Islami i butë i moralizmit liberal

Sead Zimeri

Per arsye te shume keqkuptimeve dhe keqleximeve (i lexuar me mendje te mbyllur) qe i jane bere, po i perbledh shkurtimisht pikat qendrore te ketij artikulli:

1) Eshte kritike e nje diskursi ne rritje nacionalist qe dite e me teper eshte ne kerkim te agjenteve te brendshem dhe te jashtem per t’ua mveshur fajin e dezintegrimit te strukturave shoqerore tradicionale. Une mendoj se cdo kerkim i nje agjenti te ketille eshte i demshem dhe i gabuar si dhe maskon antagonizmat e vertete ne shoqeri. Prandaj, 2) Islami “radikal” nuk eshte ndonje problem i madh per shoqerite shqiptare: nuk eshte duke e percare shoqerine shqiptare sic po pretendohet. Eshte problem krejt margjinal. 3) Islami i ‘bute’ shqiptar nuk eshte mbi kritike. 4) Liberalet kosovare nuk jane liberal te vertete, por jane nen trysnite e “the gaze of the west”. Problemi ketu eshte se ata keqkuptojne edhe kuptimin edhe rendesine e kesaj “gaze”. 5) Edhe nacionalistet, si vehabistet, jane ‘radikal’ konservative. Sikur nacionalizmi, edhe vehabizmi eshte nje lloj terheqje ne vetvete, arratisje nga realiteti, pamundesi apo mungese e vullnetit per t’u ballafaquar jo me simptomat por me antagonizmat e vertete te shoqerise (nuk jane radikal por jane konservative, ne fakt) , nje mburoje prej dezintegrimit te struktures sociale. Dhe, 6) nuk jam duke i mbrojtur strukturat e vjetra, le te shemben te tera. Vetem po e shenoj se kjo ndodhe dhe nuk eshte rezultat i ekstremizmit islamik apo atij nacionalist shqiptar, keto jane vetem simptoma. Pikerisht per kete arsye nuk eshte e arsyeshme me ja mveshe fajin e ketij dezintegrimi dhe carje nje agjenti krejt margjinal, etj etj. Per ta thene me nje fjale troc: eshte kunder moralizimit te problemeve politike.

—————————

 

Duke lexuar shkrimin sensacional ”Çarjet në Fe Alarmojnë Kosovarët” m’u kujtua çështja se si shqiptarët e Maqedonisë, po edhe ata të Kosovës, gjatë viteve të 90-ta shtronin pyetjen e pavend: kush vjen më parë, kombi apo feja? Ose në variantin tjetër: a je shiptarë a musliman? Ishte pytje që tregonte më shumë për momentim politik aktual të atëhershëm, për kushtet dhe kontekstin e bërjes së mundshme të shtrimit të kësaj pyetje, si dhe diçka për vet psikologjinë e atyre që parashtronin këtë pyetje. Për mua, kjo ishte pyetje që menjëherë të jepte një tabllo për aftësitë intelektuale të pyetësit. Jo vetëm që ngaterroheshin konceptet dhe historia e koncepteve (gabim shumë serioz në fakt) por tregonte edhe për gjendjen tejet jo stabile te situatës politike.

Në filozofi do të thonim se pyetësi bënte një gabim në ngaterrimin e kategorive (category mistake). Religjioni është çështje tjetër prej kombit por natyrisht se edhe religjioni edhe kombi kanë diçka të përbashkët. E përbashkëta e tyre qëndron në faktin se të dyja mund te politizohen dhe të vendohen në shërbim të kësaj apo asaj ideje. Për më tepër, kjo pyetje tregonte se sa të humbur ishim gjatë atyre viteve, sa mungonte një emancipim intelektual dhe politik, se politika nga e cila udhëhiqeshim ishte politikë e verbër e shtyre nga nje frike e zhdukjes se qenies shqipëtare ose asaj muslimane. Pasi që shumica e atyre që shtronin këtë pyetje ishin nacionalistë që, me arsye, frikësoheshin për të ardhmen e kombit dhe qenies së tyre kombëtare, kërkonin medoemos që kombi të marrë një prioritet ontologjik në raport me religjionin. ‘Jemi shqiptarë, e pastaj muslimanë’- jo se ndryshonte dicka në aktualitetin e veprimtarisë dhe jetës politike apo përditshmerisë së jetës të katandisur pas ekzistences, por diktumi i nacionalizmit këmbëngulshëm kërkonte që të identifikohemi si shqiptare, para se te identifikohemi si musliman.

Parë në një këndvështrim ndryshe, kjo ishte një zgjidhje absurde: as nacionalizmi e as islamizmi (në kuptim se çdo përdorim i fesë për çshtje politike është islamizëm) nuk ishin zgjidhje, andaj edhe e vetmja mënyrë e shprehjes së lirisë ishte t’i refuzoje te dyja. As njëra dhe as tjetra: qëndrim autentik në kohëra te vështira dhe të mbushura me frikë është të refuzosh të bëhesh pre e një loje të tillë. Atë çka kërkonte nacionalizmi shqiptarë i asaj kohe nga shqiptarët, qoftë edhe vetëm formalisht, ishte konformizëm i plotë, jo disidencë dhe përdorim të arsyes kritike. Nuk mjaftonte të qenurit shqiptar, por duhej deklaruar në debate publike dhe private qenësia shqipare dhe krenaria e të qenurit shqiptarë, dhe se feja e shqiptarit është shqiptaria.

Në kushte të tilla, edhe pse nacionalizmi shfaqet si ideologji unifikuese, me insistimin e tij irracional mbi kombin dhe kombësinë alienonte pjesë të popullates që ishin po ashtu shqiptarë por që nuk deshironin të bënin nje zgidhje të tillë mes besimit të tyre dhe kombësisë së tyre; të dyja ishin sikur amor fati; të lindur edhe shqiptare, edhe muslimanë. Mirëpo, për nacionalizmin e atëhershëm nuk kishte dallime mes kombit si komb dhe nacionalizmit si ideologji. Ky politizim i kombit, qe ndryshe quhet nacionalizem, sado i kuptueshem të ishte ateherë, është e qartë sot, se ishte i dëmshëm.

Tani feja nuk paraqiste kurrfare rreziku ndaj kombit; ishte një nacionalizëm tjetër agresiv që donte të na mposhte, por jo feja pa marrë parasysh se sa radikal praktikuesit e saj ishin. Pse pra ngrihej kjo pyetje kur dihej se feja nuk ishte armiku i kombit? Pse duhej të debatohej për një cështje që nuk ekzistonte, për një ide fixe që nuk ishte madje as ëndërr e fanatikëve? Pikërisht për të mbuluar faktin se nacionalizmi nuk ishte zgjidhje e kurrfarë problemit, por ishte vetë problemi që duhet të zgjidhet.

Në këtë perspektivë duhet të lexohet edhe shkrimi sensacional ”Çarjet në Fe Alarmojnë Kosovarët”. Autorja, gati-gati ka shkruar për ta mbuluar faktin se Kosova ka dështuar si shtet në realizimin e një ardhmërie dinjitoze për qytetarët e saj, ka dështuar në përpjekjet për t’u bërë demokratike e liberale si duhet. Ky dështim shtetëror kërkon kamuflazhe dhe arsyetime.

Nuk kalon diët ku ekstremizmi islamik nuk denoncohet për rreziqet që paraqet për kombin dhe shtetin. Xharra kthehet në zëdhënëse të konformizmit të ri liberal nacional kosovarë. Sot si dje, kërkohet konformizëm politik. E nuk ka si te kuptohet ndryshe kjo!? Në artikullin e lart përmendur, Xharra na prezanton një tabllo trishtuese mbi zhvilimin e diskursit nacionalist dhe se sa pak ka ndryshuar vetëdija nacionaliste edhe pas krijimit të shtetit të pavarur. Nje grup i vogël i muslimanëve kërkokan disa të drejta, të cilat paskan ”bezdisur” shumë njerëz me ”botëkuptim” laik dhe si rezultat i kësaj ata meritojne mllefin e liberalëve laik që janë të gatshëm t’i cilësojnë si përçarës të fesë dhe kombit, të dyja këto tërësi organike të pandashme.

Vetëm per ta tërhequr vërejtjen se sa e pasaktë në përdorimin e termave autorja është: jo vetëm ngatërron dhe bën mishmash emërtimet e këtij grupi, hera-herës konservativ, herë-herë radikal, vehabistë por edhe më keq ajo nuk e bën një saktësim shumë qëndror në filozofinë e liberalizmit; se nuk ekziston diçka që mund të quhet botëkuptim laik. Gjithë kurioziteti i çështjës së liberalizmit është se nuk është botëkuptim. Për më tepër, autorja përmend termin ”sekt”, ”fanatikë”, ”ndjekës të rreptë” me tendencën e vazhdueshme për të hedh tis trishtimi e frike në masa. Cdo njëri pas leximit, do ndihej thellë i rrezikuar e alarmuar. Është pikërisht ”tjetri” brenda shoqërisë, që përligj veprimtarinë tonë në cdo skutë.

Ajo që vihet re është ngritja e flamurit në mbrojtje të islamit të butë. Islami shqiptare është vërtetë i butë: ai rrallë herë ngren kryet për të denoncuar një të keqe, për të protestuar kundër një padrejtësie, për të shprehur indinjatën kundër korrupsionit në të gjitha shtresat politike, për t’u rrebeluar kundër konformizmit që mbyt mendjen, për t’u shqetësuar për situatën e rëndë që sistemi ekonomik neoliberal është duke e krijuar në Kosovë dhe është duke e shpërbërë strukturën sociale të shoqërisë kosovare dhe asaj shqiptare në përgjithësi. Islami kosovarë është i butë, ska dyshim. Pyetja që shtrohet këtu: ndaj kujt është i butë islami kosovarë? Është i butë ndaj të gjitha dukurive negative serioze: shfrytëzimin dhe eksploatimin e klasave te sunduara nga laikët e ”emancipuar”, nga ata që bezdisen prej fenomeneve krejt margjinale por që mbyllin sytë ndaj padrejtësive të mëdha kundër kosovarëve që ata aq shumë kujdesen për dhe aq fortë i duan. Islami kosovarë është i butë sepse është reakcionar. Prandaj është ky islam ’i mirë’ për laikët liberal të Kosovës; është i mirë për biznes, për mbulimin e pakënaqësive të eksploatimit. Ky nuk është islam që ka ndonjë peshë.

Logjika që përshkon këtë artikull është se Kosova ka islamin e vet të butë që nuk duhet prekur apo kundërshtuar. Islami i Kosovës, ai tradicional, është paqësorë, tolerant dhe liberal, kurse ky i riu, i vehabisteve, ky është jo-tolerant, i keq, agresiv, dhe shtin vetëm farat e ndarjes dhe përçarjes. Padyshim se fanatikët vehabistë nuk i kanë ofruar asgjë pozitive mendimit islam, por as popullatës ku jetojnë. Radikalizmi i tyre eshte radikalizëm djathtist, i gabuar. Një formë ultrakonservative e islamit modern, por jo formë e politizuar. Në fakt, ajo çka e dallon këtë drejtim është pikërisht forma depolitizuese e islamit. Është konservativ dhe unltratradicional, por jo politik, sado që të mirret me çeshtje dhe probleme politike. Konservativizmi i tyre është forma më jopolitike e shprehjes së islamit prandaj edhe rreziku i tyre është margjinal për shoqërine kosovare.

Edhe ata si „Islami i butë” janë tërësisht reakcionarë: mirren me problematika të shekujve të kaluar dhe mbyllin sytë para problemeve qe u’a zënë rrugën çdo ditë. Edhe vehabizmi si shumë dukuri tjera negative është simptomë e një dukurie më të thellë, atë të dështimit të politikave emancipuese. Nuk do t’i mbroje reakcionarët, por ata nuk janë problemi më i madh i shqiptarëve, nuk janë duke shpërbërë shoqërinë civile, nuk kanë as mundësitë dhe as mjetet e duhura per të infiltruar shoqërinë deri në atë masë sa të krijojnë përçarje te shqiptaret. Ata janë duke shërbyer si scapegoat për të mbuluar problemet akute të shoqërisë kosovare.

Tani nëse është krim që këta njerëz të kërkojnë të drejtat e tyre që të jetojnë në harmoni me besimet e tyre, atëherë duhet ose të definohet sërish përmbajtja e krimit (çka është krimi?) ose te përcaktohet saktësisht se çfarë lloj krimi është ky dhe kundër kujt? Përderisa ata nuk kërkojnë që të imponojnë me dhunë besimin e tyre mbi të tjerët, dhe këtu nuk jemi duke parashtruar horizontin politik të emancipimit radikal, por jemi duke lëvizur brenda horizontit politik të liberalizmit, nuk mundet assesi të kriminalizohet një drejtim i tillë. Kur këta t’i humbin aftësitë e tyre për të menduar dhe në vend te kokës/mendjes përdorin grushtin atëherë ata bëhen problem për shtetin dhe policinë. Kjo është doktrina liberale e trajtimit te ideve në një shoqëri plurale. Ata kanë disa kërkesa që dëshirojnë t’i realizojnë në jetët e tyre, prandaj edhe kërkojnë që shteti laik mos t’u paraqesë pengesë të panevojshme në përmbushjen e besimit të tyre. Përderisa këta nuk kërkojnë që doktrinat e tyre komprehensive te imponohen mbi të tjerët pa pëlqimin e tyre, nuk mund që këta të pengohen të jetojne sipas koncepcioneve të tyre morale dhe idealeve të mishëruara në të kuptuarit e tyre të fesë. Nuk është argument që të thuhet se këta po mundohen ta ndryshojnë gjeografinë fetare të popullit të Kosovës. Gjeografia fetare e kosovarëve nuk është as statike as eternale, por ndryshon sipas kushteve dhe kërkesave si dhe balancimit të fuqive të ndryshme në rajon.

Të kërkosh të drejtat tua nuk është gjë e keqe, nuk është as konservativizëm as radikaliëzm, por thjeshte një kërkesë qytetërore: Këto të drejta mund të kontestohen, të debatohen, të jipen, të mirren me dhunë, apo të anashkalohen. Konteksti është gjithçka këtu. Por kërkimi i të drejtave në vetvete nuk është ndonëj gjë e keqe, së paku nuk duhet të jetë e tillë në një shtet me pretendime demokratike dhe liberale që kërkon të bëhet anëtare e familjes së madhe evropiane.

 

 

Botuar ne:Indeks Online

About albphilosopher

Sead Zimeri has studied Philosophy, Islamic Philosophy and Religion, International Politics and Psychoanalysis. He is currently the project coordinator of "Islam and the Liberal Society" at the Liberalt Laboratorium (LibLab) thin tank in Oslo, Norway. http://www.liblab.no
This entry was posted in Uncategorized. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s