Përvijime të një (mos)marrëveshjeje

Sead Zimeri

Marrëveshja e arritur së fundi në Bruksel, mes Serbisë e Kosovës, për sa i përket statutit të Kosovës dhe të drejtave të minoritetit serb në Kosovë, është cilësuar ndjeshëm si një arritje historike dhe një rrugëdalje nga ngërçi politik. Negociatat nga të dyja qeveritë kanë vazhduar prej disa kohësh, pavarësisht protestave që i shoqëronin të dyja palët. Vendosmëria për të zgjidhur çështjen e Kosovës dëshmoi të ishte e fortë dhe t’u mbijetonte kritikave.

Megjithatë, ç’lloj marrëveshjeje është arritur? Gjatë leximit të kësaj marrëveshjeje, është e pamundur të mos konstatohet se si kjo e fundit është ndërtuar mbi premisa të gabuara. Pamohueshmërisht disa anëve pozitive që marrëveshja mbart e që në mënyrë të pakushtëzuar duhet të miratohen, në tërësi ajo mbetet negative, sidomos, për sa i përket mënyrës së të reflektuarit të politikës në terren.

Pozitiv është fakti se Serbia më në fund duket t’i ketë rënë në të njohjes së shtetit të Kosovës e paçka se publikisht ende vazhdon ta mohojë këtë fakt, duhet theksuar se nuk mund të diskutohet e ardhmja e minoritetit serb në Kosovë, nëse kjo marrëveshje nuk është ndërtuar në supozime të forta për sa i përket (tashmë, a një të ardhmeje jo të largët) njohjes së Kosovës, si një entitet ligjor i pavarur; pra, një shtet sovran. Rrjedhimisht, për të gjitha arsyet e qëllimet, Serbia e ka njohur Kosovën. Ky është një hap i madh drejtimit të duhur.

Një tjetër fakt pozitiv, pavarësisht njëanshmërisë kuptimore, (duke qenë se mund të shihet negativisht nga ana e Serbisë) është se pavarësia e Kosovës, shërben si një mënyrë e të ngririt të ambicieve të nacionalizmit serb mbi idenë e Serbisë së madhe. Serbia e madhe mund të vazhdojë të jetojë në folklorin serb, por si një ambicie politike është e penguar përgjithmonë. Serbia mund të hedhë sytë nga një e ardhme vetëm në brendi të territorit të tanishëm që gëzon. Ambiciet ultra-nacionaliste të saj, janë rrënuar përgjithnjë.

Nuk duhet mohuar, megjithatë, se pavarësia e Kosovës shërben si katalizator i shpërthimit të ndjesive të pafuqisë e inferioritetit të diskursit nacionalist serb në arritjen e objektivave të dëshiruara si rezultat i kësaj pavarësie, duke bërë humbjen e Kosovës shumë më traumatike se ç’do ta bënte tjetërsoji. Kosova është fakt traumatik për Serbinë, jo vetëm pasi njëherë e një kohë ishte pjesë e Serbisë, “djepi i kulturës serbe” si dhe diskursit nacionalist serb i pëlqen të besojë, por pasi efektivisht dhe përgjithmonë, delegjitimoi dhe thërrmoi ideologjinë ekspansioniste serbe. Pavarësia e Kosovës, madje, ka shpartalluar ëndrrën nacionaliste serbe njëmijë copash duke ndarë një pjesë të konsideruar si djepi i Serbisë. Diskursi nacionalist serb, ka ëndërruar për shumë më tepër dhe është detyruar të pranojë shumë më pak nga çka aktualisht pati. Për këtë, ky lloj diskursi nuk ka për ta falur kurrë Kosovën.

Ky aspekt i Kosovës nuk është konsideruar asnjëherë si një faktor relevant politik; por edhe nëse nuk është politikisht relevant, është, sidoqoftë, relevant analitikisht për arsye se ofron një kontekst që ndihmon në të kuptuarit e politikës aktuale, ku marrëveshjet kanë ndodhur, dhe ku Serbia ka refuzuar njohjen e Kosovës, si një shtet të pavarur. Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, e lë Serbinë të vajtuar, ku plaga e hapur ngjall kujtime të dështimit të saj në realizimin e ëndrrës nacionaliste mbi Serbinë e Madhe. Dhe fakt i dështimit të projektit serbomadh, s’do të ishte veçse një popull (shqiptarët pra) që nuk është konsideruar kurrë gjëkafshë dhe interesi për të cilët ka ndodhur vetëm në raste përkthimi në realitet dëshirash uzurpuese e për çdo gjë tjetër, po ky popull ka prezantuar tjetrin toksik që duhet mbajtur larg vetes.

Por, gjatë të menduarit mbi këtë marrëveshje, nuk mund të mos ngrihet pyetja nëse Serbia do ta pranonte marrëveshjen nën të njëjtat kushte? Përgjigjja do të ishte një oshtimë jo-je! Serbia nuk do të pranonte kurrë atë ç’ka dëshiron që Kosova të pranojë, e arsyeja se përse nuk do të dëshironte të pranonte ndonjërën prej kushteve të kësaj marrëveshjeje është e thjeshtë: pranimi do të kontradiktonte parimin e sovranitetit të shtetit serb. Shqiptarët të cilët janë një mazhorancë në jug të Serbisë, nuk gëzojnë të njëjtat të drejta dhe privilegje që Serbia kërkon për minoritetin serb në Kosovë.

Një tjetër aspekt negativ i marrëveshjes është se ajo bazohet në një supozim përçmues, se shqiptarët e Kosovës nuk mund në të vërtetë të respektojnë të drejtat e serbëve në Kosovë; se shqiptarët e Kosovës nuk mund të respektojnë të drejtat e minoritetit serb, pasi nuk janë mjaftueshëm të civilizuar për të parë përtej etnitetit të tyre. Është interesante të vësh re se si diskursi nacionalist serb që kur Kosova mori autonominë e saj më 1974-ën, i ka portretizuar shqiptarët si nacionalistë me ambicie separatiste. Por, ndërkohë që shqiptarët e Kosovës kanë shfaqur ambicie separatiste e një shkallë nacionalizmi, kjo do të mund të kuptohej në një kontekst më të gjerë të të rezistuarit zaptimin de facto serb në Kosovë. Shtypja serbe ka nxitur nacionalizmin shqiptar në Kosovë për dekada me radhë dhe tanimë i grindet vajtueshëm faktit se Kosova i ka dalë jashtë duarve e territorit. Në të gjithë këtë sagë, Serbia vazhdimisht harron të përfshijë vetveten si një agjent aktiv që ka kontribuar në mënyrë direkte në ambiciet separatiste të shqiptarëve.

Megjithatë, mund të debatohet se duke marrë në konsideratë armiqësinë mes dy kombeve dhe konfliktin e përgjakur në histori jo më larg se thuajse vetëm një dekadë më parë, priret të tregohet një mirëkuptim për kërkesën se ushtria e Kosovës nuk do të shkelë në rajonet me mazhoritet serb.

Por në anën tjetër, nuk duhet anashkaluar fakti që Kosova është një shtet i pavarur që po përpiqet të përmbushë kushtet për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, ku ekziston një motiv i fortë dhe nxitës për këtë shtet të ri të sapothemeluar, që të respektojë e të sigurojë të drejtat e të gjitha minoriteteve në të.

Të krijuarit e enklavave dhe ndasive nacionaliste nuk është në interes të shtetit të Kosovës. Si rrjedhojë, marrëveshja de facto në qoftë se jo de juro, minon qëllimin e saj të deklaruar pasi nxit një politikë të bazuar në vija etnike dhe nacionaliste; një politikë e cila thellon më tej mosbesimin e ndërsjellë dhe dëmton bashkëpunimin qytetar mes serbëve dhe shqiptarëve.

Marrëveshja e arritur të krijon përshtypjen e të përqafuarit të një pozite realiste e të drejtpërdrejtë por në fakt është thjesht një realizëm dritëshkurtër. Mundet sigurisht të diskutohet se si Kosova është tashmë një shtet i bazuar në dominimin e një etniteti e duke qenë një shtet etnik në vetvete nënkupton një kërcënim ndaj etniteteve tjera, në këtë rast, serbëve. Nuk duhet harruar megjithatë që Kosova ndodhet në Ballkan. Nëse ajo si një shtet etnik do të ishte gjeografikisht e vendosur në pjesën tjetër të hemisferës perëndimore, ku etniteti nuk luan një rol të madh në politikë, atëherë do të ishte arritur në përfundimin se kërkesat serbe janë të pajustifikueshme e për pasojë mund të refuzoheshin në terma të shkeljes së principeve të sovranitetit.

Ky megjithatë nuk është një argument i vlefshëm. Ai nis nga supozimi i paprovuar se kosovarët nuk mund të shohin përtej etnitetit të tyre. Ky është një stereotipizim i rrezikshëm që apriori skualifikon këtë komb nga krijimi dhe arritja e një shteti, ku të gjithë qytetarët gëzojnë të drejta të barabarta. Përpara të legjitimuarit të stereotipit në mospërfaqësimin e të gjithë qytetarëve në mënyrë të barabartë e përpara të dënuarit me primitivizëm të Kosovës, kësaj të fundit i duhet dhënë shansi i të dëshmuarit të vetes. Efekti i kësaj marrëveshjeje, me frikë, mund të thuhet se do ta përforcojë stereotipin në fjalë e s’do ta shndërrojë Kosovën në tjetër gjë vecse në një laborator të të gjitha llojeve të politikave etno-nacionaliste.

Ekziston, megjithatë, një tjetër mundësi që në këto rrethana mund të duket më e vështirë për tu implementuar por që në terma afatgjatë mund të rezultojë shumë më tepër pozitive, gjithëpërfshirëse dhe protektive se çdonjëra prej masave që Serbia dëshiron të arrijë tani. Të investuarit mbi ndërtimin e besimit të thyer në këto komunitete është një rrugë shumë më premtuese drejt krijimit të një të ardhmeje të përbashkët sesa ç’ka Serbia dëshiron të negociojë në kurriz të serbëve në Kosovë. Nëse Serbia është vërtetë e interesuar në të siguruarit e të drejtave të njerëzve të saj në Kosovë, atëherë ajo duhet të insistojë që minoriteti serb të trajtohet si qytetarët të barabartë. Serbët e Kosovës duhet pikë së pari e mbi të gjitha, të prezantohen si qytetarë të Kosovës, si Kosovarë. Ky është identiteti i tyre i ri të cilin mund të mos e pëlqejnë por ky është një realitet i ri. Etnifikimi i politikës do të minojë jo vetëm besimin dhe marrëdhëniet dashamirëse që ndryshe do të zhvilloheshin dhe progresonin por sidomos, stabilitetin e shtetit.

Në një shtet modern, është nënshtetësia ajo që i garanton subjektit të drejtën e të kërkuarit të të pasurit të një trajtimi të barabartë, jo përkatësia etnike. Për aq kohë sa ky është parimi mbi të cilin funksionon shteti modern, nuk është një politike e gabuar përpjekja për të ulur politikat e bazuara në përkatësinë etnike. Shtetet multi-etnike nuk do të mund të funksiononin nëse çdo komunitet etnik do t’i paraprinte etnitetit të tij duke e deleguar atë përtej principit të kombësisë dhe nënshtetësisë. Ajo për të cilën Serbia po lufton në Kosovë, është të bërit të mundur të Kosovës një shtet disfunksional. i cili herët a vonë do të rrënohet.

Serbia dëshiron që edhe ta ketë edhe ta hajë tortën. Ajo mendon se duke ndjekur politikën e destabilizimit të shtetit të ri sovran, do të mund ta rifitojë Kosovën. Në çastin që efektet e nacionalizmit etnik dalin jashtë kontrolli, ato do të minonin aftësinë e shtetit të Kosovës që të funksionojë si duhet. Ato gjithashtu minojnë legjitimitetin e saj. Një shteti që vazhdimisht i duhet të justifikojë politikat e saj, jo në bazë të nënshtetësisë por në bazë të këtij apo atij grupi etnik, qartësisht nuk mund të transmetojë atë se çka pritet prej tij. Një shtet i tillë edhe nëse nuk shembet, nuk mund të konsiderohet një histori fitoreje. Dështimi është damkosur kudo në të, që në gjenezë të tij. Kjo është ajo çka Serbia dëshiron që të ndodhë në Kosovë. Kjo është ajo çka nuk mund të lejojmë të ndodhë.

Përktheu: Gresa Hasa

Publikuar: 27.04.2013, Zëri

About albphilosopher

Sead Zimeri has studied Philosophy, Islamic Philosophy and Religion, International Politics and Psychoanalysis. He is currently the project coordinator of "Islam and the Liberal Society" at the Liberalt Laboratorium (LibLab) thin tank in Oslo, Norway. http://www.liblab.no
This entry was posted in Uncategorized and tagged , , , . Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s