Rënia e Vellazërisë Muslimane në Egjipt: Revolucioni i papërfunduar

Sead Zimeri 

Ngjarjet e fundit në Egjipt – rrëzimi i kryetarit Morsi, ndërhyrja e ushtrisë, dhe në përgjithësi situata tejet e pasigurtë – ka bërë një numër të madh të analistëve dhe “ekspertëve” politikë të prognozojnë, në mënyrë alarmante, për kthimin në pushtet të oligarkëve të vjetër të periudhës së Mubarakut, dhe rrjedhimisht, dështimin e revolucionit. Disa prej tyre, madje kanë shkuar aq largë sa t’i mohojnë karakterin revolucionar të kryengritjes së vitit 2011, e cila e detyroi kryetarin e atëhershëm, Hosni Mubarak, të dorëzojë pushtetin. Nuk është revolucion, thonë këta analistë, sepse po te ishte, ai do ta ndryshonte tërësisht rendin ekzistues. Fakti që ushtria ka të njejtin rol dhe është po aq e fuqishme si në kohën e Mubarakut, dëshmon se revolucioni ishte i dekafeinuar, revolucion pa revolucion: mbretit koka nuk ju pre dhe si rrjedhojë, fantazma e tij vazhdon të mbijetoje si një faraon i pavdekshëm në imagjinatën kombëtare, prej ku edhe ushtron pushtetin e tij të errët, siç e pershkroi një gazetar në The New Yorker. Rrjedhimisht, bukur dhe mjeshtërisht, ky shpjegim arrinë t’i ikë konspiracioneve të tipit “ushtria është prapa kryengritjes së popullit”, apo, ai më i përhapur në botën arabe, ndonjë agjent zionist i Izraelit. Unë mendoj që pikërisht këtë, prerjen e kokës, janë duke e bërë revolucionarët tani; më saktësisht, duhet prerë më  shumë koka, para se situata të stabilizohet.

 

Sido që të jetë, ky shpjegimi është bindës vetëm për ata që paraprakisht kanë vendosur të vendojnë postulatet ideologjike të tyre para kërkesave që imponohen nga situata konkrete e revolucionit, si dhe për ata që mbeten në nivel të analizave abstrakte, siç është rasti i atyre që i përmbahen parimit “mënyra e vetme për të sfiduar kutinë e votimit është përmes kutisë së votimit”, siç u shpreh Khaled Abou El Fadl në një intervenim të tij. “Mënyra e vetme” të jep të kuptosh se populli (me popull kuptoj masat revolucionare) nuk ka të drejtë ta ndërrojë udhëheqjen politike të vendit, pa marrë parasysh politikat e tyre, deri sa t’iu kalojë mandati. Ata mund të protestojnë, por nuk mund të kërkojnë dorëheqjen e udhëheqjes sepse me këtë ata kryejnë një akt hereti të pafalshëm në sistemin demokratik. Ata mund të kërkojnë çka të duan, por nuk mund të vëjnë në pyetje, apo edhe t’i suspendojnë rregullat e funksionimit të demokracisë. Paradoksi qëndron në atë se, përderisa rregullat dhe procedurat përmes të cilave përkufizohet demokracia institucionale janë përtej pezullimit, populli që është, apo duhet të jetë, fundamenti i këtyre rregullave mund të pezullohet pa u cënuar aspak integriteti i sistemit demokratik. Demokraci e kulluar procedurale – pa popull. Dhe, natyrisht, kjo është demokracia që i duhet kapitalizmit, forma ideale e hegjemonisë së tij. Kjo do të thotë se sovraniteti në demokraci nuk është i popullit, por i ligjeve dhe rregullave të sistemit demokratik. Në emër të ruajtjes së demokracisë, populli suspendohet dhe shpartallohet, kurse pezullimi i proceduarave të demokracisë deklarohet si i pamundshëm.

 

Në situata revolucionare, zbatimi i parimit ”mënyra e vetme për të sfiduar kutinë e votimit është përmes kutisë së votimit”, në mënyrë dogmatike mund te sjellë pasoja katastrofale për revolucionin. Në situata normale ku shoqëria funksionon relativisht mirë, zbatimi i këtij rregulli është, në njëfarë mënyre, i domosdoshëm për ruajtjen e stabilitetit të sistemit dhe mirëqenies shoqërore. Situatatat revolucionare, megjithatë, janë situata të hapura, situata të eksperimentimit me ide politike, që edhe dërgojnë në gabime kolektive, të cilat duhet të përmirësohen menjëherë, sepse në të kundërtën, mund të dërgojnë në vetëvrasje kolektive. Nga kjo perspektivë, zgjedhja e Morsit mund të konsiderohet një gabim kolektiv. Sigurisht që idealet e revolucionit janë të qarta, por politikanëve që u besohet misioni i zbatimit të tyre, nuk mund t’u besohet verbërisht, pasi që nuk ekziston përputhje e plotë mes idealit dhe metodave që vendosen për realizimin e tyre. Zbatimi jo-kritik i parimit të largimit të një qeverie në kutinë e votimit, mund të aplikohet, pra, në situata normale jo-revolucionare, ku populli nuk është i agjituar dhe nuk frikësohet se shoqëria që do të rezultojë, do të jetë shumë e ndryshme nga ajo në të cilën jetojnë. Mosintervenimi i popullit në këto rrethana do të ishte dështim moral dhe politik, madje do të ishte vetëvrasje kolektive, prandaj edhe thyerja e këtij parimi është brenga më e vogël e shoqërise revolucionare. Një aspekt tjetër, është se shoqëritë revolucionare nuk janë shoqëri demokratike të mirëfillta, pikërisht sepse janë revolucionare, prandaj thyerja e këtij parimi nuk është mëkat revolucionar. Kur shoqëritë revolucionare kalojnë në fazën post-revolucionare, kur tranzicioni është i plotë, apo së paku është bërë një rrugëtim i gjatë drejt stabilizimit të marrëdhënieve politike, dhe është arritur një lloj konsensusi për modelin e shoqërisë, atëherë mund të kërkohet që populli të respektojë kontratën shoqërore. Në mungesë të arritjes së kësaj kontrakte, nuk ka kurrfarë kuptimi që populli revolucionar të fajësohet dhe të mbahet përgjegjës për moszbatimin e rregullave të demokracisë.   

 

II

 Periudha e sundimit të Vëllazërisë Muslimane në Egjipt përfundoi. Ndonëse mënyra perfundimit të tyre ishte e keqe, rënia e tyre ka qenë vetëm çështje kohe. Nuk ishtë çështja nëse do të bien prej pushtetit, por kur do të bien. Një nga arsyet kryesore, në fakt vendimtare, që bëri VM-në të fitoje zgjedhjet, ishte: mungesa e alternativave të tjera, sidomos të majta, që do të ofronin një vizion të kundërt nga ata dominues, djathtistë;  ndërsa, opsioni tjetër, ai i regjimit të vjetër, ishte thjeshtë i papranueshëm, pasi që ai reprezentonte në mënyrën më flagrante, jo vetëm kontinuitetin e sistemit të vjetër, por edhe mohimin e revolucionit. Së paku kështu përceptoheshte në momentet e hershme të perfundimit të fazës së parë të revolucionit. Në këtë situatë të pa-alternativë, VM-ja prezentonte zgjidhjen më të mirë prej dy të këqijave. Ata i fituan zgjedhjet, pra në një situatë tërësisht konfuze. VM-ja megjithatë humbi shansën dhe momentin që i’u dha pas revolucionit, sepse ata nuk arritën të mishëronin idealet e revolucionit për barazi dhe liri. Në fakt, disa nga vendimet e tyre politike të marrura gjatë kohës së sundimit të tyre, ishin aq shumë kundër frymës revolucionare, sa që nuk kishin si të interpretohen ndryshe përveç se si qëndrime kundër-revolucionare.

 

Vëllazeria Muslimane sigurisht që mund të kthehet përsëri në pushtet, por nëse kthehet, ajo do të kthehet me një diskurs politik të reformuar që do të jetë më shumë inklusiv, dhe më pak konfrontues. Qeverisja e VM-se ishte e shkurtër, por e mjaftueshme për të marrë një përvojë të domosdoshme për të kuptuar dallimin mes të qenurit opozitë dhe pozitë. Pa marrë parasysh sa konzervatore apo djathtiste është ideologjija e VM-se në opozite, askush nuk do te dalë në protesta dhe kryengritje kundër tyre, për qëndrimet e tyre politike. Kanë patur rastin të shohin në praktikë se gjërat ndryshojnë shumë kur përgjegjësia e udhëheqjes së shtetit bie në duar të tyre. Në opozitë, ata kanë mundur të flasin ç’të duan, të predikojnë cilindo sistem politik që ju pëlqen, qoftë edhe atë që hapurazi diskriminon grupe apo individë të veçantë, që i përkasin ndonjë konfesioni apo edhe interpretimi tjetër të Islamit. Deri sa ata ishin në opozitë, dhe nuk kishin pas vetë fuqinë e shtetit, rreziku i tyre doktrinor sado i madh të ketë qenë, është përmbajtur dhe kontrolluar nga aktorët shtetëror dhe qytetar, kurse interpretimet e tyre sado konservatore dhe përjashtuese të grupeve të caktuara janë diskututar si çështje doktrinore dhe hermeneutike sipas rregullave të diskutimeve civile.

 

Megjithatë, kur një ideologji si kjo e VM-se merr pushtetin në duart e veta, atëherë gjërat ndryshojnë dukshëm. Tani më tjetri nuk është vetëm një tjetër figuartiv apo abstrakt, por një tjetër konkret, që reziston, që kërkon t’i njihet dhe respektohet e drejta e tij politike, t’i njihet diferenca, një tjetër që ka premisa tjera politike nga VM-ja. VM-ja ka bërë përpjekje të ushtrojë jo vetëm një hegjemoni politike por edhe metafizike mbi egjiptianet, t’u imponojë një mendim, apo një interpretim konzervativ të Islamit. Por, jo të gjithë, siç doli në pah në protestat e tyre kundër VM-së, ndanin të njejtën bindje politike dhe metafizike të VM-së. Përkundrazi, laramania dhe heterogjeniteti i bindjeve politike, u dëshmua të jetë aq i shtrirë në shoqërinë egjiptiane, sa që përpjekja për të krijuar një shoqëri në imazhin homogjen të VM-së, ishte i dënuar të dështojë. Madje, ky dështim nuk është vetëm politik, por edhe metafizik. Dështimi i VM-së dëshmoi se ajo kishte nevojë që ta mendojë edhe njëherë (dhe kësaj radhe në formë rigoroze dhe kritike) metafizikën mbi të cilën e mbështet diskursin e vet politik. Ata ende operojnë me koncepte politike të trashëguara nga një traditë që vuan prej akumulimit të madh të së pamenduarës. Sido që të jetë, është bërë dukshëm qartë se ata me ideologjinë dhe konceptet bazë të politikës së tyre, nuk qenë në gjendje të ofronin një alternativë reale që do të akomodonte ndryshimet dhe sfidat me të cilat ballafaqohet Egjipti modern.

 

Thuhet qe revolucioni, herët a vonë, i vret bijtë e vet. Shumë analistë, siç e përmenda edhe më lartë, me përlotje na perkujtojnë se Morsi ishte kryetar me legjitimitet demokratik (fitoi 51% te votave). Ata, megjithatë, nuk na përmendin arsyet pse i gjithë ky popull kërkoi dorëheqjen e tij të parakohshme. Pse kjo pakënaqësi popullore? Çka bëri Morsi që tërhoqi mllefin popullor kundër vetes? Egjipti i revolucionit është një shoqëri jo-stabile, një anije që përplaset sa andej, sa këndej, prej valëve ideologjike të ndryshme, që nuk kursejnë mjet ose mënyrë për të marrë timonin në duart e tyre. Dështimi i qeverisë së Morsit nuk është aq shumë faji i Morsit dhe VM-së, sa është i situatës revolucionare. Morsi mund të akuzohet dhe të mbahet përgjegjës vetëm për naivitetin apo arrogancën e tij politike, për fantazinë se mund ta drejtojë Egjiptin revolucionar, pa pasur as edhe një ditë përvojë në udhëheqjen e pushtetit. Prandaj, ata që përdorin demokracinë, me një qëndrim kryenaltë dhe mospërfillës, si carte blanche për të denoncuar si protestat, ashtu dhe protestuesit, nuk kuptojne situatën dhe gjendjen revolucionare në Egjipt. Ne mund t’u shesim mend egjiptianëve, mund t’u themi se ende nuk e kanë kuptuar se si funskionon demokracia, etj, etj, por fakti mbetet se nuk është e mundur që ky tranzicion të bëhet aq lehtë, sa po pandehin demokratët e përbetuar të Morsit. Nuk mund të kërkohet nga egjiptianët të qetësohen, apo siç e tha Tarek Fatah, një shkrimtar tjetër i djathtë, në Huffington Post, me përbuzje, të kenë durim: Egjiptit nuk i duhet kryetar i ri, por durim, tha ai. Jo, egjiptianëve nuk u duhet durim, por ai na duhet neve jashtë Egjiptit, që mundohemi pa e kuptuar aspak situatën, t’u japim leksione për virtytet e demokracisë.

 

Egjipti qëndron lakuriq brenda një stuhie të madhe e përplasur gjithandej nga forcat e vendit dhe ato të huaja. Moralizimet në kohëra të turbullta janë të lira, por stabilizimi i situatës kërkon përvojë dhe pjekuri politike, që i mungonin VM-së plotësisht. Edhe pse objektivisht duhet të jetë e qartë se kushdo që ta marre timonin suksesi i drejtimit të anijes nuk varet vetem nga ai apo ajo. Pa pajtuar për një kontraktë shoqërore që do të skiconte modelin post-revolucionarë të shoqërisë egjiptiane, dhe kjo mund të marrë disa vite, trazirat do të jenë pjesë natyrore e progresit të shoqërisë egjiptiane. Prandaj, edhe pse nuk më pëlqen aspak mënyra se si u pezullua presidenca e Morsit, nuk e konsideroj ndonjë tragjedi kush e di sa të madhe për Egjiptin. Kurse krahasimet që po i behen me qeveritarë të tjerë, si për shembull ai që Robert Fisk bën mes Morsit dhe Bushit, i cili po ashtu kishte vota te pakta, apo Kameronit të Britanise jane krahasime të pavend dhe mashtruese për së paku dy arsye:

 

1)    Çka e bën një krahasim të këtillë të pakuptimtë është fakti që situatat ndryshojnë aq radikalisht sa mund të flitet për dy botëra të ndryshme. Rasti i Egjiptit nuk mund të krahasohet as me protestat në sheshin Taksim në Istanbul ku kërkohej dorëheqja e kryeministrit Erdogan. Turqia është vend stabil, me një zhvillim të madh ekonomik dhe traditë më të gjatë demokratike. Por, dallimi kryesorë qëndron në atë se as Turkija, e as SHBA-të apo Britania nuk janë të zënura në situata revolucionare. Është situata revolucionare ajo që determinon politikat dhe protestat më shumë se fakti i respektimit të rregullave të demokracisë institucionale.

 

2)    Në situatë të hapur revolucionare, demokracia, apo zgjedhja në mënyrë demokratike e qeverisë, nuk prezenton legjitimitetin absolut të pushtetit. Edhe nëse pushteti ka legjitimitet demokratik ai mund t’i mirret nga revolucionarët. Në Egjipt revolucioni është akti themelues i demokracisë, instanca më e lartë e legjitimitetit, ajo që i jep legjitimitet demokracisë dhe ajo që ja merr atë legjitimitet. Përderisa situata është plotësisht e hapur revolucioni dë të përbëjë autoritetin përfundimtarë të politikës. Nuk ka autoritet më të lartë në këtë instance. Nuk duhet të romantizohet demokracija e drejtpërdrejtë por efektiviteti i tij në ndalimin e erozionit të lirive të qytetarëve është i padiskutueshm.

 

Situata është tërësisht e hapur dhe zhvillimet e mëtutjeshme janë krejt të paparashikueshme. Mund të zhvillohen në të gjitha drejtimet. Ndërhyrja e ushtrisë në punët e qeverisjes politike është poashtu përpjekje për të rrëmbyer revolucionin, por me këtë ata vetëm sa e kane destabilizuar situatën më tepër. Nuk ekziston garanci ontologjike se kahja që dë të marrë zhvillimi i shoqërisë do të jetë pozitive sikur që nuk ekziston garanci se ajo do të jetë negative. Por përderisa populli është vigjilent dhe i gatshëm të dalë në shesh për të mbrojtur revolucionin, e vetmja garanci e revolucionit, atëhere ka shumë pak arsye për t’u brengosur për fatin dhe ardhmërinë e shoqërisë post-revolucionare.   

 

About albphilosopher

Sead Zimeri has studied Philosophy, Islamic Philosophy and Religion, International Politics and Psychoanalysis. He is currently the project coordinator of "Islam and the Liberal Society" at the Liberalt Laboratorium (LibLab) thin tank in Oslo, Norway. http://www.liblab.no
This entry was posted in Uncategorized and tagged , , , . Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s