Barazia dhe veçantia ose dashuria dhe detyra

Përfytyro sikur t’i flisje babait tënd e ta trajtoje atë në të njëjtën mënyrë siҫ i flet dhe trajton komshiun gërnjar. Ti nuk je i pasjellshëm apo i lig, thjesht i ftohtë dhe indiferent. Ti nuk shfaq asnjë gatishmëri për t’u përkujdesur për të paҫka se tregohesh i drejtë dhe i gjindshëm e nëse rasti e kërkon, ofrohesh të ndihmosh po t’u kërkua ndihmë. Ti bën detyrën tënde dhe kjo është shkalla e përfshirjes me komshiun. A është djali i cili e trajton të atin në të njëjtën mënyrë si komshiun, një djalë i mirë?

Trajtimi i veçantë dhe moraliteti nuk janë domosdoshmërisht në kundërshtim me njëri-tjetrin por marrëdhëniet e rëndësishme njerëzore janë të ndërtuara dhe të mundësuara nga statusi i veçantë që ne u japim njerëzve, ngjarjeve apo vendeve specifike. Këto trajtime të veҫanta nuk është e thënë ta zhvlerësojnë ligjin moral por ato duhet ta ngrenë atë lart në mënyrë që të mos kapërcejë mbi këto veҫanti. Ne u japim disa njerëzve vlerë më të madhe dhe duke u dhënë të tillë vlerësim e respekt, përbën jo veçse një fakt objektiv për ne por gjithashtu subjektivisht të rëndësishëm. Nëse dështojmë të krijojmë një status të veçantë në këto marrëdhënie krahasimisht lidhjeve të tjera, dëmtojmë jo vetëm personin me te cilin po bashkëveprojmë por edhe veten e marrëdhënien tonë.

Imagjino një situatë ku ti e trajton nënë tënde në të njëjtën mënyrë siҫ trajton fqinjën me të cilën rrallë, në mos asnjëherë, flet. Herë pas here ti përshëndetesh me të por përtej këtyre përshëndetjeve ajo s’mbart asnjë vlerë për ty. Ty ende të kërkohet ta zbatosh ligjin moral dhe të jesh i drejtë me të si me ҫdo njeri tjetër, përfshi nënën tënde. Pa supozo tani të shfaqësh të njëjtën konsideratë dhe përkujdesje si për fqinjen që është askush, për nënën tënde. Kurrfarë përfshirjeje emocionale sidoqoftë. Ajo se ҫfarë kemi këtu është një qenie perfekte morale por një njeri monstruoz gjithsesi. Këtu kemi dështimin e të kuptuarit se morali është një kusht i nevojshëm për të mundësuar lulëzimin e marrëdhënieve njerëzore por një kusht i pamjaftueshëm pavarësisht. Morali të lë të ftohtë, është ҫnjerëzor. Morali bazohet tek detyra, në atë se ҫfarë duhet të bësh sepse të duhet ta bësh pasi është gjëja e duhur për t’u bërë. Ne duhet të jemi të këtillë me të huajt ndaj të cilëve shkëputja emocionale është e detyrueshme, nëse do t’i trajtojmë ata të gjithë njëlloj, në mënyrë të barabartë. Të përfshihesh emocionalisht në një raport ku kërkohet etika profesionale, krijon kushtet për dështimin e sistemit dhe korrupsion. Dështimi për ta zbatuar ligjin moral të shpie në situata të trajtimit të pabarabartë dhe të destabilizimit të marrëdhënieve njerëzore.

Trajtimi i veçantë ama ecën sipas një logjike tjetër dhe është gjithmonë personal. Ne lëndohemi prej njerëzve që na duan kur ata shndërrohen në kritikues objektivë tanët apo nëse na trajtojnë njëlloj siç trajtojnë komshinjtë e ngrysur. Kjo s’na bën më pak të moralshëm apo të etur për ta thyer ligjin moral por na shndërron në shtazë të pandjeshme, në krijesa pa dashuri.

Për ta qartësuar trajtimin e veçantë të dikujt pak më shumë: në rrafshin e ligjit moral universal, ne jemi të gjithë të barabartë dhe duhet ta kërkojmë një gjë të tillë pa ndjesë. Barazia kërkohet si një e drejtë universale, si një normë morale. Shoqëritë tona s’mund të funksionojnë pa u respektuar ligji moral. Kjo është perspektiva makro, perspektiva e relativitetit të Einstein-it ku Zoti s’luan me zara. Ekziston megjithatë edhe perspektiva mikro ku moraliteti bie, bëhet i dëmshëm dhe shkatërrimtar për marrëdhënie të afërta njerëzore. Kjo është perspektiva e botës kuantike ku Zoti luan me zara.

Këto dy dimensione të njerëzimit janë të pandashëm nga njëri-tjetri: ne i zotërojmë të dy dhe veprojmë në të dyja këto botë. Është dështim moral ta thyesh ligjin moral por është një dështim i imagjinatës të veprosh pa përkujdesje mbi ligjin moral në nivelin mikro të veçantisë. Ky s’është rasti kur ligji moral është gabim. Është çështja kur sfera e veçantisë në një dimension të caktuar të sajin, shkon përtej ligjit moral dhe kërkon aftësinë e arsyes praktike për të ditur si të mbahet njëra jashtë rrugës së tjetrës. Kjo është ajo se çfarë phronēsis nënkupton: arsyeja praktike; ndonëse ligji universal është i detyrueshëm dhe i zbyth të gjitha konsideratat e tjera, kërkohet një lloj tjetër mençurie dhe imagjinate për të kuptuar se universaliteti nuk është jo i zhbëshëm dhe pa limit. Ekzistojnë dimensione ku ligji moral nuk mund të aplikohet pa asgjësuar botën që dëshiron të rregullojë. Kjo gjithashtu s’do të thotë se në botën mikro të veçantisë mund të bësh çdo gjë që e gërryen moralitetin. Veçantitë nuk mund ta thyejnë ligjin moral: nëse një rast prezantohet si konflikt midis ligjit moral dhe përkujdesjes për personin e veçuar, atëherë ligji moral do të dominojë gjithmonë. Dashuria yte për fëmijën tënd nuk mund të përkthehet në neglizhencë për nevojat bazike të fëmijës së komshiut apo të funksionojë në mënyrë aktive për ta bërë ligjin moral të pamundshëm.

Veçantia kërkon që t’i prioritizosh personat që ke veçuar mbi të tjerët pa i deprivuar të tjerët nga e drejta për t’u trajtuar në mënyrë të barabartë. Rregullat e etikës marrin këtu të atillë përparësi që shkon përtej atyre të moralit.

Mes dashurisë dhe moralit ekziston një hapësirë goxha e madhe por kjo hapësirë s’është e thënë të jetë e pakalueshme apo kontradiktore. Ti e do partnerin/en dhe merakosesh për të. Ka raste ama kur xhindosesh me të dhe reagon dhunshëm. Këtu kemi të bëjmë me dështimin e dashurisë, të imagjinatës dhe të moralit. T’i flasësh fëmijës tënd sikur të ishte i dikujt tjetër apo të shfaqësh ndjeshmëri ndaj fëmijëve të tjerë kur me tëndin je i sertë, përbën dështim njerëzor por jo moral. Mund të jesh një qenie perfekte morale por një njeri i keq, një baba i keq, një djalë i keq apo një shok i keq.

Ekziston një arsye e fortë se përse disa filozofë moral nuk e konsiderojnë të qenurit i/e mirë apo mirësinë një koncept moral sepse nuk është një koncept moral. E mira kualifikon shumë gjëra në kushtet se si ato e përmirësojnë një marrëdhënie apo profesion. Për shembull, një mësues i mirë është dikush që i udhëzon me korrektësi nxënësit e tij në disiplinat që u jep mësim. Një mik i mirë është dikush që e kupton se ç’do të thotë miqësi dhe vepron në bazë të saj. Është e qartë se mund të jesh një qenie morale e mirë dhe një qenie njerëzore e keqe, në kuptimin e të dëmtuarit të marrëdhënieve që janë ndërtuar mbi afërsinë dhe kërkojnë një qasje tjetër për t’u menaxhuar. Nëse ti e lëndon emocionalisht fëmijën tënd duke u shqetësuar që të jesh një qenie morale e mirë, mund të rezultosh i suksesshëm në këtë të fundit por të jesh i dështuar në tjetrën.

Na takon secilit prej nesh të zgjedhin se ç’duam të jemi por të dyja këto mënyra të qenuri janë të nevojshme. Çfarë kërkohet është një aftësi dhe kapacitet i caktuar për ta gjykuar një situatë duke shmangur dëmtimin e të dyja këtyre perspektivave.

Posted in Uncategorized | Leave a comment