Ku është pavarësia e vërtetë?

 

Sead Zimeri

 

Skena filozofike kosovare, por edhe ajo shqiptare në përgjithësi, ka filluar të pasurohot me zëra filozofik vendorë. Ata që merren me filozofi janë të paktë, por kjo në vetvete nuk është ndonjë arsye e madhe për dëshpërim. Numri është i vogël, por kualiteti i atyre që shkrujnë është i mirë, dhe kjo është një dukuri pozitive, që tregon se filozofia është duke përjetuar një rilindje të vonshme, por të domosdoshme për trevat tona. Libri i sapo-botuar  i dy filozofëve, Slavoj Žižek dhe Agon Hamza, From Myth to Symptom: The Case of Kosovo,  është pa pikë dyshimi një hap i madh në mbylljen e kësaj mungese.  Është një kontribut shumë i rëndësishëm dhe i guximshëm intelektual, politik e filozofik, një intervenim në situatën e jashtëzakonshme në dhe të Kosovës. Për më tepër, momenti dhe vendi i botimit ka një rëndësi të madhe: Žižek dhe Hamza bënë një akt politik kur e refuzuan botuesin e madh dhe me renome ndërkombëtare, Columbia University Press. Ky refuzim është akt politik sepse 1) ata refuzuan ta trajtojnë Kosovën si periferi, por nëpërmjet këtij botimi, e shndërruan atë në qendër të akademisë, dhe 2) refuzuan të bëhen vetëm mall në tregun e pamëshirshëm kapitalist, që e ka kapluar edhe akademinë. E gjithë kjo epitomizohet në refuzimin që ata i bënë arrogancës së zakonshme perëndimore në raport me Kosovën dhe Ballkanin në përgjithësi.

 

Fillimisht, dëshiroj të flas për çështjen e ko-autorimit të këtij libri. Teza kryesore e këtij libri është se Kosova, me të gjitha problemet me të cilat ballafaqohet aktualisht është çështje primare politike, dhe se nuk është e mundur të formohet koncepsion i saktë i ngjarjeve që kanë ndodhur gjatë dekadave të fundit pa një trajtim politik të tyre. Madje, thënë më saktë, sot Kosova nuk mund të kuptohet nëse nuk vështrohet si çështje politike. Madje, nëse ky aspekt shlyhet apo anashkalohet, do të formonim një koncept dhe paragjykim të gabuar të Kosovës, sado qëllim mirë që mund të jetë një reprezentim i tillë. Zgjidhja e çështjes së Kosovës po ashtu është çështje politike.  Në këtë pikëvështrim, bashkëpunimi i Hamzës me Žižekun është bashkëpunim politik solidarizues mbi parime të qarta univerzale, që thyen barrierat nacionale dhe nacionaliste. Žižeku dhe Hamza janë dhe qëndrojnë shumë më afër njëri tjetrit, sesa rastet mes tyre dhe shumë bashkëkombasve të tyre. Politika është, pra, primare edhe këtu.

 

Tani, pyetjen që do ta shtroj, pyetje që gjen përgjigje të gjatë në libër, është se a është e mundur që kjo kamaraderi, kjo miqësi të bëhet pjesë e vetëdijes kolektive të Ballkanit si tërësi? Me një fjalë, a është e mundur që ky projekt dhe kjo miqësi të bëhet realitet mes kombeve dhe individëve në Ballkan? Kur Hamza dhe Žižeku parashtrojnë zgjidhjen e problemit të Kosovës si çështje politike, ata detyrimisht edhe ofrojnë solidaritetin politik si të vetmen zgjidhje të problemeve të Kosovës, por edhe Ballkanit si të tillë. Me solidaritet politik nënkuptohet diçka tjetër nga ajo që është bëtë e zakonshme në diskurset nacionale dhe nacionaliste të popujve të Ballkanit. Nacionalistët flasin për solidaritet, por solidariteti i tyre nuk është solidaritet politik, ai është solidaritet partikular etnik ose kulturor (një fjale krejt e pakuptimtë, por që mund të kuptohet si sinonim i etnicitetit). Ajo që na bashkon, na thonë ata, është gjuha, kultura dhe kombi. Lidhjet kombëtare dhe të kulturës kanë përparësi para lidhjeve tjera.  Është ky diskurs dhe veprim i partive politike që bën shumë studiues t’i trajtojnë shumicën e problemeve si probleme të kulturës, t’i mitologjizojnë problemet politike. Sepse mbetet fakt gati se i pakontestueshëm në tërë Ballkanin se politika që zhvillohet këtu është politikë e dekafeinuar, politikë pa politikë: politikë e privuar nga programi emancipues.  Edhe ndërhyrjet e partive politike mbeten në nivel të ndërhyrjeve  jopolitike, mbeten ndërhyrje policore, siç do të thoshte Ranciere.

 

Tani duhet të sqarojmë se çka nënkuptojmë me politikë të vërtetë. Përgjigja më e shkurtër që mund ta jap këtu është pikerisht ajo që ekzemplifikohet, realizohet në këtë libër: solidarizimi, bashkëpunimi dhe puna e ngritur mbi parime univerzale. Politika e vërtetë, ose e vërteta e politikës është e thjeshtë: kërkohen vetëm dy premisa. 1) Politika është ajo që  përherë dëshmon se secili vendim që është marrë në shoqëri, pa marrë parasysh konsekuencat që kanë lindur prej tyre, është në shërbim të disa ideve që, në këtë rast, i shërbejnë klasës sunduese. Me një fjalë, vendimet dëshmojne se ato mund të ishin ndryshe nga ç’janë tani, dhe natyrisht mund të evitohen dhe ndërrohen. Politika është kontingjente, por luan rol primar në determinimin e ardhmërisë së popullit. 2) Politika e vërtetë ngritet mbi parime univerzale. Nuk mund të ketë politikë të së vërtetës pa dimenzionin e universales, e kjo do të thotë se politika e vërtetë, apo aktorët e politikës së vërtetë janë të gatshëm të suspendojnë të gjitha partikularitetet që uzurpojnë univerzalen, për hirë apo në dëm të partikulares. Nuk është e mundur të flitet për politikë të së vërtetës pa këtë dimenzion: pa dimenzionin e univerzalës politika shndërrohet në jo-politikë, dhe fillon të flasë gjuhën e partikularitetit të një vendi të prononcuar, për të shtypur të tjerët që nuk i përkasin atij partikulariteti.

 

Libri, pra, është libër politik në këtë kuptim të fjalës. Jo vetëm që flitet se si Kosova është problem politik, por  në fakt, atëherë kur nuk flitet për politikë të tillë, atëherë kemi të bëjmë me maskime të llojllojshme ideologjike të problemeve politike.  Një nga këto maskime është pikërisht pavarësia, si dhe diskursi nacionalist si diskurs proteste në dhe për këtë pavarësi. Le ta ilustrojmë këtë përmes një leximi të tezës së zhvilluar prej Hamzës, në pjesën e tij të librit: të kalohet përtej pavarësisë.

 

Por, çka do të thotë të shkosh përtej pavarësisë? Si mund të kuptohet kjo tezë provokuese dhe intriguese e Hamzës? Teza kryesore e tij është se pavarësia nuk ka ndodhur, se  populli i Kosovës nuk është i lirë. Ende më saktë, pavarësia ka ndodhur, por kjo është ”pavarësi humanitare” siç e quan ai, pavarësi që ka mbetur e parealizuar në nocionin e saj. Nëse Kosova nuk është e pavarur, atëherë kush e sundon tani atë pas sundimit serb? ”Përtej pavarësise” lë të nënkuptohet se kjo pavarësi që ka fituar Kosova është pavarësi vetëm në emër, por jo e vërtetë në përmbajtje. Kjo duhet te kuptohet saktë: është kapitalizmi dhe agjentët e tij që janë duke sunduar. Dhe kapitalizmi ka krijuar kushtet për zhytjen në varfëri të gati të gjysmës së popullatës së Kosovës. Kjo situatë nuk është pa pasoja: si rezultat i zhvillimit një-dimenzional të kapitalizmit në Kosovë, në skenë është shfaqur diskursi nacionalist si forma më sublime e kësaj pakënaqësie. Një lloj revolte kundër situates aktuale. Si revoltë kunder situatës aktuale, ajo mbetet jo vetëm e kushtëzuar prej po kësaj situate, por për më tepër, ajo mbetet në stadin e negacionit të situatës, por jo edhe të tejkalimit të saj, sepse për arsye strukturore të domosdoshme nuk mund t’i tejkalojë kufijtë e situatës së tillë. Pa këtë kornizë të kapitalizmit dhe shtetit-komb, nacionalizmi thjeshtë do të ishte një diskurs inkoherent perverz. Prandaj edhe mbetet në stadin e negacionit, pa asnjë mundësi për të tejkaluar në atëtë negacionit të negacionit. Prandaj, edhe kritika e diskursit nacionalist nuk është në gjendje ta zhbëjë dominimin e kapitalizmit, sepse është parazitik mbi të.

 

Problemi i nacionalizmit shqiptar të Kosovës, i diskursit nacionalist si të tillë, është se ai operon me një diskurs kuasi-religjioz që na premton një të ardhme të ndritur kur të bashkohen shqiptarët në një shtet. Këtu duhet tërhequr vërejtjen në pikën e një perputhje në ide mes diskursit te Hamzës dhe atij nacionalist: edhe nacionalistët janë të vetëdijshëm se pavarësia nuk është e plotë; po të ishte e tille, nuk do të kishim nevojë për një pavarësi tjetër. Megjithatë, ajo që i dallon këto diskurse, është se përderisa Hamza kërkon që ta tejkalojmë këtë pavarësi të parealizuar në një pavarësi të plotë, duke refuzuar të bëhet peng i eksperimentimeve kapitaliste dhe neoliberale (koncept që Hamza e kritikon në tekstin e tij), pavarësia që kërkohet këtu është pavarësi qe nuk merr për fundament primar as kombin, e as kulturen, por politikën e vërtetë emancipuese. Në anën tjetër, diskursi nacionalist mbështetet pikërisht në këto dy fundamentet, si bazë për një pavarësi të plotë. Nuk ka se si të kuptohen ndryshe këto dy diskurse, përveç se si diametrikisht të kundërta, si negacione të njëri tjetrit: përderisa diskursi emancipues i Hamzës presupozon se një arritje e vërtetë e pavarësise fundamentohet në tejkalimin e këtyre partikulariteteve dhe lokalizmave tjera të ngjajshme, që sot identifikohen me pavarësinë e Kosovës, diskursi nacionalist kërkon ta zgjerojë edhe më tej atë, ta thelloj edhe më shumë të njëjtin hendek. Prej perspektivës së Hamzës, kjo duhet të tejkalohet, jo të zgjerohet. Kjo politikë do të dërgon edhe mëtutje në thellimin e kushteve të varësisë. I tërë kuptimi i tezës së Hamzës është se kjo pavarësi nuk ka ndryshuar asgjë në realitet. Siç thotë edhe Hamza, të vetmën gjë që Kosova ka trashëguar prej ish-Jugoslavisë është varfëria. Në realitet, dikontinuiteti për të cilin është folur e përfolur aq shumë, që prej shpalljes së pavarësisë nuk ka sjellë ndonjë ndryshim radikal në sistemin e riorganizimit të kushteve dhe marrëdhënieve të prodhimit, të krijimit të kushteve për tejkalimin e varësisë nga Serbia dhe shtetet tjera kolonialiste.

 

Ndoshta, ndryshimi i gjuhës së sunduesit luan rol në etablimin e kushteve të sundimit. Mirëpo, në fakt, kjo cilësi vetëm sa ia shton efektivitetin sundimit të tij. Ndjenjat e patriotizmit dhe nacionalizmit na bëjnë t’i mbyllim sytë para shumë gjërave, të cilat përndryshe nuk do t’i kishim toleruar në asnjë mënyrë. Por, kur sunduesit e shesin pasurinë e përbashkët, privatizojnë çdo gjë, implementojnë politika anti-popullore, hiq disapërjashtimë tejet të rralla, ne nuk mund ta ngrisim as zërin e një proteste, sado e vogël të jetë ajo. Hapësira publike tkurret ditë për ditë, dhe me të dhe si pasoje e saj, ajo që dështon është ideja emancipuese. Nuk ka ide të vërtetë emancipuese pa hapësirë publike. Këto janë disa nga simptomat e kësaj pavarësie, të cilat ky libër na kërkon t’i rimendojmë, me qëllim që ta shpëtojmë pavarësinë e vërtetë, si potencialitet politik. ”Përtej pavarësisë” është pavarësia e vërtetë.

 Image

About albphilosopher

Sead Zimeri has studied Philosophy, Islamic Philosophy and Religion, International Politics and Psychoanalysis. He is currently the project coordinator of "Islam and the Liberal Society" at the Liberalt Laboratorium (LibLab) thin tank in Oslo, Norway. http://www.liblab.no
This entry was posted in Uncategorized and tagged , , , . Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s