Pse duhet ta lexojmë librin e Agon Hamzës Louis Althusser?

Agon Hamza, Louis Althusser, Kolektivi Materializmi Dialektik, 2011, 100f, ISBN 978-9951-8835-0-4.

Sead Zimeri

Filozofia në gjuhën shqipe ka qenë dhe vazhdon të jetë e varfur. Kjo varfëri nuk është e çuditshme apo e pashpjegueshme, por ka arsyet e saja që janë të lidhura ngushtë me situatën e zymtë politike dhe gjendjen e brishte ekonomike të vendeve ku jetojnë shqiptarët. Populli shqiptar ka jetuar në kushte të një varfërie dhe mjerimi të skajshëm ekonomik dhe politik, që e kanë bërë filozofinë dhe drejtimet e tilla të ngjashme jo-shumë-interesante. Marrja me filozofi në kushte te tilla te mjerimit detyrimisht është përceptuar si luks apo ndërmarrje elitiste, të cilin shqiptarët e varfur nuk kanë pasur as kohë e as resurse që ta mbështetin. Megjithatë kjo nuk enkapsulon të vërtetën e tërë. Ajo që është e domosdoshme për filozofi është jo vetëm një lloj mirëqenie relative ekonomike, por edhe një zhvillim relativisht i ngritur i arritjeve në fushat e tjera të dijes, si për shembull në matematikë, shkencat e tjera natyrore dhe ato shoqërore, etj. Po të huazojmë prej filozofit të madh të këtij shekulli, Alain Badiou, mund të themi se filozofia nuk ekziston në vaukum shoqëror, por ajo kërkon kushte tjera që e bëjnë të mundur atë, e që janë, pra, kushtet e (pa)mundësisë së filozofisë si prirje ideore e veçantë, e cila ka teknikat dhe procedurat e saja te çasjes ndaj qenies dhe realitetit.

Mungesa e filozofisë në botën shqiptare, pra nuk është mungesë e dispozitave filozofike te shiptarët, sikur se që do t’iu konvenonte armiqve të tyre të mendojnë (mungesa e kurreshtjes, apo dyshimit apo habisë, etj), por është mungesë e zhvillimit dhe avancimit të dijes në fushat tjera. Lirisht mund të thuhet se fiozofia është vektor i vërtetë i matjes së të arriturave të njohurive dhe ngritjeve epistemike të një vendi në periudha të ndryshme historike. Nëse dëshirojmë të dijmë se sa është i zhvilluar një popull në lëmenjë e njourive shkencore, artistike dhe kulturore, nuk kemi ku shikojmë më largë se sa në literaturën e filozofisë autentike që prodhohet aty. Shkenca ngritet dhe mbështetet në institucione shkencore që mbështesin hulumtime të tilla shkencore, që pastaj shërbejnë si bazë dhe fundament për zhvillimin e filozofisë që reflekton frymën (Geist-in) e kohës. Aty ku nuk ka shkencë dhe art, aty nuk ka edhe filozofi të vërtetë.

Në këtë kontekst e lexoj edhe veprën e shkëlqyeshme të Agon Hamzës: Louis Althusser. Kjo vepër edhe pse në dukje të parë është vetëm një prezentim i ideve të një filozofi të madh të shekullit të kaluar, pra nuk është reflektim mbi konditat e filozofisë si e tillë – Hamza ka bërë reflektime te tilla të shumta në shkrime tjera – megjithatë, ajo është vepër që bartë një mesazh shumë të domosdoshëm për gjendjen tonë politike. Ky mesazh që është Althusserian, por jo vetëm i tillë, është se filozofia është intervenim teorik në situata konkrete, në ambientin ku zhvillohet. Në këtë vepër Agon Hamza ka dëshmuar, përmes filozofisë së Althusser, se si një projekt i tillë kyçet në praktikë. Unë nuk do të jap kurrfarë prembledhje apo lexim të argumenteve të veprës këtu: vepra është shkruar me një stil shumë të lexueshëm dhe të qartë. Unë do të shtroj një perspektivë që hedhë dritë mbi veprën dhe rëndësinë e saj për ne si popull “jo-filozofik”. Siç e permenda më lartë, vepra nuk është reflektim i drejtpërdrejtë filozofik, por reflektim i tërthortë filozofik, dhe kjo ndoshta e bën edhe më shumë interesante dhe të dobishme për lexuesin se sa të ishte një pë rsiatje e pastër filozofike. Pse? Për dy arsye.

Së pari, me këtë libër Agon Hamza ka futur në botën tonë mendore një figurë kyçe të shekullit XX. Kemi mësuar për filozofinë shumë të nevojshme të Althusser-it, por edhe për filozofë të tjerë të rëndesishëm të traditës Althusseriane, si dhe për vetë Agon Hamzën si filozof i ri shqiptar, i cili prezenton një çarje filozofike autentike në traditën jo-filozofike shqiptare. Althusser, edhe pse jo përherë drejt i kuptuar, ka qenë mirë i njohur në Francë dhe Europë, dhe ka lënë gjurmë të pashlyeshme në filozofinë bashkëkohore. Në hapësirat shqiptare, përkundrazi, deri në publikim e kësaj vepre, Althusser ka qenë një figurë pothuajse tërësisht e errët. Althusser është figura kyçe për kuptimin e drejtë të filozofisë që është zhvilluar pas tij. Madje, edhe filozofët para Althusser nuk mund të kuptohen drejt pa ndihmën qenësore të Althusser. Pse po e them këtë? Sepse është fakt i mirë ditur se filozofia nuk mund të ndahet prej historisë së filozofisë, dhe tërë filozofët që në një formë apo tjetër kanë rënë nën ndikim të Althusser, detyrimisht kanë kuptime të ngjyrosura epistemike althusseriane të filozofisë së historisë. Althusser, pra është i domosdoshëm për njohjen dhe vlerësimin e drejtë të filozofisë kontinentale bashkëkohore. Ai, siç shpjegon edhe autori i librit, na ka mundësuar që përmes koncepteve të cilat i zhvilloi, e që sot janë bërë koncepte kyçe të filozofisë kontinentale, ta lexojmë historinë e filozofisë si histori e intervenimeve ideore në aktualitet. Filozofët nuk janë njerëz qe mendojnë për qenien si kategori abstrakte, të cilën askush nuk e kupton mirë e siç duhet, por ata janë njerëz të cilët përmes mendimit të qenies lënë gjurmët e tyre në krijimin e vetëdijes për kohën.

Së dyti, leximi i Althusser është shumë më interesant se sa një përsiatje e drejtpërdrejtë filozofike, sepse në kushtet e varfura të filozofisë në botën shqiptare ku nuk ekzistojnë as istitucione e as filozofë të mëdhenjë, ndoshta kjo është forma më e mirë për të bërë filozofi: filozofia krijohet edhe përmes leximit kreativ të veprave filozofike, përmes diskutimit të ideve të tyre, përmes përsëritjes së impulsit kreativ dhe përsiatjes mbi idetë e tyre, me qëllim të nxjerrjes së mësimit të domosdoshëm që do të na ndihmonte në iluminim për situatën në të cilën ne si popull jemi duke u zvarritur. Althusser ka një repertoar të koncepteve që janë më se të domosdoshme për ndriçimin e situatës politike dhe shoqërore këtu te ne. Prandaj, Althusser është pikënisja drejtë të kuptuarit të drejtë të situatës politike sot. Çdokush që është i interesuar për fatin politik të popullit të vet, që është i vetëdijshëm se gjërat nuk janë duke funksionuar ashtu siç do të duheshin të funksionojnë, por megjithatë nuk ka mjetet e duhura për ta kthjelluar dhe kuptuar saktë gjendjen e situatës në të cilën është ngulfatur, duhet ta lexojë këtë vepër. Shumë ide sqarohen, shumë pështjellime kthjellohen, shumë perspektiva hapen, si dhe qorrsokaqet e kapitalizmit shikuar nën prizmin Althusserian gjejnë çarje për një alternativë të organizimit emancipues politik.

Agon Hamza përmes kësaj vepre na ka njoftuar afërsisht me filozofinë e këtij luminari të madh të shekullit të kaluar, idetë e të cilit besoj se jo vetëm që do te ndriçojne në formë kritike politikat dhe ideologjitë tona, por do të shërbejnë edhe si fanar që hedhë sado pak dritë mbi kuptimin dhe rrjedhimisht, ndryshimin e bashkëkohësisë sonë. Natyrisht, as Althusser e as Hamza nuk japin zgjidhje magjike të problemeve ku ato ndërthurren. Kjo është një vepër filozofike, dhe si e tillë nuk është e obliguar të japë përgjigje, por të shtrojë pyetje që iluminojnë perspektivat si dhe korrigjojnë përgjigjet e gabuara.

Botuar në Koha Ditore, 29 Tetor 2001

About albphilosopher

Sead Zimeri has studied Philosophy, Islamic Philosophy and Religion, International Politics and Psychoanalysis. He is currently the project coordinator of "Islam and the Liberal Society" at the Liberalt Laboratorium (LibLab) thin tank in Oslo, Norway. http://www.liblab.no
This entry was posted in Uncategorized and tagged , . Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s