Modernizmi dhe Postmodernizmi Perendimorë në Relacione me Kulturat Tjera

Truth is…a mobile army of metaphors, metonyms, and anthropomorphism – in short, a sum of human relations, which have been enhanced, transposed, and embellished poetically and rhetorically, and which after long use seem firm, canonical, and obligatory to a people: truths are illusions about which one has forgotten that this is what they are.

–Nietzsche

Sead Zimeri
23/06/03

Historija e njerëzimit ka pësuar ndryshime të mëdha gjatë procesit të zhvillimit të saj, disa herë ndryshimet e tilla ishin në të mirë të njeriut e disa herë ishin në dëm të tij. Shekujve të fundit, e sidomos gjatë periudhës të quajtur modernizëm, “njeriu” në mbështetje të të arriturrave shkencore, u kaplua nga besimi tejet arrogant në fuqinë e tij për të zgjidhur të gjitha problemet që mund t’i hasë në rrugë. Optimizmi i tepërt në fuqitë kreative të tija e bëri të harrojë se njeriu nuk është më tepër se rezultat i kushteve dhe rrethanave historike, shoqërore, politike, ekonomike, gjeografike, biologjike, ambientale dhe klimatike të vendit dhe periudhës të cilës i përket. Ky optimizëm dogmatik dhe pa vizione imagjinative që në mënyrë tejet jotolerante ndjekte logjikën dogmatike aristoteliane dhe sistemet e ndryshme filozofike dhe ontologjike të ngurta që vështronin botën si “një-dimensionale” me ontologji dhe esencë të përhershme dhe të “dhënur” njëherë e përgjithmonë – idetë platonike dhe monadat laibniciane të mbyllura -, bënë që njeriu i periudhës së quajtur modernizëm të dalë prej humantetit të tij dhe të shëndrrohet në monstër që ndjell frikë kudo që këmba e tij të shkelë.

Optimizmi i tillë naiv arsyetoi të gjitha avanturat që njeriu i kësaj periudhe i ndërmori dhe po i ndërmerr edhe sot e kësaj dite, për të “qytetëruar” popujt që nuk kishin hyrë në periudhën e modernizmit. Për njeriun e kësaj periudhe, pothuajse çdo gjë që ai e konsideronte të “vërtetë” ishte absolute dhe evidente, andaj nuk ishte e mundur për të, të toleronte popujt që kishin mbetur jashtë modernizmit mos të pranonin të vërtetat e tilla. Misioni i përhapjes së të vërtetave absolute shiheshte po ashtu detyrë absolute e tij, ishte detyrë “njerëzore” që t’i iluminojë dhe edukojë barbarët e botës “tjetër”. Ky mision dhe ky optimizëm naiv arsyetoi devijimet e mendjes moderne për të vërteta absolute si dhe imperializmin dhe kolonizimin e vendeve më pak të zhvilluara, që nuk rezultoi në përmirësimin e kushteve ekzistenciale të popujve të pushtuar por në thellimin edhe më shumë të ndjenjave të inferioritetit si dhe uzurpimin e të gjitha resurseve natyrore dhe njerëzore në shërbim të interesave të pushtuesve.

Popujt e pushtuar nuk u bënë më të pasur në asnjë aspekt, dallimet u bënë bënë edhe më të dukshme si dhe kulturat e popujve të pushtuar u nënçmuan dhe degraduan deri në masë të përbuzjes (lexo dy veprat e shkëlqyeshme të Edward W. Said, Culture and Imperialism si dhe Orientalism).

Ky është aspekti i errët i periudhës së ndritshme të quajtur modernizëm. Historija e njeriut megjithatë, nuk mbeti e mbyllur mbrenda kufijve mendorë dhe epistemologjik të kësaj periudhe. Ajo shkaktoi lindjen e sistemeve krejtësisht të kundërta me ato të mëparshmet, kështu që logjika aristoteliane, gjeometria euklidiane, fizika njutoniane si dhe sisteme të ndryshme dogmatike panë fundin e tyre pas zhvillimeve, zbulimeve dhe kritikave që ju drejtuan mendjes dhe tërë trashëgimisë të periudhës së modernizmit. Tani historianët e ideve flasim për periudhën e quajtur postmodernizëm, që ka “episteme” – grupë e relacioneve që bashkon praktikat e diskurseve të ndryshme që formojnë epistemologjinë e një periudhe – të veçantë. Michel Foucault, pishtarë i studjimeve të tilla dhe historian i ideve, fuqishëm dëshmoi se çdo periudhë historike ka “episteme-n” e vetë, dhe një formë diskursive e veçantë dominon në kontekste të veçanta historike dhe socio-kulturore dhe përmbanë të vërtetat e saja. Në fakt, gjatë një periudhe historike ndërveprojnë disa lloje të diskurseve që reflektojnë determinantet ekonomike, politike, seksuale etj, megjithatë mbështetur në “power relations” diskurset e disa komuniteteve interpretuese privilegjohen kurse diskurset tjera margjinalizohen. Foucault nuk është i vetëm në këtë drejtim, mund të thuhet se e tërë filozofija kontinentale, e veçanërisht ajo franceze është thellë e nyjëzuar dhe brumosur me idetë që përfaqësojnë periudhën e quajtur postmodernizëm.

Tani më nuk flitet për të vërteta absolute, por për të vërteta relative, të vërteta brenda një diskursi të veçantë dhe në relacione dhe kontekste shoqërore, historike, ekonomike politike etj, të veçanta. Të vërtetat që i mësojmë nuk janë më shumë se “kode” sociale për të bërë komunikimin e një grupe apo grupeve të mundshëm. Theks i veçantë vëndohet në gjuhët që popuj të ndryshëm flasin. Teorija e njohur “Sapir-Whorf”, e dy linguistëve Amerikan, Edward Sapir dhe nxënësit të tij Benjamin Lee Whorf, që bashkon dy parimet asociative, determinizmin dhe relativizmin gjuhësorë, thekson se njerëzit që flasin gjuhët me ndryshime të mëdha fonologjike, gramatikore dhe semantike, perceptojnë dhe vështrojnë botën krejtësisht ndryshe nga njëri tjetri pasi që janë të determinuar prej gjuhës që flasin, dhe siç më është dëshmuar, gjuha nuk është vetëm medium për përshkrimin apo shprehjen e ideve dhe emocioneve, por ajo gjithashtu participon në konstruktimin e botës dhe vizioneve tona. Edhe pse kjo teori është sulmuar nga shumë kritikë të gjuhësisë dhe semiotikës, ideja qëndrore mbetet e shëndoshë.

Parimi i relativitetit të gjuhës nuk mund të mohohet, kurse determinizmi gjuhësorë mund të bëhet më relativ në raport me folësit e saj. Semiotikët thonë se perceptimi i përditshmërisë së ngjarjeve rreth nesh është i mundshëm vetëm përmes kodeve (verbale, trupore, të sjelljes, të veshjes; kodet shkencore, estetike, retorike, stilistike, të mjeteve të informimit; kodet ideologjike, të perceptimit etj) që dominojnë në kontekste të veçanta socio-kulturore. Kodet nuk janë vetëm konvencione të komunikimit, por sisteme procedurale të konvencioneve që veprojnë në domene të veçanta, brenda kornizave të gjëra kulturore. Gabimin që njeriu e periudhës së modernizmit bëri është pikërisht mënyra e tij e të kuptuarit të “shenjave” dhe kodeve, duke harruar se kodet kanë kuptim vetëm në relacione të një kulture të veçantë, edhe pse disa kode nuk duken të jenë formulime njerëzore. Gjatë adaptimit të këtyre kodeve ne adaptojmë vlerat, besimet dhe vizionet që janë të brumosura në to, pa qenë të vetëdijshëm për intervenimin e tyre në formulimin e realitetit [2]. Çdo kod paraqet apo reflekton format dominante të vizioneve të një kulture, dhe nuk kanë vlera absolute, pasi që dukuritë vështrohen duke i vënë në perspektivë.

Megjithatë periudha e postmodernizmit rrëshqiti tërësisht në anën e kundërt të modernizmit, duke mos pranuar asgjë që të ketë vlerë univerzale. Ky është qëndrim, për mendimin tim, i paqëndrueshëm, së paku në planin epistemologjik. Jo çdo reprezentim është simulacra (kopje pa origjinal), sikur që jo çdo reprezentim është tërësisht i vërtetë dhe i saktë, pasi që gjatë vëzhgimit të një dukurije fokusohemi në një aspekt apo disa aspekte të dukurisë së vështruar, pasi që fokusimi në tërë aspektet është praktikisht i pamundshëm, si dhe gjatë vëzhgimit të asaj dukurije, mjetet e përdorura janë specifike kulturore të një periudhe dhe vendi të veçantë.

Teza e relativizmit absolut nuk përqëndron, pasi që komunikimi mes popujve dhe njerëzve të ndryshëm është i mundshëm edhe pse gjuhët dhe kulturat janë tërësisht të ndryshme. Nuancat dhe ngjyrimet kulturore sado që të jenë specifike kulturore, ato po aq janë edhe univerzale që determinojnë dhe bëjnë të mundshëm komunikimin mes besimeve dhe kulturave të ndryshme. Relativizmi absolut është ana e errët e kësaj periudhe të shkëlqyeshme të vetë-kritikës së mendjes.

Absolutizmi (univerzalizmi) absolut i modernizmit dhe relativizmi absolut i postmodernizmit janë pikat puçëse dhe ndarëse të këtyre dy periudhave. Ato puçen në absolutizëm dhe ndahen për në drejtime të kundërta, por pasojat e veprave që rezultojnë prej qëndrimeve të tilla janë përafërsisht të njëjta. Si ideologjitë e modernizmit ashtu edhe ato të postmodernizmit në relacione me absolutizmat e tyre janë tërësisht të dëmshme për shoqëritë që janë në zhvillim e sipër. Modernizmi u mundua të i likuidojë popujt që nuk i pranuan të vërtetat e ideologjive të saja, kurse postmodernizmi, në anën tjetër, bën likuidimin e tyre duke mos u ofruar kurrfarë ndihme serioze për përmirësimin e kushteve të jetës. Modernistët thonë se shoqëritë e tilla janë parake dhe të pazhvilluara andaj duhet të reprezentohen, që d.m.th. të kolonizohen dhe të shfrytëzohen për mirëqenjen e kolonizuesve, kurse postmodernistët thonë se çdo shoqëri ka epistemet e saja si dhe mënyrat dhe modelet e përshtatshme për kushtet socio-ekonomike të tyre, andaj duhet të lihen në zvarritjet e tyre, pasi që edhe përparimi shkencorë dhe kulturorë është tërësisht relativ dhe i përgjigjet formimit diskursiv të shoqërive të përparuara.

Diskurset e këtyre dy periudhave, çuditërisht, sjellin të njëjtin rezultat, likuidimin kulturorë të popujve jo të zhvilluar sa duhet. Diskurset e të dyja periudhave nuk marrin parasysh faktorët “objektiv” që kanë sjellur popujt e tillë në pozita që janë sot. Për modernistët, është në gjenet e tyre (popujve të pazhvilluar) të mos e kuptojnë racionalizmin dhe shkencën evropiane andaj edhe ontologjikisht janë inferiorë dhe do të mbeten të tillë, për postmodernistët, pasi që faktorët objektiv nuk ekzistojnë, të flitet për objektivitet është të flitet për subjektivitet që ka veshur maskën joekzistuese të objektivitetit si dhe të ngatërrohen epistemet e periudhës së modernizmit me atë të postmodernizmit. Modernizmi, kulturës që kontriboi në zhvillimin e saj i dha karakter dhe formë absolute, postmodernizmi në anën tjetër, edhe vlerave univerzale të solidarizimit njerëzorë u dha karakter relativ. Modernistët u thonë popujve të pazhvilluar ju jeni në një formë apo tjetër popuj parak, kurse postmodernistët u thonë, nuk ka problem, parakizmi juaj është konsistent me epistemen tuaj dhe mos harroni çdo gjë është relative; nëse e shihni të arsyeshme kanibalizmin apo vrasjen e njëri tjetrit, ajo është problemi juaj.

Në shiqim të parë, qëndrimi relativ i postmodernistëve mund të duket konsistent me politikën e mosintervenimit në kulturat tjera (relativizmi kulturorë), por në fakt është qëndrim që mund të interpretohet në qëllime të njëjta me ato të modernistëve. Kur një populli të varfur dhe të pazhvilluar sa duhet i thuhet ti vazho të jetosh jetën tënde e unë po vazhdoj jetën time luksoze, ideologëve të tillë pasi që t’u hiqen maskat e sinqeritetit, të dekonstruktohen mesazhet e tyre, do të shohim se ata më shumë se modernistët janë duke i kontribuar hegjemonisë dhe dominimit evroperendimorë, por tani në mënyrë të tërthortë dhe më efikase. Përshtypja të krijohet se në asnjërën periudhë ideologët e tyre nuk u munduan që seriozisht të ndihmojë popujt e pazhvilluar duke kontribuar para së gjithash në përmirësimin e kushteve ekonomike të tyre, dhe tek pastaj t’u flitet për relativizëm apo barbarizëm. Në mungesë të këtij kushti, të gjitha diskurset e tilla mbeten të zbrazta dhe jo signifikative, e ndoshta edhe të rrezikshme, pasi që detyron popujt e pazhvilluar të bëjnë racionalizimin e të gjitha formave të tyre të jetës në mbështetje të traditave apo fesë.

————————————————-
References:

1) Ky artikull është tejet i përgjithshëm për të hyrë në analiza të hollësishme dhe ilustrative të temës në fjalë. Artikulli është formë abstrakte dhe në linja të gjëra bën përpjekje për të analizuar diskurset e modernizmit dhe postmodernizmit, siç janë kuptuar nga autori i këtyre rreshtave. Leximet që kam bërë mbi këto dy forma të të menduarit, më detyrojnë të marr qëndrimin që është prezentuar në këtë artikull. Ndoshta një herë tjetër do të bëjmë analizime të hollësishme dhe konkrete përmes teksteve të veçanta dhe të njohura të modernizmit dhe postmodernizmit.

3) http://www.aber.ac.uk/media/Documents/S4B/sem01.html

About albphilosopher

Sead Zimeri has studied Philosophy, Islamic Philosophy and Religion, International Politics and Psychoanalysis. He is currently the project coordinator of "Islam and the Liberal Society" at the Liberalt Laboratorium (LibLab) thin tank in Oslo, Norway. http://www.liblab.no
This entry was posted in Uncategorized. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s