Universalja e plagosur

Sead Zimeri

Më 21 Mars të vitit 2013, në xhaminë ku ai ishte imam dhe ligjërues, në një atentat kundër njeriut të tij, u vra edhe dijetari e studiuesi i shquar sirian i shkencave Islame, Dr. Muhammed Said Ramada al-Buti (1929-2013). Përkundër që ishte në moshë të shtyrë, 84 vjeçare, ai ende ishte energjetik dhe prolifik, si në shkrime ashtu edhe në ligjërata. Për shumë vite me radhë Dr. Buti ishte profesor në univerzitetin e Damaskut, kishte ndjekës dhe nxënës të shumtë, mbase gëzonte edhe autoritet ndër mbarë muslimanët kudo që ndodheshin ata. Si udhëheqës fetar, ai kishte ndikim të madh në popullatën siriane dhe si rrjedhojë e kësaj respektohej edhe nga autoritetet e vendit. Ështe autorë i shumë veprave disa prej të cilave janë përkthyer edhe në gjuhën shqipe.

Vrasja e tij është një vepër dhune, padyshim fare e paarsyeshme, sidomos kur ajo vepër dhune, ndodhë brenda katër mureve të xhamisë, që do të duheshte të ishte vend tërësisht i mbrojtur prej veprimeve dhe vandalizmave të tillë. Vrasësit e Dr. Butit nuk janë dhe nuk mund të jenë revolucionarë që udhëhiqen nga ideale të larta dhe që kanë për qëllim transformimin shoqërorë prej diktaturës në një shoqëri të hapur dhe demokratike, por njerëz shpirtëngushtë që kërkonin hakmarrje për mbështetjen e tij të pakushtëzuar të pushtetit të Sirisë. Protestat paqësore që filluan në pranverë të vitit 2011 kanë lënë shumë dëshmorë dhe të vrarë nga të dyja palët. Askush nuk është i pafajshëm, do të kisha thënë. Ndërkaq, e vërteta është se shumë nga protestuesit dhe revolucionarët, duke përfshirë këtu edhe familjet, simpatizuesit dhe përkrahësit e tyre, si dhe çdokush që morri qëndrim pozitiv ndaj tyre, janë vrarë dhe masakruar, prej këtij pushteti. Faji, prandaj, nuk mund të ndahet njëjtë mes këtyre dy palëve. Njëri është agresor, sulmues që ka dhe papandehur vë në përdorim armë të sofistikuara, kurse tjetri qëndron gati lakuriq para këtij brutaliteti. Në këtë betejë, Dr. Buti mbështeti vrasësin kundër viktimës! Me mbështetjen e tij, ai ligjësoi dhunën e pushtetit kundër kryengritësve. Dr. Buti shkoi aq larg në mbështetjen e këtij pushtetit saqë i quajti revolucionarët “llum”. Ata që kërkonin të jetonin në liri dhe t’u respektoheshin të drejtat elementare të tyre, ata që në këtë kthesë të rëndësishme historike mishëronin idealet dhe aspiratat e lirisë dhe barazisë, Dr. Buti i konsideroi kriminelë që duhej të shtypen dhe rreziku i tyre të asgjësohej. Jo që pushteti i Sirisë kërkonte leje prej Dr. Butit për shtypjen e revolucionit, por ky qëndrim i tij e bën atë ideolog të këtij pushteti.

Nëse Dr. Buti, zëri i ndërgjegjes Islame, thotë se revolucionarët janë llum i shoqërisë, atëherë pushtetit i jepet liri e veprimit të pakufijshëm. Mbështetjen që ai i dha pushtetit të Sirisë e arsyetoi pikërisht me leximin e tij metodologjik të Islamit se kryengritja kundër udhëheqësit sovran musliman nuk është e lejuar pa marrë parasysh sa të rënda janë mëkatet dhe krimet e tij dhe se xhihadi duhet të bëhet me pushtetin dhe jo kundër tij. Muslimanët duhet të pranojnë në heshtje dhe me durim të plotë kamxhikun e udhëheqësit, sepse përndryshe shoqëria futet në gjendje të fitnes (një gjendje Hobbesiane e pa ligjësisë), një rrezik shumë më i madh se diktatura dhe tirania.

Nuk është e pëlqyeshme t’i kritikosh njerëzit që sapo kanë vdekur; sidomos nëse i ndjeri ka qenë dijetar i respektuar nga shoqëritë muslimane. E aq më tepër, kur i ndjeri është vrarë për shkak të bindjeve dhe besimit të tij. Askush nuk duhet të vritet apo persekutohet për bindjet e tija, qoftë edhe në kohëra të turbullta të rebelimeve dhe kryengritjeve popullore. As Dr. Buti nuk e ka merituar një vdekje të tillë. Megjithatë, vendimi i tij për të mbështetur pushtetin policorë të Sirisë duhet të diskutohet dhe të debatohet gjërë e gjatë për të parë se si arriti të marrë këtë vendim dhe si e arsyetoi atë. Nuk do të diskutoj veprën e tij shkencore këtu! Sigurisht që vepra e tij jo politike do të mbetet deri diku e pavarur prej politikës së tij. Them deri diku sepse tek njeriu si tërësi qenësore, dhe përderisa nuk është tërësisht skizofrenike, veprimet dhe qëndrimet politike nuk mund të ndahen prej punës dhe veprimtarive tjera. Qëndrimet politike të Dr. Butit janë të kushtëzuara prej veprës së tij “shkencore”. Thënë më saktë, vepra e tij politike nuk ndahet, nuk është tërësisht e pavarur, prej veprës së tij “shkencore” dhe metodologjike. Në librat si dhe në ligjëratat e tij, sidomos ato që ai i mbajti pas fillimit të kryengritjes, del dukshëm në pah se qëndrimi politik i tij është qëndrim që buron prej punës së tij “shkencore”. Është qëndrim që ai ka arritur si rezultat i punës dhe bindjes si dhe besnikërisë ndaj rezultateve prej asaj pune dhe rrjedhimisht i qasjes specifike që metodologjija e tij parashtron. Dr. Buti i përket një tradite në Islam që mëson se rebelimi kundër udhëheqesit sovran musliman është i ndaluar, pa marrë parasysh zullumin që ai shkakton. Vetëm kur udhëheqësi deklarohet haptazi se ai ka dalë prej Islamit, vetëm atëherë rebelimi kundër tij është i lejuar. Kjo traditë e “quietizmit” politik ka shërbyer interesat e udhëheqësve të dinastive muslimane, prandaj edhe ishtë bërë ideologji hegjemonike. Për Dr. Butin, ky është qëndrimi i Islamit ndaj kryengritjes. (Mund të diskutohet nësë Dr. Buti ka pasë të drejtë kur ai rënditi kryengritësit nën konceptin e rebelimit/banditërisë, mos ndoshta ai ka bërë gabim metodologjik që nuk mund të arsyetohet as brenda metodologjisë së tij, por kjo është çështje që nuk do të zhvillohet këtu).

Qëndrimi që Dr. Buti morri ndaj kryengritësve të Sirisë, ka njollosur veprimtarinë e tij intelektuale dhe ka hedhur dyshime mbi aftësitë e tij të gjykimit mendor pëgjithmonë. Problemi me këtë qëndrim, megjithatë, nuk është problem i gjykimit mendor, por problem strukturor i metodologjisë së tij, i fetishizimit të metodologjisë së tij, pasi që ai nuk qe në gjendje të bëjë një dallim sa elementar, po aq edhe të domosdoshëm mes historicitetit të diskursit të ligjeve të sheriatit, që detyrimisht marrin në konsideratë kohën dhe rrethanave ku ato zhvillohen, si dhe parimeve abstrakte që mishërohen në këto diskurse. Kjo përzierje e një formimi historik me atë që është jo historike, e absolutes me relativen dhe e universales me partikularen, ka bërë që një numër i madh i dijetarëve musliman të kundërshtojnë çdo ripërtrirje që del jashtë metodologjisë së tyre, të shikohet me dyshim apo edhe të diskualifikohet para se edhe të kuptohet mirë. Dëshmi për këtë është edhe reformatori konservatorë Tarik Ramadan kur flet diku për përvojën e tij me ulematë tradicional dhe vështirësitë që ai has në komunikimin e idesë së një metodologjije më fleksibile dhe më të hapur ndaj parimeve universale. Tani, të gjithë ata që e njohin sado pak punën e Tarik Ramadanit nuk do të mund të pohonin se ai është një nga ata reformistët qëllimi i të cilëve është ta “shkatërrojnë” Islamin prej brenda.

Puna dhe veprimtaria e Dr. Butit ka qenë dhe mbetet e zhytur në një metodologji që përkundër shtjellimit të hollësishëm të çdo pikëpamje të mundshme rreth jetës, të parashtrimit ligjor apo ligjësimit të çdo sfere të jetës, të diskutimeve të hollësishme të çdo pikëpamje të mundshme përfshirë edhe ato hipotetike, mbetet e verbër ndaj aspektit qëndrorë të dallimit minimal mes qëllimit, universales dhe partikulares, formës në të cilën universalja qëndron e brumosur. Metodologjija e tij, me një fjalë, mbetet metodologji mesjetare. Si metodologji mesjetare që përdoret në kontekste moderne ajo nuk është e paanshme, sikur që dëshmon edhe rasti i Dr. Butit. Anësimi i saj është pjesë e domosdoshme e integrimit të saj në kontekstin bashkëkohorë, është po ashtu shprehja më e shquar e pamundësisë së mendimit bashkëkohorë musliman që t’i thyej barrierat e mesjetes. Kjo pamundësi natyrisht nuk është gjë e rastit. Kultura dhe politika ku Islami bashkëkohorë ka ndërvepruar është despotike dhe tiranizuese që rrallë herë toleron mendimet e kundërta sidomos kur këto mendime bien ndesh me interesat e familjeve sunduese si dhe elitës politike dhe religjioze të një vendi. Incidente të shumta dëshmojnë këtë. Kur studiuesi egjiptas Nasr Hamid Abu Zajd (1943-2010) në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar botoi një libër kritik rreth metodologjisë së leximit të Kur’anit, ai shpejt e shpejt u shpall renegat, u shkurorëzua pa pelqimin e tij apo të gruas së tij nga bashkëshortja e tij dhe u kërcënua me vdekje. Abu Zajd u detyrua të largohet prej Egjiptit dhe të kërkojë strehim në Holandë. Kjo mendësi, apo kjo martesë e pushtetit dhe diskursit fetarë nuk ka qenë e rastësishme. Një numër i madh i dijetarëve musliman, për të mos thënë shumica e tyre, kanë konsideruar se sa të konsolidohet një pushtet pa marrë parasysh se si është arritur ai konsolidim, muslimanët janë të obliguar t’i nënshtrohen atij. Është e qartë se vendimet e tilla janë vendime të motivuara politikisht që dikur i kanë shërbyer klasës sunduese, në një kohë kur puçet politike kanë qenë krejt të zakonshme, ku tradita demokratike e zgjedhjes së pushtetit as që ka qenë menduar. Pa marrë parasysh se a janë të drejta këto vendime kur vështrohen prej perspektivës së normativitetit moral, ato mund të arsyetohen në një formë negative: mungesa e mekanizmave tjerë të marrjes së pushtetit edhe pse nuk arsyeton normativisht qëndrime të këtilla kushtet historike apo mungesa e disa kushteve historike bëjnë të kuptueshme marrjen e vendimeve të tilla. Por kur këto vendime mbarten nëkontekste me tradita politike tjera, me një ndjesi morale më të lartë dhe me institucione alternative që rregullojnë raportin mes qyetarëve dhe pushtetarëve, atëhere bëhet e qartë se arsyet që jipen për të arsyetur vendime të tilla nuk përmbushin kriteret e duhura që do t’i plotësonin kushtet e arsyes normative dhe ndjeshmërise morale si dhe rregullave etike universale.

Nuk ekziston periudhë historike që mund t’i mishërojë në tërësi idealet universale. Tërësi të tilla nuk janë tjetër përpos se fantazma të sunduesve dhe ideologëve të tyre. Kahja e njeriut për universalen mbetet e kushtëzuar prej rrethanave historike. Kushtëzimi historik është horizonti i mundësisë dhe njëkohësisht i pamundësisë së universales si të tillë. Kufijtë mes njërës dhe tjetrës janë fluide, ato duhet te ridefinohen vazhdimisht që të inkuadrojë të arriturat në mendim, kulturë dhe politikë. Lufta apo konflikti është mes këtyre dy fushave dhe konfliktet shoqërore janë po ashtu shprehje e kësaj disonance. Insistimi në partikularen, në formimin partikular të universales që detyrimisht bën njëjtësimin me universalen quhet osifikim (kockëzim) i traditës dhe mbyllje apo, më saktë, burgim i univerzales në një formacion të ngushtë dhe të ngurtë historik. Mbyllja e çarjes mes univerzales dhe partikulares, njëjtësimi i tyre, bën që univerzalja të mbyllet në një formë të kushtëzuar historike, dhe rrjedhimisht kur kushtet që kanë bërë të mundur këtë formë pushojnë së ekzistuari detyrimisht që edhe forma e tillë dëmtohet. Nëse kjo formë vazhdon të mbijetojë atëherë ajo mbijeton jo në saje të meritave të veta apo sepse është në gjendje të përmbushë kërkesat e kohës por se si e tillë ajo është në shërbim të ndonjë fuqie që ka interesa të mëdha ne mbrojtjen e saj. Problemi është se kjo mbrojtje e formës historike dëmton jo vetëm formën, që duhet të rrënohet, por dëmton edhe vetë universalen. Ne këtë rast mund të flitet për “plagosje të universales”.

Universalja plagoset kur ajo mohohet në emër të një formimi partikular historik që ka uzurpuar emrin e saj dhe imponon veten mbi periudha dhe kontekste tjera historike. Në përgjithësi, ekziston një konfuzion i madh rreth dialektikës së këtyre koncepteve. Partikularja, formimet partikulare, janë kusht i domosdoshëm i përmbajtjes së universales, por edhe i osikifikimit të saj, i varfërise së lirisë që posedon ajo. Universalja nuk mund të imponohet asnjëhërë mbi asnjë traditë. Kjo pamundësi është ontologjike, jo thjeshtë historike. Çdo imponim i saj që bëhet përmes dhunës është dëshmi se universalja tani më vetëm është e plagosur, dhe se kemi lënë terrenin e saj dhe jemi bërë pjesë e ndonjë formacioni partikular politik. Universalja nuk është shtypëse, me përjashtim kur ajo nuk është univerzale, kur ka marrë formë të vëcantë historike dhe si e tillë i refuzohet aspirata për të dalë prej saj. Në këtëkontekst imponimi i një tradite mbi një traditë tjetër qoftë edhe në të njëjtin kontinuitet historik është imponim i një partikulariteti mbi një partikularitet tjetër. Prandaj edhe dallimi mes univerzales dhe partikulares është me rëndësi të madhe. Një dallim i këtillë, jo vetëm që do të hapte shumë shtigje për diversifikimin e mendimit dhe pluralitetin e traditave Islame ajo gjithashtu do të bënte të dyshimte çdo insistim në një traditë të veçantë metodologjike si rruga e vetme për të kuptuar drejtë Islamin. Universalja për nga vetë natyra është plurale.

Ky rrugëtim historik është i domosdoshëm, për mos të mos thënë kyç, për të pahtësuar për raportin e Islamit dhe politikës siç paraqitet në veprimtarinë e Dr. Butit. Ai raport nuk është krejt i rastësishëm, por në masë të madhe përcaktohet prej të kuptuarit apo të moskuptuarit e tij të dialektikes së këtyre kategorive. Dr. Buti ishte i sinqerte në qëndrimin dhe vendimin e tij për të përkrahur pushtetin tiran të Asadit. Këtu edhe fshihet rreziku që përkrahja e tij ka paraqitur: përkrahjes së tij ai i jep jo vetëm ngjyrime të lehta Islame, por e bën atë pjesë të pandashme të Islamit prej të cilës muslimanët nuk duhet të devijojnë. Po të ishte një përkrahje taktike dhe oportuniste e bërë prej frikës atëherë ajo nuk do të prezentonte kurrfarë rreziku të tillë. Por sespse është përkrahje e sinqertë, përkrahje që buron prej thellësive të veprës dhe metodologjisë së tij ajo është e rrezikshme.

Duhet theksuar, pra, se në këtë konflikt, Dr. Buti morri anën e partikulares, të mbrojtjes së një tradite të ngurtë, që rrjedhimisht është edhe reakcionare, kurse kryengritësit jo që nuk janë llum i shoqërisë por janë zëri dhe psherëtima e universales që kërkon të lirohet nga trysnitë e padrejtësive në të cilat është mbështjellur dhe ngulfatur zëri i saj. Në botën Arabe universalja është në marshim dhe kërkim të një forme të re që do ta pushojë nga puna një pjesë të rëndësishme të Islamit të Dr. Butit. Prandaj edhe kryengritësit janë më afër idealeve të Islamit se zërat që mbrojnë traditën. Ata nuk kanë harruar se edhe vetë i Dërguari ishte një lloj “rebeli” kundër tiranisë dhe kundërshtarë i rendit ekzistues të atëhershëm.

Kjo mani pas partikulares bëri që Dr. Buti të humb shikimin dhe rrugën dhe të përfundojë në shtrat me tiranin. Për këtë ai duhet të mbahet përgjegjës. Dr. Buti respektohej në Siri nga populli që është ngritur kundër dhunës dhe tiranisë dhe sigurisht që mbështetja e tij do t’i jipte një kurajo të veçantë morale e revolucionit dhe revolucionarëve. Por ai nuk respektoi vullnetin e popullit të tij. Ai, përkundrazi, i dha kurajo dhe legjitimitet fetar një sistemi despotik dhe totalitarë që vret femijë dhe pleq, që përdhunon gra dhe torturon të burgosur. Ky pushtet vrasës nuk mund të arsyetohet dhe nëse një arsyetim i tillë mbështetet në një metodologji si kjo e Dr. Butit, atëherë ka ardhur koha që kjo metodologji të rishikohet dhe pjesërisht apo plotësisht të ndryshohet dhe të aktualizohet në formën që respekton dhe merr në konsideratë horizontin e të arriturave të modernitetit në fusha të politikës dhe të drejtave të njeriut.

About albphilosopher

Sead Zimeri has studied Philosophy, Islamic Philosophy and Religion, International Politics and Psychoanalysis. He is currently the project coordinator of "Islam and the Liberal Society" at the Liberalt Laboratorium (LibLab) thin tank in Oslo, Norway. http://www.liblab.no
This entry was posted in Uncategorized and tagged , , , . Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s