëse merren parasysh qëndrimet e të majtëve ndaj Sirisë do të shohim se ata nuk janë më ata që epitomizojnë idealet që përshkrova më lartë. Përkundrazi, të majtët janë ndër shpërfillësit më të mëdhenj ndaj parimeve që mishërojnë të vërtetën dhe universalen. Të majtët sot, me shumë pak përjashtime, janë mbyllur në qëndrime rrënjësisht dogmatike dhe jo-emancipuese. Që prej ndërhyrjes së Natos në Ballkan, të majtët kanë marrë qëndrim krejt irracional kundër çdo lloj ndërhyrjeje në çështjet e brendshme të ndonjë shteti, pa marrë parasysh se çfarë ndodh brenda kufijve të atij shteti.

Madje, nëse merret ndonjë vendim për të ndaluar hovin kriminal të ndonjë sulmuesi të brendshëm që vret e pret qytetarë të pafajshëm e që në të shumtën e rasteve janë pikërisht ata që në kohë paqeje vuajtën shtypjet dhe trysnitë e qeverisë, që edhe i detyroi të kryengrihen dhe të marrin armën për të krijuar kushtet për një jetë në liri dhe barazi; këta të majtë do të organizojne protesta e demonstrata për të mbrojtur të drejtat e një tirani apo diktatori që nuk e ka aspak problem t’i shkelë të drejtat e atyre që guxojnë ta kundërshtojnë për të kërkuar për të jetuar në liri dhe barazi.

Madje, sikur protestat dhe demonstratat kundër ndërhyrjes të mos mjaftonin, ata (të majtët) flasin për sovranitetin e shtetit që do të sulmohet nga forcat imperialiste. Dhe tërë këtë bisedë kundër ndërhyrjes do ta përfundojnë me një shprehje të keqardhjes për viktimat që do të rezultojnë të tillë për shkak të ndërhyrjes ushtarake.

Këta morën anën e Millosheviçit gjatë luftërave në Ballkan dhe sot janë duke marrë anën e Asadit ne Siri. Këta ngrenë parrulla dhe sllogane për solidaritet me popullin e Sirisë, që jo vetëm qe mbetën parrulla të zbrazta dhe boshe, por në fakt, luajnë edhe rolin e maskimit të dy çështjeve me rëndësi të madhe për kuptimin e drejtë të qëndrimeve politike të së majtës. Përmes solidarizimit këta të majtë ende dëshirojnë të komunikojnë me shtresat e shtypura dhe proletare të vendeve të tyre. Është luftë që zhvillohet në nivel të imazheve, dhe që detyrimisht duhet të fitohet. Por kjo luftë mund të fitohet vetëm nëse shoqërohet me luftën tjetër, atë materiale dhe vizionare.

Çfarë maskohet në këtë solidarizim është e vërteta: të majtët më nuk qëndrojnë për atë që ata publikisht proklamojnë. Ekziston një çarje ndërmjet asaj që thonë, dhe asaj për çka qëndrojnë. Çështja tjetër që maskohet është: të majtët nuk kanë kurrfarë vizioni politik për një të ardhme ku dhuna siç e njohim sot, bëhet çështje e të kaluarës.

Të majtët, pra, kanë përvetësuar parime që ata do të duhej të luftonin. Ata janë parimisht kundër çdo ndërhyrje ushtarake sepse, sipas tyre, këto janë ndërhyrje imperialiste dhe i shërbejnë vetëm interesave të imperializmit. Ky është dogmatizmi i tyre. Nuk ka aspak rëndësi nëse një ndërhyrje e tillë ushtarake ndodh për të ndaluar një imperialist tjetër vendor që me çdo kusht dhe çmim kërkon skllavërimin e atyre që kërkojnë të jetojnë në liri. Ky është provincializmi dhe partikularizmi i tyre, pamundësia për të marrë qëndrim kritik dhe racional ndaj parimeve të tyre të mbështetura në formë dogmatike. Ky provincializëm i bën këta të majtë reaksionarë dhe jo përparimtarë, pasi thjeshtë nuk është e mundur të përvetësohen parime reaksionare dhe të deklarohen se zhvillojnë politikë përparimtare. E njëjta gjë përsëritet kur këta përdorin si argument kundër ndërhyrjes ushtarake çështjen e sovranitetit të shtetit. Nuk bën të ndërhyhet sepse një ndërhyrje e tillë shkel sovranitetin e shtetit të synuar për sulm. Për të majtët sot, këto dy parime qëndrojnë mbi çdo parim tjetër. Pa marrë parasysh se çfarë bën një imperialist vendor kundër popullit të vet; pa marrë parasysh numrin e viktimave të tij, dyndjen e popullatës, shkatërrimin e infrastrukturës së shtetit, shoqërisë civile dhe instituciondve dhe rrjeteve tjera jo formale; ndërhyrjes së shteteve imperialiste, të vetmet që kanë mundësitë dhe kushtet për ta ndaluar imperialistin më të vogël e që nuk u jepet ngjyra e gjelbërt.

Imperialisti i vogël le të bëje ç’të dojë, le të kërkojë ndihmë prej cilitdo imperialist tjetër të vogël, le t’ua bëjë jetën të padurueshme dhe le t’i skllavërojë, t’i përdhunojë dhe masakrojë sa të dojë këta njerëz. Të gjitha këto dhe më shumë, nuk janë arsye të mjaftueshme për të ndërhyrë dhe ndryshuar balancin e forcave. Kë efektivisht janë duke mbrojtur të ashtëquajturit të majtë, sot? Sigurisht që këta të majtë nuk kujdesen për kostot njerëzore, për idealet e lirisë dhe barazisë, për pasojat që një mos-intervenim do të ketë në formimim e kushteve për margjinalizmin e mëtejeshëm mes dhunës dhe shypjes të atyre që do të duhej të ishin aleatë natyrorë në luftën kundër shtypjes dhe eksploatimit imperialist.

Unë nuk e besoj që ata kujdesen për njeriun apo të drejtat e tij. Në fakt ata kanë futur kokën në dhe, nuk ngrenë as zërin e protestës dhe nuk pranojnë përgjegjësi as morale e as politike për faktin se edhe ata mbartin përgjegjësi për politikat koloniale të vendeve të tyre në kohë paqeje atëherë kur çdo gjë duket se është duke funksionuar si duhet por që në realitet vetëm se është një gjendje e shtyrjes së shpërthimit eminent të konfliktit dhe më pastaj edhe luftës.

Këta të majtë rrallë e ngritën zërin e protestës kundër qeverive të tyre, qeverive që krijuan dhe mbështetën diktatorë nëpër vende të ndryshme të botës, kur dihej se një mbështetje e tillë, një ditë, detyrimisht do të eskalonte dhe do të përfshinte në vorbullën e konfliktit edhe ata që kishin ndihmuar në krijimin e situatës së tillë; dhe se kur do të eskalonte një gjendje e plotë lufte, do të ishte ikje nga përgjegjësia jo vetëm morale por edhe politike nëse në vend të ndihmës do u kthehej shpina. Qëndrimi anash është po ashtu marrje e një ane, atë të dhunuesit dhe shkelësit të çdo të drejte të njeriut. Për një të majtë të këtillë nuk kemi nevojë as sot e as që kemi për të patur nevojë ndonjëherë. Ndoshta margjinalizmi i tyre është plotësisht i merituar.

Miku im, shkrimtari dhe revolucionari sirian Khaled Khalifa në një status të tij në rrjetin social Facebook, që më pas iu botua në disa gazeta me emër botëror, përfshirë edhe -New York Times- tha se ai ishte kundër ndërhyrjes ushtarake të SHBA-së. “Diktatorët sjellin pushtuesit, ky është një fakt i padiskutueshëm. Pushtuesi kurrë nuk solli liri për popullin dhe ky është një tjetër fakt që ne nuk duhet të harrojmë,” tha Khalifa.

Këto janë dy të vërteta të pakontestueshme dhe nuk e kam ndërmend që t’i kontestoj edhe pse Khalifa në mënyrë implicite i ka kontestuar vetë këto të vërteta: Diktatorët sjellin pushtuesit, dhe nësë kjo është e vërtetë atëherë e vërteta e dytë humb rëndësinë e vet, pasi që e vërteta e parë funskionon si premisë e të vërtetës së dytë. E vërteta e dytë është e vërtetë vetëm në sajë të të vërtetës së parë. Megjithatë, problemi nuk qëndron në kontestimin e këtyre të vërtetave por në ate çka fshihet pas këtyre të vërtetave. Gjithashtu, si sirian dhe revolucionar, ai ka të drejtë të mbajë cilindo qëndrim që i duket atij i arsyeshëm. Shkrimtarë të tjerë sirianë kanë marrë qëndrime të kundërta nga ky i Khalifa-s. Ajo çka fshihet pas këtyre dy të vërtetave është një e vërtetë tjetër, ajo më e vështira për t’u gëlltitur, por që nuk do të dorëzohet vetëm pse të tjera të vërteta mundohen të kërcejnë mbi të vërtetat e heshtura.

Dhe një e vërtetë e heshtur është kjo: sado që pushtuesi nuk sjell liri, vetë fjala pushtim e bën të pamundur lirinë, por këtu nuk bëhet fjalë për çështje të lirisë kundër pushtimit, por për çështje të ndalimit të hovit marramendës të një diktatori, i cili merr ndihmë nga pushtues tjerë që fshihen pas tij e që ia mundësojnë atij mbijetesën dhe e bëjnë largimin e tij prej skenës politike, praktikisht të pamundur. Populli e sjell vetë lirinë e vetvetes, askush tjetër nuk e bën të lirë atë. Dhe sirianët kanë dëshmuar për plot dy vite e gjysmë se ata janë më se të gatshëm të sakrifikojnë çdo gjë për t’ia arritur qëllimit.

Një nga objektivat e kësaj lufte është largimi i kryetarit politik dhe familjes së tij nga skena politike. Ndihmat e ofruara nga Irani dhe Rusia janë duke e bërë të pamundur rrëzimin e tij. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë kësisoji: jo vetëm që gjakderdhja nuk do të ndërpritet, por njëkohësisht kërcënohen shtetet përreth si dhe interesat gjeostrategjike të fqinjëve tjerë, për të mos folur për interesat e një superfuqie si SHBA-të. Vazhdimi i situatës ne këtë formë është thjesht i patolerushëm.

Ç’do të ndodhë me Sirinë nëse kësaj situate nuk i jepet një zgjidhje? A do të krijohen kushte edhe më të mëdha dhe më të thella për formimin e grupacioneve ultra-radikale që do të dërgonin Sirinë në Mesjetë? Nuk mundet që a priori të përcaktohen dëmet e një ndërhyrjeje: ndoshta situata do të keqësohet, por ndoshta edhe do të përmirësohet. Ndoshta viktimat do të shtohen por ka gjasa që ato dukshëm të pakësohen. Sido që të jetë, është e pamundur të lihet situata të vazhdojë në këte formë, me ketë ritëm të gjakderdhjes, masakrimit, përdhunimit, shkatërrimit të infrastrukturës dhe zhvendosjes se miliona njërëzve nëpër vendet fqinje apo edhe më larg.

Ndaj nuk e shoh të arsyeshëm qëndrimin e atyre individëve që janë katandisur kundër një ndërhyrjë të SHBA-së në Siri. SHBA-ja dhe aleatët e saj nuk do të sjellin lirinë për sirianët, por ata janë në gjendjë të ndryshojnë rrjedhën e kësaj situate tërësisht të zymtë dhe në dukje, pa rrugëdalje.

About albphilosopher

Sead Zimeri has studied Philosophy, Islamic Philosophy and Religion, International Politics and Psychoanalysis. He is currently the project coordinator of "Islam and the Liberal Society" at the Liberalt Laboratorium (LibLab) thin tank in Oslo, Norway. http://www.liblab.no
This entry was posted in Uncategorized and tagged , , , , . Bookmark the permalink.

One Response to Siria: mes përballjes së armiqve të brendshëm dhe atyre të jashtëm.

  1. Lindi says:

    Thelbi i politikes se shprehur eshte me se i qarte dhe permendet vete si akademikisht i pakontestueshem. Shume bukur pjesa e logjikes shkencore te implikimit te fakteve, se si nje dukuri shoqerore sjell tjetren.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s