Occupy Kosova!

Agon Hamza & Sead Zimeri

Janë bërë më shumë se tre javë prej që një numër jashtëzakonisht i madh i protestuesve e kanë okupuar rrugën Wall Street në New York. Sipas të gjitha gjasave, të inspiruar nga tradita angleze e ‘okupimit’ të objekteve, hapësirave publike, institucioneve publike, etj, protestuesit në New York e okupuan qendrën me të madhe financiare (të kohës) në botë, duke e kthyer qendrën financiare të imperializmit amerikan në qendrën e shpresës së një ndryshimi. Si çdo ide dhe lëvizje tjetër që sfidon themelet e ngrehinës së një gjendje tashmë-veçse të etabluar të situatës, e cila është e strukturuar në dominim – injorimi i saj është i domosdoshëm për strukturat e ideologjisë hegjemonike. Por, Lëvizja “Occupy Wall Street” (Okupo Wall Street) fitoi njohjen dhe përkrahjen ndërkombëtare, duke bërë që në përkrahje të saj të vihen figurat si Naomi Klein, Slavoj Zizek, Cornell West, Amy Goodman, nga qindra lëvizje politike dhe intelektuale nga i gjithë globi. Madje, edhe stafi i profesorëve të universiteteve me orientim liberal si New School for Social Research, ose Columbia University dërguan letra përkrahëse dhe solidariteti për këtë lëvizje dhe kërkesaj e tyre politike. Mediat mainstream e injoruan protestën tërësisht pothuajse për dy javë rresht. Disa komentatorë cinikë na thonin atë që pritej: protestuesit tek Wall Street janë narkomanë, të pa-strehë, artistë e boemë, e kështu me radhë. Duke e zhveshur nga karakteti politik, ata tentonin t’i jepnin protestës një dimenzion tjetër, atë reaksionar. Protestuesit quheshin hippy, ndërsa na thonë se ata nuk kanë kërkesa të qarta politike. Mirëpo, sipas Democracy Now, protestat e stilit “Occupy” janë përhapur ne mbi 847 qytete dhe vende të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e e shndërruar Lëvizjën “Occupy Wall Street” në Lëvizjen “Occupy Together” (Okupo Bashkë). Në Deklaratën për okupimin e Wall Street, Lëvizja thotë se “ne” (dhe fjala ne këtu ka kuptim thelbësor, jo në kuptimin empirik, por në kuptimin e mendimit dhe qëndrimit) ‘mbledhemi këtu së bashku në solidaritet, për të shprehur ndjenjën e padrejtësisë në masë”, nga koorporatat, baknat dhe mekanizmat e tjerë financiarë të kapitalizmit të sotëm. Deklarata e tyre paraqet në mënyrë jashtëzakonisht të qartë qëndrimet politike dhe shoqërore të Lëvizjës “Occupy Wall Street”, të cilat fillojnë që nga shprehja e solidaritetit universal, duke ofruar bashkëpunim dhe aleancë më të gjithë ata që luftojnë kundër koorporatave, bankave dhe institucioneve të tjera eksploatuese financiare; duke shprehur nevojën e qartë për bashkëpunim global për të fituar të drejtat e barabarta dhe luftën kundër padrejtësive. Tutje, Deklarata vazhdon me pika “konkrete”: ata bëjnë thirrje për ardhura të garantuara pavarësisht punësimit, shkollim pa pagesë, sigurim shëndetësor, ndalimin e diskriminimit në bazë të gjinisë, orientimit seksual ose racor, investime për restaurime ekologjike, hapje të kufinjëve (çdokush mund të jetojë dhe punojë ku të dojë), etj. Siç thoshte filozofi Jason Read në fjalimin e tij në “Occupy Maine” (Okupo qytetin Maine), arsyetimi se Lëvizja “Occupy Wall Street” nuk ka kërkesa të qarta, nënkupton se ato duhet t’i lihen politikanëve t’i formulojnë dhe t’i shtyjnë përpara. Këtu janë disa probleme: 1) politikanët e kanë pasur mundësinë për t’i shtruar, artikuluar dhe zgjidhur këto probleme, 2) kjo lëvizje nuk ka qëllim vetëm të bëjë kërkesa, dhe politikanët t’i dëgjojnë ato – njerëzit janë angazhuar në demokraci të drejtpërdrejtë, 3) ne jemi në këtë situatë sepse politikanët kanë dështuar keqazi! Në anën tjetër, lëvizjet emancipuese në parim nuk bëjnë kërkesa, sepse sipas Read, kërkesa presupozon se ekziston dikush që do t’i degjojë ato dhe të përgjigjet në to. Në këtë linjë, sfida qëndron në artikulimin e qëndrimit politik dhe jo në artikulimin e kërkesave. Protestuesit gjithandej SHBA-ve e kanë përqafuar slloganin kryesor të protestës: ne jemi 99%-shi. Kjo nënkupton që njerëzit e Wall Street, koorporatat, biznesmenët, manipulantët dhe spekulantët e tjerë financiarë, politikanët përbëjnë 1% të popullatës. Në këtë linjë të argumentimit, 99% e shoqërisë punojnë dhe eksploatohen për mirëqenien dhe pasurimin e 1%shit. Kujtoni krizën financiare: miliarda dollarë u dhanë për shpëtimin e bankave dhe koorporatave. Në anën tjetër, shkurtimet buxhetore po bëhen gjithnjë e me të mëdha dhe më të ashpra: na thonë se nuk ka para për shkollim, nuk ka para për sigurime shëndetësore, etj. Por, kur bankat dhe koorporatat janë në rrezik (dhe nëpërmjet tyre, kapitalizmi gjendet në krizë terminale), paratë gjinden gjithmonë. Siç thoshte një parullë në protestën e Wall Street: “ne nuk do të paguajmë për krizat tuaja”. Kjo krizë e bëri aktual një parullë tjetër: “socializëm për të pasurit, kapitalizëm për të varfërit”.

Por, pse Lëvizja “Occupy Wall Street” është e veçantë? Kush do ta paramendonte vetëm para disa javësh që në Wall Street do të artikulohen qëndrime politike të majta? Amerika si qendër e kapitalizmit global, po shndërrohet në një vend me një lëvizje mbarë-kombëtare të majtë. Kjo lëvizje është vazhdimësi e lëvizjeve gjithandej globit, që nga Greqia, Egjipti, Tunisia, Siria, Bahreini, Kina, India, Britania, Spanja, e kështu me radhë. Në anën tjetër, me 15 Tetor është paralajmëruar një protestë globale, nën moton “Të bashkuar do të ri-krijojmë botën” dhe me parullën “Njerëz të botës, ngrihuni”. Nëse shikoni në hartën e United for Global Change, shihni se tashmë protestat janë paralajmëruar në qindra qytete gjithandej globit, duke përfshirë edhe shumë qytete nga rajoni ynë – natyrisht, me përjashtim të Prishtinës. Poashtu, askush nga Kosova nuk dërgoi asnjë letër përkrahëse ose solidaritet çfarëdo qoftë nuk dërgoi në adresë të tyre. Kjo për faktin se skena politike, shoqëria civile dhe intelektualët e këtij vendi fundamentohet mbi konzervatizmin si premisë. Në instancë të fundit, kjo nuk është befasuese – strukturat dominuese të kësaj shoqërie janë konzervative, dhe ideja e ndryshimit jo-kontinual, pra ndryshimit si rezultat i çarjes ose thyerjes është absolutisht i papranueshëm. Për më tepër, ne frikësohemi jo vetëm nga ndryshimi, por nga mendimi ndryshe, nga ideja se diçka mund të ndryshojë, dhe ky ndryshim si i tillë e ç’rregullon strukturën tonë simbolike dhe rolin tonë në ato struktura. Damkosja dhe etiketimi në këtë shoqëri janë shprehje të impotencës dhe konzervatizmit të po kësaj shoqërie. Në këtë sens (apo non-sens) ishte edhe reagimi i qarqeve reaksionare dhe konzervative të Amerikës ndaj Lëvizjes “Occupy Together”. Por, çka nuk shohin reaksionarët dhe konzervativët? Cila është esenca e problemit të cilin ata e huqin?

Atë që reaksionarët dhe konzervativët nuk po e shohin, apo nuk duan të shohin është se përderisa bota po ndryshon para syve të tyre, ata vazhdojnë të mendojnë se e ardhmja është e tyre. Të gjitha shenjat dhe ngjarjet globale (të cilat filluan në fillim të dekadës së parë të këtij shekullit dhe po vazhdon tutje me krizën financiare) përjashtojnë një ide të tillë si iluzore. Madje, nje ide e tillë sot nuk është vetëm reaksionare, por tërësisht irracionale, sepse konzervatizmi si fuqi ideare dhe ideologjike, në format që po prezentohet sot nga ideaologët e saj, është tërësisht kundër frymës që e ka kapluar botën, ai është i ngritur mbi premisa që nuk përputhen aspak me realitetin e bashkëkohësisë së vet. Problemi nuk qëndron në atë se ata po mbrojnë vlera dhe ide që dikur ishin të domosdoshme për ngritjen e shoqërisë në të ashtuquajtura bazamente të forta. Problemi me ta është se ata po mbrojnë vlera që lirisht mund të quhen anti-vlera (duke e marrë për bazë edhe linjën e tyre ideologjike). P.sh., të analizojmë (të ashtuquajturat) vlera të nacionalizmit dhe patriotizmit – nëse dikur këto ishin të ‘dobishme’, e ndoshta edhe të ‘domosdoshme’ për ngritjen e një shoqërie, sot këto janë pikërisht negacioni i krijimit të një shoqërie të ngritur mbi themelet e barazisë, sepse ato përjashtojnë pa ndonjë arsye ata që nuk bien në përkufizimin (arrogant) që zakonisht u jepet këtyre termeve. Në këtë kontekst, natyralizimi i këtyre vlerave sjellë pikërisht idetë që sot nuk mund të përshkruhen ndryshe përveç si obskurantizëm i kulluar. Andaj, mbajtja e status quo’s me çdo kusht, vetëm pse këto ide njëherë e një kohë ishin ‘përparimtare’ dhe të suksesshme, është pikërisht rruga që na dërgon drejt një humnere, së cilës nuk do t’i dihet fundi. Thuhet se jetojmë në kohë të errëta – por, errësira vetëm sa do të thellohet dhe zgjerohet edhe më tutje, duke u bërë edhe më e errët. Pra, insistimi me çdo kusht në status quo’n e sotshme është një akt tërësisht irracional, një akt që është në kontradiktë në çdo nivel në të cilin ajo ndërthuret. Ideja e univerzalizmit, që është ideja baza e çdo forme të politikës emancipuese, nuk mund të ngrihet mbi bazamante që janë tërësisht përjashtuese të vlerave univerzale, por që mbështeten në partikularizma arkaik. Ka ardhur koha të shqyrtojmë dhe të mendojmë edhe njëherë premisat e politikave të ngritura mbi idenë se kapitalizmi dhe format e politikave lokale që ai i mbështetë, e që në mënyrë të pakushtëzuar përkrahen nga konzervatorët, e mundësojnë përjashtimin e pakusht të ideve që në esencë janë përparimtare dhe emancipuese.

Prandaj, ngjarjet si këto në New York e Athinë, Londër, Egjipt e gjetiu, janë shënjuesi i vetëm i vërtetë i transformimeve ideologjike që po ndodhin sot. Çdo renegim nga kjo është akt i pafalshëm historik, është zbrapsje nga historia, nga të krijuarit e historisë dhe bashkëkohësisë. Çdo ide që pretendon se është e mundur të qëndrohet larg ose anash këtyre ngjarjeve madhështore, është kundër ecurisë së historisë drejt një bote më të mirë, drejt një bote që na ka munguar për shumë kohë. A ka ardhur koha t’i bashkohemi trenit të ndryshimeve të historisë, apo kemi vendosur të luftojmë me ide të vjetra e të diskredituara me qindra herë? Zgjidhja është në duart tona, sikur se që sukseset apo disfatat në mendim dhe veprim janë dhe do të mbesin përgjegjësia jonë. Sidomos për ne në Ballkan, kjo që po ndodhë në New York është e një rëndësie kruciale, sepse po ta kuptojmë historinë drejt, ndoshta kësaj radhe nuk do të mbetemi mbrapa, dhe pas dy-tre shekujsh t’u kthehemi atyre kur ndoshta ato, në formën që prezentohen tani, do të jenë diskredituar. Le t’i bashkangjitemi dhe ta përkrahim frymën e re që po përshkon sot botën. Leximi më sipërfaqësor i kësaj frymë dëshmon se këto ngjarje të këtilla ndodhin shumë rrallë në histori, dhe ky shansë nuk duhet humbur. Në këtë kuptim, le të kontribuojmë edhe ne, nëse jo në përmbajtjen dhe në formën që këto ide do të marrin, së paku në përhapjen e tyre në mjedisin tonë. Siç thoshte Brecht, “vetëm gjërat e lehta janë aq vështirë për t’u bërë”.

Botuar në Koha Ditore, 15 Tetor 2011

About albphilosopher

Sead Zimeri has studied Philosophy, Islamic Philosophy and Religion, International Politics and Psychoanalysis. He is currently the project coordinator of "Islam and the Liberal Society" at the Liberalt Laboratorium (LibLab) thin tank in Oslo, Norway. http://www.liblab.no
This entry was posted in Uncategorized. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s